Pavarësisht retorikave bombastike, si ato të Xhelal Sveçlës, të përkrahura edhe nga kryeministri, Albin Kurti, Qeveria e Kosovës më në fund është tërhequr nga vendimi për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë.
Vendimi për shtyrjen e vendosjes së reciprocitetit thuhet se u mor pas kërkesës së ambasadorit amerikan, në Prishtinë, Xhef Hovenier. “Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër bllokimin e sotëm të rrugëve në veri të Kosovës dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje. Bëhet fjalë për tendencë për destabilizimin e Kosovës dhe rrezikimin e paqes dhe sigurisë së qytetarëve dhe vendit tonë. Akte agresive të shumta janë të nxitura e të përgatitura nga Beogradi zyrtar. Kjo deklaratë e Qeverisë, për shtyrje të afatit, është një rast për blerje kohe, pasi dihet fare mirë se marrëveshjen për reciprocitet me Serbinë, Kosova nuk është në gjendje ta vendos, edhe pse Albin Kurti me këtë kauzë kishte fituar zgjedhjet, por deri tani është përmbajtur për ta aplikuar.
Nuk është momenti as situata e volitshme, që Kurti e Sveçla të tregojnë muskujt, sepse e dinë fare mirë sa vlejnë vendimet e tyre, por vendimi i tillë sado i drejtë, bie ndesh me projektin për krijimin e Asociacionit, apo “zajednicës” serbe, e cila sot e ka shpallur fillimin e funksionimit në veriun e Kosovës.
Nuk është kjo hera e parë që Qeveria e Kosovës i jep penalti vetvetes, pasi serbët presin në pritë dhe në raste të tilla përfitojnë nga status-quoja.
Por kjo është ajo që e mbanë me paterica në këmbë, Qeverinë e Kosovës e Vetëvendosjen në rrugë për të realizuar premtimet, sepse vitet po ikin dhe asnjë prej tyre nuk është përmbushur.
Është fakti i njohur se Serbia kërkon nga Kosova kompromis në bisedime, se kompromisin si alternativë e përkrahin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe këtë e kanë konfirmuar e rikonfirmuar sa e sa herë. Këtë e kërkon edhe Brukseli zyrtar. Kjo është kërkuar edhe nga qeveritë e kaluara. Dhe për më keq, Serbia është në pozicion shumë më të favorshëm në këtë drejtim, sepse ka prapa përkrahjen e pakursyer të Rusisë, por edhe të BE-së e shumë shteteve të Evropës e më gjerë.
Nuk duket që Albin Kurti të jetë mendjelehtë si Xhelal Sveçla, i cili merr turr, por tërhiqet prapa edhe më me turr.
Reciprocitetin e vërtetë me Serbinë e ka realizuar vetëm ish kryeministri, Ramush Haradinaj, dhe ai reciprocitet në tregti e ekonomi ka pasur vlerë shumëfish më tepër sesa projekti i Kurtit për reciprocitet, duke i lutur serbët që ta pranojnë dokumentet personale të Kosovës.
Ndërkohë bëhet e ditur se ka reaguar edhe Kremlini zyrtar duke konsideruar se tensionet në Kosovë kanë marrë hov pas vendimit të autoriteteve në Prishtinë, për të detyruar serbët vendorë që t ‘ i pranojnë dokumentet personale të Kosovës. Kjo ka bërë që serbët lokalë të vendosin barrikada në pikat kufitare të Jarinjës dhe Bernjakut. “Rusia qëndron plotësisht pranë Serbisë në mosmarrëveshjen me Republikën e vetëshpallur të Kosovës dhe insiston se të drejtat e serbëve duhet të garantohen me një rezolutë për këtë konflikt”, tha sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Zëdhënësi i Kremlinit tha gjithashtu se Moska beson se vendet perëndimore që kanë njohur pavarësinë e Kosovës duhet të përdorin të gjithë ndikimin e tyre për të paralajmëruar autoritetet në atë vende që të mos ndërmarrin asnjë hap të pamatur që mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve. Ne mbështesim qëndrimin paqësor, konstruktiv të Beogradit në atë kontekst, thirrjet për paqe të bëra nga Presidenti i Serbisë”, tha Peskov.
Kjo deklaratë e Kremlinit zyrtar nuk është thjesht një retorikë, por është një kërcënim i drejtpërdrejtë, për ata që kanë sy të shohin e veshë të dëgjojnë.
Rusisë i intereson shumë zgjerimi i konfliktit sidomos në Ballkan, ku NATO-ja është e pranishme por thuajse në të gjitha Shtetet përveç në Serbi e Bosnje-Hercegovinë.
Andaj në këtë situatë, përdorimi i kartës së reciprocitetit duket veprim aventurier, pavarësisht se parimisht të gjithë shqiptarët në Kosovë e më gjerë e përkrahin këtë të drejtë të natyrshme, por e cila është dardhë që e ka bishtin prapa.
Serbia me përkrahjen e vazhdueshme të Rusisë, do të përfitojë nga situata, sepse ajo e di fare mirë se prapa e ka edhe Brukselin zyrtar. Nuk janë vetëm parulla koti afishimet e sotme të serbëve në katër komunat me shumicë serbe në veriun e vendit, për fillimin e jetësimit të Asociacionit me kompetenca ekzekutive, ashtu sikur edhe është nënshkruar në Marrëveshjen e Brukselit nga delegacionit e Kosovës dhe Serbisë, gjashtë vjet më parë.
Tani për tani, një muaj afat për Qeverinë Kurti nuk është pak për t u këndellur dhe për të vepruar me maturi dhe jo me turrin e Xhelalit, për të treguar muskujt nga zyra e Ministrisë së Brendshme.