RKL: Liridashësit duhet të ngrihen për të mbrojtur vlerat e luftës dhe çlirimtarët

Sulmet kundër UÇK-së, paralajmërimi për arrestimin e qindra ish-luftëtarëve, përpjekja për demonizimin  dhe barazimin e UÇK-së me strukturat shtetërore kriminale serbe, nuk janë vetëm luftë speciale e fabrikuar dhe e vënë në jetë nga disa qendra të vendimmarrjes ndërkombëtare, kundër lutës së UÇK-së  por edhe përpjekje për njollosjen e popullit shqiptar në përgjithësi si dhe demonizmin e çdo përpjekje për  lufte çlirimtare, në emër paqes dhe ruajtjes me çdo kusht të status-quosë.


 


Lufta e BE-së kundër vlerave të luftës çlirimtare dhe fitimtare të UÇK-së është luftë tinëzare e orientuar edhe  kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, të cilat përkrahen popullin shqiptar të Kosovës në luftë kundër Serbisë. Kjo luftë kulmoi me ndërhyrjen e forcave të NATO-s kundër Serbisë dhe Malit të Zi dhe me dëbimin e forcave policore dhe ushtarake serbe nga Kosova, në qershor të vitit 1999.


 


Rezultati që solli lufta e UÇK-së dhe ndërhyrja e NATO-s jo vetëm që nuk pati kurrfarë mbështetje politike nga BE-ja, por qysh prej mbarimit të luftës, Bashkimi Evropian, UNMIK-u OSBE-ja, EULEX-i si instrument policor e gjyqësor në Kosovë,  nuk kanë lënë gurë pa lëvizur në drejtim të demonizimit të luftës së UÇK-së, me qëllim për ta ndihmuar rimëkëmbjen e Serbisë, xhandarin e  Evropës në Ballkan dhe rehabilitimin e  saj, edhe pse Serbia i ka shkaktuar katër luftëra kolonialiste  prej vitit 1991 e deri në vitin 1999 ku kanë pësuar qindra mijëra kroatë, boshnjakë myslimanë, shqiptarë por edhe serbë.


Ata që mbajnë mend mbrëmjen e 24 marsit të vitit 1999, kur u dha urdhri për fillimin e bombardimit kundër caqeve ushtarake e ekonomike të Serbisë, ata që kanë parë atë natë fytyrën e zbehtë dhe meite, të Havier Solanës, fare lehtë kanë vërejtur jo vetëm keqardhjen e tij,  por edhe dhembjen e pikëllimin, që nuk i bënte dot zap para kamerave.


Dhembje e pikëllim kanë ndier të gjitha autoritetet evropiane si në Paris e në Romë ashtu edhe në Berlin, Madrid e në shumë vende të Evropës. Këtu e ka burimin përpjekja për demonizimin e UÇK-së dhe ndihmës e ndikimit amerikan në Ballkan dhe në Evropë.


 


Luftëtarët e lirisë, çlirimtarët e Kosovës e dinë mjaft mirë se cilat shtete kanë bombarduar makinerinë kriminale të Serbisë, cilat kanë abstenuar duke i hedhur bombat në djerrina e në male  dhe cilat kanë goditur edhe bazat e UÇK-së, madje edhe popullatën civile shqiptare gjatë kohës së luftës.


Nuk harrohen dot këto fakte, sepse i kemi përjetuar mbi kurriz.


Politikanët tanë servilë nuk guxojnë t’i përmendin këto fakte, edhe pse i dinë fare mirë. Ata me qëllim për t’ i ruajtur favoret dhe pushtetin vasal që u kanë dhënë protektorët ndërkombëtarë, nuk kanë marrë guxim dhe nuk kanë miratuar qoftë edhe një ligj, që e mbron  luftën e pastër fitimtare dhe çlirimtare të UÇK-së. Mbrojtja e vlerave të luftës me ligje të veçanta është bërë në të gjitha shtetet që kanë zhvilluar luftë çlirimtare.  


Be-ja po vërsulet kundër UÇK-së me qëllim për diskreditimin e konceptit të luftës për çlirim, me qëllim për të mos lejuar  krijimin e shteteve të reja mbi principe të vetëvendosjes. Këtë po e bën me qëllim për ta ruajtur  status-quonë, me qëllim për ta diskredituar çështjen dhe për ta shlyer nga rendi i ditës çështjen baske, katalonase, venete, siciliane e të tjera.


 


Por,  në Kosovë ka ndodhur lufta të cilën e ka përkrahur Amerika, Anglia  dhe NATO-ja. Kosova ka historinë e vetë të kthesës historike  dhe daljes nga pozita kolonialiste ku gjendet populli bask, katalonas e  kombe të tjera në sundimin imperialist të disa shteteve të Evropës.


 


Luftën e UÇK-së nuk e mbrojnë dot ata që i kanë tradhtuar interesat madhore të kësaj lufte dhe kanë përfituar mbi kurriz të gjakut të derdhur për liri!.


Luftën e UÇK-së nuk e mbron dot Qeveria, Kuvendi as Presidenca, sepse po të marrin një mund të tillë, atyre u dridhet froni. Ata mjaftohen me konstatimin se Kosova është e lirë dhe e pavarur, ndërsa sa i përket luftës së UÇK-së mjaftohen me konstatimet verbale se, ka qenë luftë e drejtë, por secili luftëtar u dashka  të përgjigjet për veprat e veta. Me konstatime të tilla ata heqin dorë nga mbrojtja e vlerave unike të luftës dhe nga pozitat me përgjegjësi që i kanë mbajtur gjatë kohës së luftës. Në këtë mënyrë ata dalëngadalë po i degradojnë edhe funksionet me përgjegjësi, që i kanë pasur gjatë luftës. Kohëve të fundit po shfaqet edhe tendenca e mohimit të organizmit të luftës nga një segment i kreut të saj, që për 15 vjet rresht është ngritur në hierarki duke rrahur gjoks, madje edhe për  themelimin e UÇK-së, lidhjet e fshehta me CIA-an e shërbime të tjera.


 


Luftën çlirimtare dhe fitimtare të UÇK-së nuk e mbrojnë dot as veteranët, sepse ata janë drejtpërdrejt të goditur dhe të lënë anash në të gjitha segmentet. Përderisa ata nuk sigurojnë dot ekzistencë, nuk kanë si të organizohen për të mbrojtur vlerat e luftës, të cilat nuk i mbron vetë shteti i Kosovës.


Luftën e UÇK-së as e ka mbrojtur e mbron dot politika poltrone e Tiranës zyrtare.


 


Luftën e UÇK-së mund ta mbrojë vetëm populli i Kosovës, nëse ngrihet në mbrojtje dhe nëse një forcë e caktuar  i prinë në atë drejtim.


Mbrojtja e vlerave të luftës, është edhe mbrojtje e shtetit të Kosovës.


Nëse heqim dorë nga vlerat çlirimtare dhe fitimtare të kësaj lufte, atëherë  vetvetiu me një logjikë të thjeshtë të gjërave, shfajësohet Serbia dhe regjimi kriminal i Beogradit. Nëse ne vetë lejojmë të shfajësohet Serbia, atëherë në mesin tonë do të gjenden edhe poltronë e servilë të tillë, të cilët do t’ i kërkojnë falje publike Serbisë, për krimet që e paskemi detyruar t’ i bëjë kundër nesh  në vendin tonë sepse e paskemi provokuar shtetin e njohur ndërkombëtarisht. Nga kjo mund të përfundohet se ne  e paskemi prekur pak në bisht Serbinë dhe ajo me të drejtë na paska ndëshkuar.  Si rezultat i kësaj politike poltrone e pacifiste kemi edhe marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, edhe pse Serbia nuk e njeh, madje  dhe zotohet se kurrë nuk do ta njohë shtetin e Kosovës, por ajo e njeh Qeverinë e Kosovës si Qeveri të një province serbe, ku jeton një shumicë shqiptare.  Beogradi zyrtar e njeh edhe Kuvendin e Kosovës, ku ka lejuar të jenë pjesë e këtij Kuvendi edhe deputetë serbë, por nuk e njeh institucionin e kryetarit të Shtetit.


 


Nëse kemi pasur arsye të ngrihemi dhe të luftojmë kundër kolonializmit serb dhe kundër robërisë shekullore, edhe sot kemi arsye t’i mbrojmë vlerat e asaj lufte, gjakun e derdhur për liri dhe të gjithë ata që kanë luftuar për çlirim nga robëria. Asnjëri prej komandantëve, eprorëve apo pjesëtarëve të UÇK-së nuk mund të mbrohet veç a veç, qoftë edhe  përmes avokatëve.


Mbrojtjen e duhur dhe të njëmendtë mund ta bëjë populli i organizuar dhe këtë do ta bëjë, dhe duhet ta bëjë  sepse nuk ka mbetur shteg  tjetër.

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …