Sjellja fyese e përçmuese e Albin Kurtit, ndaj opozitës në radhë të parë tregon se ky njeri ka probleme të rënda psikike, të cilat janë përshtresuar në trurin e tij nga trashëgimia 15-vjeçare, në opozitë dhe në përpjekje për ta marrë pushtetin.
Tani, kur gati gjysma e popullatës votuese të vendit ia ka dhënë besimin, ai ndihet fitimtar, ashtu si ai kalorësi ambicioz e zevzek, i cili merr aq turr për të hipur mbi kalë, sa kalon shalën dhe përplaset në anën tjetër.
I tillë është tash për tash, Albin Kurti. Herën e parë, veproi pikërisht si “kalorësi”, meqë arriti të qëndrojë në Qeveri vetëm 50 ditë legale dhe 50 të tjera, jo legale. Tani kur ende nuk e ka mbushur 100 ditëshin, ai ka krijuar një siguri në vete dhe paraqitet nga “maja” e dijes, veprimit, besimit superior për vetveten, bashkë me arrogancën, cinizmin e papërmbajtur, urrejtjen patologjike që ushqen për opozitën dhe për krejt ata që nuk mendojnë si ai.
Duke i lakuar fjalët sipas metodës së tij eklektike, ai pohon dhe mohon në të njëjtën kohë, duke lënë të kuptohet se zotëron manipulimin e mendimit dhe deklamimit, sipas kutit dhe nevojës.
E thotë publikisht në Bruksel se “vendet e Ballkanit duhet të çlirohen nga kriminelët e luftës”, pastaj para publikut në Kosovë, thotë se opozita është e paaftë për ta kuptuar rezonin e tij filozofik duke shpjeguar se “Unë nuk besoj që ka luftëtar të UÇK që janë kriminel të luftës, por unë besoj që kriminel të luftës nuk ka vetëm në Serbi, por ka edhe në veri, në Bosnje e mund të ketë edhe në Mal të Zi”, ka thënë Kurti. Por i gjithëdituri Kurti ka anashkaluar me hipokrizi sintagmën, vendet e Ballkanit, ku radhitet edhe Kosova, si vend si shtet, i pranuar nga shumica e vendeve të botës dhe nga shumica e vendeve të Ballkanit.
Nëse Kurti në Bruksel, ka lënë të nënkuptohet se Kosova ende nuk është shtet, por do të bëhet shtet me qeverisjen e tij, atëherë qëndron konstatimi se ai ka folur për Serbinë, Bosnjën, Kroacinë e Malin e Zi dhe jo për Kosovën.
Në të kundërtën krejt kjo është një hipokrizie e ulët.
Kurti në Bruksel përmend shtetet e Ballkanit, duke lënë të nënkuptohet se edhe Kosova është shtet dhe nuk ka qenë e kursyer nga kriminelët e saj.
Ja si sqarohet Kurti: “Edhe në këtë kuvend edhe në media unë kam folur për kriminelët e luftës dhe paqes, nuk e kam thënë për herë të parë në Bruksel. Serbia e din për kënd e kom pas fjalen, nuk e di pse në Kosovë lajmërohen disa.., Unë nuk besoj që ka luftëtar të UÇK që janë kriminel të luftës, por unë besoj që kriminel të luftës nuk ka vetëm në Serbi, por ka edhe në veri, në Bosnje e mund të ketë edhe në Mal të Zi”, ka thënë Kurti.
Pastaj, gjithnjë sipas dijes së tij të pakufishme Kryeministri Kurti ka shtuar se rreziku më i madh për Qeverinë e tij është mungesa e kritikës. “Më lejoni t’ju them që unë këtu shoh një lloj paaftësie për të na bërë kritikë, dhe rreziku më i madh për Qeverinë është mungesa e kritikes, ne nuk kemi rrezik tjetër. Ne kemi problem të madh me juve se jeni të paaftë me bo kritikë. Ne nuk po shohim e as nuk po e dëgjojmë kritikën e opozitës”, ka thënë Kurti.
Cinizmi dhe urrejtja pa fre që ka, Albin Kurti, për opozitën e shpie deri atje sa atë ta shpallë krejtësisht të paaftë, meqë ajo nuk po e kuptuaka diskursin e tij politik, madje kjo qenka e rrezikshme edhe për vetë pozitën, sepse nuk paska kush ta kritikojë, duke i përjashtuar të gjitha kritikat reale dhe të dëshmuara të një pjese të opozitës dhe duke lënë të kuptohet se ata nuk dinë të kritikojnë, sikur ka ditur ai në kohën e tij, duke sulmuar me molotov objektin e Kuvendit, duke hedhur shishe uji, gaz lotsjellës e duke sjellë e përcjellë dhunë fizike në Kuvend.
Këtë e nënkupton si kritikë të njëmendët Albin Kurti, dhe realisht ka pak të drejtë, sepse aktualisht në radhët e opozitës parlamentare nuk ka deputetë që t’ ia kthejë Kurtit me të njëjtën masë. Ai është i sigurt se skenat e tij në Kuvend dhe jashtë Kuvendit, nuk mund të përsëriten nga një opozitë e reformuar, që e kupton me një logjikë ndryshe parlamentarizmin.
Megjithatë, duket se Albini dhe albinët e tij nuk e kanë dëgjuar atë rrëfimin për “hundëleshin”, i cili fare lehtë mund të dalë në skenë, nëse Kurti e kurtët vazhdojnë të demonstrojnë, virulencë e arrogancë, të vetmet “cilësi e virtyte” të cilat i posedojnë, madje i kanë kualifikuar e stërkualifikur dhe i kanë një “nus” prodhim, që nuk i kishin në kohën kur në Kosovë luftohej për jetë a vdekje, kundër regjimit kriminal të Serbisë. Këtu bëjnë përjashtim një përqindje krejt e vogël e atyre eprorëve e luftëtarëve të lirisë, të cilët vegjetojnë në Vetëvendosjen e Albin Kurtit, ende duke i besuar motos: Vetëvendosje-jo negociata!
Kosova nuk e ka luksin e thellimit të ndasive, përçarjeve e konfrontimeve të brendshme, në kohën kur e pret një moment shumë i ndërlikuar dhe krejt i pafavorshëm në bisedimet e kushtëzuara me Serbinë, me pranimin e kompromisit si njëlloj “preambule” të negociatave, në të cilën insiston Bashkimi Evropian, në akord me kërkesat e Serbisë.
Është për keqardhje të prognozohet se fryrja e luftës së brendshme, nga pozita, ( e cila edhe tani në pushtet ndihet si opozitë), do të përdoret si shkas për shtyrje të bisedimeve me Serbinë, në fitim të kohës, duke shpresuar në zhvillime të ndryshme në vend dhe në rajon.
Ata, që i fryjnë zjarrit për të djegur kundërshtarët, fare lehtë mund të digjen në atë zjarr, sepse “ai i cili ia hapë gropën tjetrit, fare lehtë mund të bie vetë në të”.
Ata, që për hir të ruajtjes së pushtetit, të cilin sapo e kanë kapur, bëjnë kalkulime sikur pararendësit e tyre ideologjikë në “Konferencës së Prizrenit” të gushtit të vitit 1945, duhet ta kenë të qartë se do luajnë me zjarrin, pasi Veton Surroi me ata që i ka zgjedhur Albin Kurti në bisedime me Serbinë, janë bijtë e pasuesit ideologjikë, të atyre që përmbysën Bujanin dhe votuan mbetjen e Kosovës nën Serbi.
Dikujt do të mund t i duket një krahasim naiv, por nuk na ka ndodhur vetëm njëherë një hile e tillë në prapaskenë. Ka ndodhur që në vlugun e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, Ibrahim Rugova, në maj të vitit 1999, në Beograd, ulur gju me gju me Milosheviqin, kishte kërkuar ndërprerjen e bombardimeve.