Prej kohës kur erdhi në pushtet, Qeveria Kurti nisi një betejë politike kundër përfaqësuesve serbë të veriut të Kosovës, me qëllim për sikur thuhej të vendosjes e sundimit të ligjit, të cilin sipas tyre nuk e kishin ushtruar qeveritë e kaluara. Vetëvendosja këtë meritë donte t’ ia përshkruante vetes si mbajtje të premtimeve zgjedhore dhe me qëllim përbuzjen për gjoja mos punën, nga ish qeveritë të cilat i ka shpallur të dështuara.
Në “luftë” politike kundër veriut, ajo thelloi hendekun mes serbëve, disa nga të cilët edhe i pranojnë institucionet e Kosovës. Po ashtu sa herë goditi “krimin” në veri, i trazoi forcat separatiste serbe, të cilat në asnjë kusht dhe me asnjë çmim nuk i njohin institucionet e Kosovës dhe shumica syresh përfaqësohen nga Lista serbe, të cilën e dirigjon hapur Beogradi zyrtar.
Veprimet arrogante të ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla në veri sollën barrikadimin e rrugëve në veri të vendit që rezultoi me rivendosjen e forcave të KFOR-it dhe të UNMIK-ut në kufi me Serbinë. Madje këtë dështim, këtë autogol, Qeveria Kurti e paraqet si të arritur.
Shpallja e fillimit të heqjes së targave të automjeteve të Serbisë, më 1 nëntor u bë kundër vërejtjes së Qeveria Kurti mori në radhë të parë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastaj nga BE-ja, Franca, Gjermania e shtete të tjera. Injorimi i kërkesave amerikane për shtyrje të procesit, meqë është faza e dialogut dhe bisedimeve intensive, ishte një papërgjegjësi që tanimë i kushtuar Qeverisë Kurti e cila po ecën si i verbëri nëpër rrugën e madhe…
Ky akt i pamatur politik kundër veriut ka nxitur zemërim dhe protesta, dorëheqjen nga Qeveria të zyrtarëve të ministrive si dhe dorëheqjen e katër kryetarëve serbë të komunave me shumicë serbe në atë pjesë të Kosovës.
Në pozitën më të palakmueshme që ndodhet Kosova qysh prej mbarimit të luftës, Xhelal ministri del e fotografohet në zonën kufitare me Serbinë, për të treguar se ai është më trimi dhe ka arritur t i mposhtë serbët.
Papërgjegjësia e tij, veprimet naive për t’ u fotografuar në Ujman, edhe sot për inat dhe rivalitet ndaj Hashim Thaçit, tregojnë se ky ministër vuan nga një sindrom i pashërueshëm i frustrimit naiv dhe futet thellë e më thellë, gjithnjë deri atje nga nuk mund të dalë.
Për habinë time personale por me siguri edhe të tjerëve që ndajnë mendimin e njëjtë me mua, nuk kuptoj a qëndron Kurti pas Sveçlës, apo Sveçla pas Kurtit.
Përse, kryeministri, Albin Kurti nuk i ndalon këto veprime, kjo mbetet enigmatike.
Të jetë Albin Kurti në nivel të aftësive perceptuese mendore, politike, strategjike me ato të Xhelalit, këtë nuk e besoj dhe nuk besoj se e beson kush tjetër veç Xhelal ministrit, i cila sapo të nis Prokuroria ndonjë hetim dhe fillon reagimi i policisë, ai fryhet si bibani kur i fishkëllojnë dhe i tregon muskujt.
Kujt i shërben dukja e Xhelal Ministrit në Veri në kohën e thellimit të krizës, në kohën kur Rusia mezi pret të ndodh ndonjë incident me përmasa që do t’ i konvenonin, pikërisht në kohën kur gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar marrëveshjet e Procesit të Berlinit.
Kryeministri Kurti ka plotësisht të drejtë të kërkojë reciprocitet me Serbinë, madje me atë kauzë edhe ka ardhur në Qeveri, por pse reciprocitet vetëm për targat, përse jo edhe për ekonominë, tregtinë… Pse nuk kërkon reciprocitet për të drejta të barabarta si të shqiptarëve të mbetur nën Serbi si ndaj shumicës, serbe që ndodhet në Veri të vendit. Le të jetë reciprok edhe Asociacioni.
Me veprimet e fundit të Qeverisë Kurti nuk besoj se pajtohen të gjithë brenda Vetëvendosjes, sepse të injorosh kërkesat e krerëve më të lartë të diplomacisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është një rrezik, me shumë pasoja jo vetëm për Kurtin e Vetëvendosjen. Megjithatë Kurti e di se Diplomacia amerikane nuk lëshohet në nivelin deri ku e ka sfiduar Albin Kurti, por po ashtu është tejet i vetëdijshëm se nuk mund të kalojë pa pasoja.
Duket se situata që aktualisht po mbretëron në Vetëvendosje do të prodhojnë një shkizmë të re përbrenda partisë dhe ka gjasa të besueshme se Kurti po e stimulon këtë, me qëllim për t’ u liruar nga ata që po shihet hapur se nuk po e dëgjojnë. Në një rast të tillë ai do të dilte fitues, sepse shkizmatikët do t i konsideronte si antiamerikanë dhe do të rikthej sërish në pozitën e fitimtarit brenda partisë. Këtë metodë Kurti e ka përdorur shumë herë kundër fraksioneve brenda partisë.