Ilir Meta

RKL: Nuk ka forcë që e shkarkon Ilir Metën, përderisa edhe Venecia, shitet e blihet me para

O paraja murdare!

Qe bën botën  e bën avare,

qe gjezdis porsi zagare… (Hasan Zyko Kamberi)

 

Ilir Meta, fatkeqësia e Shqipërisë e “fatbardhësia” e vetvetes dhe e klanit të tij, e ka kapur aq fort postin e kryetarit, sa nuk shkulet dot,  krejt derisa ta mbarojë mandatin. Është ky njeriu, të cilin pazari politik i Edi Ramës, e më herët i Sali Berishës, e përdorën dhe e shpërdorën për qëllime të veta, por edhe Meta nuk ua la keq, edhe ai i përdori dhe po i shpërdor, po për të njëjtat qëllime, njëjtë sikur ajo fjala e urtë e popullit: “më rrove të rrova, por brisku është i berberit”.

Meta është prototipi i sundimtarit në kohën e anarkisë, e cila quhet kohë e lirisë dhe demokracisë.

E mbani mend, Ilir Metën dikur sesi kërcente nga ulësja e Kuvendit në foltore, sesi grushtohej me deputetët, sesi shahej dhe e shanin me nënë e baba. E mbani mend pazarin që bënte me vartësin e tij, Dritan  Prifti.  Ishte një Pazar mesatar për “namuzin” e tij, vetëm 700 mijë euro për “aksham Pazar”,  për të cilin nuk çante kokën, sepse kishte Ramën e Berishën, të cilët ia lanin të palarat, sepse u duhej për rokadën e pushtetit. Dhe ai ishte e mbeti më i përshtatshmi për krijimin e qeverive, herë i majtë herë i djathë, plastofil i llojit të vet,  gjithnjë sipas rastit, gjithnjë i përdorshëm për “prostitucion” politik.

I përfolur për afera ndër më të panjerëzishmet, për korrupsion, blerje e shitje pronash të shtetit, blerje me pak lekë e shitje me shumë dollarë, shit-blerje banesash e apartamentesh, pallat me 15 banjo, pasuri të tundshme e të patundshme madje edhe në shtete fqinje, ai tashmë është  një “sheik” i pasur shqipfolës, ndër më të njohurit në rajon. Duket se me kohë kishte mësuar përmendsh, poezinë e poetit shqiptar, Hasan Zuko Kamberi, jo stigmatizimin e saj, por anën praktike, pragmatiste me fjalorin e sotëm politik.

Mbreti që urdhëron dynjanë

qe ka vene taraphanë

e i presin paranë

Ja di kimetin parasë!

Paraja të bën sulltan,

paraja te kurdis divan,

paraja çdo hall dërmon,

ja di kimetin  parasë!

Meta, poezinë e poetit të parë realist shqiptar, Hasan Zyko Kamberi,  të cilit vazhdojmë t’ i themi  me përçmim, “bejtexhi” e kishte kuptuar sipas mënyrës së vet dhe kurrsesi sipas porosisë  të poeti të madh

O paraja murdare!

Qe botën  e bën avare,

qe gjezdis porsi zagare,

Ja di kimetin parasë!.

 

Nuk besoj të ketë pasur apo të ketë në Shqipëri, politikan apo zyrtar  që ia di kimetin parasë  si Ilir Meta dhe përgjithësisht sikur ia dinë sundimtarët tanë në Tiranë, Prishtinë e në Shkup, por veçmas “Likja”, sikur i thërrasin në Shqipëri.

Sapo e kishte marrë postin e të parit të Shtetit, sipas marrëveshjen me Edi Ramën, i cili i fitoi vetë zgjedhjet dhe nuk ia kishte fare nevojën, megjithatë lidhi koalicion me të dhe “Meta mori hurin dhe Ramës ia la tirqtë”.

Prej atëherë e deri tani, Ilir Meta ka bërë çka ka dashur.  Ka ndarë dekorata e mirënjohje me vlerë deri në 300.000 euro dhe i ka ndarë çdo kujt. Armiqve shekullor të Shqipërisë u ka ndarë mirënjohje me “Urdhrin e “Kalorësit  të Artë të Skënderbeut”.  Po ashtu mirënjohje e dekorata të tilla i ka shitur kudo në Shqipëri, Kosovë e në  Diasporë, Një të tillë e ka blerë me para kesh edhe ish hoxha “Shejtan” i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Mulla Sulë UDB-ja dhe disa si ai. Meta e pronësoi dhe e bërë qytetar nderi të Shqipërisë priftin satana, Janullatos, i cili shkatërroi Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe i greqizoi qindra mijëra shqiptarë.

Në anën tjetër, pa pikë turpi Meta bën patriotin, lavdëron Adem Jasharin, Adem Demaçin, betohet se do ta ruajë kushtetutën të cilën e shkel me të dyja këmbët.

Pastaj organizon miting politik në Tiranë, në përkrahje të vetvetes, duke paralajmëruar të bëjë edhe “harakiri”, nëse populli nuk e do dhe nuk i përgjigjet protestës.

Dhe të gjitha këto name e dilinxhillëqe i bën Ilir Meta, sepse është i lig dhe qyqar,  Edi Rama, sepse në Shqipëri nuk ka më ideal për kombin e Atdheun, sepse për 30 vjet është hedhur baltë, pluhur, helm kundër atyre që e bënë dhe e ndërtuan Shqipërinë, kundër atyre që për 40 vjet me djersën e ballit e ndërtuan atdheun, ndërsa mercenarët e shkatërruan për një vit dhe e degdisën në një humnerë.

Sot,  Ilir Meta ndihet i ekzaltuar dhe krenar për bëmat e tij, sepse me kohë e kishte blerë edhe Venecian, edhe Ramën, edhe Lulin dhe tani është një pasha, një pasha nga këto të sotmit, një sheik, një sundimtar namuslli që e do Shqipërinë si çiflik të vetin, ashtu sikur Esad Pashai, madje ai kënaqej vetëm me gjysmën e sotme të Shqipërisë, pajtohej ta kishte edhe një të katërtën.

Me kot mundohet të arsyetojë, kryeministri Edi Rama, mos- shkarkimin e Ilir Metës, sepse Rama është politikan ndër më aftit që ka pasur ndonjë herë Shqipëria, por është më frikacaku që ka shënuar ndonjëherë po kjo Shqipëri. Një frikacak të tillë nuk e meriton Shqipëria.

Dhe ja si arsyeton sot Edi Rama, mos-shkarkimin e Ilir Metës:

Pasi pozita paraqiti raportin për “shkarkimin”  e Ilir Metën u tha se shkeljet e tij nuk janë të mjaftueshme për shkarkim, në foltoren e Kuvendit kishte marrë fjalën  kryeministri, Edi Rama. Ai saktësoi se përkundër atyre që përmendin vazhdimisht raportin e Venecias që i dha të drejtë Ilir Metës, raporti nxjerr ne pah një sërë shkeljesh të Metës. Dhe pikërisht sepse Partia Socialiste mori parasysh rekomandimet e Venecias ,  u rekomandua vetëm marrja e masave për të ardhmen, në mënyrë që të kufizohet hapësira e abuzimit. Mund t’ iu informoj për raportin që nuk e keni lexuar, ku ka nënvizuar Venecia një sërë shkeljesh të Metës, sa për dijeninë tuaj që këndoni po nuk lexoni. E zeza mbi të bardhë janë të nënvizuara shkeljet e presidentit. Komisioni ka bërë një punë voluminoze dhe i ka adresuar të gjitha gjetjet. Por edhe në këtë rast, është një tjetër mundësi për të parë dallimin mes nesh dhe gjithçkaje që thuhet në mënyrë keqdashëse për ne. Ne e kemi lexuar raportin e Venecias, dhe nuk e kemi konsideruar asnjëherë si aneks por si pikë referimi, dhe përderisa komisioni thotë se shkeljet e bëra nuk janë mjaftueshëm të rënda për shkarkim, atëherë ne kemi parë konstatimet e Komisionit që nuk na rekomandon të shkarkojmë Metën por na rekomandon të marrim masa për të ardhmen që të kufizojmë hapësirën e abuzimit nga Presidentët. Janë një sërë shkeljesh , kështu që ju dhe të tjerët që dolën këtu për të larë Metën më ujin e Venecias, iu them që Venecia nuk e ka larë Metën, por ka nxjerr në pah një sërë shkeljesh që lidhet me një vullnet politik për tu sjelle ne zyrën e Presidentit si tutor i opozitës”, tha Rama.

 

O paraja murdare!

Qe botën  e bën avare,

qe gjezdis porsi zagare,

(Dhe nuk ka kush me t’ qitun  fare).

 

Prifti Meta: https://www.youtube.com/watch?v=9tay7oo1iBU

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …