Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e arrestit shtëpiak për 7 ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të dyshuar për, sikur thuhet, krime lufte. Ndërkohë që prokurori antishqiptar i EULEX-it, italiani Salustro, ka kërkuar paraburgim për shtatë të dyshuarit për gjoja krime të luftës në rajonin e Drenicës. Ai duke u bazuar në akuzat e ngritura nga e ashtuquajtura ministri e Drejtësisë e Serbisë gjatë kohës së Milosheviqit, ngarkon ish-komandantin e UÇK-së, Sylejman Selimi, me shtatë vepra penale, ndërsa ish-Komandantin e Zonës së Drenicës, Sami Lushtakun me tri vepra penale, për të cilat paragjykohet se janë kryer në kohën e luftës. Ndërkohë bëhet e ditur se Sabit Geci dhe Sahit Jashari dyshohen se e kanë vrarë komandantin e policisë kriminale serbe të Milosheviqit, në Drenas në kohën e luftës. Në Gjykatë janë marrë në pyetje Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Jahir Demaku, Zeqir Demaku, Hysni Thaçi, Sabit Geci dhe Avni Zabeli.
Fushata e EULEX-it kundër kreut të luftës së Kosovës hap kapitullin e radhës, por jo të fundit në përpjekje për ta diskredituar luftën çlirimtare të popullit të Kosovës, me qëllim për ndihmuar Serbinë në përballjet e saj me krimet e kryera gjatë tërë një shekulli kundër të gjithë popujve të Ballkanit. Kjo ndihmë e madhe dhe e pakursyer që po i jep Bashkimi Evropian Serbisë, bëhet me qëllim të rikthimit të saj si xhandar i fuqishëm dhe i pazëvendësueshëm, në Ballkan, pavarësisht se Serbia është i vetmi shtet në botë që është ndëshkuar nga fuqia më e madhe ushtarake e botës nga Aleanca Veriatlantike dhe ky ndëshkim ka ndodhur kundër vullnetit të të gjitha shteteve anëtare, të Bashkimit Evropian, përveç Anglisë.
Pikërisht sepse Evropa, përveç Anglisë ka qenë e tronditur me rastin e bombardimit të Serbisë sodomiste, kriminale, recidivët e Evropës inkuizicionale, po bëjnë përpjekje ta njollosin luftën, të cilën, jo vetëm e kishte përkrahur, por edhe e kishte ndihmuar Amerika dhe Anglia. Shtetet e tjera anëtare të NATO-s ishin gjetur para aktit të kryer dhe kishin marrë pjesë formalisht në bombardimin e Serbisë, por asnjëherë nuk i kishin goditur pozicionet e ushtrisë kriminale serbe, në Kosovë, në Serbi, apo në Mal të Zi.
Ushtarët dhe eprorët e UÇK-së dhe të gjitha ata që kanë përcjellë bombardimet e NATO-s prej 24 mars deri më 9 qershor 1999, kanë vërejtur me kohë se vetëm aeroplanët anglezë e amerikanë kanë goditur caqet serbe, ndërsa aeroplanët e tjerë të Aleancës kanë goditur pozicionet e UÇK-së e shpeshherë edhe kolonat e gjata të shqiptarëve që dëboheshin dhunshëm nga regjimi për në Shqipëri apo në Maqedoni. Bombardimet selektive që i kemi vërejtur gjatë luftës, i kemi heshtur për hir të miqve që na kanë ndihmuar në luftë kundër regjimit më kriminal në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore. Po ashtu kemi qenë të vetëdijshëm se edhe aleatët tanë e kishin vërejtur mjaft mirë gjendjen për të cilën po flasim, por e kanë heshtur për arsye që dihen. Këtu e ka burimin urrejtja e EULEX-it kundër luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse ky mision nuk e njeh pavarësinë e Kosovës por e njeh dhe e respekton të drejtën e Serbisë kolonialiste e hegjemoniste ndaj vendit tonë
Shqiptarët liridashës të Kosovës, gjatë këtyre 14 viteve kanë vërejtur dhe janë bindur se UNMIK-u, OSBE-ja, ELUEX- dhe një segment i trupave paqeruajtëse të KFOR-it vazhdimisht kanë mbajtur një qëndrim përbuzës ndaj shqiptarëve dhe atë qëndrim e kanë shprehur sa e sa herë, duke e goditur luftën e UÇK-së dhe duke trajtuar çdo vrasje të një serbi apo të një shqipfolësi në shërbim të regjimit të Milosheviqit, si krim lufte. Krim lufte, sipas EULEX-it paska qenë edhe vrasja e komandantëve të policisë serbe të cilët dhunonin femra të pambrojtura shqiptare dhe u vrisnin e iu masakronin fëmijët para syve të tyre. Krim lufte paska qenë likuidimi i një banditi shqipfolës, oficer i MUP-it serb që ka luftuar në ballë të forcave masakruese serbe. Krim lufte paska qenë rrahja e një majmuni shqipfolës, i cili u kishte trafikuar femra shqiptare policëve serbe, para dhe gjatë luftës. Krime lufte sipas EULEX-it trajtohen madje edhe disa nga ndalimet e politikanëve pacifistë, që kishin ardhur në Drenicë, në verë e në vjeshtë të vitit 1998, për të na bindur se lufta paska marrë fund dhe nuk paskemi për se të luftojmë më tej, sepse nuk ia dalim dot me Serbinë.
Veprimet e tilla kundër UÇK-së nga EULEX-i kanë për qëllim thellimin e hendekut mes shqiptarëve liridashës dhe atyre pacifistë, duke i mbështetur pacifistët, duke i paraqitur si viktima, me qëllim që ata të fitojnë në zgjedhje dhe ta marrin drejtimin e shtetit të Kosovës. Kjo është edhe arsyeja pse LDK-ja dhe disa parti të tjera nuk janë deklaruar kundër veprimeve antishqiptare të EULEX-it, mision i cili i ka vënë vetes për detyrë jo vendosjen e sundimin e ligjit, por diskreditimin e luftës çlirimtare, jo luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, por ndëshkimin e shqiptarëve liridashës, sepse ata paskan vrarë kriminelë serbë gjatë luftës. Këto pretendime të EULEX-it, kanë gjetur shesh te një pjesë e njerëzve tanë, meqë kundërshtarët e luftës, ata që kishin ikur dhe e kishin lënë atdheun në zjarr dhe në katrahurën e luftës, sot ndihen fitimtarë, meqë në këtë mënyrë, me përkrahjen e EULEX-it, ata po i vjelin frytet e fitores mbi gjakun e derdhur për liri e pavarësi.
Mjerisht edhe një klasë politikanësh me prejardhje nga lufta por tregohet indolente në këtë drejtim, me faktin se ka përfituar favore të panumërta dhe ka arritur luksin e nivelit evropian.
UNMIKU dhe EULEX-i në fushatat kundër UÇK-së kanë pasur dhe kanë për qëllim diskreditimin e kreut të luftës, duke i akuzuar për krime lufte, ata eprorë dhe ushtarë që e kanë mbrojtur popullatën civile nga shfarosja dhe të cilët, ashtu sikur ndodh kudo në luftë, kanë ndaluar e arrestuar edhe bashkëpunëtorë të regjimit kriminal, okupator. Është tmerrësisht antinjerëzore ta akuzosh një epror të UÇK-së pse paska keqtrajtuar një civil shqipfolës, apo një serb gjatë luftës, apo pse paska vrarë një oficer kriminel, dhe të anashkalohen, të mbesin pa u ndëshkuar mijëra kriminelë serbë që kanë vrarë dhjetëra mijëra shqiptarë, kanë dhunuar mijëra femra shqiptare, kanë vrarë më shumë 800 fëmijë të mitur nën moshën 12-vjeçare.
Arrestimi i kreut të luftës në Drenicë, arrestimi i kreut të luftës së Zonës Operative të Pashtrikut, të Llapit, të Dukagjinit, dhe sa e sa arrestime e dënime që ka ndërmarrë deri tani EULEX-i, paralajmërimi edhe për arrestimin e 100 rasteve të tjera, gjoja për krime lufte, nuk janë arrestime virtuale por janë sulm direkt kundër çlirimtarëve, kundër familjeve të tyre, kundër tërë gjakut të derdhur për liri, kundër vlertave morale e kombëtare të shqiptarëve.
Nëse EULEX-ia ia del që ta penalizojë luftën e UÇK-së, pavarësisht mungesës së fakteve, sepse në gjykimet e montuara politike, më së paku kërkohen fakte, atëherë edhe rikthimi i sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën bëhet shumë më i lehtë, pasi që Brukseli zyrtar synim primar ka pikërisht mbetjen e Kosovës nën Serbi, në mënyrë që këtë shtet ta inkuadrojë brenda strukturave të veta.
Pikërisht për këtë arsye veteranët e luftës së UÇK-së janë mobilizuar me qëllim për të demonstruar të vërtetën e tyre të pamohueshme për pastërtinë e luftës çlirimtare, për ruajtjen e vlerave të fisnikëruara të kësaj lufte, të cilën e kanë përkrahur dhe e kanë ndihmuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe shumë nga shtetet përparimtare e demokratike të botës.
Mobilizimi i veteranëve dhe paralajmërimi i protestave në mbrojtje vendimtare të kreut të luftës, bëri që Gjykata themelore të zbusë masën e arrestit për 7 eprorët e UÇK-së, në mesin e tyre të komandantit të saj, por kjo nuk do të thotë se është zbutur qëndrimi antishqiptar i EULEX-it, i Beogradit apo i Kremlinit, ndaj luftës së UÇK-së dhe pavarësisë së Kosovës. Veteranët duhet të jenë të vetëdijshëm se masa e arrestit shtëpiak, pavarësisht se pranohet më lehtë nga të pandehurit, nuk nënkupton dyshim në ngritje të akuzës, por bëhet me qëllim për ta “blerë” qetësinë momentale. E keqja e kësaj mase ligjore mbart me vete rrezikun për demobilizim dhe stërkeqen e protestave. Nuk duhet të lejojmë të biem në grackë të ngrehinave hipokrite dhe antishqiptare të EULEX-it, i cili duhet të largohet nga Kosova apo duhet të detyrohet të largohet nga Kosova, me çdo çmim, ashtu sikur janë dëbuar të gjithë pushtuesit e sundimtarët e deritanishëm.