Fushata për zgjedhjet e përgjithshme, të parakohshme, të 8 qershorit 2014, tashmë po mbahet nga të gjitha partitë, edhe pse ende nuk ka filluar orari zyrtar nga KQZ-ja. Fushata realisht ndodhet në fazën e propagandës së mujsharëve politikë, të cilët po i tregojnë muskujt dhe tashmë kanë shpallur fitues vetveten, duke u vetë-trimëruar nga frika që ka zënë vend thellë në pikën dhe “psikën” e zezë të dyshimit.
Ashtu sikur edhe në fushatat paraprake, shumica e liderëve në vend të prezantimit të planeve konkrete për zhvillimin ekonomik, zbutjen e papunësisë, hapjen e vendeve të reja të punës, planet e tyre i deklamojnë në premtime për zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës, premtime për fonde, premtime krejtësisht të pajustifikueshme dhe të paarritshme. Nga premtimet, që po iu japin qytetarëve të vendit liderët e PDK-së dhe të LDK-së, nëse do të realizoheshin ato, brenda katër viteve të ardhshme, Kosova nuk do të jetë më Eldorado e krimit e korrupsionit, por një vend i begatë në nivel evropian. Premtimet për begati, për pasuri, për luftë kundër korrupsionit për liberalizim vizash e shumë të tjera, janë po ato premtimet e para katër viteve, të para tetë viteve e më herët. Edhe premtuesit janë të njëjtit, edhe votuesit e mashtruar do të jenë po të njëjtit.
Premtimet e tilla e kanë humbur vlerën, madje e kanë zbehur edhe kuptimin gjuhësor të fjalës, meqë premtimi që nuk është mbajtur një herë, dy herë, tri e më shumë herë, nuk ka më kuptim, nuk ka asnjë fije besimi, përveç llapjes, emetimit, reklamimit dhe “zbukurimit” të fjalorit të politikanëve.
Partitë politike, të cilat kanë qenë pjesë e pushteteve të deritanishme të pas luftës, (përveç Vetëvendosjes dhe ndonjë parie të vogël), çka do që të premtojnë e bëjnë me qëllim mashtrimi, sepse vetëm duke gënjyer, duke mashtruar, duke manipuluar një pjesë të elektoratit, ata janë mbajtur dhe po mbahen në pushtet.
Nuk është për t’ u çuditur pse kaq shumë herë gënjeshtra ka ngadhënjyer mbi të vërtetën, sepse hallexhiu, i papuni, varfanjaku jetojnë me shpresë, andaj edhe besojnë edhe nëse mashtrohen, deri në momentin kur binden përfundimisht se premtimet qenkan vetëm fjalë boshe.
T’ iu besosh premtimeve të Hashim Thaçit, Isa Mustafës, Behxhet Pacolli e disa të tjerëve është njësoj si t’i besosh fjalëve të Nastradinit e jo të pallurës së gomarit, është sikur të besosh se e zeza është e bardhë. Mirëpo ja që varfëria, skamja, papunësia, pamundësia për të lëvizur lirshëm nëpër vendet e gjirizet e Evropës, e ka bërë të veten dhe në pamundësi për të lëvizur qoftë edhe një hap para, ka zvetënuar dhe ka degraduar klasën e varfanjakëve dhe të bjerrakohësve. Njerëzit nuk kanë kah t’ ia mbajnë, pos të rrinë e bëjnë sehir dhe të gjezdisin gjithandej. duke shikuar ushtarët e huaj, policët e zyrtarët e EULEX-it, duke folur për VIP-at, për pasurinë e politikanëve, për gratë dhe dashnoret e tyre, duke kërkuar qoftë edhe një vrimë, nga ku mund të dilet nga kaosi.
Në propagandën e deritanishme të “tupanxhive” të politikës ditë e më tepër po zënë vend të ashtuquajturat aderime nëpër parti, anëtarësimet e atyre individëve që konsiderohen personalitete, me nga dy e tre tituj shkencorë të merituar, apo të blerë, dhe të politikanëve të njohur që ngarendin nga një parti në tjetrën, që nuk e kanë për pesë para të ndërrojnë bindjet, me qëllim për të realizuar synimet e tyre për përfitime, favore, tendere.
Të ashtuquajturat aderime të individëve të caktuar nëpër partitë politike bëhen me qëllim për të treguar, sikur thuhet, “prurjet” e begatshme për ta pasuruar partinë me ide, nganjëherë edhe me financa, e nganjëherë, pse jo edhe me stupca. Aderimet, mbi të gjitha kanë për qëllim fasadimin e plasaritjeve nëpër parti, pudrosjen dhe kallajisjen pse jo edhe pispillosjen partiake, sepse të gjitha këto janë në modë, sepse krejt gara po bëhet për të fituar mbi kurriz të popullit dhe të Kosovës dhe jo për mbarëvajtjen e popullit dhe të Kosovës.
Në dukurinë e aderimeve kemi vërejtur edhe puqjen e ekstremeve, sikur ndodh zakonisht. Kemi vërejtur kur sharësi dhe përbaltuesi më ekstrem i një partie të caktuar, aderon pikërisht në atë parti që e ka sharë madje duke e quajtur edhe fashiste.(!)
Kemi vërejtur po ashtu sa me lehtësi e përzemërsi pranohen në parti të caktuara sidomos bijtë e bijat e inspektorëve të UDB-së, të gjyqtarëve, prokurorëve, të drejtorëve të burgjeve dhe hafijeve të damkosur të ish regjimeve kriminale, okupatore dhe si lihen anash më meritorët e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Kjo mbase bëhet për shkak se “pajtimi i dhunshëm” Kosovës me Serbinë parasheh kthimin në epokën e artë të bashkim vëllazërimit, mes shqiptarëve e serbëve, madje përmirësimi i këtyre raporteve parashihet edhe në marrëveshjen e 19 prillit të vitit 2013, të nënshkruar në Bruksel nga treshja Ashton-Thaçi-Daçiq.
Aderimet nëpër parti bëhen edhe direkt, duke u katapultuar në kreun e partisë, sikur ishte së fundmi edhe aderimi i Margaritës së gazetës “Kosova sot” në postin e nënkryetares së PDK-së. Kjo zonja Margarita, duke qenë “margaritare” e përdredhjeve dhe piliherdheve politike pa hezitim, madje publikisht kërkon postin e ministreshës, ende pa u kryer zgjedhjet, ende pa u shpallur rezultati, sepse është e sigurt se do të shpallet fituese, pasi që beson se në atë post do t’ i ndihmonte shumë popullit të shumëvuajtur të Kosovës, të cilit aq shumë i mungojnë “margaritaret” si kjo zonja, jo vetëm e përfolur për bashkëpunim me segmente të shërbimeve të Serbisë në vendin tonë. Të katapultuarit e më hershëm nga stafi i gazetarisë së zezë në PDK ia hoqën një pjesë kësaj partie e tash pritet që të katapultuari e tanishëm t’ ia heqin edhe një pjesë tjetër, pjesës së mbetur të të katapultuarve.
Zgjedhjet do të mbahen më 8 qershor dhe do të fitojnë si gjithnjë akrobatët e politikës, mujsharët, gënjeshtarët, ndërsa populli votues edhe më tej do të mbetet me gisht në gojë, sepse vazhdon t’ iu zë besë politikanëve të korruptuar e të degjeneruar. Ky është populli i cili i mban mbi kurriz, gjithnjë me shpresë për ditë më të mira dhe duke jetuar nga vitit në vit, në ditë gjithnjë e më të zeza, me ardhmëri të vrarë nga bijtë e vetë shkapërdarë.