RKL: Pse fshihet e vërteta për dënimet e deritanishme të luftëtarëve të lirisë nga gjashtë gjykata vendore e ndërkombëtare?

RKL: Pse fshihet e vërteta për dënimet e deritanishme të luftëtarëve të lirisë nga gjashtë gjykata vendore e ndërkombëtare?

Analistët dhe politikanët që arsyetojnë Gjykatën Speciale, anashkalojnë me qëllim dënimet e deritanishme të  qindra pjesëtarëve të UÇK-së, edhe pse ato gjykime e dënime kanë qenë dhe janë publike. A mund të besojmë se “alamet” analistët si: Ben Andoni, Lisien Bashkurti, madje edhe Elvis Hoxha, në një emision të Ilva Tarës,  apo ata që e kanë halë në sy UÇK-në si: Fatos Lubonja, Ben Bulushi, Blendi Fevziu e shumë të tjerë nga Shqipëria,  nuk dinë sa qindra eprorë dhe ushtarë të UÇK-së  janë dënuar për krime lufte nga gjykatat ndërkombëtare dhe nga ato vendore e rajonale. Duke mos pasur njohuri për këto dënime ata akuzojnë gjykatat vendore se nuk kanë dënuar sa duhet luftëtarë të lirisë dhe për këtë shkak BE-ja paska vendosur themelimin e Gjykatës Speciale kundër UÇK-së, kështu të pakët ishte shprehur, Lisien Bashkurti e disa analistë të tjerë gjatë emisionit

Mbase analistët apo gazetarët në Shqipëri edhe nuk kanë të dhëna mbi numrin  e dënuar me burg, për të ashtuquajturat krime lufte,  të luftëtarëve të tri luftërave tona çlirimtare, dhe as para u intereson kjo, por këtë e dinë fort mirë pseudo-analistët “kosovarë”, si puna e Halil Matoshit, Dukagjin Goranit, Nexhmedin Spahiut, Bato Haxhiut, dhe tërë një soji gazetarësh të diplomuar nga ish shkolla e gazetarisë titiste të  Kumurovecit, të cilët nuk lënë ditë pa folur për “krimet e UÇK-së” dhe pasojat të cilat sipas tyre u ka sjellë ajo luftë.

Përderisa LDK-ja për ditë afishon emrat e atyre veprimtarëve që konsideron se i ka vrarë SHIK-u, (i cili gjatë luftës nuk ka qenë pjesë e strukturave të UÇK-së, dhe nuk mund të akuzohet për ato vrasje), komandantët që ende nuk janë akuzuar për krime lufte,  nuk përmendin dot sa bashkëluftëtarë të tyre janë dënuar në qindra  procese politike deri tani, sa janë shpallur të pafajshëm pas pesë e më shumë vjet të mbajtur nëpër burgje, sa të tjerë kanë vdekur nëpër burgje, sa prej tyre vazhdojnë të ndiqen e të gjykohen, por gjuhen me fjalë si gjeldeca, disa madje edhe duke futur kokën në zall, si struci para rrezikut të paragjykuar.

Numrin e eprorëve dhe ushtarëve të dënuar të UÇK-së mendoj se e dinë, apo duhej ta dinin fort mirë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Azem Syla, Xhavit Haliti, Adem Grabovci por nuk na ka  rënë të lexojmë apo të dëgjojmë prej tyre, aq më pak të protestojnë për dënimet e deritanishme  të qindra luftëtarëve të lirisë, nga gjykatat vendore, rajonale e ndërkombëtare. Ndërsa kur është puna për t’ u krekosur e për “tu lyer” e për t’u “ngjyer” me UÇK , janë të parët, sidomos gjatë fushatave zgjedhore, por kurrë para autoriteteve të huaja, para të cilëve ulin veshtë dhe nuk pranojnë madje as edhe të kenë marrë pjesë në luftë. Realisht ata edhe nuk kanë qenë pjesëmarrës të luftës, por që në fillim kanë pozicionuar njëri tjetrin në postet kryesore, në segmentet drejtuese të saj,  duke u shtrirë gjerë e gjatë në “Rogner”, “Dajt” apo hotele të tjera të Shqipërisë,  Zvicrës Gjermanisë e gjetkë dhe duke u kthyer në Kosovë pas mbarimit të luftës, kur nuk rrezikoheshin më nga regjimi kriminal i Milosheviqit.

Numrin e eprorëve dhe ushtarëve të UÇK-së të dënuar për krime lufte nuk e ka publikuar as e publikon Ministria e Drejtësisë dhe as jugo-mediet shqip-shkruese e shqip-folëse në Kosovë. Madje këtë numër nuk e publikojnë dot as mediet sensacionele që mbijetojnë vetëm me gënjeshtra, sensacione, vjedhje të informatave, pornografi, gjuhë të ndragët, sipas motos bizantine: “Haja qenit pija qenit, tash i bime karadyzenit”.   Çuditërisht kjo e vërtetë fshihet me hipokrizi edhe nga disa medie që në parim përkrahin UÇK-në. As një shkrim i dërguar nga Radio Kosova e lirë në adresë të këtyre medieve,  me emrat e mbiemrat e pjesëtarëve të dënuar të UÇK-së, nuk është botuar. Ky numër nuk iu bën përshtypje as veteranëve të UÇK-së të cilët tani, pasi kanë filluar të marrin lëmoshën sociale nga Qeveria, i kanë ulur veshtë dhe nuk ndihen për së gjalli, punë e madhe pse shokët e tyre të luftës dirgjen nëpër burgje, punë e madhe pse janë dënuar me qindra, mjafton të mos preken ata vetë. Nuk thuhet kot ajo fjala e njohur reaksionare shqiptare: “Gjarpri  që nuk më helmon mua, rroftë 100 vjet?” Kjo është filozofia pacifiste e mbijetesës shqiptare. Duket i rëndë dhe mallkues ky konstatim, por realisht kjo filozofi është esenca e politikës së sotme në Kosovë e në Shqipëri e më gjerë, është filozofia  e mbijetesës së skllavit e robit, e trashëguar nëpër shekuj. Dhe kur dikush del jashtë këtij përkufizimi reaksionar atëherë shpallet nacionalist, irredentist, separatist, terrorit, islamist e të tjera.

Analistët dhe politikanët, që arsyetojnë themelimin e Gjykatës Speciale kundër UÇK-së, asnjëherë nuk iu kanë referuar, as u referohen  të dhënave lidhur me dënimet me burg të ish ushtarëve dhe eprorëve të UÇK-së të cilët janë dënuar dhe po dënohen, për krime lufte, prej vitit 1999 e deri në vitin 2015 nga gjashtë gjykata vendore, rajonale dhe ndërkombëtare. Asnjë i quajtur apo i vetëquajtur analist nuk ka prezantuar numrin e pjesëtarëve të shpallur fajtor dhe të dënuar me burg nga gjykatat e UNMIK-ut, EULEX-it, Gjykatat e Kosovës, të Maqedonisë, Serbisë madje në një rast edhe nga një gjykatë e Tiranës.  Ministria e Drejtësisë e Kosovës nuk përcjellë informata të tilla, ndërsa me një ligj të veçantë ka amnistuar të gjithë kriminelët serbë që kanë kryer krime lufte  në Kosovë.

  1. Gjykatat vendore, rajonale e ndërkombëtare kanë dënuar qindra luftëtarë të UÇK-së prej vitit 1999 deri në vitin 2105

Nga më shumë se 110 proceset e montuara politike, që janë mbajtur gjatë seancave gjyqësore   kundër luftëtarëve të UÇK-së, prej vitit 1999 e deri në vitin 2015, nga gjykatat ndërkombëtare të UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës, EULEX-it, gjykatat në Serbi e Maqedoni,  vetëm në 16 procese gjyqësore janë dënuar rreth 100 luftëtarë të lirisë, në Kosovë, Maqedoni  e  në Serbi. Disa prej tyre pasi janë mbajtur me vite të tëra nëpër burgje janë liruar të pafajshëm. Proceset e tjera kanë të bëjnë kryesisht me dënime individuale si dhe me grupe të vogla,  dënime deri në 1 vit, apo dënime me kusht. Nga ky mes janë dënuar disa qindra.

Disa procese të montuara politike kundër shqiptarëve pas luftës nga gjykatat ndërkombëtare e vendore, në Serbi, Holandë, Kosovë, Maqedoni e në Shqipëri, prej vitit 1999 e deri më 2015, kanë pasur dhe kanë për qëllim diskreditimin e tri luftërave tona çlirimtare. BE-ja nuk është ngopur me getoizimin që vazhdon t’ iu bëjë shqiptarëve dhe mbetet krejt indiferente me masakrimin e forcave policore e ushtarake serbe rë 1200 fëmijëve të moshës së mitur gjatë luftës 1998-1999, vrasjen e pushkatimin e 12.000 civilëve shqiptarë, dhunimin e mijëra grave e vajzave shqiptare nga ushtria dhe policia e Serbisë.

BE-ja tani në mënyrë arbitrare dhe ultimative kërkon të themelohet  edhe një gjykatë speciale, gebelsiane, kundër shqiptarëve si ato që kishte themeluar dikur Evropa kundër hebrenjve në Gjermani dhe në shumë shtete të saj. Gjykatat Speciale, mono-etnike, janë gjykata raciste dhe fashiste. Të tilla nuk ka pasur në botë përveç ndoshta në ndonjë shtet të Afrikës, mbase edhe në Kamboxhë. Presioni i BE-së dhe disa shteteve me ndikim ka bërë që Kuvendi i Kosovës, duke shkelur ligjet dhe procedurat e Kuvendit, duke shkelur edhe praktika e Kushtetutës, me shumicë votash ka aprovuar kërkesën e Qeverisë për themelimin e Gjykatës Speciale kundër UÇK-së.

Gjatë këtyre 15 viteve, luftëtarët e lirisë janë akuzuar për krime lufte dhe janë dënuar nga:

Gjykatat e UNMIK-ut, të instaluara në Prishtinë dhe në disa qytete të Kosovës:

Tribunali i Hagës, në Holandë,

Gjykatat e Serbisë në Beograd,

Gjykatat e EULEX-it, në Kosovë, ndonjëherë në bashkëpunim me gjykatat vendore, Gjykatat themelore, Gjykatat e apelit etj,

Gjykatat në Maqedoni, kundër luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare,  madje në një rast edhe nga  Gjykata e Tiranës.

Janë arrestuar, janë mbajtur me vite të tëra në arrest, në paraburgim, janë liruar të pafajshëm, janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar në Tribunalin e Hagës dhe në gjykatat e përmendura:

Haradin Balaj, Idriz Bala, Lahi Brahimaj, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj,  Isak Musliu,  Rrustem Mustafa,  Latif Gashi, Nazif Mehmeti.  Daut Haradinaj,  Bekim Zekaj,  Ahmet Elshani,  Ramush Ahmetaj,  Agush Memishi,   Samet Hajdari,  Nazif Hasani, Ahmet Hasani, Burim Fazliu, Selman Sadiku, Faton Hajdari, Ferat Hajdari, Kamber Sahiti, Sadik Aliu,  Shefqet Musliu, Fazli Hajdari, Rexhep Aliu, Shaqir Shaqiri, Idriz Aliu, Ramadan Halimi, Shemsi Nuhiu, Nexhmi Krasniqi, Naser Krasniqi,  Naser Shala, Arben Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku, Sabit Shala, Shaban Shala. Besim Shurdhaj, Naser Shatri, Ruzhdi Saramati,  Rrustem Dema, Enver Axhami, Ejup Runjeva, Bujar Tafili, Nuhi Provoliu,

 Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Sabit Geci, Ismet Haxha, Sahit Jashari, Hysni Thaçi, Avni Zabeli, Agim Demaj, Bashkim Demaj, Driton Demaj, Selman Demaj, Fadil Demaku, Jahir Demaku, Nexhat Demaku, Zeqir Demaku,

 Nazim Bllaca, Faruk Gashi, Shpresim Uka, Driton Hajdari, Bekim Syla, Sadik Abazi, Selim Krasniqi,  Bedri Zyberaj, Xhavit Elshani, Milaim Latifi, Agron Krasniqi, Burim Ramadani, Arsim Ramadani, Arben Kiçina, Jeton Kiçina, Riza Aliaj, Shaban Hoti, Haki Rexhepi Lirim Jakupi, Fatos Aliu, Amir Sopa, Hebib Ahmeti,  Nevzat Zyberi, Izmit Ameti, Mehdi Islami, Florim Ameti, Nevzat Arjani, Shehir Zyberi, Nadi Dauti, Baftjar Beqiri,  Tafil Dauti,  Hanefi Dervishi, u mbyt në tortura në Burgun e Manastirit. Rametulla Dauti,  Shkëndim Dauti, Ibrahim Sulejmani, vdiq në burgun e Shtipit, në prag të komunikimit të pafajësisë për krime lufte, Roland Bartesko,  Dritan Goxhaj e të tjerë.

