RKL: Ndarja në PDK është e pashmangshme

“Shkizma” në PDK është e pashmangshme edhe pse krahu shkizmatik i kësaj partie po vonon  për ta marrë një qëndrim të prerë, me qëllim që t’i qartësojë dilemat brenda elektoratit të Partisë, e cila tash për  tash ka numrin më të madh të anëtarësisë në vend. Ndarja, që tashmë duket e paevitueshme, pason fundin e pakënaqësive të shfaqura në radhë të parë nga sekretari i PDK-së, Jakup Krasniqi nga nënkryetari, Fatmir Limaj dhe disa deputetë të kësaj partie, të cilët nuk janë pajtuar me veprimet autokratike e mospërfillëse të kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, aktualisht kryeministër i Kosovës.

 

Duke komentuar këtë ndarje të përfolur gati për një vit, sekretari  i PDK-së, Basri Musmurati, ka deklaruar se partia nuk do të merret fare me Limajn e Krasniqin. “Jemi duke u marrë me zgjedhje dhe s’kemi vakt me u marrë me to hiq”, ka thënë Musmurati për Gazetën Express. Ndërkohë, Fatmir Limaj ka mbështetur publikisht Iniciativën Qytetare për Malishevën, edhe pse ende mban pozitën e nënkryetarit dhe anëtarit të Kryesisë së PDK-së. Edhe sekretari i Përgjithshëm ende i pa shkarkuar nga partia,  Jakup  Krasniqi është shprehur publikisht ka përkrahur iniciativat qytetare të themeluara nga anëtarët e kësaj partie. Hamendja, mungesa e vendosmërisë dhe dilema lidhur me krijimin e një partie të re politike nga Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj  ka krijuar huti në mesin e anëtarësisë së PDK-së dhe për ditë e më tepër po e stërkeq pozitën e padefinuar qartë të këtyre dy themeluesve të kësaj partie, të cilët për shkaqe tashmë të njohura në opinion nuk pajtohen me kreun aktual të partisë, që  e kanë udhëhequr në dy pozitat kyçe qysh prej themelimit.

Zvarritja për të marrë një qëndrim të prerë do ta dëmtojë rëndë procesin dhe të ardhmen e Partisë, sidomos tani në fillimin e fushatës së zgjedhjeve vendore të 3 nëntorit. Pikërisht kjo vonesë i ka shtyrë kuadrot e caktuar të PDK-së të krijojnë Iniciativa Qytetare, të lidhin marrëveshje ose të anëtarësohen në parti të tjera.

Krijimi i katër pesë Iniciativave Qytetare, nuk do të shënojë ndonjë fitore për shkizmatët e PDK-së, të cilët po hezitojnë ta themelojnë partinë e re, por me këtë ndarje të elektoratit do t’ua mundësojë fitoren partive të tjera nëpër komuna, sidomos LDK-së, Vetëvendosjes dhe AAK-së.

 

Hezitimi për themelimin e një partie të re deri tani është komentuar me mungesën e Fatmir Limajt, meqë pritej që ai dhe bashkëluftëtarët e tij të liroheshin përfundimisht nga ndjekja e EULEX-it, fakt ky që ndodhi më 17 shtator 2013. Tani që Limaj është liruar i pafajshëm për krime lufte, zvarritja nënkupton edhe dilemat që mund të ketë vetë kreu “shkizamtik”, apo mbështetësit e tyre dhe që ndoshta mund të jenë probleme kyçe në gjetjen e një solucioni të pranueshëm për dy krerët. Po ashtu nuk duket se zvarritja për themelimin e Partisë ka të bëjë shumë me procedurat teknike e administrative.

Zvarritja nënkupton dilemë, mungesë vendosmërie, mungesë të pozicionit të qartë për ta motivuar ndarjen, e cila nuk është thjesht një pakënaqësi sa i përket pozitës në Piramidë, por nuk duket se është edhe diçka, që ka të bëjë me proceset politike lidhur me bisedimet e Kosovës me Serbinë.

Është e admirueshme të shpresojmë se Partia e re e dalë nga PDK-ja do të kundërshtojë marrëveshjen e 19 prillit, apo marrëveshjet e tjera tashmë të arritura mes Kosovës e Serbisë me ndërmjetësimin dhe animin e BE-së ndaj Serbisë dhe kundër Kosovës.

 

Është e rrezikshme për të ardhmen dhe kredibilitetin  e Jakup Krasniqit, nëse ai vazhdon ta ruajë pozitën e kryetarit të Kuvendit si anëtar i PDK-së dhe në anën tjetër krejt haptas ta kritikojë partinë, e cila po e mbanë në post, nuk po e përjashton edhe pse ajo ka shumë arsye ta bëjë këtë. Po ashtu, është krejt e pabesueshme që PDK-ja me shumicë të shkojë pas tij, ashtu sikur  është krejt pak e besueshme se atë do ta mbështesin më shumë se tre katër deputetë.

Kjo pozitë stagnuese e kryekuvendarit Krasniqi duhet të marrë fund sa më parë, sepse pozita e tillë hezituese, vetvetiu e degradon procesin drejt formimit të një partie të re dhe e dëmton  kredibilitetin e besimin, që ai e gëzon te një pjesë e elektoratit të PDK-së por edhe te qytetarët e Kosovës.

 

Tekefundit ndarja nga partia nuk ka të bëjë me ndonjë nostalgji të pashërueshme,  sepse kjo ka ndodhur edhe në skenën politike të Kosovës, ashtu si kudo në shtetet ish komuniste e socialiste  në vitet 90 të shekullit të kaluar.  Nga partia e dikurshme mëmë, që quhej Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë, është formuar Lidhja Demokratike e Kosovës  dhe nga brumi i saj janë formuar PDK-ja, AAK-ja, AKR-ja, një segment i Vetëvendosjes dhe i të gjitha partive të tjera përveç LPK-së, të cilës bijtë e saj “besnikë” ia humbën emrin dhe namin. Nuk besoj që Jakup Krasniqi e Fatmir Limaj me përkrahësit e tyre do ta rikthejnë në skenë LPK-në, që ia kishin lënë në dorë Emrush Xhemajlit, i cili e falimentoi, e ktheu përmbys, e shndërroi në të kundërtën e saj, në Parti Socialiste me 28 anëtarë, të cilët më në fund, të mbetur në zall u shkrinë në Vetëvendosje.

 

Nga partia në parti, nga LPK-ja në LDK, nga LDK-ja në PDK, nga PDK në një RDK të mundshme, ky duket se është fati ynë i keq, rezignata jonë tragjikomike që po na përpin, që nuk po na lë të bashkohemi rreth  një qëllim të përbashkët në dobi të Kombit e Atdheut.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …