Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar kundër atyre që i quan “persona”, të cilët kanë deklaruar dhe përditë po deklarojnë publikisht se nuk pranojnë dekorim nga ai, duke refuzuar “Medaljen Presidenciale”, apo dekorata të tjera. Thaçi ka thënë se të njëjtit nuk mund të refuzojnë ato dekorata sepse emrat e tyre ende nuk janë shqyrtuar.
Në lajmin e publikuar paraprakisht nga Presidenca e tij, askund nuk shkruan se emrat, shoqatat e organizatat e dekoruara kanë qenë vetëm propozime dhe jo vendime. Kryetari Hashim Thaçi, duke parë se tërë procesi po degradon, vuri në veprim taktikën e tij të njohur, duke bërë të ditur se procesi nuk paska përfunduar dhe se paskemi të bëjmë vetëm me propozime.
Kush i beson këtij bllofi të kryetarit në emër të Presidencës?
Dihet fare mirë se 1 muaj para shënimit të 10-vjetorit, vetë kryetari Hashim Thaçi kishte kërkuar nga opinioni propozime, të cilat sipas ligjit, dekoratat e tilla publikohen në mënyrë festive pikërisht në ditën e shënimit të një date të caktuar, në këtë rast të shënimit të parë jubilar të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Nuk është kjo dredhia e parë e Thaçit e cila është e ngjashme me dredhitë me krijimin e Ushtrisë së Kosovës dhe përpjekjet për fuqizimin e Gjykatës Speciale e të tjera si këto.
Opinioni nuk është aq sylesh sa të mos e kuptojë se dekoratat, mirënjohjet, nderimet shpallën në ditën e caktuar, pasi paraprakisht të jenë shqyrtuar dhe të jetë zbatuar tërë proceduarat. Kështu ka ndodhur edhe me dekoratat e kryetarëve të tjerë të Kosovës, para Hashim Thaçit, kështu ndodh kudo në botën e qytetëruar.
Pavarësisht përpjekjeve dhe dredhive, Thaçi nuk mund t’i heq tani nga lista: Sylejman Selimin, Jakup Krasniqin, Fatmir Limajn, Rexhep Selimin, Rexhep Qosen, por mund të heq Veton Surroin, Tadej Rodiqin e ndonjë tjetër, duke u shërbyer po ashtu me dredhi të natyrës së tij.