leoni

RKL

RKL: Ndërprerja totale e marrëdhënieve ekonomike e tregtare të Kosovës me Serbinë mund të ketë efekt pozitiv

Vetëm ndërprerja totale e marrëdhënieve ekonomike e tregtare të Kosovës me Serbinë do të mund të arrinte rezultate, sepse një masë e tillë i prek edhe serbët e Kosovës, por këtë masë, Qeveria Haradinaj nuk guxon, as ta mendojë se lërë më ta vë në veprim. Po kështu është vështirë të besohet se kjo masë do të zgjasë shumë, meqë autoritetet e BE-së do t’i bindin qeveritarët tanë se është në të mirën e tyre të kenë sa më shumë marrëdhënie të mira tregtare me Serbinë, pavarësisht se Kosova trajtohet si një koloni apo Republikë e babaneve për Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë.

Vetëm po qe se Kosova aplikon një masë të tillë tarifore kundër Shqipërisë, atëherë BE-ja me siguri se nuk do të reagonte.

Tarifa e tillë e vënë në produktet me origjinë nga Serbia do të jetë e përkohshme, sepse ajo prek tregtinë, leverditë  dhe përfitimet që ka nga ajo në radhë të parë politika e lidhur me haraçin, që u merr kompanive. Po kështu,  shumica e popullatës së varfër të Kosovës, e gjendur përballë skamës e mjerimit në vend të patriotizmit zgjedh shportën pak më të lirë, sepse është vetë qeverisja e pabarazisë kapitaliste,  e cila e ka katandisur në këtë pozitë popullin skamor , është qeveria që ka rritur qind për qind pagat për vete dhe për dikasterët shtetërorë duke varfëruar arkën e Shtetit dhe duke i mashtruar qytetarët me një lëmoshë  mujore 10 euro për një fëmijë në familje.

Kjo Qeveri, e cila suksesin e vetëm e ka shënuar në rritjen qind për qind të pagave, në pesëfishimin e zyrtarëve në dikasterët e Qeverisë dhe në dredhjen pa mëshirë të parasë së taksapaguesve të Kosovës, në radhë të parë nuk ka program as koncept, por as edhe synim për ta përmirësuar jetën e qytetarëve.

Andaj ky vendim i Qeverisë, me qëllim për ta korrektuar Serbinë, duket vendim tepër i vonuar dhe i ndërmarrë për inate politike, sikur e pranon vetë zëvendës-minisrtri Enver Hoxhaj, dhe jo për të mirën e qytetarëve, të cilët do të blejnë prodhimet vendore me 20 për qind rritje.  Po të ishte kështu kjo masë, do të duhej të ishte vendosur përnjëherë pas luftës dhe jo me 20 vjet vonesë.

Nga kjo masë do të përfitojnë kontrabandistët e mallrave nga vendet e rajonit, tregtia e zezë, trafikantët e lidhur me policinë, ndërsa skamnorët nuk kanë pse gëzohen, sepse ata do të blejnë artikujt ushqimorë me rritje çmimesh, në mungesë të artikujve të caktuar.

Ndërprerja totale e marrëdhënieve ekonomike e tregtare të Kosovës me Serbinë mund të ketë efekt pozitiv, në radhë të parë efekt politik, sepse një veprim i tillë përjashtues, bën që politika serbe ta kuptojë se Kosova kurrë më nuk do të jetë koloni e saj. Tash për tash Kosova nuk ka klasë politike, që do të mund të merrte qëndrime të tilla në interes të vendit dhe qytetarëve të saj, sepse ajo ka për qëllim, pasurimin, leverdinë ekonomike  në radhë të parë për vete, dhe jo për qytetarët e Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi i Kosovës shënon virtualisht Ditën e Demokracisë

Kuvendi i Kosovës diskuton në Seancë Plenare për Buxhetin e Vitit 2025

Sot deputetët e Kuvendit të Kosovës mblidhen në seancë plenare për shqyrtimin e dytë të …