RKL

RKL: Në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me formimin e Qeverisë së re

Qytetarët e Kosovës, politikanët vendorë dhe ndërkombëtarë janë në pritje të verdiktit,  që pritet të japë më 29 maj 2020, Gjykata Kushtetuese e vendit lidhur me formimin apo jo të Qeverisë së re.  Duke folur lidhur me këtë temë Ambasadori i Britanisë së Madhe në Republikën e Kosovës, Nikolas Abbott, ka thënë se kjo javë është e rëndësishme për Kosovën për shkak të vendimit të cilin pritet ta nxjerrë Gjykata Kushtetuese në lidhje me dekretin e kryetarit, Hashim Thaçi për mandatarin e qeverisë. Ai ka kërkuar që të respektohet çfarëdo vendimi që merr Gjykata Kushtetuese. Cilido qoftë vendimi, do të çojë në ndryshim, që mund të jenë zgjedhjet e reja ose qeveria e re. Disa do të jenë të kënaqur, disa do dëshpërohen, disa do të jenë të stërkënaqur, e të tjerë të inatosur”.

 

Njohësi i çështjeve politike, Ramush Tahiri, në një intervistë për “Kosovapress” pret që Kushtetuesja të vendosë në favor të dekretit të presidentit, i cili i jep mundësinë Avdullah Hotit të LDK-së për të formuar qeverinë e re. Tahiri madje ka thënë se Gjykata Kushtetuese nuk mund të vendosë në asnjë version tjetër, përveç që të respektojë shumicën e vullnetit të Kuvendit, e që është edhe vullnet i popullit. “Vendimi i Gjykatës është të respektojë shumicën parlamentare, të respektojë parlamentin dhe t’i jep mundësi cilësdo parti ose cilitdo koalicion, ose cilitdo grup të partive politike që ta krijojnë qeverinë në parlament dhe sa herë shumica në parlament ndryshon aq herë ndryshon qeveria”, ka thënë Tahiri.

Kryeministri, Albin Kurti, ka thënë se nuk e di se cili do të jetë reagimi qytetar dhe i Lëvizjes Vetëvendosje nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk do të jetë në favor të partisë që ai drejton. Por, Kurti ka shprehur mendimin se, edhe nëse do të ketë protesta, pret që ato të mos jenë të dhunshme. Ai  ka thënë se angazhohet për zgjidhje paqësore të problemeve, teksa ka folur për protestat e mundshme pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth qeverisë së re apo zgjedhjeve.

Sipas Kurtit protestat i bëjnë qytetarët, i bëjnë edhe aktivistët.  Ai vë qytetarët në radhë të parë, si shprehje të gjoja vullnetit të tyre, të cilin e mbështet Vetëvendosja dhe anashkalon rastin që janë pikërisht militantët, jeniçerët e Vetëvendosjes ata që kanë paralajmëruar madje edhe kanë protestuar në kohë të pandemisë, duke paralajmëruar madhe edhe dhunë. Kurti krejt hapur shprehet se verdiktin e Gjykatës do ta pranojë vetëm nëse ai është në favor të tij. Unë jam i gatshëm ta pranoj çdo vendim të gjykatës i cili është interpretim i Kushtetutës, por nuk jam i gatshëm të pranoj shkrim të Kushtetutës”, ka thënë Kurti. Gjykata Kushtetuese kishte pezulluar dekretin e kryetarit për mandatarin lidhur me  formimin e qeverisë dhe deri më 29 maj duhet të marrë një vendim, ose të vazhdojë pezullimin, ose të nxjerr një aktgjykim të ri.

Deputeti i Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj, thotë se  nëse Gjykata Kushtetuese merr një vendim tjetër me të cilin nuk e respekton as vendimin e vet, Vetëvendosje nuk do ta respektojë atë. Nuk do ta pranojmë vendimin, sepse një vendim i tillë do të ishte shkelje e vet Kushtetutës, ka thënë ai.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë se pret nga Gjykata Kushtetuese të jetë në rolin e saj kushtetues për t’i dhënë një zgjidhje kushtetuese ngërçit politik në vend. Në një deklaratë për “Epoka e re”, Krasniqi ka folur për vendimin që pritet ta japë këtë javë Gjykata Kushtetuese lidhur me dekretin e kryetarit,  Hashim Thaçi për mandatarin, Avdullah Hoti,  për formimin e qeverisë së re. “Në rend të parë pres nga politika dhe ‘ekspertët’ që ta kuptojnë se Gjykatës Kushtetuese e Kosovës nuk është Gjykatë Apeli apo Gjykatë Supreme në kuadër të Sistemit të Drejtësisë, është gjykatë për interpretimin e kushtetutshmërisë dhe për të lehtësuar e jo ndërlikuar vendimmarrjen politike, sidomos atëherë kur politika e bënë interpretimin sipas këndvështrimeve të ngushta partiake. Pres që Gjykata Kushtetuese të jetë në rolin e saj kushtetues për t’i dhënë një zgjidhje kushtetuese këtij ngërçi politik që nuk i duhet askujt”, është shprehur mes tjerash, ish kryekuvendari,  Jakup Krasniqi.

Kokëfortësia e Vetëvendosjes për të mos lëshuar pe madje as në verdiktin e Gjykatës Kushtetuese, nëse ai vendim nuk kënaq apetitet e tij, për të qëndruar me çdo kusht në krye të një Qeverie të shkarkuar, në anën tjetër paralajmërimi i grupeve militante të kësaj partie se do të ketë protesta edhe në kushte pandemie, janë tregues të mirëfilltë të presionit të dhunshëm që po ushtron kjo forcë politike mbi institucionet edhe ashtu të brishta të vendit.

Sot, një ditë para vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kryeministri në shkarkim, Albin Kurti, thotë se qeveria në krye me të nuk i nënshtrohet presidentit, Hashim Thaçi. Sipas tij regjimi i vjetër po refuzuaka të kuptojë që koha e tyre paska mbaruar. “Regjimi i vjetër po shpurdh nëpër studiot televizive. Ata refuzojnë ta kuptojnë se koha e tyre ka mbaruar. Po orvaten të rikthehen, përmes trysnisë mbi gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Sa herë që ne ua godasim korrupsionin, ata piskasin “Amelika, Amelika! Gleneli, Gleneli!”. Duan ta dëmtojnë imazhin dhe  ta keqpërdorin atë si strehë për ultësinë e tyre.  Një popull nuk iu nënshtrua një njeriu. Dhe, e bëri ndryshimin me 6 tetor. As qeveria në detyrë nuk i nënshtrohet këtij Presidenti “helaq”.

Albin Kurti popull quan vetëm ata që e kanë votuar atë dhe Vetëvendosjen. Të tjerët shumica dërrmuese, sipas logjikës së tij i takojnë jo popullit, apo atyre që i votojnë helaqet si Thaçi, Haradinaj, Veseli e të tjerë. Duket se Kurti po dridhet  nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, andaj edhe i ka mobilizuar militantët  në Sheshin e kryeqytetit. Nga pezmatimi, urrejtja  dhe stresi  i tij kuptohet  se Dita e nesërme,  29 maj  2020 do të jetë ditë e paharrueshme për të dhe pjesën e shqiptarëve, që ai i quan popull.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …