Me rastin e fillimit të transmetimit të Radios-Kosova e Lirë, më 4 janar të vitit 1999, në malet e fshatit Berishë të Rrafshnaltës së Drenicës Jugore, ishin vënë në lëvizje sa e sa luftëtarë, gazetarë e veprimtarë të dalluar, të cilët kishin shprehur gatishmëri për ta ndihmuar Radion dhe Agjencinë, Kosovapress.
Duke qenë se Radioja ishte medium i themeluar me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së më 16 nëntor të vitit 1998, krejt natyrshëm ajo ishte vënë në shërbim të luftës dhe të popullatës civile, kudo ku ajo ndodhej e veçmas ishte në shërbim të asaj pjese të popullatës, e cila ishte strehuar në zonat që i mbante nën kontroll Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe të cilat ishin në terr të plotë informativ…
Pas kompletimit të teknikës dhe të stafit, ishte parë e nevojshme që Radio të dispononte edhe disa segmente të veçanta, sikur ishte sigla e fillimit të programit, e sajuar me mjeshtëri nga kompozitorët, me tri tone të qarta e të thekshme, që simbolizonin tri shkronjat e para të togfjalëshit: Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Siglën e kishin kompozuar kompozitorët e njohur të vendit, Rauf Dhomi, Efraim Kastrati, Fahri Beqiri. Pak kohë më vonë, Rauf Dhomi kishte kompozuar edhe “marshin e UÇK-së”, një këngë korale, të cilën e këndon “Kori i Burrave” të Gjakovës.
Ky marsh ishte ideuar dhe realizuar në përputhje të plotë me aspiratat çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës për çlirim dhe bashkim kombëtar, duke marrë para sysh, Betimin e Ushtarit të UÇK-së, sakrificën e përgjithshme kombëtare dhe luftën e cila asokohe ishte zgjeruar në çdo cep të Kosovës dhe në të cilën po merrnin pjesë luftëtarë nga të gjitha trojet e Shqipërisë dhe nga Mërgata, madje edhe nga Amerika e Largët, nga ku kishte arritur në luftë Batalioni, “Atlantiku”, që përbëhej nga qindra shqiptaro-amerikanë, që iu kishin bashkuar vullnetarisht luftës për çlirimin e Kosovës nga barbaria e regjimit të Beogradit.
Marshi ishte kompozuar me mjeshtëri dhe në të ishin derdhur të gjitha komponentët krijuese si teksti, muzika, ritmi, përsëritja e vargjeve karakteristike dhe zëri mobilizues e luftarak i këngëtarëve.
Ky marsh i ka përcjellë luftëtarët e lirisë nëpër frontet e luftës së UÇK-së dhe ka ndikuar me frymën e përgjithshme mobilizuese.
Marshi i UÇK-së,
Kompozitorë, Rauf Dhomi,
Efraim Kastrati
Marshi i UÇK-së
UÇK -UÇK është ushtria jonë
E nderuar për jetë, përgjithmonë,
UÇK,
Të betuar neve jemi për shqiptarë për liri
para flamurit kuq e zi.
Kuq e Zi.
UÇK- ushtria jonë.
UÇK- liria jonë,
UÇK do të jesh përgjithmonë…
(Dy herë)
Kush tradhton këtë rrugë të idealit tonë,
do të jetë i mallkuar gjithnjë,
Do të jetë,
Se liria është rrugë e jetës, rrugë e Perëndisë
është amaneti i të parëve tanë,
Parëve tanë.
UÇK ushtria jonë,
UÇK- liria jonë,
UCK do jesh përgjithmonë
(Dy herë)
Po betohem pranë jush dhe eprorëve e të mi,
Për Kosovë për liri, fëmijë,
Për fëmijë,
Po betohemi së bashku me shoqet dhe shokët e mi
Atdheut në troje jemi gjithnjë.
Jem gjithnjë.
UCK ushtria jonë,
UÇK- liria jonë,
UCK do jesh përgjithmonë
(Dy herë)