leoni

RKL: Mos-votimi i projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së, është pajtim me apo pa dashje me qëndrimin e Serbisë

RKL: Mos-votimi i projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së, është pajtim me apo pa dashje me qëndrimin e Serbisë

As për të tetën herë, në Kuvendin e Kosovës, nuk ka marrë votat e nevojshme Projektligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së.

 

Edhe pse me shumë vonesë, ky projektligji i iniciuar nga PDK-ja dhe i aprovuar paraprakisht nga deputetët e AAK-së dhe të Nismës Socialdemokrate, nuk po i merr votat e mjaftueshme, meqë Ligjin si të tillë nuk e pranon LDK-ja,  për arsye që dihen, por as Vetëvendosja, e cila pengesë për mospranim ka faktin se këtë projektligji e ka propozuar PDK-ja. Kjo parti do ta pranonte një projektligj të kësaj natyre, por jo atë format e përmbajtje që e propozojnë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, shoqatat e dala nga lufta e të tjerë.

Projektligjin e tillë, kuptohet vetvetiu se nuk e pranojnë as edhe dhjetë deputetët e Listës serbe. Po të miratohej një ligj i tillë në Kuvendin e Kosovës,  Serbia do të reagonte në BE dhe në OKB.

Insistimi i deputetëve të krahut të luftës, për ta nxjerrë një ligj të tillë në Kuvend, ka arsyeshmëri shoqërore, kombëtare e njerëzore, sepse pretendimet për ta damkosur, fyer, përçmuar, akuzuar dhe stigmatizuar luftën e UÇK-së, në radhë të parë kanë për qëllim devalvimin e luftës sonë çlirimtare, e cila nuk ka qenë ushtri  e dalë nga asnjë parti politike, pavarësisht pretendimeve paushallë e megallomane të individëve të caktuar, por ka dalë nga gjiri i popullit, i këtij populli, i cili idenë e çlirimit dhe bashkimit nuk e braktisi kurrë, por e vazhdoi sipas kushteve dhe rrethanave të caktuara, historike, shoqërore e diplomatike, nga dita në ditë nga viti në vit.

Tani në kohën kur ka filluar fushata e Gjykatës Speciale në përgatitjen dhe publikimin e dosjeve, kundër krerëve të luftës, të mbështetura në të dhënat e Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë, të kohës së regjimit të Millosheviqit, janë intensifikuar edhe sulmet kundër krerëve komandues të luftës, të cilët akuzohen se kanë kryer krime lufte, keqtrajtim të disa serbëve dhe spiunëve shqipfolës, likuidimin dhe rrahjen, madje edhe  fyerjen e tyre.

Me qëllim për t’ ia lehtësuar punën kësaj gjykate janë angazhuar disa jugo-medie mercenare sidomos K. 10, TV-Dukagjini, KTV, Bota Sot, dhe portale si Indeks-kosovo, Insajder-Kosovo e  të tjera, të cilat për çdo natë trajtojnë temat e “krimeve të UÇK-së”, para se të ngrihen aktakuzat, para se të shpallën fajtorë, me instancën  fundit më të lartë gjyqësore.

Logjikisht shtrohet pyetje, përse nguten këta apatridë të damkosur për ta njollosur luftën e UÇK-së,  në radhë të parë krerët e saj, nëse nuk marrin shuma marramendëse parash nga burime, të cilat ata i dinë më së miri.

Pse dhe në emër të cilit ligj në botë lejohet të paragjykohet si kriminel, njeriu  për të cilin nuk është marrë asnjë vendim nga gjyqi.

Pse lejohet kjo fyerje publike që iu bëhet komandantëve të luftës, familjeve të tyre, bijve e bijave të tyre, të afërmeve të tyre?

Lejohet sepse Kosova nuk ka ligj që mbron vlerat e luftës, por ka ligj që i lejon gazetarëve të fyejnë, të shajnë, të deformojnë lajmin, të botojnë gënjeshtra madje edhe me rrezik për një person apo grup të caktuar, dhe ligji i aprovuar në Kuvendin e Kosovës nuk lejon që redaktori i një mediumi ta zbardh identitetin e burimit anonim. Ky ligj është votuar në Kuvend, por jo Ligji që mbron në radhë të parë vlerat kombëtare, luftën e UÇK-së,  e cila mori përkrahjen e forcës më të madhe ushtarake të botës, në pranverë të vitit 1999, sikur ishte NATO-ja, luftë e cila me gjakun e derdhur të dëshmorëve e martirëve, solli edhe çlirimin e pavarësinë e Kosovës.

Ata që nuk e kanë votuar as do të votojnë këtë ligj në Kuvend, ata që kërkojnë tjetër ligj, por të cilin nuk e kanë propozuar as duan të merren me të, ata që duan ta fshehin “patriotizmin” e tyre me mos-votimin e këtij ligji, me arsyetime bajate e abdnormale, po ia bëjnë edhe një argat tjetër, me apo pa dashje, Serbisë së Vuçiqit e Daçiqit, për të cilët lufta e UÇK-së ka qenë “terroriste”. Përfundimi i tillë logjik, nuk mund të kontestohet, sepse i përmbahet maksimës, “armiku i armikut tim është miku im”.  Shumë më tepër i urrejnë krerët e luftës së UÇK-së, disa liderë partish e bosësh të krimit të organizuar, sesa urrejnë Vuçiqin apo Sheshelin.

Mos-votimi i këtij ligji, pikërisht në kohën e tanishme, është thikë pas shpine kundër UÇK-së, kundër gjakut të derdhur për liri. Sepse, të lejohet fyerja, sharja, përçmimi, drejtuar krerëve të luftës, komandantëve të saj, kjo nuk ka të bëjë me lirinë e shprehjes, as me paragjykimin romantik  se lufta paska qenë e shenjtë dhe nuk ka pse të mbrohet nga populli.

Se si është treguar shumica e popullit gjatë luftës, këtë e dimë ne që kemi qenë pjesë e saj, prej fillimit deri në mbarim, këtu në frontet e luftës në Kosovë.

Se kush ka qëndruar, kush ka luftuar, ku ka ikur për të shpëtuar kokën bashkë me prapanicë, edhe kjo dihet.

Dihet po ashtu kush ka treguar tërë mundin e zellin e tij patriotik në “mbarëvajtjen” e fondeve të luftës nga ata, që kanë qenë aq shumë të zënë me to, sa nuk kanë pasur mundësi të hyjnë në zonat e luftës as edhe njëherë. Dihet kjo, sepse e thonë vetë ata, sesa kanë vuajtur  ditën e natën në dhomat e ngushta të Hotelit Rogner,  në Tiranë, e gjithandej nëpër hotelet e Shqipërisë dhe në  qytete të botës, “duke u djegur” për luftën e UÇK-së, duke dërguar ndihma, armë e municion…

Dihet mirëfilli dhe dëshmohet me sa e sa të dhëna se si kanë qëndruar të krehur, të larë të rruar të pafymosur disa nga krerët e FARK-ut, nëpër kazermat dhe hotelet e Shqipërisë gjatë tërë kohës së luftës  dhe dy tre muaj pasi ajo kishte mbaruar, ata kanë marshuar dhe kanë hyrë në Kosovë, nën përkujdesje të forcave paqeruajtëse të KFOR-it  me xhipat e tyre  të rinj si   “fitimtarë” e ngadhënjimtarë” të luftës, duke shkrepur shumë e shumë plumba gjatë stërvitjeve të vullnetarëve në kazermat e Shqipërisë, por asnjë plumb të vetëm kundër policisë  dhe ushtrisë kriminale të Milosheviqit.

Këta nuk kanë pse angazhohen, as pse të votojnë për ligjin, i cili mbron vlerat e luftës së UÇK-së, sepse nuk kanë punë me Gjykatën e  Hagës, as me gjykatat në Serbi, pasi janë të larë  e të krehur nga të gjitha anët.

Ata nuk i rrezikon gjykata speciale, as gjykatat e Serbisë, sepse kanë ndenjur urtë e butë dhe dihet se “qengji i butë i thith dy nëna”, ashtu sikur i kanë thithur këta, në të gjitha regjimet, nga dy e nga tri.

Ata deputetë që pretendojnë, apo rrahin gjoks se kanë egot e tyre, dhe votojnë sipas përcaktimit partiak,  dhe jo sipas bindjeve të tyre, janë hipokritë, janë mercenarë partiakë dhe nuk fshihen dot pas fjalëve, arsyetimeve as mish as peshk, as pas zërit të ngritur e kërcënues në foltoret e kuvendit.

Për të votuar pro ligjit që mbron vlerat e UÇK-së, deputeti që pretendon se e ka zgjedhur populli,  duhet t’ i bëjnë  thirrje ndërgjegjes dhe përcaktimit individual kombëtar dhe kjo kreut të një parie, cila do qoftë ajo. Përderisa partia dhe kulti i individit është mbi popullin, mbi luftën, mbi gjakun e derdhur, nuk mund të ketë, “liri të ndërgjegjes dhe mendimit të lirë”.

Kontrolloni gjithashtu

Grupi Parlamentar i PDK-së refuzon pjesëmarrjen në seancën e thirrur për adresimin vjetor të presidentes Osmani

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, refuzon edhe këtë vit pjesëmarrjen në seancën e …