RKL: Një fitore për drejtësinë dhe një dështim i turpshëm i përpjekjeve antishqiptare të Serbisë dhe EULEX-it

Më 2 maj 2012, në Gjykatën e  Qarkut në Prishtinë, u mbajt seanca përmbyllëse, përfundimtare, lidhur me gjykimin e montuar politik kundër komandantit emblematik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deputetit, Fatmir Limaj dhe bashkëluftëtarëve të tij gjatë luftës. Në mungesë të fakteve dhe dëshmive relevante, Trupi gjykues, mori vendim në pajtim me ligjet në fuqi, dhe liroi nga të gjitha akuzat, komandant Çelikun dhe bashkëluftëtarët e tij, të akuzuar nga Prokuroria e EULEX-it, për gjoja, krime lufte.


Të përkujtojmë me këtë rast se, Fatimir Limaj ka qenë i akuzuar edhe nga Tribunali i Hagës ku ka qëndruar tre vjet në paraburgim dhe në fund ishte shpallur i pafajshëm. Pavarësisht verdiktit të Tribunalit, Beogradi zyrtar dhe një segment i Prokurorisë së EULEX-it, të mbështetur në dosjet e kohës së regjimit të Milosheviqit dhe në disa shkrime të shtypit të vendit, kishin rifilluar hetimet, me ç rast kishin paraburgosur 10  ish-eprorë dhe ushtarë të UÇK-së, të Brigadës, 121, Ismet Jashari-Kumanova, të akuzuar se gjatë kohës së luftës paskëshin  vrarë, burgosur e maltretuar disa oficerë serbë dhe bashkëpunëtorë  shqipfolës të regjimit të Milosheviqit.


Nën akuza të tilla, deputeti Fatmir Limaj u mbajt në arrest shtëpiak, ndërsa të akuzuarit e tjerë u mbajtën në burgjet e Kosovës.


Prokuroria e EULEX-it, duke u mbështetur në të dhënat e të ashtuquajturës gazetari hulumtuese dhe në bisedat telefonike të disa zyrtarëve politikë dhe policorë, dy vjet më parë, në mënyrë banditeske dhe spektakolare kishte ndërhyrë në Ministrinë e PostTelekomit të Kosovës, ku Fatmir Limaj ishte ministër. Ai akuzohej për korrupsion, abuzim me paranë publike dhe keqpërdorime të tjera, krejtësisht të montuara dhe pa asnjë dëshmi relevante. Kanë kaluar dy vite, dhe ligjërisht  ka kaluar edhe mandati për ta ngritur akuzën, ndërsa EULEX-i ende nuk ka shpallur publikisht vendimin për lirim nga të gjitha akuzat, edhe pse deri tani nuk ka publikuar, as edhe një dëshmi të vetme.


Prapaskenat, që janë luajtur kundër Fatmir Limajt, Ramush Haradinajt dhe disa komandantëve të njohur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë qenë kurdisje për eliminimin e tyre nga politika dhe për  dëmtimin e imazhit të luftës së UÇK-së, duke e paraqitur atë si luftë  “terroriste”, madje edhe duke e barazuar me luftën kriminale, okupatore dhe antishqiptare të kryekriminelit të Serbisë, kasapit të  popujve të Ballkanit, Sllobadan Milosheviq.  Nën akuza të tilla, “drejtësia” e EULEX-it, ashtu sikur ajo e UNMIK-ut, ka shpallur fajtorë  dhe ka dënuar me burg qindra ish-pjesëtarë të UÇK-së, duke u mbështetur pikë për pikë në dosjet e Prokurorisë së Serbisë.


Pretendimet për ta dënuar me çdo kusht, ish-komandantin emblematik të UÇK-së, Fatmir Limaj dhe bashkëluftëtarët e tij, janë bërë me qëllim që të diskreditohet zona më e fuqishme e luftës në Kosovës, e cila rezistoi deri në mbarimin e luftës, duke mbrojtur pozicionet dhe duke mos lejuar depërtimin e ushtrisë dhe policisë serbe në Malet e pashkelura të Berishës e më gjerë, ku kishin gjetur strehë rreth 100 mijë të zhvendosur dhe ku kishin mbijetuar luftën Shtabi i Përgjithshëm dhe institucionet e para shtetërore e informative të Kosovës.


Liribërësit dhe liridashësit e Kosovës, presin që edhe Gjykata e Hagës, ta marrë sa më parë vendimin lirues për ish-Komandantin e  UÇK-së në Dukagjin, Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarët e  tij Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj. Të përkujtojmë se rigjykimi i rastit “Haradinaj”  është i vetmi rast, unikat,  në historinë e Gjykatës së Hagës, e cila asnjëherë deri tani nuk ka zhvilluar seancë rigjykimi.


Lirimi i deputetit Fatmir Limaj nga akuzat e inskenuara, dalja faqebardhë në opinion, ka ngulfatur keq lukuninë e djallëzinë e një pjese të politikës dhe  të shtypit antishqiptar të Serbisë, ka ngulfatur dëshmitarët bashkëpunues të EULEX-it dhe një pjesë të politikës dhe  medieve të Kosovës, të cilat duke u mbështetur si gjithnjë në gënjeshtra të kamufluara si “burime të besueshme brenda Qeverisë, apo brenda ministrive” por pa i publikuar të dhënat, kanë bërë dhe bëjnë përpjekje të pareshtura për ta diskredituar luftën e UÇK-së dhe për ta përbuzur lirinë e Kosovës, e cila u arrit falë gjakut të derdhur për liri të  mijëra dëshmorëve e martirëve të kombit.


Pastërtia e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ka verbëruar edhe ende po i verbëron forcat e territ dhe mbetjet e regjimeve okupatore në Kosovë e më gjerë.


Mirëpo është e ditur qysh moti se vërteta, mënon, por ajo nuk harron…

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …