leoni

RKL: Politika aktuale në trekëndëshin: Tiranë, Prishtinë, Shkup nuk udhëhiqet nga koncepti i faktorizimit dhe i bashkimit kombëtar

 


Vrasjet e fundit, në pritë, të katër luftëtarëve të lirisë dhe bashkimit kombëtar të shqiptarëve, Harun Aliu, Xhafer Shala, Qemal Fejzullahu dhe Shaban Zenuni   nga policia sllavomaqedonase, shënojnë vazhdimin e përpjekjeve tona të përgjakshme historike, në drejtim të ruajtjes së identitetit kombëtar dhe bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm, pavarësisht se kjo as u ka pëlqyer as do t’ u pëlqejë  fqinjëve grabitqarë dhe as politikës pragmatiste, në masë edhe pro sllave të BE-së. Kjo aspiratë historike nuk po iu pëlqen as krerëve tanë në Tiranë, Shkup e në Prishtinë, të veshur trash me pushtet, të dëgjueshëm dhe të përkulur para Brukselit.


 


Çështja shqiptare në ish-RJ të Maqedonisë nuk zgjidhet as me zbatimin në tërësi të Marrëveshjes së Ohrit, që është imponuar nga faktori ndërkombëtar , me qëllim për ta shpëtuar këtë shtet  artificial nga copëtimi, i cili ka krizë identiteti kombëtar, por edhe shtetëror, krizë kjo në rajon që rrjedh qysh nga Luftërat Ballkanike, kur sllavët pushtuan dhunshëm trojet tona, duke vrarë e duke dëbuar qindra mijëra shqiptarë nga trojet e tyre historike dhe etnike. Dhuna dhe gjenocidi që është ushtruar sistematikisht kundër shqiptarëve në ish Jugosllavinë e AVNOJ-it, edhe pas shpërbërjes në tërësi të atij shteti, që ishte burg edhe për disa popuj sllavë, çështja shqiptare nuk u përfill me seriozitet nga faktori ndërkombëtar, për shkak se vetë udhëheqësit  shqiptarë, të ndarë nëpër krahina e parti të shumta, nuk e imponuan për zgjidhje çështjen shqiptare, por u mjaftuan të ruajnë feudet e tyre, duke u ankuar, duke u rënë pjatave, duke improvizuar varrosjen e dhunës, duke kërkuar çelësat e shkollave e fakulteteve të mbyllura, duke ndërtuar jetën paralele sipas shembullit të urithit nën tokë dhe  duke mos treguar aspak gatishmëri për unifikim dhe faktorizim.


Të gjitha përpjekjet e deritanishme për ta vendosur paqen në këtë shtet kanë dështuar dhe do të dështojnë, përderisa nuk imponohet një zgjidhje e drejtë për të gjitha palët, në të gjitha segmentet politike, kombëtare e shtetërore.


Maqedonia, një shtet i krijuar artificialisht në vitin 1945 në një mbledhje të Jugosllavisë së AVNOJ-it, ishte shpallur republikë e gjashtë e federatës, duke i trajtuar bullgarët e Maqedonisë, si pjesëtarë të etnitetit maqedonas, ashti sikur po bëhen përpjekje, që të trajtohen shqiptarët e Kosovës, si kosovarë dhe Kosova si shtet i tyre.


Anashkalimi i principeve themelore të formimit të shteteve kombëtare, për të gjithë njësoj, ka sjellë dhe do të sjellë destabilitet, përderisa shqiptarëve u mohohet e drejta ta kenë shtetin e tyre të përbashkët  kombëtar, sikur e ka Greqia, Bullgaria, Serbia, Kroacia etj, të përkufizuar  me të drejtën e vetëvendosjes dhe të mbështetur mbi parimin etnik.


Meqë politika aktuale në trekëndëshin Tiranë, Prishtinë, Shkup nuk udhëhiqet nga koncepti i faktorizimit dhe i bashkimit kombëtar, çështja shqiptare nuk do të zgjidhet në mënyrë paqësore, as evolutive, sikur pretendojnë politikanët farisenj, nga frika për të mos po  i humbin favoret e tyre që iu sjell pushteti, në tri qendrat aktuale shqiptare, të cilat nuk e përbëjnë dot një faktor unik me qëndrime unike kombëtare.


11 vjet pas luftës në Kosovë dhe 9 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, nuk kemi shënuar ndonjë lëvizje të madhe në drejtim të unifikimit të faktorit shqiptar. Ndërkohë, më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova ka shpallur pavarësinë e kushtëzuar nga Pakoja e Ahtisarit, e cila veç tjerash sanksionon mundësinë e bashkimit kombëtar të shqiptarëve, ndërsa favorizon në infinit faktorin serb në Kosovë, duke e lenë shumicën shqiptare, peng të pakicës serbe. Kosova, ka realizuar një nivel të vetëqeverisjes dhe ka ngritur  institucionet e pranuara nga 67 shtete të botës, por ndodhet nën protektoratin e BE-së, një shtet  të cilin mund ta nëpërkëmbë, qoftë edhe një zëvendës prokuror i EULEX-it nga kontingjenti i personave  me prejardhje të dyshimtë, politike e morale. Se sa është i fortë shteti i Kosovës, u pa sheshazi me rastin e intervenimit banditesk të policisë  së EULEX-it kundër MTPT-së dhe përgjithësisht kundër Qeverisë së Kosovës, e cila u trondit nga themeli.


Kanë kaluar 9 vjet pas Marrëveshjet së Ohrit dhe nuk është realizuar as 20 për qind e asaj që parashihet. Edhe nëse Shkupi do të detyrohet ta realizojë në tërësi atë marrëveshje, ajo nuk i përmbush kërkesat politike, kombëtare dhe zhvillimore të shqiptarëve, të cilët përbejnë më shumë se 30 për qind të popullatës, dhe të cilët dikur në fillim të shekullit 20-të, përbënin 80 për qind të territorit të sotëm të këtij shteti artificial. Dhe kurdoherë që shqiptarët kanë kërkuar t’i realizojnë këto të drejta,  ato janë injoruar në tërësi, sidomos nga partia ultranacionliste, VMRO- DPMNE.


Në të gjitha rastet, në përpjekje të shqiptarëve të atjeshëm për të realizuar më shumë të drejta, ata  janë fajësuar si elementë ekstremistë e terroristë,  ndërkohë që politikanët shqiptarë i kanë mbështetur paksa në heshtje veprimet e policisë, duke propaganduar alternativën e ruajtjes së Maqedonisë dhe prosperitetit të shqiptarëve nën robërinë e Qeverisë së Shkupit, e cila boton enciklopedi ku shqiptarët i trajton si njerëz të egër, Qeveri e cila kërkon që fëmijët shqiptarë sapo të lindin të fillojnë ta mësojnë gjuhën mushke, që është  një dialekt i sllavishtes mes bullgarishtes e serbishtes, rrënon shtëpinë e shqiptares së famshme, Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza, dhe në atë vend ndërton një kishe sllavo-bullgare, shkatërron sistematikisht kulturën fizike të shqiptaro-ilirëve, diskriminon shqiptarët  në të gjitha segmentet, nuk realizon as edhe një përqindje të vogël të Marrëveshjes së Ohrit, e cila i dha fund luftës së fituar nga shqiptarët, por të tradhtuar nga kreu i saj,  i përjashton ata nga institucionet e Sigurisë së shtetit, i anashkalon në zyrat e diplomacisë dhe u bën me dije se krejt këto veprime po i ndërmerr si hakmarrje për luftën e vitit 2001, të fituar me armë, por të humbur në tavolinën e poltikës.


Si mund të jetojnë shqiptarët në një shtet, i cili i trajton si bijtë e njerkës, meqë nëna Shqipëri dhe Kosova, kështu si është,  i ka lënë në mëshirë të kohës, për më tepër Prishtina dhe Tirana zyrtare po e ndihmojnë pushtetin antishqiptar të Shkupit për të zbuluar dhe për të pamundësuar lëvizjet e “ekstremistëve shqiptarë”, të cilët pale quhen edhe trafikantë dhe kriminelë.


Ende pa u terur gjaku i katër dëshmorëve më të rinj të kombit, ministri i Brendshëm i Kosovës, B. Rexhepi, ulët gju më gju me ministren sllavomaqdonase, Jankullova, dhe i premton asaj se Kosova nuk do të bëhet çerdhe, ku do të gjejnë strehë kriminelët e trafikantët.


Por tregimi nuk mbaron këtu.


Shqiptarët liridashës, kudo në trojet tona etnike, janë të vetëdijshëm se Qeveria e Prishtinës dhe ajo e Tiranës, janë peng i politikave të imponuara të Brukselit, dhe shpëtimi nuk mund të kërkohet nga ata.


Shpëtimi i shqiptarëve varet vetëm nga organizmi dhe veprimi mbi baza kombëtare, duke mos e pranuar realitetin e imponuar nga faktori ndërkombëtar, por duke u bërë vetë faktor dhe dalzotës i vetvetes. Dhe, këtë mund ta bëjmë, sepse në pesë shtetet e Ballkanit jemi hiq më pak se shtatë milionë, të cilët nuk ka më forcë në botë që do t’ i zhduk, apo që gjithmonë t’i mbajë nën tutelë.


Shembulli i qëndresës së fortë kombëtare në Tanushë dhe Debëllde tregon më së miri se forcës duhet kundërvënë me forcë dhe jo me lutje e kurriz të përkulur, sepse edhe kthesa historike që ka ndodhur në Kosovë, nuk është rezultat i politikës qyqare e mjerane të pacifistëve shqiptarë të të gjitha ngjyrave, por është rezultat i gjakut të derdhur për liri dhe i ndihmës që i ka dhënë këtij populli, në vitin 1999 një segmenti i politikës përparimtare botërore, udhëhequr nga Klinton, Olbrajt, Bler, Klark e të tjerë.


Vrasjet e fundit në pritë, të katër luftëtarëve të lirisë dhe bashkimit kombëtar të shqiptarëve, Harun Aliu, Xhafer Shala, Qemal Fejzullahu dhe Shaban Zenuni   nga policia sllavomaqedonase, shënojnë vazhdimin e përpjekjeve tona të përgjakshme historike në drejtim të ruajtjes së identitetit kombëtar dhe bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm, pavarësisht se kjo as u ka pëlqyer as do t’ u pëlqejë  fqinjëve grabitqarë dhe as politikës pragmatiste, në masë edhe pro sllave të BE-së. Kjo aspiratë historike nuk po iu pëlqen as krerëve tanë në Tiranë, Shkup e në Prishtinë, të veshur trash me pushtet, të dëgjueshëm dhe të përkulur para Brukselit.

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …