Histeria e një pjese të medieve të Kosovës kundër myslimanëve, me rastin e fushatës së arrestimit të 40 apo më shumë qytetarëve të vendit, për të cilët, tash për tash ka vetëm dyshime se kanë luftuar në Siri kundër regjimit të kriminelit, Bashar al Assad, ka shënuar kulmin e urrejtjes dhe një shfrenim degjenerik, shumë të egër e krejt të panatyrshëm, që nuk ka të bëjë me realitetin, sa ka të bëjë me urrejtjen e sëmurë të disa përfaqësuesve të medieve dhe qarqeve politike kundër myslimanëve.
Gazeta Ekspres raporton se krejt të dyshuarit qenkan anëtarë të Kalifatit, të ashtuquajtur ISIS. Një gazetë tjetër barazon të gjithë luftëtarët në Siri me terrorizëm duke fshehur faktin se atje luftojnë pjesëtarët e 70 shteteve të botës, të dhjetëra shteteve të Evropës në mesin e tyre edhe shumë të krishterë nga Evropa e bota, duke fshehur edhe faktin se në luftimet e deritanishme në Siri, janë vrarë e masakruar mbi 150 mijë qytetarë, civilë, kryengritës e ushtarë dhe janë detyruar të largohen nga vendi më shumë se tre milionë njerëz dhe shkaktari kryesor i krejt kësaj tragjedie është diktatori, Bashar al Assad.
Fushata e arrestimeve, në momentin e tanishëm nuk ka si të mos jetë fushatë politike, jo vetëm e partisë ende në pushtet, por edhe e partive të tjera, të cilat kanë shkaktuar krizë qeveritare, për shkak të pamundësisë për ta konstituuar Kuvendin dhe për ta formuar Qeverinë. Tani fajtorin kujdestar për kollpasin politik e institucional kërkojnë ta mbulojnë me luftën kundër “terrorizmit”, sidomos kundër dhjetëra shqiptarëve që kanë marrë pjesë, apo kanë ndonjë të njohur, të atyre që janë përfshirë në luftë në Siri, apo në Irak.
Lajka që krerët politikë duan t i bëjnë botës perëndimore, duke treguar gatishmëri në luftë, kundër sikur thuhet, “terrorizmit islamik” është e tejdukshme dhe nuk bëhet për qëllime e parime, por për mbetje në pushtet dhe për t’ i treguar Evropës përcaktimin antiislam, për të treguar servilizmin politik të tyre, i cili është i tejdukshëm dhe të cilit nuk i beson askush në Evropë.
Disa medie në Kosovë i bënë publicitet histerik aktit monstruoz të Lavdërim Muhaxherit, me qëllim për ta nxitur fushatën jo kundër tij, por kundër të gjithë atyre shqiptarëve që kanë marrë apo po marrin pjesë në luftën e Sirisë, apo të Irakut. Një rast i tillë u bë lajmi kryesor i ditës, sidomos në Kosovë, por kurrë dhe asnjëherë këto medie nuk afishuan foton e ngjashme të kriminelit serb, Gorolub, Sllavujko Paunoviq duke therë një fëmijë shqiptar gjatë luftës, apo qindra foto të tjera të masakrave serbe në Kosovë, në Bosnje, Kroaci e gjetkë.
Asnjë njeri me mend në kokë nuk përkrah krimet, cilat do qofshin ato, me prerje koke, varje, ekzekutim, e mënyra të tjera. Që Lavdërim Muhaxheri nuk i takon botës as aspiratave shqiptare, kjo nuk do koment, por këta shpirtkazmë harrojnë se sa njerëz në Kosovës e kanë të afërm, mik, shok, kolegë, djalë, nip, farefis, Lavdërimin dhe të gjithë të arrestuarit në vend. Ndaj atyre familjeve lipset tolerancë, mirëkuptim dhe jo izolim e satanizim, jo fushatë si ato izolimet e fushatat e kohës së Titos Rankoviqit e Milosheviqit.
Policia e Kosovës gjithnjë ka qenë dhe është shumë e fortë dhe e vendosur kur ka arrestuar dhe kur arreston shqiptarë, qofshin ata luftëtarë të lirisë, sikur ishte rasti i arrestimit në komandantit të Policisë në Prizren, tri vjet më parë, ish epror i UÇK-së, apo luftëtarë të Kosovës, që i ndjek Serbia dhe EULEX-i, qofshin aktivistë të Vetëvendosjes. Atyre nuk ua mbanë të arrestojnë kriminelët serbë të kanë vrarë fëmijë shqiptarë, kanë dhunuar gra shqiptare dhe të tillë që kanë vrarë madje edhe policë të Kosovës, të UNMIK-ut dhe të EULEX-it.
Por një gjë duhet thënë e duhet përsëritur sa e sa herë. Luftën në Siri në fillim e ka përkrahur Qeveria e Kosovës, kjo nuk mund të fshihet, meqë ka një dyzinë faktesh. Këtë nuk e fsheh dot Bajram Rexhepi as krerët policorë të vendit, as disa hoxhallarë. Dhe kjo ndodhi për shkak se kryengritjen e armatosur në Siri, fillimisht e ka përkrahur edhe Amerika, krejt derisa Rusia kumtoi një “njet” të fortë që i shkoi për shtati kriminelit Assad dhe e zmbrapsi Amerikën e NATO-n nga sulmi i mundshëm, sikur ndodhi në Libi dhe në disa shtete arabe. U harruan krimet kundër popullatës siriane, u harruan edhe helmimet masive me gazra kimike, u harruan krimet në Gaza, por u bë lajm mbi lajme vepra e ligë dhe e dënueshme e një qytetari të Kosovës, apo disa të tjerëve që kanë luftuar dhe po luftojnë në Siri dhe në Irak. Qeveria e Kosovës nxori edhe ligj kundër qytetarëve që vendit të cilët marrin pjesë në çdo luftë jashtë Kosovës, qoftë edhe në ndihmë të shqiptarëve jashtë vendit. Asnjë shtet në botë nuk arrin ta ndalojë qarkullimin e qytetarëve të vet dhe nuk i ndalon dot ata, edhe kur luftojnë për interesa personale, grupore, fetare e politike. Këtë kurrë nuk do ta arrijë as Kosova, madje me mjete represive jo se jo.
Fushata e arrestimit të “terroristëve” të supozuar është fushatë politike, e cila është kurdisur në një moment të caktuar politik dhe po ashtu për interesa politike. Si e tillë kjo fushatë do të shafitet shpejt edhe pse mediet e Qeverisë dhe ato me orientime anti islame po i japin flakë e zjarr, me qëllim për të përfituar nga rasti, për të treguar se cili nga krerët e shtetit dhe të institucioneve është më i përkushtuar për luftë kundër shqiptarëve islamë që mendojnë dhe veprojnë ndryshe dhe që me vetëdije kanë zgjedhur të vdesin për interesa që nuk janë të Kosovës, por janë interesa të tyre dhe në pajtim me bindjet e tyre fetare e politike.