Të gjitha këto gjykata kanë dënuar qindra luftëtarë të lirisë dhe aktualisht po merren me hetime e gjykime kryesisht për ato lëndë penale që janë konsideruar “krime gjatë luftës” apo “krime të luftës”. Asnjë nga këto gjykata nuk ka marrë për bazë se, cila palë ka kryer krime dhe mbi cilat motive, por duke qenë se faktori ndërkombëtar nuk shpalli humbës as fitues të luftës, gjykatat e instaluara në Kosovë filluan të ndjekim kryesisht luftëtarët shqiptarë, për të cilët regjimi i Milosheviqit pretendonte se kanë kryer krime, ndërsa kriminelët serbë kishin ikur në Serbi dhe kishin shpëtuar nga ndjekja e gjykatave ndërkombëtare, edhe pse ata i kishin kryer krimet kundër popullatës civile shqiptare brenda territorit të Kosovës.

Dhe, nuk kanë mjaftuar që këto gjykata kanë dënuar qindra ish-luftëtarë për vepra të kualifikuara si “krime lufte”. Numri i saktë i të dënuarve nuk dihet. Nuk e dinë shoqatat e luftës, as veteranët. Ndoshta edhe e dinë por listat asnjëherë nuk janë publikuar.

Numrin e saktë të dënuarve nga radhët e pjesëtarëve të UÇK-së, në periudhën 15-vjeçare, pas luftës e di mjaft mirë Ministria e Drejtësisë, por ajo ose  nuk ka vullnet ta shpall, as t’i tregojë opinionit se për 15 vjet katër gjykata, ndërkombëtare, rajonale dhe vendore kanë shpallur fajtorë dhe kanë dënuar qindra luftëtarë të UÇK-së, të akuzuar për vepra, që konsiderohen krime të kryera gjatë luftës dhe për krime lufte, meqë sipas akuzave ata kanë vrarë dhe kanë torturuar spiunë të regjimit të Milosheviqit dhe policë e ushtarë serbë.

  1. Fushata e organizuar nga UNMIK-u kundër UÇK-së ka filluar prej ditës kur kreu i luftës pranoi që UÇK-ja të demobilizohet

Fushata e organizuar nga autoritetet e UNMIK-u kundër luftëtarëve dhe eprorëve të UÇK-së ka filluar prej ditës kur kreu i luftës pranoi që UÇK-ja të demobilizohet. Asnjë anëtar i SHP të UÇK-së nuk ishte deklaruar haptas kundër demobilizimit, sepse procesi i tillë ishte paraparë me Konferencën e Rambujesë, të cilën e kanë përkrahur unanimisht të gjithë anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, me përjashtim të Zëdhënësit të Përgjithshëm, Adem Demaçi, i cili për shkak se kundërshtoi Rambujenë, u detyrua ta pushojë angazhimin me të cilin e kishte caktuar SHP i UÇK-së.

Fillimisht, disa ditë pas zbarkimit në Prishtinë, forcat e KFOR-it kanë vrarë me armë zjarri, në një ceremoni manifestimi, dy luftëtarë të UÇK-së, në qendër të Prishtinës, ashtu sikur kanë vrarë edhe disa ish ushtarë të UÇK-së gjatë revoltave qytetare të 17 dhe 18 prillit të vitit 2004 dhe asnjëri prej tyre nuk është nxjerrë para drejtësisë. Nuk janë nxjerrë para drejtësisë as policët rumunë, të cilët vranë dy protestues të Lëvizjes Vetëvendosje, më 10 shkurt të vitit 2007.

Në Kosovë, qysh në vitin 1999, UNMIK-u ka filluar ndjekjen e të gjithë ushtarëve dhe eprorëve të UÇK-së, duke u mbështetur në dosjet e hartuara nga Ministria e Drejtësisë e kohës së regjimit të Milosheviqit.

Dhe jo vetëm Kaq.

Janë arrestuar, janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar në Tribunalin e Hagës, të akuzuar për krime lufte Haradin Bala, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj.

Janë akuzuar nga Tribunali i Hagës, Ramush Haradinaj, komandant i Zonës Operative të Dukagjinit, Fatmir Limaj, epror i lartë në Zonën Operative të Pashtrikut, të cilët janë shpallur të pafajshëm. Është shpallur i pafajshëm edhe eprori i UÇK-së, Isak Musliu, i akuzuar për krime lufte së bashku me Fatmir Limajn dhe Haradin Balën.

Gjykata e Hagës ka shpallur fajtor dhe ka dënuar për “Krime lufte” tre eprorë të UÇK-së.

Gjykatat e UNMIK-ut dhe të EULEX-it në Kosovë kanë shpallur fajtorë për krime lufte dhe kanë dënuar komandantin e Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa dhe dy eprorë të lartë të kësaj zone: Latif Gashin dhe Nazif Mehmetin.

Janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar për gjoja krime lufte 5 luftëtarë të lirisë të Zonës së Kaçanikut, meqë gjatë luftës kanë likuiduar disa spiunë të Serbisë, të cilët kishin marrë pjesë në radhët e ushtrisë okupatore serbe.

Janë shpallur fajtorë për krime lufte dhe janë dënuar nga Gjykata e UNMIK-ut në vitin 2002: Idriz Balaj, Daut Haradinaj, Bekim Zekaj, Ahmet Elshani dhe Ramush Ahmetaj.

Gjykata e Apelit në Beograd fillimisht ka shpallur fajtorë dhe ka dënuar 11 ish-luftëtarët e UÇK-së. Agush Memishi u dënua 12 vjet burg, Samet Hajdari, 15 Nazif Hasani dhe Ahmet Hasani me nga 13 vjet burg, Burim Fazliu dhe Selmon Sadiku me nga 12 vjet burg, Faton Hajdari 10 vjet, Ferat Hajdari, Kamber Sahiti dhe Sadik Aliu me nga tetë vjet secili, ndërsa Shefqet Musliu, pesë vjet burg.

Fazli Ajdari, Rexhep Aliu, Shaqir Shaqiri, Idriz Aliu, Ramadan Halimi, që ndodheshin në arrati janë dënuar në mungesë. Shemsi Nuhiu, është ekstraduar në Serbi në maj të vitit 2012. Pas katër vjet mbajtje në burg, gjykim dënim rigjykim, më në fund të gjithë u shpallën të pafajshëm.

Janë mbajtur me vite të tëra në burg të akuzuar nga EULEX-i për krime lufte në dy procese gjyqësore: Fatmir Limaj, Nexhmi Krasniqi, Naser Krasniqi, Naser Shala, Arben Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj, të cilët pas dy proceduarve të rregullta të gjykimeve, më në fund janë shpallur të pafajshëm, por procesi konsiderohet i hapur.

EULEX-i ka arrestuar dhe ka dënuar me  akuzë për krime lufte, Komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, komandantin e Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku dhe disa eprorë të tjerë të UÇK-së, sikur janë: Sabit Geci, Ismet Haxha, Sahit Jashari, Hysni Thaçi, Avni Zabeli. Agim Demaj, Bashkim Demaj, Driton Demaj, Selman Demaj, Fadil Demaku, Jahir Demaku, Nexhat Demaku, Zeqir Demaku,

Janë shpallur fajtorë dhe iu janë shqiptuar dënime të rënda me burg, duke u mbështetur në të dhënat e dëshmitarit bashkëpunues dhe të instruktuar të EULEX-it, Nazim Bllaca, ish pjesëtarët e UÇK-së: Faruk Gashi, Shpresim Uka, Driton Hajdari, Bekim Syla, Sadik Abazi.

Dhe jo vetëm këta:

Një gjykatë speciale në Beograd ka dënuar 21 ish pjesëtarë të Brigadës 121, Ismet Jashari-Kumanova me dënime “në mungesë prej 5 deri në 40 vjet burg”. Të gjithë këta ndodhen në regjistrin e Interpolit të Serbisë dhe hetohen kudo në pikat kufitare, madje edhe në pikat kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë si dhe mes Kosovës e Maqedonisë. Disa nga këta të dënuar në mungesë, nga një gjykatë e Beogradit, janë ndaluar disa herë në pikën kufitare të Morinës dhe janë mbajtur nën masën e arrestit me orë të tëra, deri sa kanë intervenuar autoritetet në Tiranë apo në Prishtinë. Një praktikë e tillë vazhdon të aplikohet edhe aktualisht.

Gjykatat në Beograd kanë dënuar në mungesë edhe qindra ish pjesëtarë dhe pjesëmarrës të luftës sonë çlirimtare. Të dhënat nuk janë publikuar për opinion.

Gjykata e UNMIK-ut ka mbajtur në arrest dhe ka dënuar me burg edhe luftëtarë të UÇK-së, që kanë pasur ndjekje penale nga regjimi i Milosheviqit para luftës së UÇK-së, sikur është rasti i dënimit të eprorit të UÇK-së, Naser Shatri, si dhe eprorit të Zonës Operative të Pashtrikut,Ruzhdi Saramati.

Më 16 shkurt 2004 është  arrestuar Bedri Zyberaj në Prishtinë, ndërsa të tjerët në Prizren. Në maj të atij  viti janë arrestuar edhe Isuf Gashi e Islam Gashi.

Në gusht të vitit 2006 ka perfunduar gjykimi i shkallës së parë dhe të gjithe të akuzaurit: Selim Krasniqi, Bedri Zyberaj dhe Agron Krasniqi dënohen me nga 7 vjet burg. Me 1 prill 2009, ne Prishtine eshte mbajtur seanca e Gjykates Supreme ku ishin tre gjyqtare të EULEX-it dhe dy vendorë. Ky trup gjykyes, me 10 prill, 2009 ka publikuar vendimin dhe i ka denuar me vendim të formës së prerë, duke i ndryshuar dënimet e shkallës së parë. Për Selim Krasniqin e Bedri Zyberajn ndryshon dënimi nga shtatë (7) vjet ne 6 vjet dënim me burg, ndërsa për Agron Krasniqin nga 7 në 4 vjet e gjysmë.

Janë shpallur fajtorë dhe dënuar edhe pse në mungesë të fakteve: Burim Ramadani, Arsim Ramadani, Arben Kiçina e Jeton Kiçina, Ata po mbahen qe 13 vite ne burg pa fakte të besueshme, të akuzuar se kanë vrarë oficerin e MUP-it të Serbisë, Hajrë Shtutica dhe disa anëtarë të familjes së tij.

Trupi gjykues i Gjykatës së Qarkut të Mitrovicës, në gjykimin e zhvilluar në ndërtesën e Gjykatës Supreme në Prishtinë, ka dënuar  15 vjet burg Sabit Gecin për, sikur thuhet vrasje dhe keqtrajtime të të burgosurve në Kukës dhe Cahan gjatë viteve të luftës 1998-1999. Trupi gjykues shpalli aktgjykimet edhe për tre të akuzuar të tjerë, ish-pjesëtarë të UÇK-së, për krime të luftës, në burgun në Cahan. Riza Aliaj u dënua 12 vjet burg, Shaban Hoti nga Rezalla, 7 vjet dhe Haki Rexhepi nga Skenderaj 6 vjet burg. (2011).

Një gjykatë vendore ka dënuar luftëtarët e lirisë: Rrustem Dema,  Enver Axhami,  Ejup Runjeva,  Bujar Tafili, Nuhi Provoliu, për shkak se kanë maltretuar bashkëpunëtorët e Serbisë në rrethin e Kaçanikut.

Gjykata Supreme e Maqedonisë ka vërtetuar dënimet kundër 17 të burgosurve nga fshati Brodec, të cilët u akuzuan nga autoritetet shtetërore maqedonase për veprime terroriste. Dënime maksimale për këtë rast që ndodhi në nëntor të vitit 2007, me ndërhyrjen e njësiteve policore speciale në fshatin Brodec, gjoja në kërkim të grupeve të armatosura, kryesisht goditën banorët e këtij fshati, të cilët përfunduan në burg, ndërsa organizatorët e grupit të armatosur: Lirim Jakupi nga Kosova lindore, Fatos Aliu nga Shqipëria dhe Amir Sopa gjenden në arrati, por që morën dënime nga 15 vite burg.

Hebib Ahmeti u dënua me 12 vjet burg, ndërsa të akuzuarit e tjerë:

Nevzat Zyberi, Izmit Ameti, Mekdi Islami, Florim Ameti, Nevzat Arjani, Shehir Zyberi, Nadi Dauti, Baftjar Beqiri, Tafil Dauti, Hanif Dervishi, Rametulla Dauti dhe Shkëndim Dauti u dënuan me nga dhjetë vite burg. Kohë më parë ndër të burgosurit, 52-vjeçari Hanefi Dervishi ndërroi jetë në qelinë e burgut, pas një sëmundje, e cila u vlerësua si vdekje e dyshimtë nga familjarët e tij. Sulmi i njësive speciale sllavo-maqedonase ( sipas disa burimeve edhe forcave  serbe), u ndërmor më 7 nëntor 2007 në fshatin Brodec, në Malësi të Sharrit, ku vranë 6 dhe u plagosën 12 shqiptarë, ndërsa u arrestuan 13 veta, kryesisht banorë të fshatit.

Trupi gjykues ndërkombëtar i udhëhequr nga gjyqtari Tron Gundersen, në Mars të vitit 2009 ka dënuar me 17 vite burg ish ushtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gani Gashin, duke e shpallur atë fajtor sipas akuzës për veprën penale të krimeve kundër popullatës civile, të bazuar në ligjet e ish RSFJ-së, rregulloret e UNMIK-ut dhe ligjin e procedurës penale të Kosovës. Avokati mbrojtës i të pandehurit, Fazli Balaj ka thënë se dënimi është i plotësisht i padrejtë, pasi që rasti për të cilin akuzohet Gani Gashi nuk mund të cilësohet krim i luftës.

Pasi është dënuar 15-vjet burg për pjesëmarrje në UÇK, është mbytur në burgun e Shtipit, Ibrahim Sylejmani, i cili vuante dënimin me burg prej 15 vjetëve, ndërsa në burgun e Shtipit ka qëndruar 4 vjet e gjysmë. Ai ishte dënuar për vepra penale që kishin të bënin gjoja  me krime lufte gjatë vitit 2001, ndërsa me interpretimin autentik të Ligjit për amnisti në Kuvend, Ibrahim Sylejmani priste lirimin e tij.

Është dënuar 17 vjet burg luftëtari i UÇK-së nga Gjermania, Roland Bartesko, i akuzuar se ka kryer sulm mbi zyrën e Serbisë në Prishtinë.

Një Gjykatë të Tiranës, në vitin 2001 ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me burg oficerin e ushtrisë Shqiptare, pjesëtarin e UÇK-së dhe UÇPMB-së, Dritan Goxhai, me akuzë se ka dezertuar në radhët e ushtrisë shqiptare dhe iu ka bashkuar luftës së UÇK-së, si dhe me një akuzë të montuar, e cila nuk ishte faktuar në procesin gjyqësor.

(Në këtë vështrim kemi shkëputur shembujt e publikuar kohë pas kohe në Radion Kosova e Lirë dhe në disa medie të tjera të shpalljes fajtorë dhe dënimit me burg të ish-luftëtarëve të UÇK-së, vetëm në 16 procese gjyqësore, nga më shumë se 110 proceset e montuara politike që janë zhvilluar deri tani dhe ku janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar disa qindra shqiptarë, pjesëtarë të tri ushtrive tona çlirimtare).

Ja si i dënojnë gjyqet e Serbisë ushtarët kriminelë të Milosheviqit, që masakruan popullatën civile shqiptare, vranë e pushkatuan gra e fëmijë të pambrojtur dhe që dhunuan gra e vajza.

Po sjellim vetëm dy raste më karakteristike nga rastet e tjera.

1oo vjet burg janë dënuar nëntë kriminelë serbë, në një gjykatë të Beogradit, të cilët vranë 120 shqiptare në Qyshk të Pejës, Lybeniq dhe në Zahaq, në prill të vitit 1999. Nëntë kriminelë dënohen mesatarisht me nga 10-11 vjet burg për vrasjen e masakrimin e 120 shqiptarëve. Kjo i bie që për një jetë njeriu, një jetë shqiptari, një kriminel serb dënohet mesatarisht me nënë muaj burg, të cilat nuk i mban as gjysmën.. Ky është vendimi i gjykatës së shkallës së Parë. Nëse ata ankohen, mund edhe të falen, sepse tekefundit Ministria e Drejtësisë e Qeverisë së Kosovës ka amnistuar të gjithë serbët që kanë kryer krime lufte në vendin tonë, pse të mos i falë edhe gjykata e Beogradit, kriminelët e Milosheviqit.

Për masakrimin mizor të 48 anëtarëve të familjes Berisha në Therandë gjykata e Beogradit dënon vetëm 2 nga 20 policët pjesëmarrës. Ajo ka liruar nga përgjegjësia urdhërdhënësin, ndërsa ka dënuar me nga 13 vjet burg vetëm dy ekzekutues të 48 shqiptarëve, në mesin e tyre edhe gra e fëmijë.

I akuzuari kryesor në gjykimin për krimin në Therandë, ish-komandanti i njësitit të policisë speciale të Serbisë, Radosllav Mitroviq është liruar nga përgjegjësia për dhënien e urdhrit për vrasjen e 48 civilëve shqiptarë në mars të vitit 1999.

 Tre nga të akuzuarit për këtë krim janë liruar nga përgjegjësia, ndërsa dy të tjerë janë dënuar me burg prej 20 vjetësh. Dy të akuzuarit e tjerë janë dënuar me 13 dhe 15 vjet burg. (Gjykata serbe për krime lufte kishte filluar procesin gjyqësor ndaj shtatë të akuzuarve më 3 tetor të vitit 2006).

Brukseli zyrtar këto dënime i quan të drejta dhe lavdëron Serbinë e cila ka filluar të dënojë vetë krimet e luftës dhe nuk ka nevojë të dërgojë as kë në Tribunalin e Hagës. Në anën tjetër Brukseli zyrtar, nuk pajtohet me dënimin vetëm gjashtë vjet burg të një komandanti të UÇK-së, meqë ai paska maltretuar fizikisht një bashkëpunëtor të kriminelëve të Serbisë gjatë luftës. Kjo është drejtësia e Brukselit dhe e “miqve” tanë ndërkombëtarë, të cilët i detyruan institucionet vasale të Kosovës që vetë të kërkojnë krijimin e një Tribunali special ndërkombëtar për krimet e UÇK-së, meqë Kosova paska dështuar në arrestimin dhe dënimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte, edhe pse UNMIK-u dhe EULEX-i janë instaluar në Kosovë nga OKB-ja dhe BE-ja, pikërisht për të hulumtuar dhe për të dënuar vetë luftëtarët e UÇK-së, meqë nuk iu kanë besuar institucioneve përkatëse të vendit.

Janë akuzuar dhe dënuar  për krime lufte nga Tribunali i Hagës,  kryekrimineli, Sllobodan Millosheviç, ( ka vdekur në burg, nuk është dënuar për krimet pas vdekjes) pastaj Milan Milutinoviq, Nikola Shainoviq, Dragoljub Ojdaniq dhe Vlajko Stojiljković u akuzuan për krime kundër njerëzimit dhe duke përfshirë vrasje, zhvendosje me forcë, deportim, dhe “persekutim për shkaqe politike, raciale dhe fetare”.

Në 2001, kryetari jugosllav  Vojsllav Koshtunica  ishte pozicionuar  kundër përpjekjeve për të vënë Milloshviqin para një gjykate ndërkombëtare por nuk mundi ta parandalonte këtë gjë pas daljes në skenë të provave të tmerrshme të luftës. Në tetor 2003, u shtuan akuzat për ish-shefin e shtabit të forcave të armatosura, Nebojsha Pavkoviq, ish-komandantin e trupave të ushtrisë Vladimir Lazareviq, ish oficerin e policisë, Vlastimir Gjorgjević, dhe Sreten Lukiq. Të gjithë u akuzuan për krime kundër njerëzimit dhe thyerje të ligjeve dhe rregullave të luftës. Më vonë, Gjykata Ndërkombëtare Kriminale për ish Jugosllavinë e OKB-së zbuloi ligjërisht se Serbia “përdori dhunën dhe terrorin për të larguar me forcë shqiptarët e Kosovës nga shtëpitë e tyre përtej kufirit, në mënyrë që autoritet të merrnin kontrollin mbi Kosovën … Kjo fushatë u drejtua nga Ushtria dhe forcat policore (MUP) të Ministrisë së Brendshme nën kontrollin e RFJ dhe autoriteteve serbe, të cilat ishin përgjegjëse për dëbimet masive të civilëve shqiptarë nga shtëpitë e tyre, po ashtu edhe incidente vrasjesh, sulme seksuale, dhe shkatërrimit me qëllim të xhamive. As pas këtyre masakrave e shkatërrimeve, kriminelët serbë nuk u dënuan për gjenocid kundër popullatës shqiptare, ashtu sikur nuk i kishin dënuar as për vrasjen e masakrimin e 200.000 myslimanëve të Bosnjës e 30,000 kroatëve.

Gjykata e Hagës ka shpallur fajtor dhe ka dënuar disa nga autoritetet e larta të ish-Jugosllavisë

Sllobodan Millosheviq,

Milan Milutinoviq,

Nikola Shainoviq,

Dragoljub Ojdaniq,

Vlajko Stoiljković

Nebojsha Pavkoviq,

Vladimir Lazareviq,

Vlastimir Gjorgjević, dhe

Sreten Lukiq.

Për krime lufte më Kosovë, gjykatat e Serbisë kanë dënuar disa individë dhe më pas i kanë liruar në rrethana të ndryshme, duke i shpallur të pafajshëm, apo të sëmurë mentalë. Asnjë serb deri tani nuk është shpallur fajtor as është dënuar për krimet monstruoze dhe masakrat e kryera kundër popullatës civile shqiptare në Likoshan, Qirez, Prekaz, Krushë, Celinë, Izbicë, Çikatovë, Meje, Lubeniq dhe në dhjetëra masakra të tjera kudo në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …