Për njëherë pas luftës në Kosovë, në verë të vitit 1999, administrata e UNMIK-ut dhe OSBE-së morën në kontroll ish RTP-në e dikurshme, e cila prej vitit 1991 ishte kthyer në një transmetues vasal të Radio-televizionit të Serbisë, me një program mercenar, që emetohej herë pas herë edhe në gjuhën shqipe. Asokohe në RTK punuan jo pak gazetarë dhe teknikë të RTP-së, të cilët kokulur dhe heshtas ishin pajtuar me regjimin serb dhe me masat e dhunshme, që kishte aplikuar ai regjim, shqiptar-vrasës, në të gjitha institucionet e Kosovës. Pas luftës, administrata e UNMIK-ut dhe OSBE-ja lejuan kthimin selektiv në punë të disa gazetarëve, operatorëve dhe kameramanëve shqiptarë, që i kishte përzënë regjimi serb. Ministria e Informimit e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, jo vetëm që tregoi paaftësi totale për ta menaxhuar procesin e formimit të RTK-së, por ishte pikërisht ajo ministri që ia dorëzoi RTP-në OSBE-së dhe disa ish mercenarëve që kishin punuar edhe në kohën e regjimit kriminal të Milosheviqit. Përpjekjet vullnetare të disa ish gazetarëve të përndjekur dhe të burgosur politikë, në krye me ish-gazetarin e dikurshëm të RTP-së, reporterin e luftës të Radios-Kosova e Lirë, Martin Çuni shkuan huq, meqë ai nuk pati përkrahje as nga Ministria e Informimit as nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, e cila kishte dështuar në shumë aspekte dhe jo vetëm në këtë drejtim.>>>
RTK-ja, përvetësoi trashëgiminë e RTP-së, pallatin, ambientet, mjetet teknike si dhe valët transmetuese, ndërkohë që kohë pas kohe merrte në punë ndonjë ish gazetarë të RTP-së sa për të fashitur protestat, që zhvilluan për shumë kohë sindikalistët e dikurshëm, të cilët nuk morën përkrahje nga popullata liridashëse e vendit, sepse nga ai mes kishte gazetarë e redaktorë, që kishin abuzuar me miliona marka, që kishin përfituar nga popullata shqiptare, dhe në kohën kur RTK-ja u pushtua nga serbët, ata ia theren për në Kroaci e Slloveni duke marrë me vete milionat e mbledhur nga shqiptarët liridashës të vendit. Po ashtu, një pjesë e atyre gazetarëve ishte devalvuar politikisht e kombëtarisht sidomos në vitet 80, kur ky medium ishte zëdhënës i politikave antishqiptare të Azem Vllasit, Sinan Hasanit, Kolë Shirokës, Rrahman Morinës dhe i tërë klasës së komunistëve shqipfolës, jugosllavë.
Interesimi i qarqeve vendimmarrëse politike, në Kosovë për ta futur nën kontroll, tashmë RTK-në, ishte dhe mbeti i jashtëzakonshëm, meqë neokolonialistët e UNMIK-ut dhe OSBE-së synimin kryesor kishin dhe kanë krijimin e opinionit publik përmes këtij mediumi, i cili u zhvillua me shpejtësi falë përkrahjes që mori nga donatorët ndërkombëtarë, nga buxheti i Kosovë dhe nga KEK-u.
Dita ditës RTK-ja, për nga forca financiare po kthehej në një gjigant profitabil, por në aspektin profesional ajo kishte stagnuar, meqë kishte një staf, që kryesisht përbëhej nga ideatorët e dikurshëm të bashkim vëllazërimit, sikur ishte ishin: Migjen Kelmendi, drejtori i parë pas luftës, pastaj drejtori i RTP-së dhe më vonë i RTK- Agim Zatriqi, i njohur për qëndrimin ideopolitik jugosllav dhe diferencues i spikatur i gazetarëve e redaktorëve me bindje të pastër kombëtare në vitet 80. Ai, së bashku me një staf redaktorësh e gazetarësh që kishin bërë emër në qëndrimet e tyre kundër kreut militant të Kosovës dhe kundër UÇK-së, mori mbështetjen e pa rezervë të UNMIK-OSBE-së dhe çuditërisht edhe të të gjitha qeverive të Kosovës së pas luftës. Përveç Agim Zatriqit, në RTK u postuan edhe Jeta Xharra drejtore i BIRN-it dhe “komandante e informimit” për Kosovë, pastaj, ish kuadro udhëheqës dhe diferencues të RTP-së, të cilët formuan një klan vasalësh, që iu nënshtruan UNMIK-ut dhe OSBE-së, LDK-së, më vonë AAK-së, PDK-së e kështu me radhë.
Gjatë viteve të pasluftës RTK-ja ishte medium i koalicioneve qeveritare dhe më fund, pasi harxhoi fondet dhe nuk dha kurrë asnjë llogari publike, ajo u hodh në prehrin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ku vjel burime financiare, ashtu si ansambli i dikurshëm i bashkim vëllazërimit “Shota” dhe disa medie serbe e minoritare.
Për qëllime hipokrite për t’i përfituar shikuesit e dëgjuesit, drejtuesit e RTK-së fillimisht morën në bord edhe Adem Demaçin dhe ndonjë veprimtar apo gazetar nga kundërshtarët politikë të bashkim vëllazërimit. Madje edhe ndonjë reporter apo kameramanë të luftës së UÇK-së, për qëllime që dihen.
Duke mos krijuar kurrë baraspeshë në krijimin e hapësirës për të iu dhënë zë të gjitha shtresave shoqërore, sidomos atyre që kishin dalë nga lufta e UÇK-së, dhe në anën tjetër duke mbetur besnike e idealeve tashmë të perënduara e të përçudnuara të ish regjime okupatore, RTK-ja instaloi një politikë kadrovike e programore, pa një koncept të qartë kombëtar, mbase edhe për faktin se drejtuesit dhe e saj gjithnjë janë përzgjedhur nga UNMIK-u OSBE-ja dhe qeveritë aktuale. Dhe, në përzgjedhje kanë fituar sidomos ish gazetarët e redaktorët e ideologjisë së kaluar të bashkim vëllazërimit, e cila tashmë ishte shortuar në ideologji të multietnicitetit. Nuk është e çuditshme kur në emisionet e RTK-së defilojnë dhe në vazhdimësi mbjellin idetë dhe vështrimet e tyre, analistë, profesorë, “intelektualë”, shkrimtarë, poetë, publicistë, të njohur për qëndrimet e tyre projugosllave si: Agim Zatriqi, Diana Toska, Baton Haxhiu, Halil Matoshi, Shkëlzen Maliqi, Jeta Xharra, Migjen Kelmendi, Avni Spahiu, Sylejman Gashi, Mazllum Baraliu, Azem Vllasi, Vehap Shita, Gani Mehmetaj, Shkëlzen Gashi, Ilir Deda, Nexhemdin Spahiu dhe shumë të tjerë, të njohur për qëndrimet e tyre internacionaliste jugosllave dhe të nënshtruar të përjetshëm ndaj të huajve kushdo qofshin ata, padronë nga Beogradi, apo nga Brukseli.
RTK-ja sikur ka përjashtuar praninë në emisionet e saj të dr. Rexhep Qoses, dhe kuadrove të larta shkencore nga Instituti i Albanologjisë dhe Instituti i Historisë, si dr. Hakif Bajrami, dr. Muhamet Pirraku, dr. Isuf Bajrajtari, dr. Hysen Matoshi e shumë historianë, albanologë e shkencëtarë të njohur të Kosovës. Krahasoni punën, dijen, intelektin, aktivitetin dhe veprat e këtyre pesë shkencëtarëve, me dijen, varfërinë mjerane e shpirtërore të 16-të të përmendurve më lartë.
Një kohë, RTK-ja kishte përjashtuar edhe praninë e Adem Demaçit, në emisione, sidomos prej vitit 2004 deri në vitin 2011. Në RTK nuk ftohen intelektualët më të njohur të Kosovës nga mesi i atyre, që kanë mbajtur vite të tëra nëpër burgje, ose ftohen vetëm kur shënohet ndonjë përvjetor jubilar i së kaluarës , ashtu sikur ftohet Hydajet Hyseni e ndonjë tjetër. RTK-ja nuk merr opinione nga gazetarët e luftës, as i fton ata nëpër debate, edhe pse ka shumë gazetarë të tillë, aktualisht aktivë në jetën tonë politike, shoqërore, informative e kulturore, mbase për shkak se emrat e tyre mund të gjenden në listën e interpolit të Serbisë dhe kjo e “dëmton” imazhin multietnik të këtij mediumi.
RTK-së, si medium publik, nëse pretendon të jetë i tillë, jo vetëm në letër dhe në reklamë, i duhen edhe opinionet e intelektualëve e gazetarëve të njohur, si: Nezir Myrtaj, Martin Çuni, Nusret Pllana, Berat Luzha, Fetnete Ramosaj, Ali Geci, Sali Lajçi, Ruzhdi Jashari, Murat Musliu, Ismet Sopi, Sabajahdin Cena, Habib Zogaj, Faton Mehmetaj, Kadri Rexha, Zenun Gjoci, Gani Syla, Sabit Gashi, Skënder Krasniqi, Isa Krasniqi, Mehmet Bislimi, e dhjetëra të tjerë, shumica ish të përndjekur dhe të dënuar nga regjimet okupatore, gazetarë e reporterë të luftës, intelektualë të pavarur dhe personalitete të njohura të rezistencës.
Duke trasuar mendësinë politike të së kaluarës, e cila ka origjinë nga ish doktrinat marksiste, jugosllave, mentorët e jashtëm e të brendshëm të RTK-së kanë arritur qëllimet e tyre në hibridizimin e një shtrese të lakueshme dhe tejet të përdorshme politike, me të cilët po zbatohet me sukses politika e multietnicitetit dhe shpërfytyrimit gradual të konceptit modern për të kaluarën, kombin e Atdheun.
Shembuj
Në 42 emisione te realizuar nga Skaj Blu dhe Radio Kosova kanë prezantuar 380 mysafire e gazetarë gjatë vitit 2009, në mesin e tyre, nga ajo që zakonisht quhet klasë apo krah i luftës kanë qenë të ftuar si mysafirë dhe kanë marrë pjesë në realizimin e emisioneve vetëm: Gani Geci, Jakup Krasniqi, Murat Jashari, Rrustem Mustafa, Rexhep Selimi, Daut Haradinaj, dhe Xhavit Haliti. Raporti i prezantimit shprehur në shifra është 373 me 7, kjo do të thotë përafërsisht 1 me 70. Në mesin e këtyre shtatëve, të gjithë janë figura të njohura politike dhe asnjë nga mijëra veteranë të luftës, asnjë invalid luftës, asnjë gazetar apo reporter i luftës, asnjë familjarë dëshmori ( duke mos llogaritur Murat jasharin, i cili nuk besojmë se ka qenë i ftuar në atë cilësi). Në mesin e këtyre 380 të ftuarve ishin ftuar vetëm dy ish të burgosur politikë nga dhjetëra mijëra sa ka Kosova. Këto shifra flasin hapur se çfarë politike tërësisht diskriminuese dhe në shpërfillje me ligjin e këtij mediumi ndiqet në RTKblu dhe në RTK, përgjithësisht.
(Burimi Facebook: 14 qershor 2009. [email protected]
Prej 373 të tjerëve nga shoqëria e Kosovës, dominon numri i ish komunistëve dhe bijve e bijave të tyre. Ky medium multietnik, ka përzgjedhur stafin nga ish politika e bashkim-vëllazërimit, për të vazhduar po atë përmbajtje ideologjike komuniste, tani të kamufluar me përmbajtje demokratike, multietnike.
Sajuesit dhe realizuesit e këtyre 42 emisioneve, që i kemi marrë si shembull, kanë trajtuar tema të ndryshme të aktualitetit, por as edhe në temë të vetme, me përmbajtje sociale, që ka të bëjë me gjendjen e mjerë të fshatarësisë dhe zonave që i ka dëmtuar lufta dhe që vazhdojnë të jenë rajonet më të pazhvilluara të vendit. Jemi të vetëdijshëm se financuesit e këtyre medieve nuk derdhin para për të luftuar dukuritë negative shoqërore, por i investojnë ato në ndërrimin dhe shpërfytyrimin gradual të identitetit kombëtar, duke përjashtuar të gjitha temat që kanë të bëjnë me preokupimet jetësore të njerëzve tanë, dhe në vend të saj duke iu ofruar pornografi, filma horror, seriale turke e latinoamerikane, seriale fantastike dhe humor me mimikë, gjestikulime e fjalë rrugësh, me zgjedhje karakteresh fizike, si trashaluqë, apo kokë tullacë, mjekrosh e femra të përdala, të lyra e të ngjyra, piliherdhe me kërthizëjashtë, që përdorin një fjalor rrugaçërie me të shara e skena perverse, meqë u mungon profesionalizmi, sidomos kur është fjala për trajtimin e mirëfilltë të humorit.
Me programe të tilla, krejtësisht të njëanshme sa i përket pozicionit politik ideologjik, RTK-ja ka shkelur dhe po e shkel neni 6, të Ligjit mbi standardet programore, ku thuhet: “RTK duhet të respektojë veçoritë dhe dinjitetin e njeriut, parimin e paanshmërisë dhe mëvetësinë e informacionit, pluralizmin e mendimeve, pluralizmin fetar dhe politik”. Duke injoruar deri fund veteranët e luftës së UÇK-së, invalidët e familjarët e dëshmorëve, RTK, u jep vend pikërisht kundërshtarëve të luftës, dëshmitarëve të mbrojtur të EULEX-it, të instruktuarve të Serbisë dhe sidomos gazetarëve e analistëve me prejardhje ideologjike, komuniste, titiste.
Asnjëherë dhe në asnjë rast RTK-ja nuk ka ftuar, për të ballafaquar mendimet me të instruktuarit dhe dëshmitarët e mbrojtur, asnjë gazetar të luftës së UÇK-së, asnjë ish të përndjekur politik, por janë ftuar dhe ftohen në çdo emision përfaqësuesit e OJQ-ve, ish kuadrot politike jugosllave dhe gazetarët, të cilët bëjnë përpjekje ta shpikin kombin kosovar, ata që deklarohen kundër gjuhës letrare shqipe dhe të gjithë ata që kanë bërë emër duke dëmtuar rëndë interesin kombëtar shqiptar.
RTK-ja përcjellë aktivitetet kulturore dhe përurimin e librave të autorëve të ndryshëm, por asnjëherë deri tani nuk ka përcjellë përurimin e vëllimeve të monografisë “Feniksët e lirisë”. Deri tanë janë mbajtur 13 përurime, në të cilat kanë marrë dhe marrin pjesë, kryesisht familjarët e dëshmorëve, të cilët nuk kanë pasur rast të shohin në RTK, asnjë përurim të këtyre vëllimeve. Kjo ka ndodhur ndoshta edhe për faktin se në përurimin e këtyre librave nuk kanë marrë pjesë as politikanët e lartë, të cilët gjatë fushatave zgjedhore tërë propagandën politike e mbështesin te familjet e dëshmorëve, te ruajtja e vlerave të luftës dhe te përkrahja që premtojnë kurdoherë se do ta kenë këto kategori të sakrifikuara gjatë dhe pas luftës.
Për ta paraqitur gjendjen në RTK krejtësisht në rregull dhe në akord me kërkesat e qytetarëve të Kosovës ja si e trajton ky medium, pritjen që i ka bërë stafit, kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi, në mars të vitit 2010, meqë Kuvendi kishte marrë përsipër financimin e këtij mediumi, që pretendon të jetë qind për qind i pavarur dhe i pandikuar nga politika. (!)
RTK-Prishtinë, 17 mars 2010 – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Jakup Krasniqi, ka pritur kryetarin e Bordit të RTK-së, Rrahman Paçarizi dhe drejtues të tjerë të mediumi publik: Sylejman Shaqiri drejtor i përgjithshëm i RTK-së dhe zëvendëdrejtorët, Mentor Shala dhe Anamari Repiq, drejtorin e Televizionit, Bakim Hasani, drejtorin e Radio Kosovës dhe Radio Bluesky, Arben Fetoshi dhe drejtorin financiar, Bujar Spahiu. Ata e njoftuan kryeparlamentarin Krasniqi për auditimin e Pasqyrave financiare të RTK-së, të cilat i janë dorëzuar Kuvendit të Kosovës si themelues i institucionit. Është folur, ndërkaq edhe për bashkëpunimin ndërmjet menaxhmentit të RTK-së dhe Bordit, i cili është cilësuar i shkëlqyeshëm. Pos çështjes financiare të RTK-së, është thënë se duhet të zgjidhet edhe çështja e pronës dhe e arkivit të radiotelevizionit publik. Duke folur për planet për zgjerimin programor të këtij mediumi, është theksuar domosdoshmëria e krijimin të Kanalit II (për program në gjuhën serbe), po nga Kuvendi i Kosovës. Nuk ka mbetur pa u përmendur edhe çështja e Ligjit për RTK-në. Duke i falënderuar për informacionin e ofruar për RTK-në, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka theksuar se legjislativi i vendit angazhohet për zgjidhjen e problemit të financimit të RTK-së, por edhe për krijimin e Kanalit II, si dhe zgjidhjen ligjore të çështjes së pronësisë dhe të arkivit. Ai është shprehur qartë për domosdoshmërinë e ruajtjes së pavarësisë editoriale të RTK-së, duke u thënë drejtuesve të këtij mediumi se këtë mund ta bëjnë vetë ata. “Kuvendi nuk ndërhyn në politikat redaktuese të RTK-së, por si taksapagues i Kosovës do të thosha se duhet bërë punë shumë të madhe për ngritjen e programeve cilësore nga arsimi, kultura, shkenca dhe sporti”, u ka thënë Krasniqi drejtuesve të RTK-së, të cilët e kanë falënderuar atë për mbështetje të sinqertë.(Njoftim nga zyra për media e Parlamentit të Republikës së Kosovës, 17 mars 2010).
Preokupimi kryesor i Bordit të RTK-së dhe i kryekuvendarit Krasniqi ishte domosdoshmëria e krijimit të kanalit në gjuhën serbe, pastaj financimi në të ardhmen, por nuk u fol fare sa është i paanshëm ky medium publik dhe a vepron në përputhje me ligjin dhe sa respekton veçoritë dhe dinjitetin e njeriut, parimin e paanshmërisë dhe mëvetësinë e informacionit, pluralizmin e mendimeve, pluralizmin fetar dhe politik”. Sepse vetëm duke iu përmbajtur në mënyrë të qartë dhe konsekuente kësaj përmbajtje, RTK-ja do të mund të quhej medium i pavarur. Realisht dhe mjerisht RTK-ja është në të njëjtën pozitë me RTSH-në, të dyja këto tërësisht të njëanshme dhe në funksion të partisë në pushtet.
Vërejtjet tona në këtë drejtim, të cilat kanë qenë të përhershme nuk i ka lexuar stafi i RTK-së, natyrisht as politikanët, që ndihmojnë dhe financojnë këtë medium, meqë ata nuk kanë kohë të merren me kritika, qofshin ato edhe konstruktive.
Radio-Kosova e Lirë ka reaguar disa herë kundër prezantimit të pa dinjitet të luftës së UÇK-së në këtë medium, kundër selektimit dhe censurës që iu është bërë dhe iu bëhet storjeve të filmuara, ku nuk është lejuar paraqitja e skenave të luftimeve në frontet e luftës. RTK-ja parqet vetëm UÇK-në në marshim, duke organizuar përvjetorë, dhe kreun e saj duke dhënë ndonjë intervistë. Në këtë mënyrë RTK-ja ka qenë dhe është e thirrur, që luftën e UÇK-së ta prezantojë si improvizim dhe si konflikt mes shqiptarëve kryengritës dhe forcave policore e ushtarake serbe. Pamjet që RTK-ja i prezanton për luftën e UÇK-së janë shumëfish të censuruara dhe as përafërsisht nuk e prezantojnë realitetin faktik të atyre dy viteve të luftës sonë të drejtë çlirimtare dhe fitimtare.
RTK-ja është e prirë, mbase edhe e detyruar të mos transmetojë pamje nga masakrat monstruoze , që kanë kryer serbët në qindra vende në Kosovës, ose të prezantojë ndonjë sekondë filmim vetëm sa për ilustrim, në mënyrë për të mos dëmtohet imazhi i serbëve, tani në kohë paqeje, në kohën kur pritet të ndodh pajtimi, edhe pse Serbia nuk ka kërkuar, as e ka ndërmend të kërkojë falje për krimet dhe e thotë me gojën hapur se kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës.
Ata që përcjellin me vëmendje konceptin redaktues të këtij mediumi publik, arrijnë në përfundim se RTK-ja, ka qenë dhe po mbetet gjithnjë e super ndikuar nga politika e Brukselit dhe e klasës politike në pushtet. Si e tillë, ajo është shumë larg për të qenë një medium i paanshëm dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës.