Si askund në botën demokratike ndodh që një kandidat i dënuar për vepra penale, i cili nuk mund të kandidojë për deputet, pas fitores së partisë së tij në zgjedhje, bëhet kryeministër. I tillë është rasti i Albin Kurtit. Atë, paraprakisht KQZ-ja e kishte hequr nga lista për deputet për shkak të dënimit për kryerje të veprës penale, por “ligji” tjetër ia mundësoi zgjedhjen në krye të Qeverisë! A është i njëjtë edhe ligji, të cilin e shkel më dy këmbët ministri i Kurtit, Xhelal Sveçla. Ai dhe shumë të tjerë nga krerët e Vetëvendosjes shtyhen qe nëntë vite nëpër gjyqe dhe nuk japin llogari për vepra të rënda penale, për të cilat janë akuzuar, qysh në viti 2013, për më tepër i injorojnë institucionet për të cilat kanë obligim t’ i ruajnë e t’i respektojnë, dhe për këtë ishin zotuar e betuar në fushatën e tyre zgjedhore. Nga praktika e deritanishme dihet se edhe po të shkonin në gjyq, asnjëri nuk do të dënohej, sikur nuk janë dënuar edhe tre ministra e shumë zyrtarë të tjerë, të cilët iu kanë përgjigjur gjyqit, edhe ai i ka liruar të pafajshëm, në këtë mes bën pjesë edhe vetë ministrja e Drejtësisë e ministra të tjerë.
Të përkujtojmë me këtë rast se më 18 Maj të vitit 2021, u shpallen të pafajshëm tani ministrja, Albulena Haxhiu, deputeti Pal Lekaj, Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, në rastin për futje të gazit lotësjellës në hollin e Kuvendit, raporton Drejtësia Sot. Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi, Pal Lekaj dhe Besa Baftiu, po akuzohen se me datë 19.02.2016, kanë futur bombola të gazit lotsjellës në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Shpallja e aktgjykimit është bërë në seancën e sotme të mbajtur në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Kryetarja e trupit gjykues Fatime Dërmaku, tha se në mungesë të provave të njëjtit u liruan nga akuza. Sipas aktakuzës së siguruar nga burimet e “Drejtësia Sot”, e cila përfaqësohet nga prokurori Ilaz Beqiri, të pandehurit akuzohen se më datë 19.02.2016, pa autorizim kanë poseduar armë, përkatësisht bombola të gazit lotsjellës. Të njëjtit këto bombola kanë arritur që t’i fusin në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pas pauzës së punës së Kuvendit, derisa ishin duke u kthyer në sallë për të vazhduar me punimet. Mjete këto të cilat i’u janë gjetur dhe sekuestruar nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit gjatë kontrollit. Me këtë secili veç e veç e kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, e dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. (Gjykata Themelore, Prishtinë, monitoruar nga Nita Kusari)
Edhe një rast tjetër.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, më 30 prill të vitit 2021 është mbajtur seanca fillestare në rastin ndaj ministrit aktual të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe të akuzuarve tjerë, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha-Prestreshi. Kryetari i Trupit Gjykues Alban Ajvazi. Prokurorja e cila e ka ngritur aktakuzën, Dulina Hamiti gjatë leximit të aktakuzës ka thënë së të akuzuarit e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare në atë mënyrë që nuk e kanë respektuar planin zhvillimor urban të MMPH-së. Përderisa Aliu është deklaruar i pafajshëm për aktakuzën e Prokurorisë për keqpërdorim të detyrës zyrtare sa ishte drejtor në komunë e Prishtinës. Më 27 gusht 2021 Gjykata Themelore në Prishtinë ka konstatuar se hedhja e aktakuzës ndaj Liburn Aliut dhe të tjerëve është e bazuar, pasi Prokuroria nuk ka ofruar fakte se të pandehurit kanë kryer veprat penale të korrupsionit. Madje, kjo gjykatë ka vlerësuar se Aliu dhe të tjerët vepruan sipas ligjin dhe kompetencave të tyre kur refuzuan disa kërkesa për lejimin e kushteve ndërtimore në të dëmtuarve. Edhe ky rast tregon më së miri se si nënshtrohet gjykata ndaj mujsharëve të korrupsionit. Po të mos ishte ministër në atë kohë, Librun Aliu me grupin e tillë të gjithë do të ishin shpallur fajtorët dhe do të ishin dënuar të pakt[n me dënime me kusht apo me të holla. (Lidhur me pretendimet e përfshira në këtë aktakuzë, “Betimi për Drejtësi” ka provuar që para publikimit të këtij lajmi të marrë një qëndrim nga ministri Liburn Aliu, por i njëjti nuk u është përgjigjur thirrjeve. Qeveria Kurti 2, në të cilën Aliu ka marrë pozitën e ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është votuar më 22 mars 2021 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, i dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, (Gusht 27, 2021 Lexo shqip).
Edhe pse lënda kundër një grupi sulmuesish të institucioneve dhe policisë së Kosovës, në krye të së cilëve është, Xhelal Sveçla, ka tetë vjet që është ngritur ajo tashmë është shtyrë në afat të pacaktuar në mungesë së paraqitjes së të pandehurve, në mesin e tyre edhe ministra e zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes, parti në pushtet. Nuk është kjo hera e parë, as e fundit kur pikërisht personat që janë të thirrur ta mbrojnë ligjin e nëpërkëmbin atë, sikur ishte rasti i ministri të Brendshëm Xhelal Sveçla i cili as kësaj radhe nuk u paraqit në seancën gjyqësore të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku pritej të zhvillohej gjykimi. Sipas aktakuzës së ngritur më 14 mars të vitit 2014, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Dardan Molliqaj, Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Xhelal Sveçla, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Bekim Shkodra, Afrim Hoxha, Sami Avdiu dhe Besnik Qelaj po akuzohen se më 27 qershor 2013 në rrugën “Nëna Terezë” në Prishtinë, gjatë protestës me qëllim të dëmtimit të personave zyrtarë-pjesëtarëve të Policisë së Kosovës kanë kryer veprime të dhunshme dhe vepra huligane.
Gjykata ka sqaruar se “I pandehuri Xhelal Sveçla nuk ka pasur urdhëresë për sjellje me detyrim, por i njëjti ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt dhe gjithashtu nuk është lëshuar asnjë urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj tij për seancën e radhës”, thuhet në njoftim. “Seanca e shqyrtimit fillestar nuk është mbajtur në mungesë të shtatë të pandehurve, prej tyre dy të pandehur kanë qenë të ftuar në mënyrë të rregullt, për dy të pandehur nuk ka pasur dëshmi se janë ftuar në mënyrë të rregullt, ndërsa për tre të pandehur ka pasur urdhëresë për sjellje me detyrim nga stacionet policore, mirëpo që nuk janë realizuar dhe Gjykata është informuar nga Policia e Kosovës, se të njëjtit nuk janë gjendur në vendbanimet e tyre, andaj në mungesë të pandehurve seanca është shtyrë në afat të pacaktuar”, thuhet në fund të njoftimit.
Shpërfillja e gjykatave, nga të pandehurit është dukuri tejet e përhapur në Kosovë dhe kjo bëhet me qëllim që lënda të vjetërsohet dhe në fund të shpallet e pavlefshme. Në këtë mënyrë janë liruar nga padia qindra të pandehur edhe për vepra të rënda penale, dhe për këtë nuk jep përgjegjësi askush. Kjo dukuri flet më së miri se gjyqin dhe organet e gjyqësisë në Kosovë i përdorin sipas interesave të tyre në radhë të parë qeveritarët, deputetët, ministra e zëvendës-ministra, mujsharë e pushtetarë të tjerë, e shumë më tepër ata që krijuan akuzë për kapjen e shkapjen e institucioneve të shtetit.
Në krye të ministrisë së Drejtësisë është personi me precedent penal, por pasi u bë ministre u bë gjyqi dhe u shpall e pafajshme. I tillë i pafajshëm u shpall edhe një ministër tjetër e sa e sa zyrtarë të tjerë të tanishëm dikur sulmues të policisë dhe institucioneve në krye me Albin Kurtin, sot kryeministër i Kosovës, i cili për shkak të precedencës penale nuk u lejua të kandidojë për deputet, por sipas një ligji, i cili lakohet dhe trajtohet sipas rastit, ai u zgjodh kryeministër i plotfuqishëm i vendit.
Uzurpimi i Shtetit dhe deformimi i drejtësisë, janë akte që dënohen kudo në botën e qytetëruar e të përparuar. Kosova nuk ka qenë as është imune ndaj këtij fenomeni të egër kapitalist. Risi në këtë mes janë premtimet për sundimin e ligjit, kauzë mashtruese e Vetëvendosjes të cilën, në zgjedhjet e përgjithshme e kishin mbështetur shumë qytetarë të pa informuar dhe të papjekur politikisht. Ndërkohë, në zgjedhjet vendore, vetëm pak muaj më vonë, kauza ra dhe Vetëvendosja fitoi vetëm katër komuna me një përqindje krejt të vogël të votave, në balotazh.