Arrestimi dhe dëbimi nga Kosova i zyrtarit të Serbisë për Kosovën, Marko Gjuriq, ka hallakatur situatën edhe ashtu të tensionuar dhe deri dikur anarkike, që po mbretëron në vendin tonë. Akti i arrestimit dhe dëbimit të tij po komentohet në mënyra ndër më të ndryshmet edhe pse kjo ka ndodhur në pikë të ditës, para kamerave të medieve dhe nuk ka asgjë të paqartë sa i përket aktit të arrestimit e dëbimit, por mbetet e paqartë mendësia e sëmurë dhe morbide shqiptare.
Ky akt i domosdoshëm i Policisë së Kosovës, një akt i mirë se ardhur i domosdoshëm dhe i mirëpritur, po interpretohet në mënyra ndër më të ndryshmet, jo vetëm nga lukunia e të vetëquajturve, analistë e gazetarucë të ndryshëm, por edhe nga politikanët që kanë peshë, madje që pretendojnë se kanë edhe kredibilitet, duke u mbështetur në sasinë e votuesve të tyre.
Kështu po ndodh me ata të cilët po mundohen me çdo kusht që këtë akt valid të Policisë së Kosovës ta interpretojnë si skenar të Vuçiqit e të Thaçit dhe si prelud për ndarjen e veriut nga Kosova, gjithnjë sipas skenarit të imagjinuar, mbështetur në teoritë e konspiracionit, ushqimi më i preferuar i disa politikanëve dhe i atyre gjysmakëve, që vetëquhen analistë dhe që truri nuk iu prodhon asgjë më shumë në rrethin e tyre vicioz.
Që nuk kishte pasur ndonjë skenar të tillë, e bëri të ditur Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili e dënoi rastin, duke u rënë shuplakë të fortë në fytyrë, kryetarit Thaçi, kryeministri Haradinaj dhe kryekuvendarit, Kadri Veseli.
Kush është ai që beson se kjo treshe ia prish planet Amerikës, ose merr ndonjë veprim pa i pyetur, në radhë të parë autoritetet amerikane?
Pse, do të lejonin këta tre udhëheqës aktualë të Kosovës t’ i jepnin vetes një autogol, kur më së paku kanë nevojë për një akt të tillë.
Këto pyetje varrosin përgjigjet e mendjeve konspirative, të cilët edhe po të ndodhte ndonjë termet katastrofal në Kosovë, gishtin do ta drejtonin te këta tre drejtues të Shtetit dhe t’ i shpallnin fajtorë pse nuk e kanë paraparë një termet të tillë.
Inati, smira, xhelozia ua mbyll sytë dhe ua shurdhon veshët këtij soji të njerëzve.
Thjesht, këtu keni të bëjmë me mendësinë autarkike, tipike shqiptare, e cila mund të përkufizohet kështu: Ju nuk e meritoni qeverisën e vendit, sepse atë e meritojmë ne, sepse ne jemi ata që e duam Kosovën dhe jo ju. Kështu do të thoshin dhe e kanë thënë edhe këta që janë sot në pushtet dhe dje kanë qenë në opozitë, sepse ka humbur baraspesha, ka humbur toleranca vëllazërore, durimi, sepse pushtetit iu kanë rrekur jo idealistët, jo meritorët, por përfituesit, matrapazët dhe të përdorshmit e të gjitha regjimeve, kuptohet me përjashtime.
Ata të cilët përpiqen që rastin e Gjuriqit ta përdorin e ta shpërdorin politikisht, thjesht janë politikanë të papërgjegjshëm, sepse shihet qartë, sikur në dritën e diellit se arrestimi dhe dëbimi i Gjuriqit nuk ishte skenar, por një rast i paralajmëruar, një rast që i ka takuar dhe i takon ta ndërmarrë vetëm Policisë e Ministrisë së Brendshme, nëse këto kanë kompetenca për ta ruajtur sigurinë në vend dhe për të lejuar apo ndaluar hyrjen e personave të caktuar në vendin tonë. Me qindra herë ka hyrë Gjuriqi në Kosovë, ka sharë dhe ka fyer shqiptarët dhe reagimet nuk kanë ndalur kurrë. Tani kur ai u arrestua u bë nami, dëgjoi dhe reagoi Kremlini, Brukseli dhe Uashingtoni, madje zonja kryepare e BE-së e tha troç para Vuçiqit, në Beograd, se arrestime të tilla të zyrtarëve serbë kurrë më nuk do të ndodhin, sa për arrestimin e shqiptarëve në Serbi, kjo është e rëndomtë dhe për ta nuk dëgjon Brukseli.
Po të mos kishte intervenuar Policia, politikanët e papërgjegjshëm dhe lukunia e analistëve do ta kishin vënë në shtyllën e turpit Policinë, Qeverinë, ministrinë e të gjitha të tjerat tok. Të gjithë këta e dinë se cilat fjalë fyese e përçmuese i kishte folur për shqiptarët serbi, Gjuriq gjatë tubimit në Mitrovicë. Po duket se jemi mësuar me fjalët e fyerjet e tyre, mjafton të mos na bëjnë më, sikur na kanë bërë 19 vjet më parë në Izbicë, në Krushë, në Meje, në Reçak e në njëqind vende të tjera, sesa për sharje e fyerje të tyre nuk paskemi kohë të merremi me to.
Kjo është trashëgimia historike, pacifiste shqiptare, këto janë gjenet e skllavërisë që shumica i ka trashëguar gjatë shekujve të robërisë.
Fakti se Kryetari Hashim Thaçi është takuar fshehur apo hapur me kryetarin e Serbisë, Vuçiq, në Uashington, nuk do të thotë vetvetiu se ata janë marrë vesh që të arrestohet Gjuriqi dhe të nis procesi i Asociacionit.
Serbët, këtë akt provokues e shantazhues do ta shfrytëzojnë për vete dhe po e shfrytëzojnë për mrekulli, ashtu sikur i kanë shfrytëzuar të gjitha aktet e tilla, dobësitë dhe përçarjet tona, sepse kanë qenë dhe janë unikë sa i përket Kosovës dhe shqiptarëve përgjithësisht. Serbët kanë marrë vendim ta bëjnë vetë Asociacionin që është një Republikë serbe në Kosovë, kanë dhënë dorëheqje nga koalicioni qeveritar dhe vazhdojnë ta mbajë peng koalicionin, të cilit nuk do t’ i bashkohen kurrsesi LDK-ja as Vetëvendosja, sepse inati e urrejtja kundër njëri tjetrit tejkalon urrejtjen që kanë ata për serbët, për ata që na kanë vrarë e masakruar gjatë afër një shekulli. Ky inat ua ka verbuar sytë dy palëve dhe kjo është më fatalja.
Edhe pse Qeveria e Kosovës të paktën kësaj radhe u munda t’ i tregojë Gjuriqit se nuk do ta lejojë të hyjë dhe të leh në Kosovë sa herë t i teket, ajo mori kritika të shumta e të ashpra nga Uashingtoni, Brukseli, Kremlini, madje edhe kërcimin për intervenim ushtarak. Ditë më parë kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kishte dërguar një mesazh kërcënues se nëse nuk lirohet drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq dhe nuk largohen nga Mitrovica e Veriut trupat e Njësisë Speciale do të dërgonte ushtrinë e Serbisë në pjesën Jugore të Kosovës. Sipas burimeve të “Novostit”, kryetari serb kishte kërkuar që largimi i ROSU-s duhet të jetë i menjëhershëm nga veriu. Vuçiq ishte ai që kishte ndaluar depërtimin e mëtejshëm të forcave speciale shqiptare në veri të Kosovës dhe për të parandaluar eskalimin e dhunës, mesazhi ishte i qartë se ushtria serbe është e gatshme për të hyrë në provincën jugore, nëse njësia ROSU nuk tërheq mbrapsht në Prishtinë dhe Marko Gjuriq nuk lirohet menjëherë”, thonë burimet e Novostit. Në vazhdim të këtij provokimi autoritetet ushtarake serbe kanë deklaruar se po bëjnë një provë për stërvitjen taktike “Sadejstvo 2108”, e cila është planifikuar për sot” në rajonin e Preshevës, ku mbërmë më 28 mars kishin ateruar disa avionë ushtarakë.
A thua a e kishte biseduar kryetari i Serbisë, Vuçiq edhe këtë kërcënim të intervenimit me ushtri e polici në Kosovës gjatë bisedimeve, “të fshehta”, me kryetarin e Kosovës, Hashim Thaçi?
Është tejet paradoksal, pse jo edhe kobndjellës deklarimi politik se Thaçi është njeri i Vuçiqit dhe të gjitha bisedimet e derisotme ai i paska marrë krye në vete, dhe të gjitha në dëm të Kosovës. Nuk besoj se Thaçi është nënshtruar apo do t’ iu nënshtrohet ndonjëherë autoriteteve të Serbisë, të cilët në të gjitha takimet e kanë injoruar, fyer, përbuzur. Keni parë sesi ia jep dorën Vuçiqi duke ia këqyrë këmbët. Por, mjerisht Hashim Thaçi qysh prej kohës së luftës e deri sot, iu ka nënshtruar dhe nuk i reziston dot Brukselit e Uashingtonit, madje ç’është edhe më keq këtë e bën pa asnjë rezervë, por gjithnjë me, Jes okej. Këto dy pozicione nuk janë të njëjta edhe pse mjerisht pasojat që ato qëndrime i kanë sjellë që nga marrëveshja e 19 prillit e vitit 2013 e deri tani, janë pasoja të pariparueshme.
Pse duhet të besohet se Thaçi me Vuçiqin e paskan kurdisur arrestimin dhe dëbimin e Gjuriqit, daljen e deputetëve serbë nga koalicioni qeveritar dhe takimin të kryetarëve të komunave serbe të cilët kanë marrë vendim ta themelojnë vetë asociacionin dhe vringëllimin e armëve në Kosovës Lindore?
Hashim Thaçi i ka bërë dhe vazhdon t i bëjë lëshime autoriteteve ndërkombëtare, sepse vetëm në këtë mënyrë ai ka mbetur dhe po mbetet në pushtet, për mirë apo për të keq, madje për dëmin që po i sjellë vendit këtë do ta dëshmojë dhe do ta vërtetojë e nesërmja, pavarësisht si mendoj unë apo ai tjetri, pavarësisht se pajtohemi apo jo me qëndrimet e tij. Arrestimi i serbit Gjuriq, i njohur për një retorikë banale çetnike e fashiste, gjithnjë antishqiptare, një politikan torollak, gjysmak, të cilin Serbia e ka zgjedhur me qëllim për ta “përdorur” në një moment të caktuar, po shihet se është bërë edhe për qëllime e prapaskena, të cilat serbët po i vënë në jetë.
Rasti i fundit të Gjuriqit, marrëveshja që serbët në Veri kanë arritur për themelimin e Asociacionit sipas versionit të Beogradit dhe jo sipas Pakos së Ahtisarit, dalja nga koalicioni qeverisës, tregojnë më së miri se serbët janë bërë tok për ta rrëmbyer edhe “de jure” veriun, të cilin me siguri se do ta marrin me përkrahje të Brukselit, Kremlinit e pse jo edhe të Uashingtonit, sidomos tani kur këshilltari kryesor e kryetarit Trupm, z Bolton është emëruar diplomati i vetëm amerikan që ka kundërshtuar dhe e kundërshton pavarësinë e Kosovës.
Kjo situatë duhet të analizohet me gjakftohtësi, unitet, maturi dhe arritjen e një qëndrimi unik të krerëve tanë politikë e institucionalë, për të qenë më të përgatitur në sfidat që tashmë kanë dalë krejtësisht mbi sipërfaqe.
Dyshimet, prapaskenat, konspiracionet, thashethemet, linçimet e njëri-tjetrit, injorimet, përbuzjet, yshtjet duhet të ndërpriten, të paktën kur kemi të bëjmë me Serbinë. Është trimërues fakti se LDK-ja dhe Vetëvendosja kanë paralajmëruar se tani për tani, në këtë situatë, nuk do të kërkojnë rrëzimin e Qeverisë, Haradinaj, e cila po shihet fare mirë se gabimin më të madh e ka bërë, kur ka pranuar për partner të koalicionit Listën Serbe, që nuk i përfaqëson interesat e serbëve të Kosovës por një klan të instruktuar të Vuçiqit. Po përderisa LDK-ja dhe Vetëvendosja nuk pranuan të jetë pjesë e koalicionit, atëherë kishte mbetur zgjidhja më e keqe, madje shumë më e keqe sesa përsëritja e zgjedhjeve.