RKL: Në emër të kujt dhe me cilët serbë dëshiron të pajtohet Qeveria e Kosovës?

Zërat për pajtimin e shqiptarëve me serbët, apo pajtimin e viktimave me xhelatët, herë-herë kanë ngritur krye në Kosovën e pas luftës, por asnjëherë  në Serbi, ku askush nuk është marrë seriozisht me këtë çështje. E ndodhur nën presionin e vazhdueshëm të Brukselit  zyrtar, ose e shantazhuar  nga qarqe të caktuara politike,  Qeveria ka marrë nismë për t’ ua shtrirë dorën serbëve të Kosovës në Veri, edhe pse ata nuk e njohin shtetin tonë, edhe pse vrasin civilë dhe policë shqiptarë, edhe pse kanë dëbuar nga veriu mijëra shqiptarë dhe u kanë uzurpuar shtëpitë dhe pronat e paluajtshme, edhe pse KFOR-i dhe EULEX-i kanë dështuar në vendosjen e rendit dhe të sigurisë.


 


Pavarësisht këtyre fakteve reale, të cilat janë të mirënjohura për opinionin vendor dhe ndërkombëtar, Qeveria ka bërë dhe vazhdimisht po përpiqet të na bind se ka shtrirë sovranitetin në tërë territorin e Kosovës, ( madje në çdo centimetër të saj) me faktin se  disa doganierë e policë të Kosovës kryejnë punë nëpër kontejnerë, të mbrojtur nga KFOR-i, ndërkohë që depërtimi i tyre në pikat kufitare bëhet me helikopterë të paqeruajtëseve dhe kurrsesi nëpër rrugët tokësore, madje as me mjete të blinduara. Zyrtarët e Kosovës asnjëherë nuk kanë qenë as janë të pranishëm në veri, madje as zyrtarët serbë të Qeverisë, të cilët popullata e atjeshme i etiketon si tradhtarë. 


 


Pavarësisht kësaj gjendjeje dhe mbretërimit të  këtij realiteti në veriun e vendit qysh prej qershorit të vitit 1999, autoritetet e larta të Bashkimit Evropian po e thonë hapur:, “Ju nuk keni dashur të jetoni nën regjimin serb, andaj mos kërkoni nga serbët të jetojnë nën regjimin tuaj”!. Gjejeni një zgjidhje që iu konvenon serbëve, ose jepuni atyre pavarësinë!. Logjikisht edhe është kështu. Përse u dashka me çdo kusht që në Kosovë të gravitojnë edhe 50.000 serbë të veriut, ndërsa nën Serbi, në Lindjen e vendit tonë të mbesin të robëruar përgjithmonë më shumë se 60.000 shqiptarë? Ndoshta krejt kjo po bëhet për t’ i qëndruar besnik planit antishqiptar të Ahtisarit për një Kosovë multietnike, me 92 për qind shqiptarë. Ndoshta, në Qeverinë e Kosovës ka edhe syleshë të tillë, të cilët me të vërtetë besojnë se Serbia po demokratizohet dhe kufiri, mes dy shteteve, nuk do të ketë më kurrfarë roli. Tashmë dihet botërisht se në Qeverinë e Kosovës, madje në pozita kyçe punojnë edhe veprojnë shumë “jugo-nostalgjikë” të bashkim vëllazërimit të dikurshëm, të rikthyer në trajtë të multietnicitetit. Për ta nuk ka pasur kurrë rëndësi kufiri, as liria e pavarësia e vendit, por vetëm favoret që ua ka sjellë pushteti si vasalë dhe shërbëtorë besnikë të regjimeve okupatore.


 


Duke folur për aksionin e pajtimit me serbët, sidomos me serbët e veriut, të cilët Qeveria e Kosovës i trajton si qytetarë të saj, zëvendës-kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka deklaruar se qasja e institucioneve të Prishtinës ndaj serbëve në veriun e vendit, nuk do të ndikohet nga marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.  Ai shtoi se Qeveria e Kosovës synon që t’ua shtrijë dorën serbëve në veri dhe në funksion të këtij synimi qenkan  edhe planet për ngritjen e zyrës administrative, që do të ofronte shërbime për qytetarët serbë. “Kosova i ka dy qasje në këtë drejtim. Qasjen e parë ka të bëjë me Serbinë, që kemi qenë në një dialog teknik dhe ajo do të vazhdoj pasi që të implementohen ato të cilat janë arritur deri më tani. Implementimi garanton cilësi e seriozitet dhe garanton që kemi punuar diçka dhe mund të implementohet tani. E vazhdimi i dialogut pa implementim nuk e ka asnjë kuptim. Në anën tjetër, qytetarët tanë serbë, që jetojnë në pjesën veriore nuk janë dhe nuk do të kenë asnjë pengesë për shkak të reflektimit të raporteve Kosovë – Serbi, ata janë qytetarët tanë, ne ata i mbrojmë, për ata kujdesemi, për ata tentojmë që të jemi atraktiv. Ne jemi të gatshëm që të bisedojmë me ta, por qëllimi kryesor është implementimi i pakos së Ahtisaarit, ligjeve tona dhe mundësisë tonë për një zhvillim më të mirë socio-ekonomik për ata dhe heqjen e zaptimit nga kriminelët që është në atë pjesë”, ka sqaruar zëvendës-kryeministri Kuçi.


 


Që serbët e Kosovës janë qytetarë të këtij vendi, këtë nuk e konteston askush, por është tejet i tejdukshëm fakti se në veriun e Mitrovicës  janë grumbulluar të gjithë vrasësit dhe kriminelët e luftës dhe  këtë e di më së miri Qeveria e Kosovës, sepse ata kanë emër e mbiemër, sepse ata kanë qenë klasë politike, ushtarake e shoqërore e Kosovës deri në dëbimin e trupave serbe nga vendi ynë, në qershor të vitit 1999. Nëse, Qeveria merr guxim për rehabilitimin e tyre, atëherë me të drejtë shtrohet pyetja,  cilët janë ata serbë të paskan kryer dhe po kryejnë krime në Kosovë? Me siguri se në veriun e Kosovës  nuk kanë ardhur për të jetuar dhe për të kryer  krime serbët nga Shumadia, nga Nishi, as nga ndonjë krahinë tjetër e Serbisë. Atje janë grumbulluar dhe zhvillojnë veprimtari të papengueshme kriminale serbët e Kosovës, ata që kanë vrarë e kanë masakruar mijëra shqiptarë gjatë luftës, ata që po vrasin edhe sot, ata që po vrasin dhe po iu shkaktojnë plagë edhe ushtarëve paqeruajtës të KFOR-it. Cilët qenkan ata serbë në veri që nuk kanë votuar për Serbinë, por paskan votuar për Kosovën? Të tillë nuk ka, sepse po të kishte këtë do ta dinim të gjithë.


 


Nëse Qeveria ka në plan që t’i amnistojë kriminelët serbë në veri dhe t iu ofrojë poste nëpër zyre, për përfitimet e veta  politike, këtë edhe mund ta bëjë, por a ka të drejtë Qeveria e Kosovës ta falë gjakun e mijëra shqiptarëve të vrarë e të masakruar nga serbët? Të drejtën për t’i  falur kriminelët, nëse duan ta shfrytëzojnë këtë të drejtë, e kanë vetëm familjarët e martirëve dhe dëshmorëve dhe këtë “të drejtë” besojmë se  ata kurrë nuk do ta shftytëzojnë.  Askush tjetër nuk ka të drejtë të falë për hir të BE-së, të Kuperit, Ahtisarit, Fajtit, Dellit, Editës, Stefanoviqit, e të tjerëve, të cilët për hir të “ardhmërisë” kërkojnë nga viktimat ta falin xhelatin. Këta asnjëherë nuk iu kanë kërkuar autoriteteve në Serbi t’iu kërkojnë falje shqiptarëve, sepse Serbia e ka bërë të qartë sa e sa herë se, kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës, as luftën e saj çlirimtare. Për më tepër ajo po vazhdon të insistojnë që të dënohen me burg të gjithë pjesëtarët e UÇK-së, kërkesë të cilën e ka zbatuar UNMIK-u dhe tani po e zbaton për çdo ditë EULEX-i, pa e pyetur fare Qeverinë e Kosovës.


 


Çështja e faljes dhe e pajtimit është çështje delikate dhe gabohen rëndë të gjitha ata që mendojnë se mund ta falin gjakun e derdhur për liri, për hir të ruajtjes së posteve dhe përfitimeve, që po iu sjellë pushteti nën diktatin dhe regjimin e BE-së.


Pajtimi do të ndodh kur Serbia të kërkojë falje për të gjitha krimet që ka kryer kundër shqiptarëve prej vitit 1912, kur të dëmshpërblejë të gjithë shqiptarët e dëmtuar, kur ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe kur të heq dorë përfundimisht nga politikat e saj agresive, hegjemoniste e kolonialiste kundër trojeve etnike shqiptare. Deri atëherë, çdo përpjekje për pajtim, vetëm sa do ta zgjasë agoninë dhe armiqësinë 13-shekullore mes serbëve dhe shqiptarëve.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …