RKL

RKL: Qeveria që rrit 100 % pagat, abuzon me paranë publike duke thelluar edhe më tej papunësinë… shifra e fakte

Kryeministri, Ramush Haradinaj, ditë më parë  ka folur për ikjen e të rinjve nga Kosova. Sipas tij  është e arsyeshme që qytetarët që nuk kanë një vend të punës në Kosovë, të kërkojnë në vendet e tjera, si në Gjermani apo në Zvicër. Detyra jonë është që të bëjmë më shumë vende pune, thotë kryeministri por nuk ofron asnjë shifër zyrtare për vende të reja të punës, prej kohë kur ka marrë timonin e Qeverisë së vendit. Sipas tij  më e mirë qenka  insistimi në zbatimit të politikave, për zhvillimin ekonomik,  por nuk ka folur sa qindra milionë euro të buxhetit të Kosovës shpenzohen për rritjen 100 për qind të pagave të zyrtarëve për shpenzime të qeveritarëve, shpenzime në të gjithë sektorët qeveritarë,  të cilat po të investoheshin në realizimin e projekteve ekonomike do të hapeshim dhjetëra mijëra vende të punës. Për veprime të tilla ka reaguar edhe Fondi Monetar Ndërkombëtarë duke tërhequr vërejtjen për rritjen qind për qind të pagave dhe jo në investime për hapjen e vendeve të punës.

Kosova ka numrin më të madh të ministrave, madje krahasuar edhe me vendet më të mëdha e më të fuqishme të botës. Pagat e zyrtarëve të lartë shtetërorë edhe ashtu konsiderohen të lartat në rajon. Paga e kryeministrit të Kosovës është 2950 euro në muaj, zëvendës-kryeministrave 2,500 euro, ministrat në qeverinë e Kosovës pagë mujore kanë 2,000 mijë euro, kurse zëvendës-ministrat që janë rreth 80 pagë mujore marrin 1,150 euro në muaj, po aq sa marrin edhe sa e sa të quajtur koordinatorë. Vetëm për udhëtime jashtë shtetit Qeveria ka shpenzuar rreth 13 milionë euro.

Të gjitha statistikat zyrtare konstatojnë se Kosova është  vendi me shkallën më të lartë të papunësisë në Evropë, por zyrtarë të lartë të institucioneve shtetërore, të cilët prijnë për kah pagat e larta, nuk e kanë problem të sigurojnë dhe mbajnë 2 e më shumë vende pune, apo ka edhe raste kur një zyrtar ka tetë vende pune. Sipas raportit të fundit të Publikuar nga Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, thuhet se janë identifikuar 1873 zyrtarë të lartë publikë që ushtrojnë më shumë se një funksion. Sipas agjencisë, një zyrtarë i lartë ushtron tetë funksione, 2 persona kanë nga shtatë pozita të ndryshme, po ashtu 2 zyrtarë të tjerë mbajnë gjashtë vende pune, 13 zyrtarë mbajnë për të njëjtën kohë 5 funksione, 37 të tjerë gëzojnë katër puna të ndryshme, me nga tre pozita janë 366 zyrtarë, kurse me nga dy funksione në Kosovë janë 1451 zyrtarë të lartë shtetërorë.

Arsyetimi gjakftohtë i krye-qeveritarit, Haradinaj, se kujt nuk i rrihet në Kosovë, apo kush gjen më mirë le të shkojë në Zvicër, në Gjermani dhe ku  të dojë, është arsyetim krejtësisht i papërgjegjshëm, sepse paraja publike që shpenzon ai dhe kabineti i tij nuk është pronë private, por janë taksat tona, taksat e çdo qytetari të Kosovës, me të cilat funksionin Shteti, por jo vetëm qeveritarët, sepse i paska zgjedhur populli për të na qeverisur, sepse qenkan më të mirët dhe sepse partia të cilën ai e drejton u dashka që krejt anëtarët e vetë ti zë me punë.

Kjo logjikë e papërgjegjshme, në një kohë tejet kritike për vendin, jo vetëm thellon ndasinë e përçarjen por akumulon  me vete një zemërim popullor, i cili nëse shpërthen një ditë, dhe nuk ka çare pa shpërthyer, vështirë është të prognozohet se cilat do të jenë pasojat e atij zemërimi.

Keqqeverisja, abuzimet me paranë e taksapaguesve, shkatërrimi i pronave publike, tjetërsimi, plaçkitja, vjedhja në nivele të larta, korrupsioni në çdo pore të shoqërisë, papunësia galoponte, zënia me punë vetëm e militantëve të partisë, dhe shumë më tepër e anëtarëve të AAK-së, dhe të gjitha llojet e keqpërdorimeve, të cilat as mund të shënohen, janë shkaku i ikjes nga vendi, i të gjithë atyre që ia dalin të ikin me sukses dhe të gjejnë një punë duke pastruar kanalet publike diku, në ndonjë vend të shteteve të Evropës.

Kjo pozitë e stërkequr sociale me pasoja në rritje nuk rregullohet me konstatime, nuk rregullohet me pasurimin deri në pakufi të një klase të pasurish mbi kurriz të atyre që nuk kanë, atyre të cilët jetojnë me minimumin jetësor, njëjtë me popujt e shfrytëzuar të Afrikës apo vendeve më të varfra të botës. Kjo klasë politike me këtë mendësi të qeverisjes, po e shkatërron perspektivën e brezave, të cilët  në pamundësi për t’u organizuar, meqë përnjëherë quhen “argatë të Serbisë”, natyrisht se rrugën më të lehtë të mbijetesës e projektojnë në ikje nga vendi, por ja që edhe ikja është shumë e vështirë, në mungesë të liberalizimit të vizave, në një vend ku po shuhet klasa e mesme, e cila është baza e zhvillimit shoqëror dhe po distancohen vetëm shumë të pasurit dhe shumë të varfrit.

Se cila është gjendja faktike e keqqeverisjes në vend dhe cilat janë pasojat e asaj keqqeverisjeje, këtë gjendje në disa segmente e ka analizuar edhe   kryeprokurori i Kosovës, Aleksandër Lumezi. Ai ka  thënë se gjatë vitit të kaluar prokurorët e shtetit kanë treguar efikasitet të lartë, duke zgjidhur në total mbi 74 mijë  dosje penale të natyrave të ndryshme, të cilat kanë pasur në fokus veprat penale të korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit, krimet e luftës, krimet ekonomike, vrasjet, trafikimit të qenieve njerëzore, dhunës në familje, trafikimit të drogës dhe shumë vepra të tjera penale. Gjithashtu, kreu i institucionit të Prokurorit të Shtetit, ka theksuar se janë ngritur akte akuzuese kundër deputetëve, ministrave, ish-ministrave, zëvendës- ministrave, kryetarëve të komunave, drejtorëve të ndërmarrjeve publike, Komisionit qeveritar për njohjen e statusit të veteranëve të luftës, zyrtarëve policorë dhe zyrtarëve të tjerë shtetëror. Sipas Lumezit, prokurorët dhe policët hetues kanë dërguar porosi të qarta për të gjithë kryerësit e veprave penale dhe grupet kriminale se nuk mund të vihen mbi interesat e shtetit dhe, herët a vonë, sa herë që e shkelin ligjin do të përballen me drejtësinë.

Mbi 500 milionë  euro ka shpenzuar Qeveria e Kosovës në subvencione dhe transfere gjatë vitit 2018, duke rritur shpenzimet për këtë kategori për 10 për qind. Nga 508 milionë e 316 mijë euro sa ishin shpenzuar në vitin 2017, për këto linja buxhetore, shpenzimet janë rritur në 558 milionë e 778 mijë euro. Pjesa më e madhe e shpenzimeve është për pensionet bazë, pensionet kontribut-dhënëse, pensionet për veteranët e luftës dhe ato për invalidë të luftës. Bazuar në raportin e shpenzimeve për vitin 2018, të përgatitur nga Ministria e Financave, për pensionet bazike të 126.888 pensionistëve janë shpenzuar 116 milionë e 317 mijë euro. Për pensionistët kontribut-dhënës, numri i të cilëve sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës është 45.391 janë shpenzuar 95 milionë e 500 mijë euro. Nga buxheti i shtetit marrin pension familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës, numri i të cilëve arrin 13.138. Shuma për këtë kategori që është shpenzuar gjatë vitit të kaluar është rreth 41 milionë euro.

Nga paratë e taksapaguesve janë shpenzuar rreth 76 milionë e 416 euro për pagesat e 38 mijë e 345 veteranëve, edhe pse ligjërisht është konstatuar  trefishimi i numrit të veteranëve. Të gjithë e dinë se ky numër është fryrë skajshëm nga qarqet të caktuara që lidhen me partitë politike,  duke shpallur veteranë edhe  ata që nuk kanë qenë fare pjesë e luftës,  me qëllim përfitimi i të votave në zgjedhje dhe Qeveria në vend se ta stopojë këtë veprim antiligjor, nuk lejon që Gjykata të marrë vendim konform ligjit, me qëllim për të stopuar përkohësisht pagesat, derisa të definohet numri i saktë dhe i dokumentuar i veteranëve.

Me veprime të tilla të kundërligjshme, me shpenzimin vend e pa vend të parasë publike, duke stimuluar ata që kanë, dhe duke i degdisur nëpër botë ata që nuk marrin asnjë kacidhe,  po thellohet skajshëm pabarazia sociale.

Kjo gjendje e agonisë sociale krijon grupe e klane të hajnave, banditëve, plaçkitësve, manipulatorëve, falsifikuesve, vrasësve, rrëmbyesve, kriminelëve, trafikantëve,  të cilët për 10 vitet e fundit janë qindfishuar dhe jetën e qytetarëve në vend e kanë bërë tejet të pasigurt. Nuk ka fshat në Kosovë që nuk i ka bandat e hajnave të organizuar, madje nga dy e tri syresh. Nuk ka qytet, që nuk i ka bandat e zhvatësve, kriminelëve, vrasësve me pagesë, uzurpatorëve, plaçkitësve, të cilët disa herë i kanë  fijet e tyre të lidhur ngushtë me politikanë të caktuar, përmes sekserëve të tyre, tek të cilët në rast të zbulimit, këpusin lidhjet,  me qëllim për të kursyer bosët.

Logjika e mbrapshtë, se më mirë është të lejohet dhe të lulëzojë krimi sesa të parandalohet, po na shpie buzë greminës. Kronika e zezë, e përditshme,  ilustron më së miri gjendjen që mbretëron në shoqërinë shqiptare në përgjithësi, por veçmas në Kosovë, meqë këtu kemi edhe probleme të rënda dhe tejet delikate me Serbinë, BE-në dhe presionin e bashkësisë ndërkombëtare, për një zgjidhje tjetër të marrëveshjes me kompromis që tejkalon kompromiset e deritanishme, madje edhe vetë kompromis-pakon e Ahtisarit.

 Prishtinë

  1. 4. 2019

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …