Ministrja Dhurata Hoxha

RKL: Ministresha Hoxha nuk dëshpërohet për viza, ajo e të gjithë qeveritarët i gëzojnë ato

Në shënimin e 10-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Gjermani-Kosovë, me moton Demokracia më e re evropiane: Pavarësia, pluralizmi, integrimi, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, theksoi se “Kosova duhet të fokusohet në fuqizimin e sundimit të ligjit, sigurinë dhe migracionin, zhvillimin social dhe ekonomik si dhe marrëdhëniet me shtetet fqinje”.
 Në këtë përvjetor jubilar, të organizuar nga Ambasada gjermane, takimin e hapi ambasadori, Christian Heldt, ku morën pjesë kryeministri Ramush Haradinaj dhe personalitete të shquara vendore dhe trupi diplomatik.
 Me gjithë sfidën e liberalizimit të vizave, ministrja Hoxha ka theksuar se “kosovarët” nuk u dëshpëruan në BE-në.
Konstatimet e ministreshës së Integrimit, Dhurata Hoxha, lidhur me vizat janë të paqëndrueshme dhe të pavërteta, nëse ajo me “kosovarë” nuk ka nënkuptuar qeveritarët e zyrtarët aktualë të Kosovës, dhe tërë akrabatë e tyre, të cilët nuk kanë nevojë për viza, sepse ato i gëzojnë sipas statusit diplomatik. Ndërsa qytetarët e Kosovës, janë të vetmit në Ballkan, që edhe 19 vjet pas luftës dhe 10 vjet pas Shpalljes së Pavarësisë nuk u lejohet, as do t’ iu lejohet ndonjë herë lëvizja e lirë në vendet e BE-së.
Tani po shihet fare mirë, për ata që mendojnë esëll dhe jo sipas porosive politike se nuk ishte demarkacioni me Malin e Zi kushti i vetëm, por vetëm njëri nga kushtet e tjera, që do t’ i vihen në vazhdim Kosovës për liberalizim të vizave. Tani kushti i radhës do të jetë formimi i AKS-së, por jo sipas Kushtetutës së Kosovës, as sipas marrëveshjes së BE-së, por vetëm sipas kërkesave të Beogradit zyrtar, sepse Serbia po kërkon kompromis dhe këtë do ta realizojë ashtu sikur i ka realizuar deri sot të gjitha kërkesat me marrëveshjet e ndërmjetësuara nga Brukseli.

Nuk do të vonojë dhe qeveritarët e politikanët e Kosovës do të do të kërkojnë që edhe kjo marrëveshje të aprovohet, sepse edhe kjo do të jetë pengesë për liberalizimin e vizave. Pas kësaj mbetet kushti kryesor, korrupsioni i cili ka lëshuar rrënjë që çdo pore të shoqërisë, ndërsa ka krijuar bastione të forta në tërë aparatin shtetëror. Kosova nuk arrin ta mposht korrupsionin me arrestimin e “sardeleve”, sepse peshqit e tjerë të mëdhenj janë të paprekshëm. Kushtin e tillë Kosova kurrë nuk do të mund ta arrijë ta plotësojë, pa një Veting, sui generis, si ai që po zhvillohet në Shqipëri. Procedura për arritjen e një konsensusi për veting kërkon shumë vite kohë, shumë mospajtime e përçarje të reja.

Por liberalizimi i vizave pret dhe derisa jemi mësuar të presim nuk ka pse brengoset korrupsioni, i cili ta themi të drejtën nuk është vetëm fenomen i Kosovës, por edhe i shteteve më të fuqishme të BE-së dhe i tërë botës kapitaliste. Është anakronike që në sistemin kapitalist të kërkosh barazi, mungesë korrupsioni, mungesë të abuzimeve me pushtetin. Kjo është vetëm fasada me të cilën zbukurohen fjalimet e zjarrta të qeveritarëve. Sa më të korruptuar të jenë, ata arrijnë ta mbrojnë njëri tjetrin dhe të gjithë bashkë krijojnë digën e fortë pushtetare, ashtu sikur kanë krijuar në Shqipëri, Ilir Meta, Sali Berisha, Lulzim Basha dhe shumë të tjerë. Dje Gjykata kushtetuese në Shqipëri ka dalë jashtë funksionit në mungesë të numri të anëtarëve, të cilët nuk arrijnë ta kalojnë vetingun.

Kosovës tekefundit as i duhen vizat. Dikush në këtë botë duhet të jetë i fundit, dikush duhet të jetë si “Cungu i kovaçit”. Presioni që i bëhet Kosovës nga BE-ja është preson politik që ka për qëllim, plotësimin e kushteve të Serbisë, kompromisin që po e kërkon Vuçiqi, për të cilën shumë shtete të BE-së ndiejnë keqardhje të thellë, sepse në vitin 1999 u detyruan, që jashtë vullnetit të tyre ta bombardojnë Serbinë, shtetin xhandar të Evropës.
Tani është koha për një satisfaksion jo vetëm moral por edhe fizik, sepse thënë me logjikën e kryqtarëve, ishte me të vërtetë herezi që shtetet e krishtera të Evropës ta bombardonin një shtet të krishterë, me qëllim për të shpëtuar shqiptarët myslimanë, në Kosovës të cilët janë aq kokëfortë dhe nuk po begenisin që për hir të kësaj ndihmese të heqin dorë nga feja dhe të kthehen në atë të gjysh-stërgjyshërve. Këto janë dhembjet e BE-së, veçmas të pesë shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën. Korrupsioni është vetëm shkas për arritjen e qëllimeve të tjera.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …