RKL: PDK-ja po ndahet, pa grushte, pa kallashë e pa sharje-fyerje

Partia Demokratike e Kosovës, e themeluar përnjëherë pas luftës, tashmë ka një histori të gjatë të  baticave e zbaticave politike, me të cilat është ballafaquar e po ballafaqohet, ashtu sikur të gjitha partitë politike të shqiptarëve, të cilat nga një bëhen dy e tre dhe nuk ndodh që nga dy e tri të bëhet një.


Problemet brenda kësaj partie datojnë prej ditës së themelimit, meqë në kushte dhe rrethana të krijimit të këtij subjekti politik, nuk kanë mundur të evitohen vështirësitë, me të cilat është ballafaquar kreu nismëtar, meqë ky grupim politik  është përbërë nga disa klane me prejardhje të ndryshme ideo-politike, por të homogjenizuara deri diku në kohën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.


 


PPDK-ja pak më vonë PDK-ja doli si rezultat i bashkimit të forcave heterogjene politike, që kishin prejardhje po thuajse nga të gjitha partitë politike të para luftës, por me dominim të kuadrove nga LPK-ja, e cila gjatë kohës së luftës u ballafaqua me pamundësi për ta shtrirë autoritetin në të gjitha zonat, meqë nuk kishte kapacitete për ta përballuar shtrirjen dhe zgjerimin rapid të UÇK-së, së cilës iu kishin bashkuar vullnetarët nga të gjitha partitë politike, por që, në kushte dhe rrethana të caktuara, kishin hequr dorë nga përkatësia partiake.


Zyrtarët më të lartë të LPK-së, ish të përndjekurit e regjimit kriminal të Serbisë, disa kuadro, që deri në fillim të luftës ishin me LDK-në deri sa në mars të vitit 1998 i përzuri nga partia Ibrahim Rugova dhe kryesues të grupimeve ilegale si LKÇK-ja e parti të tjera themeluan fillimisht PPDK-në e cila mori fizionomi politike si “Partia Demokratike e Kosovës”, pa shpalosur animin ideologjik, por duke u pozicionuar si e majtë e qendrës, ndërsa për shkaqe politike duke u deklaruar si parti e  djathtë e qendrës.


 


Baticat dhe zbaticat në PDK-së kanë qenë të pranishme, ashtu sikur në të gjitha partitë e tjera, por duke qenë një parti me autoritete të prejardhura nga lufta dhe nga ilegalja patriotike, ajo ishte konsoliduar në rrugë drejt krijimit të liderit, të kultit të tij,  për të cilin mendohej se do ta unifikonte partinë dhe do të tregohej i barabartë dhe i sinqertë me të gjithë. Po kjo nuk ndodhi sepse, në kushte dhe rrethana me të cilat është ballafaquar dhe po ballafaqohet vendi, është krejtësisht e pamundshme të unifikohen qëndrimet, përderisa lakmitë për sa më shumë pushtet të njërit apo të tjetrit klan, natyrisht se përballeshin  me pakënaqësi dhe një luftë të heshtur për ta fuqizuar secili krahun, klanin  e vet.


 


Lufta e brendshme në PDK, nuk është zhvilluar me qëllim të demokratizimit të partisë, as me qëllim të ruajtjes së interesit të vendit në radhë të parë, por me qëllim të grabitjes sa më shumë të pushtetit dhe fuqisë, me qëllim të dominimit brenda partisë, me qëllim të fuqizimit ekonomik e politik të klaneve por edhe të partisë si tërësi. Kjo luftë ka qenë dhe po mbetet karakteristikë e të gjitha partive politike shqiptare, kudo në trojet tona. PDK-ja nuk bën përjashtim me këtë rast edhe pse ka disa specifika, të cilat kanë ardhur edhe si rezultat i bashkëpunimit të paevitueshëm me faktorin ndërkombëtar, i presionit që iu ka bërë dhe iu bëhet partive tona nga UNMIK-u, OSBE-ja, ambasadat e huaja,  EULEX-i e viteve të fundit, sidomos  nga Brukseli zyrtar, i cili po përpiqet me çdo kusht  të normalizojë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë duke anuar haptas nga Beogradi dhe me qëllim të degradimit të plotë të pavarësisë së Kosovës.


 


T pakënaqurit me pjesën e PDK-së, që identifikohet me kryetarin e Partisë, Hashim Thaçi dhe nënkryetarin e kooptuar, Kadri Veseli, të pakënaqurit me disa probleme të brendshme, që e kanë karakterizuar partinë, sidomos me pranimin në parti të mercenarëve,  shantazhuesve dhe anashkalimin e meritorëve, ka bërë që një pjesë e partisë në krye me dy kuadro të larta të saj, tashmë ish-nënkryetari i Parë, Fatmir Limaj dhe Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Jakup Krasniqi me disa të pakënaqur të tjerë, sot do ta zyrtarizojnë Iniciativën Qytetare të Kosovës. Me këtë rast një pjesë e kuadrove dhe anëtarësisë së partisë do të bashkohet me Iniciativën, me një program që nuk dallon fare nga PDK-ja as nga partitë e tjera parlamentare të Kosovës, duke përjashtuar Vetëvendosjen.


 


Ndarja ndodhi krejt qetë, madje shumë më qetë sesa kanë menduar edhe më optimistët. Kjo ndarje është manifestuar me kritika, me shprehjen hapur të pakënaqësive, por nuk ka degjeneruar në dhunë, as në rrahje masive, as në sharje e fyerje, sikur në Kuvendin e shkizmës së LDK-së,  edhe pse rojtarët e territ kanë pritur dhe kanë paralajmëruar jo vetëm rrahje, por edhe shkrepje armësh kundër njëri tjetrit dhe diçka edhe më zi.


 


Ndarja e tillë e PDK-së, nuk po bëhet për çështje parimore, programore, aq më pak për çështje kombëtare, nuk po bëhet për t’i kundërshtuar bisedimet me Serbinë dhe humbjen e veriut, nuk po bëhet për t’ i thënë EULEX-it”jashtë nga Kosova!”, nuk po bëhet për t’i ruajtur me çdo kusht vlerat e luftës së UÇK-së, por thjesht po bëhet për çështje pushteti, për çështje rivaliteti dhe për synime të cilat nuk shkojnë më larg sesa për interesin e partisë, me qëllim  për ta marrë pushtetin, apo për ta marrë një pjesë të pushtetit, disa deputetë në Kuvend, ndonjë ministri, ndonjë kryetar komune e kështu me radhë. Në këtë drejtim IQK-ja do të ketë sukses, sepse ka mjaftë anëtarë të pakënaqur të PDK-së, të cilët kanë mbetur në margjina, të cilët për një shkak apo arsye, janë lënë anash, janë ndier e ndihen të anashkaluar. Të tillë do të ketë edhe brenda IQK-së, madje duke filluar nga dita e sotme, sepse jo të gjithë do të mund të postohen në vendet që i synojnë, ndërsa me kalimin e kohës edhe në këtë parti do të veprojë negacioni i negacionit, ashtu sikur vepron në jetë dhe në shoqëri.


 


IQK-ja në krye me Fatmir Limajn dhe Jakup Krasniqin nuk do ta ketë fatin e LDD-së së Dacit, sepse ndarja po ndodh natyrshëm, por edhe për faktin se Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi janë personalitete me kredibilitet të luftës dhe të paqes, janë ndër më meritorët e luftës së UÇK-së. Ndarja e qetë nga PDK-ja, lë rrugën hapur për koalicione, pse jo edhe për ribashkim, edhe pse bashkimi nuk është në traditën e politikanëve shqiptarë, meqë ende mbijeton mentaliteti bajraktar, prezantim i vetvetes dhe tendenca për sundim dhe autarki.


 

Kontrolloni gjithashtu

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip T. Reeker do të vizitojë so Shqipërinë

Philip Reeker: Dialogu Beograd-Prishtinë nuk do të jetë prioritet për administratën e re të Trumpit

Ish-zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Filip Riker, ka deklaruar se administrata e ardhshme …