RKL: Qeveria e Kosovës nuk ka kompetenca për t’ i mbrojtur qytetarët e vet, aq më pak luftëtarët e çlirimtarët e vendit

Deklarata shqetësuese dhe e indinjuar e Qeverisë së Kosovës lidhur me shpalljen fajtor dhe dënimin e tre luftëtarëve të lirisë: Rrustem Mustafa, Latif Gashi dhe Nazif Mehmeti, eprorë të njohur të luftës sonë çlirimtare dhe fitimtare, edhe njëherë nxori në sipërfaqe, mungesën e autoritetit dhe të fuqisë ekzekutive të institucioneve tona, të cilat nuk mund të ushtrojnë kurrfarë ndikimi, madje as ndikim institucional te organet e “drejtësisë”( të cilat janë nën protektoratin e EULEX-it,) me qëllim që ato organe, të mbështeten në fakte e argumente dhe jo në deponimet e zyrtarëve të një regjimi fashist dhe kriminal, regjimin e të cilit e kishte satanizuar bota demokratike e përparimtare dhe e kishte ndëshkuar me bombardime nga ajri NATO-ja, në mars, prill, maj e qershor të vitit 1999.

Nuk është e largët koha kur kryeministri, Hashim Thaçi me të drejtë kishte shkarkuar drejtorin e doganave të Kosovës, i cili kishte lejuar të hynin në vend disa kamionë të huaj, të ngarkuar me dhjetëra tonë lëndë helmi, dhe vetëm një javë më vonë organet vendimmarrëse të EULEX-it kthyen në punë drejtorin Huruglica, i cili edhe sot e kësaj dite ushtron po të njëjtën detyrë. Dhe ky drejtor, shqiptar, nuk shprehu të paktën një akt moral, me të cilin do ta përfillte vendimin e Qeverisë së vet, por veproi duke iu bindur EULEX-it, për arsye që vetëkuptohen. Nuk është i panjohur as edhe fakti se EULEX-i, me pëlqimin e Beogradit i poston në vendet kyçe gjyqtarët, prokurorët, kryepolicët, madje edhe disa nga zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, të cilët duke i kryer shërbime protektorëve ndërkombëtarë, u kryejnë shërbime edhe atyre, të cilëve u kanë shërbyer me besnikëri për shumë e shumë vjet.
Qytetarëve liridashës të Kosovë natyrisht se u vjen keq, që Qeveria e vendit nuk ka kurrfarë kompetencash, sa i përket mbrojtjes së vlerave të luftës së UÇK-së dhe në këtë drejtim janë të rrezikuar edhe disa nga vetë krerët e institucioneve, sepse Serbia dhe EULEX-i tashmë kanë fituar oreks dhe nuk do të ndalen me kaq. Ata i kanë hapur dosjet e kohës së Milosheviqit, dosje, në të cilat, të gjithë çlirimtarët e Kosovës konsiderohen “terroristë” dhe janë paditur për krime lufte.
Në emër të shtrirjes së “sundimit të ligjit” misionarët proserbë të Evropës do të godasin të gjitha shtyllat morale e kombëtare të Kosovës, me qëllim që, në vendin tonë të krijohet një identitet i ri i njerëzve, të liruar nga ndjenjat e përkatësisë dhe të historisë së tyre, e cila jo rastësisht afishohet nëpër enciklopeditë e fqinjëve sllavë si histori e njerëzve të egër. Dhe Evropa e “qytetëruar” ka ardhur këtu, e paftuar për të na “zbutur”, meqë Serbia nuk arriti të na “zbusë” apo të na asimilojë.
Evropa do të bëjë përpjekje të na ndërrojë identitetin, me qëllim që serbët të mos kenë frikë nga nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptar dhe me qëllim që shqiptarët të ndëshkohen si komb, në përgjithësi, për shkak të qëndrimit të tyre shumë proamerikan dhe për shkak të besimit të tyre fetar.
Qëllimi i angazhimeve të misionit EULEX, në Kosovë tashmë po qartësohet. Lidhja miqësore e këtyre qarqeve me Beogradin nuk është më lidhje e fshehtë, por është një lidhje e fortë, me protokolle në të gjitha segmentet e sigurisë, “drejtësisë”, kufirit, doganave dhe territoreve të kishave e manastireve serbe, është një lidhje legale dhe e orientuar krejtësisht kundër perspektivës së Kosovës dhe popullit shqiptar. Kjo që themi, nuk është vetëm një zbrazje e revoltës momentale, apo fillimi zbrazjes së zemërimit të grumbulluar 10 vjeçar kundër protektorateve moderne të Evropës e botës, por është një realitet që po ndodh përditë para syve tanë, nëpër gjykata, në Mitrovicën e Veriut, në enklavat serbe.
Duhet përmendur edhe një fakt të pamohueshëm me këtë rast se qysh prej vendosjes së EULEX-it në Kosovë, ka stagnuar edhe procesi i njohjes së pavarësisë nga shtetet e botës, meqë është krijuar bindja se EULEX-i po punon në drejtim të rifillimit të procesit të bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, lidhur me përcaktimin e statusit të vendit tonë.
Dihet tashmë botërisht se ky mision është indiferent dhe i pa përcaktuar ndaj pavarësisë së Kosovës dhe mu për këtë edhe po vepron, në mënyrë që kjo pavarësi të degradohet sa më shumë, me qëllim që në dhjetor të këtij viti, kur do të fillojë shqyrtimi i legjitimitetit të shpalljes së pavarësisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Kosova të mos ketë më kurrfarë mbështetje.
Shtrirja e EULEX-it në veri të Kosovës nuk është bërë me qëllim që kjo pjesë e humbur e vendit të rikthehet nën administrimin e Kosovës, por me qëllim që ajo të forcohet dhe të legjitimohet nën administrimin e Qeverisë së Beogradit. Jo rastësisht misioni evropian ka ndaluar, sa e sa herë deri tani, ndërtimin e pesë shtëpive të shqiptarëve në veri të vendit, duke arsyetuar me faktin se kthimi i shqiptarëve në trojet e tyre po zemëruaka serbët vendorë, të cilët po mund ta rrezikuakan sigurinë e vendit.
Veprime e tilla të EULEX-it nuk kanë gjetur mbështetjen e Qeverisë së Kosovës, edhe pse Qeveria jo vetëm njëherë ka treguar oportunizëm dhe luhatshmëri lidhur me disa veprime të tilla. Megjithatë, forcat liridashëse në Kosovë tashmë po e kuptojnë mirëfilli qëndrimin antishqiptar të EULEX-it, i cili po e udhëheq këtë mision në drejtim të shpërbërjes së shtetësisë së vendit tonë.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …