Në deklaratat e tij, si kundërpërgjigje ndaj fjalimit të kryetarit të Federatës ruse, Vladimir Putin, i cili hoqi një paralele mes pavarësisë së Kosovës dhe referendumit për ribashkimin e Krimesë me Rusinë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë një prononcim të ngutshëm, jo diplomatik, të ngurtë dhe krejtësisht të pabazë, si në aspektin historik ashtu edhe në atë politik. Kjo deklaratë e Thaçit duket se është kumtuar me nguti, me qëllim që ajo të jetë në përputhje me qëndrimin e BE-së dhe Uashingtonit zyrtar, edhe pse Thaçi e di fare mirë se krahasimi i Krimesë me Kosovën ka jo vetëm analogji, por ka edhe një histori të ngjashme, të cilën kryeministri me profesion historian, besojmë se e njeh mjaft mirë. Thaçi, madje nga frika se nuk do t iu pëlqente ambasadores amerikane në Prishtinë dhe zonjës Ashton, nuk dha as një deklaratë diplomatike drejtuar kryetarit të Rusisë, i cili publikisht deklaroi se ndien respekt për popullin shqiptar të Kosovës. Kjo ndodhi ndoshta edhe për faktin se Thaçi ka zgjedhur disa këshilltarë butakë, të cilët në vend se ta orientojnë kryeministrin në probleme të caktuara dhe të mprehta politike, para se të japë deklarata publike apo intervista, ata vetëm i bëjnë amin duke e lavdëruar, si gjithnjë me “lepe-peqe”.
Çudi si nuk ia dërgoi me këtë rast këshillën elektronike, kanakari i tij Buzhala, i cili përmes gaztës së tij gati përditë këshillon dhe mëson Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin se si duhet të veprojnë.
Thaçi gaboi rëndë kur tha se, Kosova është krijuar pas gjenocidit të kryer nga Serbia, pasi Serbia largoi me forcë një milion qytetarë nga Kosova. Pas intervenimit humanitar të NATO-s, pas bisedimeve paqësore në Rambouillet, por po ashtu edhe nga dialogu që ka kulmuar [me një marrëveshje] edhe mes SHBA-të dhe Rusinë,”. Kjo do të thotë se pavarësia, tha ai.
Ky formulim i kryeministrit Thaçi, në komentin që i bëri fjalimit të Putinit me rastin e shpalljes së rezultatit të Referendumit të Kuvendit të Krimesë, është i paqëndrueshëm historikisht, sepse problemi i Kosovës ka ekzistuar qysh prej vitit 1912, kur këto troje me ndihmën asokohe të Rusisë dhe të krejt Evropës i okupoi dhe më vonë i aneksoi Serbia. Kosova ishte ndarë, djegur e katandisur nga Aleanca e Shenjtë sllave, në Luftërat Ballkanike, 1912-1913, ashtu sikur edhe viset e tjera shqiptare që përbënin Shqipërinë e katër vilajeteve dhe që më vonë u rrudhën në një shtet, me një të tretën e territorit. Kosova është shkëputur nga Shqipëria, ashtu si Qamëria dhe Ilirida, (Maqedonia e sotme perëndimore) dhe trojet shqiptare në Mal të Zi. Pastaj, Kosova dhe trojet shqiptare (nën ish-Jugosllavinë monarkike) në kohën e Luftës së Dytë Botërore kishte fituar të drejtën e Vetëvendosjes qysh në vitin 1943-1944 me Konferencën e Bujanit, e drejtë kjo të cilën e shkeli Serbia me politikën kolaboracioniste të komunistëve shqiptarë të Kosovës, në gusht të vitit 1945. Kosova kishte një autonomi në kohën e Federatës Jugosllave dhe në vitin 1989 ajo kishte shpallur njëanshëm pavarësinë, të cilën nuk e njohu asnjë shtet i botës veç Shqipërisë. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u bë për ta çliruar Kosovën e okupuar nga Serbia dhe kjo ndodhi falë gjakut të derdhur për liri dhe jo falë konferencave, të cilat nuk iu paraprijnë proceseve dhe zhvillimeve faktike, por i materializojnë ato si rezultat i luftës, fitores apo humbjes.
Banorët e Krimesë nuk kishin arsye të luftonin për t’iu bashkuar Rusisë. Ata nuk kërkuar pavarësi, por bashkim dhe këtë e bënë në mënyrë të ligjshme, me Referendum. Ata e përfillën të drejtën e vetëvendosjes për t’iu bashkuar mëmës Rusi, të vetëdijshëm se nuk ka forcë tjetër në botë që mund t i shkëpusë nga Kremlini, në kohën kur Ukraina po shfaq vullnet për t iu bashkuar BE-së.
Duket se kryeministri ose nuk e ka dëgjuar deklaratën e Vladimir Putinit, ose ia kanë keqinterpretuar këshilltarët fodullë dhe të burokratizuar, ose deklaratën e tillë e ka bërë në unison me BE-në, e cila është shkaktari kryesor i trazirave në Ukrainë që eslakoi në këtë gjendje. Nuk lejon Rusia që një pjesë e saj historike të bashkohet me BE-së e Ashtonit, sepse ajo është një fuqi e madhe e botës, që punët e veta i pleqëron dhe i kryen vetë, pa marrë para sysh se kë e zemëron dhe sa e zemëron.
Putini tha shumë fjalë të mençura, të cilat Thaçi nuk pati guxim t’i komentojë në asnjë segment, thjesht sepse e di fort mirë se ajo e drejtë që ua ka takuar shqiptarëve për t’u ndarë nga Serbia, po ajo e drejtë u ka takuar edhe banorëve rusë të krimesë për t’ u ndarë nga Ukraina, e cila për veten e vetë është ndarë nga Kremilini dhe tani dëshiron t’ i bashkohet BE-së. Po kjo e drejtë për vetëvendosje parimisht i takon edhe Skocisë, Katalonisë, Korzikës, Baskisë, Erdelit, Sanxhakut, Vojvodinës dhe shumë vendeve të tjera. Nuk ka përfunduar procesi i pavarësisë së popujve të shtypur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe Kosova e sapo dalë nga robëria kolonialiste nuk mund t’ia lejojë vetes komoditetin e një shteti që mohon të drejtën e vetëvendosjes për popujt e tjerë, sepse edhe vetë ende nuk është njohur nga gati gjysma e shteteve të botës.
Rusia e ndëshkoi Ukrainën për aspiratën e saj për t’ u bashkuar me BE-së dhe nuk lejoi që edhe rajoni historikisht rus i Krimesë të futet në Evropë, sepse Kremlini nuk “vuan” nga entuziazmi e nostalgjia e krerëve politikë shqiptarë për inkuadrim në BE. Kremlini zyrtar po shpreh rezerva të hapura edhe ndaj përpjekjeve të Serbisë për t’ u inkuadruar në BE. Askush në Rusi nuk e mirëpret inkuadrimin e Serbisë në BE dhe është krejtësisht normale për një fuqi botërore sikur është Rusia, të ketë sa më shumë satelitë si Serbinë. Rasti i Krimesë e ka tronditur Serbinë dhe ajo ende nuk arrin të marrë një qëndrim të caktuar.
Dihen shkaqet kryesore pse Kosova nuk ka marrëdhënie me Rusinë. Po kjo nuk do të thotë se Rusia në të ardhmen të mos e ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës dhe ky ndryshim tashmë duket se ka filluar. Putini për herë të parë përshëndeti dhe përgëzoi shqiptarët e Kosovës dhe nuk tha asnjë fjalë se nuk do ta pranojë pavarësinë për hir të Beogradit. Ai, madje bëri një krahasim shumë kuptimplotë, të cilin Tirana dhe Prishtina zyrtare nuk e gëlltisin dot, sepse për hir BE-së e kanë mohuar bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, dhe kjo është arsyeja pse Tirana dhe Prishtina nuk pajtohen me ribashkimin e Krimesë me Rusinë. Krerët tanë në Prishtinë dhe në Tiranë nuk janë të gatshëm të organizojnë referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërisnë, andaj ata hedhin shqelma kundër Putinit. Kjo është politika pa kokë e dy qendrave shqiptare, të cilat politikat e tyre i perceptojnë njëdimensionalisht, ashtu sikur gjithnjë deri sot.
Diplomacia e Kosovës dhe veçmas ajo e Shqipërisë duhet të tregohet shumë fkelsibile ndaj Rusisë, jo për hir të së kaluarës së përbashkët ideologjike, apo armiqësisë në etapa të caktuara të zhvillimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, por për hir të faktit se Rusia është forcë botërore, e cila po ta pranonte pavarësinë e Kosovës do të ishte baras me pranimin nga të gjitha shtetet e botës. Kremlini ka drejtuar refleksione pozitive në këtë drejtim. Do të ishte anakronike që të mos shfrytëzohet kjo situatë, në kohën kur politika hegjemoniste e Serbisë ka pësuar një goditje të rëndë me rastin e Krimesë.
Pjesë nga komenti i kryeministrit, Hashim Thaçi
“Në asnjë rrethanë nuk mund të krahasohen rastet e Kosovës dhe Krimesë”, tha Thaçi në një intervistë që u mbajt në selinë qendrore të Qeverisë në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës, pak kohë pasi Vladimir Putini ulej për ta pranuar Krimenë në Federatën Ruse.
“As në aspektin ligjor, politik ose historik. Ne nuk i kemi ndryshuar kufijtë, ne i kishim kufijtë tanë më herët. Kosova është krijuar pas gjenocidit të kryer nga Serbia, pasi Serbia largoi me forcë një milion qytetarë nga Kosova. Pas intervenimit humanitar të NATO-s, pas bisedimeve paqësore në Rambouillet, por po ashtu edhe nga dialogu që ka kulmuar [me një marrëveshje] edhe mes SHBA-të dhe Rusinë,” tha ai. Kjo do të thotë se pavarësia e Kosovës është krijuar pas negociatave që u mbajtën pas luftës. Andaj, krahasimet mes Kosovës dhe Krimesë nuk janë aspak të qëndrueshme”.
Ragip Rugova: Evropa anakronike
Lufta e UÇK-së dhe e popullit të Kosovës ishte një rezistencë e Davidit kundër Goliatit. Raporti i forcave i përngjante një beteje krejt të pabarabartë në raportin e forcave. I mbështetur për mur, në luftë për jetë a vdekje, populli i Kosovës ka bërë rezistencë në tokë të veten: në Kosovë dhe jo në territor të Serbisë. Nuk është shënuar as një rast i vetëm, as më i vogli incident ku do të ishte shkrepur as edhe një plumb i vetëm jashtë kufijve të Kosovës! E tëra ishte zhvilluar në tokën tonë; nëpër fshatra dhe qytete tona; nëpër oborre dhe shtëpia tona! Kundër një tirani pakrahasueshëm më të fuqishëm; kundër një tirani me zemër hiene që nuk kurseu fshatra, qytete, civilë, pleq, gra dhe fëmijë…
Perëndimi këtë fare mirë e dinte dhe e di! Prandaj, edhe ndërmori fushatën e bombardimit për të cilën ne i jemi përjetësisht mirënjohës. Pastaj edhe zbarkuan në Kosovë dhe që 15 vite janë këtu me neve duke na ndihmuar që të marrim këmbët si shoqëri dhe si shtet.
Për dyshime që kanë patur për krime që mund t’i ketë bërë pala kosovare gjatë luftës, në Hagë janë ftuar edhe njerëzit tanë… Disa prej tyre madje edhe nga dy herë! Dhe, përveç të dy-tri rasteve të veprave relativisht të lehta, njerëzit tanë janë gjetur të pafajshëm! Është dëshmuar se lufta e jonë ka qenë një luftë çlirimtare dhe e si e tillë e pastër dhe e drejt.
Ndërkohë janë hedhur dyshime të reja të iniciuara nga Serbia së cilës si duket nuk i është dërguar mesazhi i duhur dhe i plotë për krime që ka bërë në Kosovë. Janë iniciuar dyshime dhe janë mbështetur tutje nga klane dhe individë të fuqishëm që personifikojnë një Evropë anakronike e cila sikur nuk i ka vënë pikë kampanjës së antiamerikanizmit të heshtur, tinëzisht të zhvilluar gjatë dy dekadave të fundit të shekullit që lamë pas. Evropë anakronike e cila sikur nuk mundi t’i harrojë miqësitë e vjetra që kishte me Jugosllavinë që u zhduk në flakë të luftërave të përgjakshme të zhvilluara kundër saj nga mu kjo Serbi; e cila edhe kur e dha pëlqimin për fushatë bombardimi kundër Serbisë e bëri këtë me gjysmë goje duke i bërë madje edhe obstruksione gjatë zhvillimit të saj; e cila me oportunizëm të saj karakteristik i la Serbisë hapësirë pikë së pari morale, pastaj edhe politike dhe mediale që gjatë dhe pas përfundimit të fushatës së bombardimit të vazhdojë të mbajë kokën lartë, madje edhe të iniciojë padi dhe fletë-ndjekje ndërkombëtare kundër burrështetasve perëndimorë të cilët e udhëhoqën fushatën.
Një mbështetje e tillë që ia dha kjo Evropë anakronike Serbisë, një Serbie po aq anakronike sot sa ishte edhe dje, të udhëhequr sot nga shumë sish që e inspiruan dhe e udhëhoqën luftën e saj dje, bëri që – në vend se të merr dënimin e plotë për gjenocid që ka ushtruar në hapësira të ish Jugosllavisë dhe në Kosovë – Serbia të pretendojë, të arrijë të imponohet dhe të fitojë statusin e një gjoja partneri dhe hisedari, me kinse kontribut të saj në ndërtim të paqes në këto hapësira. Mbështetje kjo e cila – në vend se ta bëjë të turpërohet dhe të ulë kokën – ia mundësojë Serbisë xhelate që sërish të pretendojë të aktrojë viktimën dhe të kërkojë satisfakcion duke iniciuar dyshime dhe akuza për krime të cilat na qenkan bërë kundër saj dhe jo kundër viktimave të saj anembanë hapësirave të ish Jugosllavisë dhe Kosovës.
Është mu kjo Evropë anakronike e cila edhe sot pas dekadave të zhdukjes së Jugosllavisë nga skena historike i jep zor dhe bën dredhi nga më të ndryshmet që ta ringjallë dhe ta rikthejë atë në një a tjetër trajtë në këto hapësira.
Nëse kjo Evropë anakronike pretendon se nuk janë qartësuar të gjitha dyshimet për krime lufte të bëra në Kosovë, atëherë le t’ia vazhdojë mandatin Gjykatës ekzistuese në Hagë. Nëse këtë nuk mund ta bëjë për çfarëdo arsye, le t’i procesojnë dyshimet eventuale nëpër gjykata ekzistuese në Kosovë. Nëpër gjykata dhe prokurori të cilat ajo vet i ka formuar. Në të cilat ka ndikim të fuqishëm, ku ka njerëzit të vet, gjykatës dhe prokurorë të numërt… Janë këtu vet, prezentë dhe operativë me kontingjent të fuqishëm policor, hetues dhe ligjvënës… Le të urdhërojnë, le t’i procesojnë dhe le t’i sqarojnë dyshimet eventuale këtu në Kosovë dhe jo jashtë saj.
Çdo insistim i tyre për krijim të një gjykate të posaçme për Kosovën jashtë territorit të Kosovës, s’do të ishte gjë tjetër veçse tentim i krijimit të baraspeshës së fajësisë mes Kosovës dhe Serbisë. S’do të ishte gjë tjetër veçse shtyrje përpara të një agjende me motive puro politike për vendosje të një baraspeshe të “krimit” mes “palëve të përfshira në konflikt” – si kanë qejf ta quajnë luftën e përgjakshme që ka zhvilluar Serbia në Kosovë. S’do të ishte gjë tjetër veçse përkëdhelje për Serbinë në dritë të proceseve integruese të saj në EU dhe tutje në ato euro-atlantike; në funksion të realizimit të kushedi se çfarë aranzhmaneve tjera të dakorduara me Serbinë që ende nuk kanë dalë sheshazi në publik të gjerë…
Çdo insistim i tyre për krijim të një gjykate të posaçme për Kosovën dhe jashtë territorit të Kosovës, do të kishte për synim që palës Kosovare t’i vritet ora dhe ti shafitet krenaria për një rezistencë vetë-mbrojtëse dhe çlirimtare që ka bërë… Do të kishte për synim lëshimin pe dhe koncesione të reja – pos këtyre që ka bërë gjer tani – që do t’i kërkoheshin në rrugë të saj të gjatë të proceseve integruese… Dhe, për sendërtim të kushedi se çfarë agjende politike dhe tjetër fare, që me imponim të ndjenjës së fajësisë do të synohej të realizohet në Kosovë ose nëpërmes një Kosove kokë ulur dhe të turpëruar.
Përndryshe, nëse mbrapa presioneve për një gjykatë speciale për Kosovën me seli jashtë Kosovë nuk ka agjendë të fshehtë me motive politike, atëherë pse një gjykatë e tillë, açik asaj të Hagës, nuk u krijua fillimisht për Serbinë!?! Mos duan të na bindin se janë zbardhur të gjitha krimet që ka bërë Serbi, dhe se janë sjellë para drejtësisë të gjithë kryesit e krimeve makabre që bëri aparati vrastar i Serbisë në Kosovë?! Dhe se nuk ka mbetur gjë të hetohet dhe të gjykohet më atje, por tani duhet të hetohen krimet që kinse paska bërë pala Kosovare?! Nëse Gjykata e Hagës paska qenë e mjaftueshme për Serbinë, atëherë e njëjta gjykatë le të jetë e mjaftueshme edhe për Kosovën! Ose, nëse një gjykatë e tillë fillimisht nuk krijohet për Serbinë, atëherë le të mos krijohet as për Kosovën!
Por jo! Po kërkohet një ad hock gjykatë për Kosovën! Kësaj kërkese nuk i vie era klithmë për drejtësi. Kjo kërkesë kundërmon në politikë. Qelbet madje nga kundërmimi i rëndë politik! Ja se pse Parlamentit dhe Qeverinë e Kosovës duhet dhënë mbështetje të plotë në kundërshtim të kërkesës për krijim të një ad hock gjykate për Kosovën dhe jashtë territorit të Kosovës!