RKL

RKL: Në këto ditë maji kur i përkujtojmë dëshmorët e martirët, fryhen si gjeldeca, ata që kishin ikur nga lufta

Në muajt prill të maj të vitit 1999 në frontet e luftës çlirimtare kanë rënë qindra dëshmorë, më shumë se një e katërta e numrit të përgjithshëm të dëshmorëve të rënë  gjatë luftës së UÇK-së kundër forcave pushtuese e vrastare serbe.  Ky numër i të rënëve tregon më së miri heroizmin  e luftës së UÇK-së dhe gjakut të derdhur rrëke për liri, ndërsa tani 22 vjet më vonë,  në Kosovën e çliruar me gjakun e bijve dhe bijave më të përkushtuar të kombit, gjenden politikanë bukë përmbysur të cilëve u vjen  rëndë ta përmendin qoftë edhe emrin e kësaj ushtrie heroike, e cila lindi dhe u mbështet nga populli liridashës i të gjitha trojeve shqiptare.

Sot kur i përkujtojmë dëshmorët e martirët, gjenden bashkë shumë baloshë e syleshë, tinëzar e nopranë, ikanakë e servilë, puthadorë e bashkëpunëtorë të Serbisë, apo bij dhe bija të tyre, të cilët pretendojnë të veshim meritat që nuk i kanë, pretendojnë ta mbulojnë veten me meritat që nuk iu takojnë, pretendojnë të na bindin se ata paskan luftuar në tjera kanale dhe paskan dhënë kontributin kryesor në luftë.

Kështu thonë ata që vetëm pas luftës dhe pasi nuk kishte mbetur asnjë këmbë  ushtari e polici serb në Kosovë, ishin kthyer  nga Shqipëria,  të rruar e të kallajisur me uniforma të reja, me vetura të reja,  me roje e truproje duke rrezatuar forcë, siguri, pse jo edhe arrogancë e prepotencë. Por gjatë luftës  nuk ua kishte mbajtur të hynin në Kosovë duke kaptuar fusha e brigje, pyje e male rreth kufirit,  nën breshërinë e armëve të Milosheviqit, ashtu sikur kishin hyrë mijëra e mijëra të tjerë.

Disa prej tyre i kishin caktuar postet qeverisëse, “gjatë luftës plot heroizëm” që kishin bërë nëpër hotelet e Tiranës dhe sapo ishin kthyer kishin marrë pozitat drejtuese, duke ushtruar madje edhe arrogancë dhe duke rrahur fort gjoksin si super çlirimtarë…

Ata që kishin ikur nga lufta, ata që nuk kishin hyrë fare nëpër kufirin ku luftohej në çdo pikë, ata që kishin qëndruar në Shqipëri, apo në shtetet e tjera të Evropës deri pas çlirimit të vendit, ata që kishin dezertuar dhe pastaj në mërgim kishin formuar Brigadën “Mërgimi”, në kohën kur në Kosovë derdhej rrëke gjaku i kuq dhe i pastër i dëshmorëve,  po të kishin turp, po të kishin njerëzi, po të kishin dinjitet, po të kishin burrëri, në radhë të parë do të duhej t’ i kërkonin falje UÇK-së dhe popullit për anashkalimin e luftës, dhe do të pranonin të vërtetën e saj, të ulnin veshët e të paktën të mos lavdërohen, të mos rrahin gjoks, duke na treguar ndonjë detal, për të cilin thurin një novelë.

Të mos na i tregojnë vuajtjet, që kanë përjetuar në Bllacë, duke qëndruar me orë të tëra nëpër  shi, neve që keni qëndruar jo me orë, ditë, javë  e muaj por edhe me vite, madje kurdoherë nën breshërinë e predhave armike…

Ata, që për të shpëtuar vetët e familjet e tyre ikën nga Kosova në çastet e saj më kritike, sidomos pasi kishte filluar intervenimi i NATO-së kundër makinerisë së krimit serb kundër shqiptarëve sot pikërisht ata kapardisen e lyhen me patriotizëm duke qëndruar përballë lapidarëve e shtatoreve të dëshmorëve, duke mbajtur fjalime prepotente, duke ngritur lart veprat e dëshmorëve, por pa përmendur asnjë nga bashkëluftëtarët e tyre, të cilët edhe tani po i mbrojnë luftën dhe vlerat e saj në Gjykatën e Hagës.

Është paksa e panatyrshme edhe për familjarët e dëshmorëve kur këta krerë institucionesh i  vizitojnë bashkëluftëtarët dëshmorë të Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit, sikur është heroi, Ilaz Kodra e shumë të tjerë.

Nuk di si ndihen ata, kur e dinë fare mirë se ashtu sikur kanë rënë më të dashurit e tyre, në altarin e lirisë,  ashtu kanë mundur të bien edhe këta katër e të gjithë të tjerët që kanë mbetur në mesin e të gjallëve dhe që me krejt qenien e tyre  që kanë marrë pjesë në çlirimin e Kosovës nga barbaria serbe.

Morali i luftës duhet të ruhet me moral kombi e jo “moral politike”, sepse politika i ka të gjitha por jo edhe moralin, jo sidomos kjo e sotmja, që gëzon frytet e fitores, të çlirimit e të pavarësisë,  pa e shkrepur as një plumb kundër Serbisë, por themi konkretisht për këtë  treshen K-K-O. Kjo nuk ka të bëjë me  anëtarësinë apo me ndonjë luftëtar lirie që ka mbetur në radhët e kësaj nomenklature. Kjo treshe e shumëfish treshe të tjera si kjo, nuk  ia ka dhënë as një copë buke një luftëtari të lirisë, por kanë  ikur nga Kosova, pikërisht në kohën kur ajo  digjej flakë nga sodoma, Serbi.

Kjo treshe mujsharësh politikë, arrogante e prepotente, që nuk ka dhënë as edhe një ditë të vetme kontribut në luftën e UÇK-së, kjo treshe, që krejt veprimtaria e tyre në shërbim të kombit dhe lirisë nuk ka meritë  më shumë se një  ditë lufte, e cilitdo luftëtar të lirisë, kjo treshe mashtruesish  që ka ardhur në pushtet me premtimin numër një se me Serbinë nuk do të ketë kurrë negociata, por vetëm Vetëvendosje, dhe tani që ka arritur në majat e pushtetit, e pranon jo vetëm dialogun por edhe kompromisin si kusht për fillimin e bisedimeve, madje do të pranojë dhe do të nënshkruajë krejt ato që i ofrohen në tavolinën e bisedimeve, vetëm për të qëndruar në pushtet, për t’ u pasuruar sikur janë pasuruar të tjerët, dhe në fund të thonë atë fjalën e shëmtuar të mujsharëve politikë, “Populli im, kafsha ime e zgjebosur…”

Duke qenë se ata nuk po heshtin së lavdëruari e së rrahuri gjoks si çlirimtarët e Republikës së tretë,  të cilën e paskan çliruar nga komandantët e luftës, madje as nuk lodhën për ta paraqitur një mospëlqim publik kundër veprimeve të Prokurorisë së Gjykatës Speciale, lërë më të japin ndonjë garanci. Duke qenë se po promovohen ditë për ditë, para shtatoreve dhe lapidarëve të dëshmorëve,  luftëtarët e vërtetë e UÇK-së kanë për detyrë t ua çjerrin maskat, sepse për 22 vjet nuk janë zbehur as janë harruar bëmat e tyre, pikërisht kundër UÇK-së.

Le të dihet kush dhe si është pasuruar. Le të hetohet edhe super pasuria e atyre që kanë qëndruar larg luftës dhe disa madje kanë tregtuar me Serbinë, para, gjatë dhe pas luftës dhe sot i kanë firmat më të suksesshme dhe më të pasura në vend.

Të gjithë kanë emra e mbiemra.

Pse të mos i publikojmë?

Edhe sa kohë duhet të presim?

 

 

Ahmet Qeriqi

Maj 2021

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …