Veprimet që ka ndërmarrë Qeveria-Kurti, për ndalimin e dinarit të Serbisë në Kosovë dhe bastisjen e mbylljen e objekteve ku serbët e Kosovës, tani formalisht dhe pa asnjë ndikim, kanë punuar që nga paslufta dhe ende punojnë në të ashtuquajturat, institucione paralele, janë kundërshtuar dhe po kundërshtohen, madje ashpër e fuqishëm në radhë të parë nga Amerika nga BE-ja në tërësi, nga Franca e Gjermania dhe nga shtete të tjera.
Kurtit nuk po ia ndien hiq, madje as syri vër nuk po i bën. Është kapur fort për Kushtetutën, të cilën e do dhe e respekton, vetëm kur i teket, e përdor si armë dhe në këtë rast t’ua matë krahun ndërkombëtarëve me përgjegjësinë e adoleshentit dhe naivit politik.
Sesa e ka përfillur dhe e përfill Kurti dhe Qeveria e tij Kushtetutën dhe Gjykatës e saj, dihet fare mirë. Për këto tri vjet kjo Qeveri e ka shkelur Kushtetutën aq sa të gjitha qeveritë paraprake për 20 vjet.
Kurti po bën përpjekje t’i realizojë premtimet, sepse zgjedhjet po trokasin dhe “të arriturat” duhet të propagandohen për ta shpallur të suksesshme Republikën e tretë të popullit të Vetëvendosjes. Ai, për të gjitha veprimet ka arsyetimet e tij, pavarësisht sa janë të qëndrueshme, realiste dhe në dobi të vendit. Me rëndësi është mendësia e tij politike, të ecë para, duke u lavdëruar, duke treguar rezultate, mbajtje të premtimeve dhe duke mos përmendur as edhe një gabim, dështi,. as një lëshim, as një veprim të egër e naiv, asnjë dëm që i ka sjellë dhe po e sjellë Kosovës, asnjë të metë dhe asgjë nga superegoja e tij e sëmurë e dalldisur me një entuziazëm paranoje deri edhe skizofrenike.
Albini po luan të kartën e bixhozit politik: “Krejt ose hiq“, sepse realisht nuk i ka mbetur tjetër rrugë, meqë të gjitha të tjerat ia ka mbyllur vetes.
Ai nuk mund të krenohet se nuk e ka pranuar asociacionin, por pretendon se e ka shtrirë sovranitetin e qeverisjes në Veri, atje ku sigurinë dhe pushtetin e ka KFOR-i me rezolutën 1244 të KS-OKB-së.
Ai nuk mund ta gënjejë as kë se nuk ka pranuar marrëveshje me Serbinë, e cila nuk e ka në qendër njohjen, por do të krenohet se Serbisë ia ka ndaluar përdorimin e valutës, në Kosovë.
Do të krenohet për rritjen e shkallës ekonomike, luftimin e korrupsionit, pavarësisht se sondazhet ndërkombëtare zbulojnë të kundërtën. Do të krenohet me arsimin, pavarësisht rezultateve të PIS-as, do të krenohet se po punon për bashkim kombëtar, duke krijuar ndasi e përçarje të thellë kombëtare. Do të krenohet se është kryeministri që di serbisht më mirë se serbët dhe që u ka folur dhe u flet në gjuhën e tyre më shumë se të gjithë kryeministrat paraprakë të Kosovës. Do të krenohet se ka krijuar një idhull serb të bashkim vëllazërimit, sikur ishte sipas tij Oliver Ivanoviqi, i shpallur fajtor dhe i dënuar 9 vjet burg për krime lufte dhe spastrimin etnik të shqiptarëve në veriun e Kosovës në vitin 2000.
Kurti do të krenohet veçmas për faktin se asnjëherë nuk ua ka përmendur emrat as mbiemrat krerëve të luftës që po gjykohen nga Gjykata Speciale, e cila po pretendon ta mohojë historinë e luftës sonë fitimtare, duke e shpallur UÇK-në, Ndërmarrje të përbashkët kriminale.
Janë të shumta e të panumërta kacavarjet dhe matrapazllëqet politike të Albin Kurtit, të cilin e përkrahin symbyllur ithtarët, besimtarët e tij, vartësit, zyrtarët, deputetët e tij dhe të gjithë ata që e pretendojnë si një lloj “sheh-babaje”, një idhull të veçantë, një super-superioris si ata të filmave të vizatuar.
Albin Kurti ka gjetur shesh dhe po bën përshesh, pasi Kosova nuk ka opozitë e cila vepron në akord me situatën. Ka opozitë, e cila e pret pushtetin nga qielli, e cila nuk e do pushtetin me protesta e demonstrata, sepse nuk dëshiron ta kopjojë Vetëvendosjen, ka një opozitë të shkapërderdhur dhe delirante, e cila beson në vetvete dhe mjaftohet me kritika drejtuar Qeverisë.
Veteranët e UÇK-së nuk veprojnë dot pasi kanë mbi kokë hetuesit e Gjykatës Speciale. Ata janë pajtuar me fatin e tyre, :” Më mirë pak se hiq”, pasi nuk dinë kah t ia mbajnë.