RKL: Ranë armët në krah të FSK-së dhe u pamë

 


Komandanti i KFOR-it, gjenerali Markus Bentler ka suspenduar marrëdhëniet me FSK-në, por nuk pranon se këto marrëdhënie i ka ngrirë. Ai ka shtuar me këtë rast se suspendimi nuk do të thotë domosdo  edhe ndëshkim. Procesi i suspendimit do të zgjasë, ka sqaruar Bentler, duke lënë të kuptohet se ky guxim i eprorëve dhe pjesëtarëve të FSK-së nuk do të përsëritet më kurrë, dhe FSK-istët duhet ta kuptojnë dhe të binden definitivisht se, as janë, as do të jenë ushtarë të Kosovës, por vetëm një forcë civile e sigurisë së vendit për raste emergjente.


Prezantimi me armë zjarri në një manifestim të organizuar më 5 mars, 2010 nga institucionet më të larta të vendit,  edhe pse pa fishekë dhe pa shkrepje “hava”, sikur ndodh zakonisht në ceremoni të tilla “shtetërore”, ka mjaftuar që Komanda e KFOR-it, Zyra e NATO-s, kreu i Zyrës Civile Ndërkombëtare të reagojnë jashtëzakonisht ashpër, për qëllime që vetëkuptohen. Dhe ky reagim virulent, me shprehje të një urrejtjeje  të pa treguar deri tani nga eprorët e KFOR-it, tregon se Forcat e “NATO-s”që e paskan “çliruar” Kosovën, nuk e kanë bërë këtë për t’ia ndërtuar edhe ushtrinë asaj, edhe pse në fjalimet e tyre pompoze para kamerave, krerët tanë nuk hezitojnë të rrëfejnë se kjo forcë po stërvitet nga NATO-ja, për të qenë partnere e saj. >>>


Ku janë tani ata eprorë prepotentë dhe mendjemëdhenj të FSK-së që nëpër akademi përkujtimore për dëshmorët e kombit, shpërvjelin krahët dhe tërë bujë e pompozitet deklarojnë se ne jemi ushtria e Kosovës, dhe partnerë të NATO-s.


Përse tani nuk e tregojnë trimërinë e tyre?


Përse ata nuk japin dorëheqje kolektive, nëse thuhet botërisht se kurrë nuk do të jenë ushtarë të Kosovës, të paktën jo si FSK?


Përse hesht komandanti i kësaj force?


Përse hesht ministri i kësaj force?


Ku është guximi i tyre si trima shembullor të UÇK-së dikur?


Ku është betimi i tyre?


Vetëm një zë i vetmuar u dëgjua nga zëvendës-kryeministri i Kosovës,  Hajredin Kuçi i cili lidhur me këtë “mosmarrëveshje” të niveleve relevante ka deklaruar:“Askush nuk mund të kërkojë nga Kosova që ajo të mos sillet si shtet sovran. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, dhe si shtet i tillë ka edhe institucionet e veta, përfshirë edhe FSK-në”. Do të dëshironin që Qeveria e Kosovës, t’i përmbahet këtij prononcimi publik.


A thua se edhe sovraniteti i Kosovës po shpërfillet njësoj sikur armët pa fishekë të FSK-së?


A thua edhe kjo pavarësia e kushtëzuar nuk paska qenë tjetër veçse një si shpikje inteligjente ndërkombëtare, për ta mbajtur popullin nën delirin e lirisë dhe pavarësisë dhe për ta pacifikuar Kosovën kryengritëse, e cila falë trimave dhe trimëreshave të UÇK-së i këputi prangat e robërisë serbe, por ra në kurthin e prangave pushtetare, politike e ushtarake të Evropës.


Duke u bazuar në këto zhvillime, pastaj duke marrë parasysh reduktimin e numrit të forcave të KFOR-it dhe një ditë largimin e tyre definitiv nga Kosova, shtrohet pyetja, se në cilën pozitë mbrojtjeje dhe të sigurisë së vendit do të mbetet shteti i Kosovës?


Në anën tjetër, Serbia ka ngritur një bazë të fortë ushtarake në kufi të Kosovës, ajo kërcënon, shantazhon, ndërsa të parët e politikës dhe të fesë në Serbi ftojnë për luftë të re dhe për dëbimin e asgjësimin e të gjithë shqiptarëve, bëjnë “be e rrfe” se kurrë nuk do ta pranojnë pavarësinë e saj edhe kështu si është, gjysmake dhe me paterica.


Ranë armët e FSK-së nga krahët e  tyre dhe gjërat dolën sheshit.


FSK-ja mund të quhet dhe të vetëquhet ushtri, madje edhe partnere e NATO-s, por pa armë, sepse të parët e Kosovës  dhe këta të FSK-së e kanë nënshkruar Planin e Ahtisarit, të cilin madje e quajnë edhe “Bibël e Kur’an”, ndërsa në atë plan parashihet që shteti i Kosovës të mos ketë ushtri, të mos mbrojë kufijtë e vetë, të mos ketë ulëse në OKB. Andaj, ranë armët e FSK-së dhe iu hoq  peta lakrorit. Nuk mund të jetohet gjithnjë duke i bërë qejf vetes, apo duke e gënjyer veten, apo duke rrahur gjoks për trimëri, kur e konsideron veten ushtar dhe oficer të Kosovës, por nuk je gjendje ta kesh qoftë edhe një revole, qoftë ajo si pushkallë, pa lejen e KFOR-it apo të Policisë.


Liridashësit e vendit, veteranët  e vërtetë të UÇK-së (dhe jo ata që erdhën pas mbarimit të luftës dhe e dyfishuan numrin), invalidët, familjarët e dëshmorëve dhe forcat e dëshmuara kombëtare, duhet të mendojnë më thellë dhe të përgatiten për sfida të reja, nëse duan që liria dhe pavarësi ta kenë vlerën dhe kuptimin e vërtetë.


 


Hajrudin S. Muja: KOHA E MASKARENJVE


 


Mediet shqiptare gjithmonë të gatshme për të bërë ‘zhurmat e luanit’ për akuzat banale të rrezikut të ‘radikalizimit dhe fondamentalizmit islamik’ në Kosovë, edhe kësaj radhe lajmëruan opinionin publik për ‘aktivitete të dyshimta’ të hoxhës Kastriot (Xhemail) Duka (nga Elbasani), me shërbim në xhaminë e ndërtuar pas luftës, në fshatin Marine të Komunës së Skënderajt. Si përfundim, hoxha u arrestua dhe u përzu nga Kosova pa të drejtë kthimi, xhamia u mbyll me vendim ekzekutiv kurse xhemati u nda në ‘pro’ dhe ‘kundër’. Pro janë nevojtarët që hoxha, përmes shoqatës “Rahma Mercy” i ndihmonte, dhe kundër ata të cilët e akuzojnë se ua merrte fëmijët dhe u mësonte gjëra që nuk kanë të bëjnë me islamin tradicional (http://www.top-channel.tv/ artikull. php?id=176883&ref=fp).>>> 


Komuna e Skënderajit dhe organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të shtetit të ri të Kosovës, me tru të paralizuar, kanë bërë një gabim të pafalshëm, për një pretekst fund e krye të shpifur, e cila mund të ndikojë në raportet e organizmave ndërkombëtare, e sidomos në raportet me botën islame, prej së cilës presim njohje aq shumë të nevojshëm për shtetin e Kosovës. Nga ana tjetër, tolerohen lloj-lloj çetnikësh e mitropolitësh kriminelë të KOS-it që çdo ditë të harlisen nëpër Kosovë. Përveç kësaj, dëbimi i shtetasit të huaj, nënkupton zhvillimin e një procedure të caktuar me të cilën duhet të dëshmohet e të faktohet ndonjë kundërvajtje e rendit, krim ose ndonjë delikt tjetër me të cilin ndiqet ai shtetas, procedura këto që nuk janë kryer dhe nuk është dëshmuar për asnjë vepër penale, për ç’gjë parashikohet dëbimi nga vendi. Si do të perceptohet ky dëbim kaq i paskrupull te Vëllezërit tanë në Shqipëri? 


Kështu ‘e han biznesi’ i medias së sotme, që për një javë shpifë e formulon gjëra të padëshmuara për një hoxhë, e nga ana tjetër fshehë për tre vjet paturpësisht deklaratat e një ‘prifti’ me pamje njeriu, aq të turpshme e të pafalshme, duke nxitur sherre fetare ndër shqiptarët. Nuk kanë thënë kot:  “Njeriu gënjen edhe kur hesht të vërtetën”.


Në fakt, siç është bërë e njohur tashmë, para tre vjetësh, pikërisht me 13 maj 2007, prifti i Kishës katolike Shqiptare në Detroid – Dom Anton Kçira (i lindur në Gjakovë më 1939), tek po mbante një fjalim në një aktivitet të shoqatës së Intelektualëve, të organizuar në Kishën Katolike të Shën Palit në Detroit (ku shërben prej vitit 1989), me temë “Kosova në prag të pavarësisë”, i quajti ‘qenë’ shqiptarët e Kosovës, duke aluduar në ata myslimanë, dhe ‘arsyetoj’ krimet e Milosheviqit mbi shqiptarët, duke i etiketuar si ‘njerëz me bisht’, ndërkohë që shprehë hidhërim që “nuk i paska rjepë Millosheviqi ata 1,900,000 qenë”, ashtu sikur i quan edhe 280.000 myslimanët e Bosnjës të vrarë dhe të masakruar nga ushtria dhe policia jugosllave. (http://www.youtube.com/watch?v=MFX6zcSlFvg&feature=related)


Sigurisht që mesazhi i tillë i viktimizimit, si e drejtë ekskluzive e ideologjisë, assesi fetare edhe-pse në sfond duket e tillë, është shumë përçarëse dhe me pasoja të rënda, pasi “militantët” fetarë mund të keqkuptojnë ‘detyrat e reja’ dhe “meritat” e tyre fetare t’i personalizojnë, duke i keqpërdorur lidhjet në komunitet. A është e lejueshme për një prift katolik, që në vend të përhapjes së fjalëve të dashurisë për krijesat e Zotit, përhapë e nxitë gjenocid, hiç më pak se prifti serb që ‘bekonte’ ushtarët e tij para se të kryenin masakrat? A mund të paramendohet se në kohën kur nënat e Kosovës e të Srebenicës, po përkujtonin bijtë e tyre të masakruar, një “kosovarë” me veshje prifti kërkon që edhe të gjallëve t’u rjepet lëkura, bashkëkombësve e bashkëvendësve të tij, duke i quajtur viktimat ”njerëz me bisht”, siç dihet mirë të huazuar nga bashkëmendimtari Vladan Gjorgjeviq. Athua ku do t’a çojë ‘bishtin’ e tij Kçira i lindur e i rritur në Gjakovë?


Një gomarllëk i tillë nuk i duhet as kombit, as kishës, as Shqipërisë, as Vatikanit. Tipat e këtillë, të zhveshur nga vlerat themelore të etikës, humanizmit e drejtësisë, që për fat të keq, kombit nuk i kanë munguar asnjëherë, kanë qenë e janë të dyshimtë si kombëtarisht, ashtu edhe fetarisht, sepse “misioni” i tyre ka karakter urrejtës e vëllavrasës. Bën mirë Prekë Gjetaj që ma kujton Kçirën si “vazhdimësi e traditës së hershme shqiptare të Pal Ëngjëllit, Buzukut, Budit, Bardhit, Bogdanit…” (http://www.zemrashqiptare.net /article/Personalitete/9005/). Ai vërtetë mund të ketë trashëguar Bogdanin i cili në bashkëpunim me Pikolominin e Karpushin hapi kryqëzatën e vitit 1689, që i solli dëm të madh shqiptarisë së Kosovës. Mund të ketë trashëguar Dom Loro Cakën, i cili në prag të “kryengritjes së Dugagjinit”, me mbështetjen jugosllave (1929), duke iu drejtua shumicës myslimane shqiptare, kishte thënë: “Popull muhamedan, të flasim kjartas. Ju ia kini shitë të hujve atë pjesën e Shqypnies të tuejën, e tash nuk keni të drejtë me u rropatë ma për kurrnji send… Ajo copë që i ka mbetë Shqypnies asht e të krishtenve e do ta sundojnë të krishtenët.. e për kët arsye do të mbeteni në sundimin e të krishtenve e pa shtetin tuej”.


Ai mund të ketë trashëguar atë priftin e kohës së pushtimit fashist të Italisë (1939), që ndihej tejet i entuziazmuar dhe i kërkonte Jakomonit të nxirrte dekretin për të ndarë në shkolla fëmijët e myslimanëve prej fëmijëve të krishterë, sepse “myslimanët janë pisa e të palarë”. Kçira mund të ketë trashëguar autorin e letrës që bashkë me kryqe u shpërndanë në xhamitë e Tiranës (1941), ku thuhej ‘Myslimanë, për ju nuk ka më vend në Shqipëri’. Ose të atyre karolinave të shtypura në Bolonjë të Italisë, në shkrimin e së cilave thuhej se vetëm popullsia katolike shqiptare“mbante shenjat e pastra të racës” dhe denigronte myslimanët si “pasardhës të pushtuesve të paqytetëruar dhe shtypës…” Por edhe mund të jetë tipi i asaj dore që formulojë ‘traktet’ ilegale të shpërndara në Kosovë në krishtlindjet e 2001-tës dhe në fillim të 2003-tës, një thirrje ku kërkohej të braktiset “Islami i prapambetur” që t’i kthehemi “fesë së të parëve tanë”, thirrje e thjeshtë për një ‘kryqzatë shtrigash’ të kohës së maskarenjve për të rjepur 1,900,000 kosovarë që nuk kishte arrirë Millosheviqi t’a bënte.


A nuk do të ishte më e ndershme për Dom Anton Kçirën të ndiqte shembullin e At Gjergj Fishtës, që ruante xhaminë e Lezhës, pasi kishe marrë vesh se një grup të rinjsh donin t’i venin zjarrin. Të ndiqte shembullin e Dedë Gjo Lulit, i cili kishte vulosur për ndëshkimin e disa provokatorëve katolikë që kishin therrur një derr në xhaminë e Rus-Maxharit në Shkodër (1897). Shembullin e ipeshkvit katolik të Prizrenit imzot Lazer Mjeda, që ndërhynë te komandanti malazez, dhe nuk pranon lirimin e kaolikëve pa liruar edhe muslimanët. Shembullin e Bajram Currit që i thotë Konsullit Austriak të zgjidhin për kishë njërën nga 18 xhamitë e vendit të lindjes së Dom Anton Kçirës – Gjakovë. Shembullin e Kupe Danes që vrau dy ushtarë osmanë për të mbrojtur një grua, bashkëqytetare katolike. Shembullin e hoxhës së Gucisë, i cili pasi u kujdes për jetimët Martin e Aleksandër Sirdanin, i mori me vete në Shkodër


dhe i vendosi në shkolla për të ndjekur rrugën e priftërisë. Shembullin klerikut katolik At Pjetër Meshkalla, i cili vizitonte familjet muslimane të Shkodrës pasi ruante kujtime të mira me to në kalvarin e vuajtjeve dhe të torturave në burgjet e regjimit socialist. Shembullin e Filip Krajës, që shkaktoi largimin e gjeneralit Trolman, për shkak të raprezaljeve që u kishte bërë malësorëve muslimanë të Mbishkodrës. Do ta kishte më përnderë, sesa të ndiqte shembullin e Millosheviqëve, Gjorgjeviqëve e Çubriloviqëve.


Nëse Dom Anton Kçira nuk dëshiron të pranojë këshillën e parë të At Anton Harapit” se: “Bashkimi i tri klereve asht leva ma e fuqishme për të sigurue bashkimin e shpëtimin”, le të pranojë damkën e tij si hyzmeqarë i dorës së huaj: “i rrezikshëm për besim e shtet”. Kurse Ali Asllani do ta fuste në listën: “Koha e maskarenjve”, se ashtu më mirë do t’i përshtatej.


Një përgjigje të meritueshme ja ka dhënë Prof. Dr. Mehdi Hyseni (“Kur prifti bëhet dreq, atëherë edhe engjëjt ikin nga kisha” në http://www.albaniapress.com /lajme/11098), por çuditërisht shqiptarët në Amerikë heshtin. Ata më shumë prej të gjithëve duhet të ndikojnë që prifiti Kçira, të kërkonte falje publike e njëkohësisht të jepte llogari para gjyqit përkatës në Amerikë, që veç paradokseve antihumane, antifetare e antikombëtare, ka ofenduar edhe ‘vlerat demokratike’ duke shkelur kështu “The United States Bill of Rights” për të drejtat e njeriut në Amerikë. 


Të gjithë ata, që e kanë dijtur këtë dhe nuk e kanë publikuar janë të dyshimtë, për shkak se kanë fshehur një të keqe të patolerueshme. Çka do t‘i themi Kryetarit të Komunës së Klinës – Prekë Gjetaj, që e quan këtë përbindësh “figurë e ndritur me ideal të lartë në shpirtë, atdhetarë…“,  http://www.zemrashqiptare.net /article /Personalitete /9005/). Ku ishte Beqir Sina, për të cilin Kçira ishte “ambasador të kulturës… me rrënjë kombëtare…me gojën e ëmbël… e me një dashuri të madhe…” (http://www.shkoder.net/fjala/2008/bsina78.htm). Ku ishte Vehbi Bajrami, për të cilin ky kriminel me veshje prifti ishte “aktivist i palodhur i çështjes shqiptare”. (http://osdir.com /ml/politics. region. albania. Shqiperia /2004-07/msg00078. html). A nuk i takonte “Bota Sot” dhe “Iliria” që ta raportonte këtë skandal në kohen e ngjarjes? Ku janë ata sot që u bë publike? Ku janë


Organizatat fetare e kombëtare, ku janë Shoqatat inelektuale? Jemi mësuar ne shqiptarët të kalojmë mbi të këqijat: “hajt se nuk u bë nami”, por nami i zi bëhet kur heshtet e keqja, sepse kështu ajo mbështetet dhe aprovohet, e pastaj edhe mund të shpërthejë. 


Për mediet është shumë e pafalshme heshtja që duhet kuptuar si “proces i rindërtimit të vlerave kinse kombëtare”, kurse prifti me të kaluar të dyshimtë, që përvidhet të manipulojë me ndjenjat e besimtarëve, duke denoncuar të tjerët në baza raciale dhe fetare, harron se ku gjendet dhe se me kërcënim vetëm që humbë përkrahje te njerëzit e arsyeshëm. Fyerja mbi baza raciale dhe fetare është gabim i rëndë jo vetëm me ligjet vendore-amerikane, por edhe me ato ndërkombëtare. Por e keqja e madhe qëndron tek fshehja e së vërtetës nga mediet e komunitetit duke i lënë hapësirë dezinformimit dhe duke neglizhuar misionin fisnik të informimit objektiv. Më e keqja e gjithë kësaj të keqeje është se ajo po shtrihet në shumë nivele, dhe si arsyetim bizar ka “patriotizmin”.


 


Ata barinj që duan të jenë besnikë ndaj Zotit, kombit e Atdheut, nuk duhet të shkojnë në asnjë institucion ku ofendohen vlerat kombëtare të shqiptarëve, të dënueshme moralisht, ligjërisht dhe kombëtarisht. Shqiptarët e kanë të qartë se tezat e “njerëzve me bishta” për shqiptarët janë teza primitive serbomadhe të KOS-it, të ASSHA-së e të LSHS-së, të Pashiqëve, Çubriloviqëve e Gjorgjeviqëve, pinjoll i të cilëve mund të jetë edhe Kçira, i cili për shqiptarët e Kosovës, si për veten e tij, ‘pasuron’ edhe me emrin “qen”. Si nuk i shkoj mendja ndonjërit nga audienca që të vepronte siç veproj prifti Fan Noli në Konferfencën e Paqës së Versajës, me ç’rast ua ktheu prapanicen auditoriumit, duke ua treguar se shqiptarët nuk kanë bishta, ashtu siç i kishin cilësuar Dom Anton Kçira (2007) dhe Vladan Gjorgjeviqi (1919). Ku ishin të gjithë ata “engjuj” të Kishës, të gjithë ata “besimtarë” të Zotit, të gjitha ata “patriotë”, intelektualë, biznesmenë miliarderë të Kombit e të Atdheut, që për tre vjet nuk reaguan kundër tij!? Heshtja tre vjeçare e këtij skandali s’ka si shpjegohet ndryshe veç se një akt miratimi i të gjithë atyre që e kanë parë “predikuesin”. Çfarë predikimi mund të ketë në mungesë të tolerancës, në mungesë të respektit reciprok, në mungesë të durimit e maturisë me nëpërkëmbjen e dinjitetit fetar të pjesëtarëve të besimit tjetër. Toleranca dhe zemërgjerësia e pjesës dërrmuese të shqiptarëve të Kosovës, nuk duhet të nënkuptojë edhe të drejtën e fyerjeve dhe shpifjeve, që i vishen sot myslimanëve shqiptarë të Kosovës.


Sot na quajn “turq”, “qenër” e “me bishta”, nesër mbase do t’na quajn “ardhacakë” e pasnesër do të na thonë siç i kishin thënë shkrimtarit boshnjak më 1994: “edhe nëse shndërroheni në Pingiunë, do tua shkrijmë edhe akullin që të mos keni vend!”. A ka më poshtërsi dhe a mbulohen qoftë edhe me një kërkim faljeje, ofendimet që u janë bërë bijve e bijave që u flijuan për lirinë e Kosovës. A nuk është kjo një plagë e thellë për të gjithë shqiptarët?


 


Luigj Shkodrani: Skandali i Anton Kçirës është një plagë e thellë për të gjithë ne shqiptarët


 


Të nderuar miq !


Kam ndjekur me tepër vëmendje zhvillimet e fundit, mesazhet dhe artikujt, qe kanë ardhur ndaj, Dom Anton Kçirës dhe jam befasuar, por dhe  jam tronditur shpirtërisht, nga thënie të tilla me gojën e një kleriku, që duhet të luftojë për paqe dhe për bashkim dhe jo për përçarje, në mes të popullit e të feve tona.


 Nuk arrij të kuptoj e  të imagjinoj, sesi ka arritur të vjell kaq vrerë, kundër vetvetes, sepse ne të gjithë jemi vëllezër pa dallim feje dhe ideje.


Unë mendoj që duhet te ndalemi, bile më shumë se në raste te tjera, sepse të ofendosh gjakun e popullit tim, të ofendosh ato bij e bija që ranë për atë tokë, që brezat të gëzojnë e të jetojnë të lirë e “Ti ” ti quash “qen”,kush ta jep ju këtë të drejt? Po ju a nuk keni dalë nga ky popull, apo pjellë e kujt  jeni?


Edhe një skizofren nuk mund ta thotë një gjë të tillë. As dhe një serb, apo i një kombësie tjetër,sepse edhe ata janë njerëz.>>>


“Ti” duke folur ashtu, në atë mënyrë skandaloze, ke shkelë mbi gjakun e popullit tim, mbi gjakun e fisit tim, që një jetë kam luftuar me shkaun dhe sot e kësaj dite janë të gjalla historitë në familjen time, ku të parët e mi kanë dhënë jetë, për të mbrojtur tokën arbënore, për të mbrojtur familjen nga shkijet, e nuk mund ta falë këtë thënie tënde.


 Por jo pa përgjegjësi është edhe ai komunitet katolik i famullisë, ku është ky prift, që nuk reagon,ndaj tij dhe të na sjellë opinionet e veta në lidhje me këtë skandal të rëndë dhe të pafalshëm, nga Dom Anton Kcira.


E di mirë se kemi edhe në listat tona që në komunikojmë çdo ditë, që janë të regjistruar dhe i lexojnë këto mesazhe, qe vine dhe heshtin.


Nuk është kohë për të heshtur,por është koha,për të treguar SE NE JEMI SHQIPTAR DHE JEMI TË BASHKUAR dhe nuk mund të lihen gjërat të kalojnë në heshtje.


Gabimi është gabin dhe faji është faj, andaj ai që i ka bërë edhe duhet të përgjigjet para popullit të tij.


 


Ndaj u bëj thirrje nëpërmjet këtij mesazhi, komunitetit katolik shqiptar në famullinë, ku është Dom Anton Kcira,të na sjellin sqarime të hollësishme për këtë skandal.


Nëse keni pasur pambuk në veshë kur ka folur,Dom Anton Kçira, ne ua dërgojmë incizimin, që tashmë ka pushtuar internetin.


Ndaj, do ju kisha lutur që ta merrni seriozisht këtë mesazhin tim, sepse ky skandal është një plagë e thellë për të gjithë ne shqiptarët.


 Mbetëm me shprese, se në ditët në vazhdim, ky mesazh do të përcillet dhe pse jo dhe në dorën e Dom Anton Kcirës dhe ai të detyrohet t’i  kërkojë të falur popullit shqiptar,për fjalët e tija ofenduese, të thëna ndaj meje, ndaje teje ndaj ne të gjithëve


 Me respekt


 Luigj Shkodrani


 


 


Ahmet  Qeriqi: Prifti satana, Anton Kçira


 


Mos u habitni ju lexues të nderuar me formulimin pezhorativ “Satana” për priftin katolik, shqipfolës, të komuniteti shqiptar të Amerikës, Don Anton Kçira, sepse është krejt pak t’i thuash Satana një njeriu bastard, shqipfolës me këtë rast, që mallkon Milosheviqin për shkak se nuk i ka shfarosur 1.900.000 shqiptarë (qen) të fesë islame në Kosovë, apo që ka shfarosur vetëm  rreth 400 mijë myslimanë të Bosnjës. Është e pazakonshme të fillojnë shkrimet me këtë mllef, por ishte shumë më e  pazakonshme të dëgjosh në gjuhën shqipe një mallkim, të një të mallkuari kundër shqiptarëve të Kosovës, vetëm sepse këta i përkasin besimit islam.


Dhe, mllefi e zemërimi trashen kur fjalët e këtij Donprifti nuk i dëgjojnë, apo shtiren sikur nuk i dëgjojnë kryeparët e Kishës katolike të Kosovës, as Bashkësia Islame e Kosovës, se lërë më Qeveria,  e cila nuk merret me këto punë, por as komuniteti shqiptar i Amerikës, madje as vëllezërit tanë katolikë, të cilët me siguri se nuk pajtohen me mallkimet e këtij të mallkuari, por fakti se ata bëhen të shurdhër, ose që nuk duan të merren me fjalët publike të këtij prifti, zemërimit i jep edhe një notë më të ligë.


Prifti, Kçira, para komunitetit shqiptar, katolik  të Amerikës, ka nxjerrë nga goja e vetë tërë mllefin kundër fesë islame, kundër shqiptarëve të këtij besimi, të cilët në Kosovë përbëjnë rreth 96 për qind të popullatës besimtare. Dhe shkak për atë mllef paska qenë ndonjë shqiptar i fesë islame, i cili po u konsideruaka si ithtar  i Bin Ladenit. Ky prift, dhe komuniteti fetar të cilit i takon e di mjaft mirë se në armatën e Bin Ladenit ka edhe të krishterë, disa nga të cilët hiq më larg se dje u dënuan në Gjermani, por askush nuk e mallkoi kombin gjerman për këtë rast. Dihet po ashtu se në anën e talebanëve kanë luftuar edhe qytetarë amerikanë, të cilët janë dënuar me burgim të rëndë nga drejtësia amerikane.


Jemi mësuar ne shqiptarët të kalojmë mbi të këqijat duke thënë, hajt se nuk u bë nami, por nami i zi bëhet kur heshtet e keqja, sepse kur ajo heshtet, mbështetet dhe aprovohet, sepse kur ajo aprovohet si e tillë, fillon të zihet zezona, e cila doemos se një ditë edhe mund të shpërthejë me zemëratë, apo me të njëjtin kut, apo me shumëfishin.


Por, përderisa kjo blasfemi antinjerëzore e këtij ta quajmë prifti bastard po heshtet nga shtypi faqezi i Kosovës, në faqet e para të këtij shtypi keni lajmin sensacional të dëbimit nga Kosova, madje dhunshëm, me presion policor të imamit të xhamisë së fshatit  Marinë, në Drenicë, i cili ishte imam i mirë për tetë vjet, derisa përmirësoi edhe nivelin ekonomik e social të banorëve skamnorë të këtij fshati, ndër më të varfrit në Drenicë, por kur filluan të shterin ndihmat e organizatës humanitare islame, atëherë Bashkësia Islame e Kosovës, përmes peticionit të qytetarëve dhe mbështetjes që i dha këtij peticioni Asambleja e komunës së Skënderajt, mori vendim për ta mbyllë xhaminë dhe për të dëbuar imamin Kastriot Duka, ashtu sikur dëbohet  hajni, krimineli, plaçkitësi. Kështu ndodhi me hoxhën shqiptar me prejardhje nga Elbasani.


(Vetëm pasi heshtjen hipokrite të këtij prifti e zbuluan disa intelektualë shqiptarë në Amerikë, gazeta Ekspress, tri vjet pas  deklarimeve të pop-Kçirës, boton një intervistë me këtë satana, i cili mundohet ta mjegullojë të vërtetën. Kësaj mjegullnaje i kontribuon edhe gazeta e zellshme antislame e Kosovës, Ekspress, duke i relativizuar fjalët e Kçirës, duke i konsideruar si shpërthim të një mllefi momental dhe duke bërë përpjekje ta mbyll këtë çështje, sikur të ketë qenë më shumë fushatë e Internetit, sesa fjalë publike e një kryepari të fesë, e një kleriku që bën punën e djallit, që kryen porosinë e kriminelit Milosheviq, që fyen gjakun e derdhur për liri, që shqiptarët islamë të Kosovës i quan qen. Përpjekje e EKSPRESS-it për ta tymosur Kçirën, me temjanin e pafajësisë, këtë çështje e rikthen për vazhdimin e debatit.)


Dhe ja mbi cilat paterica qëndron demokracia e mjegulluar, e brishtë dhe e hajthme, të cilën po e instalon Evropa e krishterë në Kosovë, dhe për të cilën aq shumë janë të përkushtuar shqiptarët me orientim evropian, të paktën kështu thonë ata, sepse kështu po e lyp momenti, përfitimi, favoret. Dikur, këta të dashuruarit në Evropë ishin të përkushtuar për bashkim vëllazërim dhe jugosllavizëm…


Një vit më parë, u desh vetëm një fjalë, aspak fyese e imamit Shefqet Krasniqi për “Nënë Terezën” dhe gazeta Ekspress, Koha ditore, TV-të dhe tërë shtypi i zi, i verdhë i vendit morën fushatë fyese e denigruese kundër këtij  imami, vetëm pse paska thënë se Nënë Tereza e ka vendin në ferr. Ky konstatim fetar, krejtësisht i ligjshëm nga pikëpamja e besimit islam, u mor si fyerje për humanisten me origjinë shqiptare, Gonxhe Bojaxhiu. Madje, sikur ka ndodh shpeshherë në të kaluarën, këtë anatemë kundër imamit Krasniqi e mbështeti edhe një segment i mbrapshtë brenda Bashkësisë Islame të Kosovës, ai segment i politizuar që i heq rrënjët nga  “drzhavni imami” të Serbisë, nga hoxhallarët me triska të LKJ-së, në kohën e Titos, nga ata që dënuan protestat shqiptare të marsit e prillit të vitit 1981 dhe nga ata, të cilëve nuk u mungoi një qime në kokë,  as në kohën e regjimit kriminal të Milosheviqit.


Shqiptarët e Kosovës, kanë arsye të brengosen me heshtjen e klerit katolik shqiptar të Kosovës, kanë arsye të kërkojnë nga kleri katolik një distancim moral nga prifti që llap… kanë arsye të kërkojnë shpjegim lidhur me mallkimet, fyerjet, sharjet e përbuzjet publike të priftit satana, Don Anton Kçira. Dhe nëse nuk ndodh kjo, atëherë nuk është për t’u habitur nëse një ditë, një ekstrem tjetër do t’ i përgjigjet ekstremit, Kçira.


Begatia jonë morale kombëtare e tolerancës fetare nuk kërkohet të përfillet  vetëm nga myslimanët, për faktin se ata  janë shumicë, por kjo kërkohet edhe nga pjesëtarët e minoriteteve  fetare, pavarësisht numrit të besimtarëve të tyre. Toleranca nënkupton respekt  reciprok, kërkon durim, maturi dhe jo fjalë fyese dhe nëpërkëmbje të dinjitetit fetar të pjesëtarit të besimit tjetër, apo të një hoxhe, vetëm sepse ky kishte shprehur rezerva në autoritetin e Bashkësisë Islame të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Avdullah Hoti: Dialogu të zhvillohet në Bruksel dhe Uashington dhe jo nëpër skuta e hotele të plazheve siç po dialogon Kurti

Avdullah Hoti: Qeveria Kurti është më e dobëta që nga pavarësia, pa rezultate dhe me degradim për vendin

Ish-kryeministri dhe kandidati për deputet nga LDK, Avdullah Hoti, ka kritikuar ashpër qeverisjen e Albin …