Plani gjashtë-pikësh i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i njohur si Plani i Ban ki Munit, parasheh që serbët në veri të marrin nën kontroll policinë, gjykatat, doganat e çështje të tjera administrative. Ky plan i vitit 2008 i kishte “legjitimuar” strukturat paralele serbe në veri të Kosovës, ku Beogradi në vazhdimësi ka kontrolluar tërë rajonin, por edhe enklavat serbe pavarësisht se Kosova ishte shpallur shtet i pavarur. Për sa i përket doganës, plani i Ban Ki Munit parashihte që atje të ktheheshin doganierët ndërkombëtarë në pikat kufitare në veriun e vendit, të cilat i kishin djegur serbët me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008. Plani parashihte që në pikat kufitare të zbatoheshin procedurat në përputhje me rezolutën 1244, përfshirë edhe protokollin midis Serbisë dhe Shërbimit Doganor të UNMIK-ut. Kufijtë do të vazhdonin të mbroheshin në bazë të mandatit ekzistues të sigurisë nga NAT0-ja në pajtim me rezolutën 1244. >>>
Ky plan në asnjë nga gjashtë pikat nuk e njihte as e njeh pavarësinë e Kosovës, por fuqizonte administrimin e Beogradit, në këtë pjesë të Kosovës, me qëllim për të krijuar kushte për ndarjen e veriut dhe bashkimit të saj edhe “de jure” me Serbinë. Pas pranimit të pjesshëm të këtij plani, Qeveria e Beogradit arriti marrëveshje me EULEX-in dhe nënshkroi disa protokolle të përbashkëta, të cilat anashkaluan në tërësi shtetin dhe institucionet e Kosovës, edhe pse Kosova kishte shpallur pavarësinë, të cilën e kishin njohur edhe 22 shtete anëtare të Bashkimit Evropian, nga 27 shtetet aktuale pjesëtare të këtij Unioni. Kundër planit prej 6 pikave të Ban Ki Munit, u shprehën verbalisht, kryetari i atëhershëm i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Thaçi, por asnjëherë nuk u ndërmor asnjë aksion, për kthimin e sovranitetit në veri, deri më 25 korrik të vitit 2011, kur Policia Speciale e Kosovës ktheu doganierët në dy pikat kufitare të veriut, në Jarinë dhe në Bërnjakë dhe problemin në pamundësi për ta zgjidhur vetë e adresoi edhe një herë te KFOR-i, duke menduar se forcat paqeruajtëse, do të vepronin duke u mbështetur në mandatin e tyre. Por, pas pak u tregua se veprimi kishte qenë shumë i vonuar dhe i pakoordinuar në planin kombëtar. Pas tre muaj përpjekjesh për t’ i detyruar serbët të heqin barrikadat, KFOR-u u dorëzua, duke kuptuar se kishte hyrë atje ku nuk mund të dilte, pa shkaktuar pasoja që nuk i dëshiron, madje duke duruar edhe gurët e plumbat e protestuesve serbë.
Duke hetuar se përmbajtje e planit 6-pikësh e Ban Ki Munit ishte orientuar në drejtim të ndarjes së Kosovës, Më 19 nëntor të vitit 2008, organizuar nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, disa OJQ dhe popullata liridashëse e vendit, në Prishtinë, mbajtën protesta gjithë-popullore me moton *Ne mbrojtje te Sovranitetit*, ku rreth 30.000 mijë qytetarë protestuan kundër planit gjashtë pikësh të Ban Ki Mun-it, i cili thuhej me të drejtë se rrezikonte sovranitetin territorial te Kosovës. Protestuesit përmes pankartave dhe brohoritjeve, *jo ndarje*, *sovranitet*, *referendum* etj, shprehen vullnetin e tyre kundër kushteve të kishte paraqitur Beogradi zyrtar lidhur me shtrirjen e misionit të EULEX-it në Kosovë. Gjatë protestave u tha se nëse realizohet plani gjashtë-pikësh i Sekretarit të OKB-së, Ban Ki-Moon, pavarësia e Kosovës nuk do të jetë tjetër veçse një farsë.
Vitet kaluan dhe plani i Ban Ki Munit, edhe pse u hodh poshtë në deklaratat zyrtare të institucioneve të Kosovës, po realizohej gradualisht në veri, derisa po krijohej bindja se veriu tashmë ishte çështje e ngrirë, që i përket OKB-së dhe BE-së, dy organizata botërore, që kishin dhe aktualisht kanë misionet e tyre të dyfishuara në këtë pjesë të Kosovës, të cilën qysh nga qershori i vitit 1999 e deri tani e kontrollon Beogradi zyrtar dhe përmes këtij kontrolli, mban peng Kosovën dhe të ardhmen e saj, në BE dhe në OKB.
Tani pas tri vitesh, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun, ideatori i gjashtë pikave të famshme për ndarjen e veriut të Kosovës, përshëndeti arritjen e marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa pret që kjo ujdi të hap rrugën për normalizimin e situatës në pikëkalimet në Bërnjak dhe në Jarinë. Zëdhënësi i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Martin Nesirky, thotë se Ban Ki Mun u ka bërë thirrje të dyja palëve që të vazhdojnë të zhvillojnë dhe të zbatojnë marrëveshjen e bazuar në konkluzat e IBM-së, të cilat sipas tij janë në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së kërkoi gjithashtu që të gjitha palët të respektojnë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut, të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe të mbështesin uljen e tensioneve në terren.
Ky është realiteti faktik, sa i përket politikave, që po ndjek OKB-ja dhe BE-ja në Kosovë, ndërsa Qeveria dhe institucionet e Kosovës, po mundohen të na bindin se, Serbia madje edhe “de jure” e paska pranuar pavarësinë e Kosovës. Këto deklarata janë të papërgjegjshme, të dëmshme të kundër-produktive, për faktin se të gjithë qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar se bisedimet me Serbinë, e kanë ndihmuar Beogradin zyrtar për t’ iu ofruar Evropës, dhe Kosova nuk ka pasur asnjë arsye ta bëjë këtë lëshim në favor të Serbisë, në mos për tjetër, atëherë për hir dhe respekt ndaj gjakut të derdhur të shqiptarëve liridashës në luftë për çlirimin e Kosovës dhe për shkak se Serbia ende nuk e ka zbardhur fatin e më shumë se 1800 të zhdukurve, të cilët dyshohet se i ka djegur nëpër shkritore gjithandej Serbisë, dhe as ka kërkuar as e ka ndërmend të kërkoj falje për krimet dhe gjenocidin që ka ushtruar kundër shqiptarëve.. Ky lëshim i pavend, edhe pse të gjithë e dimë se është bërë nën presion sistematik, ndoshta edhe nën shantazh të BE-së, është bërë me qëllim që Serbia të mëshirohet, të afrohet me Evropën, e cila pa dashjen e saj, por me insistimin e Amerikës dhe Anglisë ka lejuar bombardimin e NOTO-s gjatë muajve mars-qershor 1999 kundër një shteti kriminal, i cili po zbatonte taktikën e spastrimit etnik dhe gjenocidit kundër shqiptarëve të Kosovës. Pavarësisht nga të gjitha krimet e tmerret të ka shkaktuar Serbia kundër popujve jo sllavë, Evropa ia ka falur Serbisë “mëkatet” për vrasjen dhe masakrimin e kroatëve, myslimanëve të Bosnjës dhe shqiptarëve në Kosovë e më gjerë.
Kjo marrëveshje na sjellë në kujtesë kohën e ndërrimeve kushtetuese, në vitin 1988-1989, kur Serbia kishte filluar t’ia kufizonte Kosovës autonominë dhe disa politikanë poltronë e shpirtshitur, si: Rrahman Morina, Kolë Shiroka, Ilaz Ramajli, Syrja Popovci e të tjerë deklaronin se Kosova nuk po humbet asgjë, përkundrazi po e forconte pozitën e saj nën Serbi.