RKL: Realiteti faktik dhe eufemizmi politik

Lidhur me takimin e sotëm të treshes: Thaçi, Daçiq, Ashton, në Bruksel  kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në një bisedë për “Radion Evropa e Lirë” ka thënë se Asociacioni i Komunave Serbe nuk do të ketë kompetenca të ndonjë entiteti politik apo etnik. Me pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, përfshirë edhe ata në komunat veriore, ai ka thënë madje se po u çrrënjoska edhe ndikimi i Serbisë në Kosovë. Ai madje është  shprehur i gatshëm t’i takojë edhe kryetarët e rinj të komunave me shumicë serbe, që të bisedojë me ta për të gjitha problemet ekzistuese. Ky organizëm, statutin, formën, organizimin dhe funksionimin “duhet dhe do ta ketë”, apo  dëshirohet ta ketë  plotësisht në përputhshmëri me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës dhe me marrëveshjen e 19 prillit të arritur në Bruksel.

Kështu që çdo pretendim tjetër apo çdo interpretim për një funksionim tjetër do të jetë i papranueshëm dhe i parealizueshëm. Ky është qëndrimi i Republikës së Kosovës dhe i Bashkimit Evropian, ka saktësuar Thaçi si gjithnjë në paraqitjet e tij publike, por  jo vetëm njëherë e ka demantuar vetveten me deklarata të tilla pompoze, gjatë dhe pas takimeve të tij,  në Bruksel.

Kjo është deklarata e Thaçit dhe deklarata trimëruese si kjo kemi dëgjuar qysh prej fillimit të bisedimeve, në Bruksel, prej atëherë kur ka deklaruar në mënyrë kategorike se kurrë nuk do të ketë bisedime politike me Serbinë, se kurrë nuk do të hapet për shqyrtim çështje e veriut të Kosovës e deri te kjo deklarata e fundit, e cila, si të gjitha deklarata e tjera është e ngjyrosur me një eufemizëm të llojit të vetë. Thaçi në asnjë mënyrë nuk pranon që Asociacioni, apo Bashkësia e komunave serbe të quhen Republikë serbe e veriut, e njëjtë me atë të Bosnjës e Hercegovinës, pavarësisht se Asiociacioni, duket se do të ketë edhe më shumë ingerenca sesa ka Republika serbe e Bosnjës. Për retorikën politike të kryeministrit tonë është me rëndësi fjalori trimërues politik, që në dukje nënkupton një qëndrim të fortë, por e vërteta na del krejt ndryshe, me një pozitë të mjerë pacifiste, të trimëruar vetëm me deklarata pompoze.

 

Duke folur për zgjedhjet dhe fitoren e Listës së Serbisë në 9 komuna të Kosovës, ambasadorja amerikane, në Prishtinë, Trejsi Xhejkobson  ka shprehur shqetësim e saj  se veriu po rrëshqet drejt një autonimie të zgjeruar, e njëjtë me atë në Bosnje e Hercegovinë. Ajo, po ashtu ka kërkuar nga Thaçi që të mos lëshojë pe kësaj radhe.  Të njëjtin shqetësim e ka shprehur  edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Peter Blomejer, i cili duke komentuar statusin e komunave serbe në veri ka deklaruar se  “Asociacioni i Komunave Serbe duhet të jetë një asociacion me detyra komunale. Ai nuk “duhet të jetë” një nivel i tretë brenda shtetit dhe nuk duhet të krijojë një etnitet serb të llojit të Republikës Serbe në Bosnje – Hercegovinë. Blomejer e ka bërë të qartë se për Gjermaninë, Asociacioni i Komunave Serbe nuk duhet të krijojë një etnitet serb të llojit të Republikës Serbe, në Bosnje – Hercegovinë. Sipas tij, kryetarët e rinj nga Lista Serbe duhet t’i përmbahen Marrëveshjes së Brukselit dhe të sillen në përputhje me rendin dhe ligjet e Kosovës. Nëse ndonjëri prej tyre nuk do të këtë, sipas Blomejerit, duhet të shihet çfarë duhet bërë. 

Mirëpo krejt ndryshe mendon Beogradi zyrtar por edhe kryediplomatja e BE-së, Keterin Ashton, e cila në vazhdimësi i ka bërë presion delegacionit të Kosovës, me qëllim që të lëshojë pe në kërkesat e Serbisë, për hir të mos dëmtimit të procesit të dialogut mes palëve, pavarësisht se po dëmtohet statusi  dhe e ardhmja e Kosovës.

 

Asociacioni apo Bashkësia e Komunave Serbe, jo vetëm pretendon të bëhet një entitet i veçantë serb,  që do të funksiononte brenda territorit të Kosovës, me direktiva të Serbisë, por i hap rrugë ndarjes së Kosovës, meqë Asociacioni do të kontrollohet krejtësisht nga Beogradi, pasi që edhe serbët e Kosovës, përveç serbëve të Shtërpcës besimin e tyre në votime  ia kanë falur Daçiqit dhe Beogradit.

 

Pavarësisht retorikës eufemistike të Thaçit, Daçiqi pas prishjes së dhunshme të zgjedhje të 17 nëntorit, në veriun e Mitrovicës i kishte bërë të qartë Thaçit, madje edhe Brukselit se atje  nuk duhet të fitonte në asnjë mënyrë në kandidat shqiptar, por as  kandidati serb i Thaçit. Po të ndodhte diçka e tillë ai paralajmëronte, hiq më pak se luftë. Dhe pikërisht për këtë vetë Daçiqi dërgoi njerëzit e vetë dhe  prishi zgjedhjet duke injoruar forcat policore të Sigurisë  jo vetëm të Policisë poltrone të Kosovës por edhe të forcave të KFOR-in dhe policinë e  EULEX-it.

Bisedimet e sotme në Bruksel, po thuhet se qenkan kthyer në fazën fillestare, por rrethanat tashmë kanë ndryshuar shumë, sepse kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq ka përparësi në bisedime, me faktin se ka vendosur pushtetin lokal të Beogradit në Veri. Rezultati i zgjedhjeve i ka injoruar në tërësi serbët e “Thaçit”, të cilët aktualisht janë shumë të përfaqësuar në institucionet e Kosovës. Serbia tashmë ka fituar dy pozita të fuqishme, veriun krejtësisht nën Serbi, ndërsa serbët e enklavave sipas dëshirës, me Kosovë dhe me Serbi. Ky është realiteti faktik, që ndryshon shumë nga realiteti eufemistik dhe bombastik i kryeministrit dhe i Qeverisë së Kosovës.

 

Në diplomaci shprehjet hipotetike, “duhet të jetë, nuk do të duhet të jetë, është më mirë të jetë”, kanë finesat e tyre të rrezikshme, me faktin se nuk janë decidive dhe nuk udhëhiqen nga parimet fondamentale, por nga mundësia e përfitimit në bisedime të njërës apo palës tjetër.

Dhe,  nuk ka si të mos përfitojë në bisedime delegacioni i Serbisë, karshi atij të Kosovës, të cilën e udhëheq një politikane krejtësisht e dështuar dhe e deplasuar, e cila në zgjedhjet e fundit lokale të 3 nëntorit,  në krejt Kosovën, ka fituar diku rreth 1000 vota, të cilat nuk janë as sa votat e një asambliste e një komune, të cilën nuk e njeh mirë as lagja e vetë. Ky është realiteti i hidhur eufemistik i negociatorëve tanë,  që pretendojnë të na sheshin “dushk për gogla”, ashtu sikur me rastin e “ndryshimeve kushtetuese të Serbisë” në vitin 1988, e cila po e gllabëronte Kosovën, ndërsa politikanë e sojit të Rrahman Morinës, Kolë Shirokës, Husamedin Azemit, Sejdo Bajramoviqit, Tefik Llugiqit  e Ali Shukriut, të cilët po me eufemizëm deklaronin se ndryshimet kushtetuese, po e forconin pozitën e Kosovës nën Serbi. Dhe, për të qenë e keqja  edhe më e thellë, sektorin e Sigurisë në Bruksel e udhëheq kryepolici i Kosovës, djali i ish-inspektorit serb në vitet 80, i cili ka maltretuar dhe dënuar sa e sa shqiptarë liridashës. Në mesin e delegacionit të Kosovës, nuk është as edhe një ish luftëtar i lirisë, as edhe një ish i burgosur politik, as edhe një shqiptar, të cilin e njeh opinioni për angazhimin e tij të njëmendtë kombëtar. Por,  fakti i pamohueshëm se në krye të bisedimeve është ish lideri politik i UÇK-së, flet vetvetiu se krejt procesi i bisedimeve ka qenë dhe është i manipuluar nga qarqe të caktuara antishqiptare, evropiane e më gjerë. A thua, a nuk flasin sa duhet këto fakte, për të përfunduar se kah po shkon Kosova në rrugën e saj drejt integrimit, në Serbi,  apo në BE së bashku me Serbinë.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …