Pretendimet e disa autoriteteve dhe analistëve, madje edhe të liderëve të opozitës se gjoja për shkak të dështimit të sistemit të drejtësisë erdhi deri te themelimi i Gjykatës Speciale kundër UÇK-së, janë pretendime paushalle, të pabazuara në fakte dhe thjesht pretendime, pas të cilave fshihet politika e ditës për përfitime në prag të fushatës zgjedhore.
Në asnjë të dhënë të faktuar dhe të argumentuar nuk mund të dëshmohet se nuk ka funksionuar sistemi i drejtësisë, në Kosovë sidomos sa i përket arrestimit dhe dënimit të luftëtarëve të lirisë. Në këtë segment nuk konsiderohet se ka dështuar ndonjë gjykatë e vendit apo gjykatë ndërkombëtare, madje edhe kur të akuzuarit pas tri, katër, apo pesë vitesh të mbajtjes në burg janë shpallur të pafajshëm, sikur është rasti me gjykimet kundër kreut të luftës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj, kundër komandantit të UÇK-së, Fatmir Limaj, kundër 13 shqiptarëve të arrestuarve nga Kosova Lindore në një Gjykatë të Beogradit dhe shumë raste të tjera. Janë në evidencë edhe shumë raste, të mbajtjes me vjet të tëra nëpër burgje të luftëtarëve të lirisë së Kosovës, të cilët pas disa vitesh janë shpallur të pafajshëm por shumica dërrmuese e tyre janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar prej 1 deri në 15 vjet burg. Në gjykatat e Serbisë, në mungesë, shumë eprorë dhe ushtarë të UÇK-së janë dënuar prej 5 deri në 40 vjet burg.
Sistemin e drejtësisë në Kosovës, (hetuesit, gjyqtarët, prokurorët) qysh në ditët e para të pasluftës e ka vënë në jetë administrata e UNMIK-ut, së bashku me gjykatësit e prokurorët që kishin punuar në institucionet e KSAK-së, duke u mbështetur në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së për periudhën e Tranzicionit. Në sistemin e drejtësisë së protektuar nga UNMIK-u u kthyen në punë edhe prokurorë e gjykatës të tillë që kishin punuar në kohën e regjimit të Milosheviqit, sidomos në gjykatat komunale. Dënimet e para kundër luftëtarëve të lirisë janë shqiptuar qysh në korrik të vitit 1999 dhe kjo dëshmohet fare lehtë me lëndë të lëshuara asokohe nga gjykatësi, Arif Tuhina, prokurori Reshat Millaku, e shumë të tjerë.
Nuk duhet harruar fakti se të gjithë gjykatësit dhe prokurorët që ishin kthyer në punë, qysh në korrik, gusht të vitit 1999, dhe që paragjykonin për veten e tyre se ishin të rrezikuar nga UÇK-ja, shoqëroheshin nga policët e UNMIK-ut dhe shumica syresh me veturat e kësaj administrate përcilleshin nga shtëpia në punë dhe anasjelltas. Po kështu, UNMIK-u kishte marrë në mbrojtje të gjithë milic-policët shqipfolës, të cilët paragjykonin për veten e tyre se rrezikoheshin nga sulmet e mundshme të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Në muajt e parë pas luftës, kreu i LDK-së kishte themeluar një komision ilegal për evidentimin e krimeve të UÇK-së në bashkëpunim me misionin EULEX, e më vonë edhe në bashkëpunim me hetuesit e parë të Tribunalit të Hagës.
Duke u mbështetur në dosjet e regjimit kriminal të Milosheviqit, në akuzat që i kishte ngritur gjatë luftës kundër UÇK-së, ministria e Drejtësisë e xhelatit serb dhe shërbimi sekret serb, si dhe në dosjet që LDK-ja ia dërgonte ilegalisht UNMIK-ut, u akuzuan, u shpallën fajtorë dhe u dënuan disa qindra luftëtarë të lirisë.
Edhe nëse ka ndodhur që gjatë një jave të mos jetë akuzuar apo të mos jetë arrestuar një luftëtar i lirisë, në Kosovë, kurrë nuk kanë kaluar dy javë, apo një muaj dhe të mos jetë arrestuar apo dënuar një ish pjesëtar, apo një grup prej dy tre e më shumë të pandehurve nga radhët e ish-UÇK-së të demobilizuar në gusht të vitit 1999.
Qysh më 5 korrik të vitit 1999, LDK-ja kishte tubuar krerët e sapo kthyer nga Kukësi e Stankoveci dhe në mbledhjen e parë, të mbajtur pas luftës, kishin propozuar themelimin e një komisioni ilegal, i cili do të merrej me hulumtimin në terren të krimeve të kishte kryer UÇK-ja por edhe serbët.