RKL

RKL: Rrënohet muri, ngrihet struktura që garanton “sigurinë” për qytetarët e Mitrovicës së veriut

Edhe pse Qeveria e Kosovës, ditë më parë rrënoi murin e ngritur nga serbët, në Veri të Mitrovicës, serbët e asaj pjese të Kosovës kanë filluar ndërtimin, sikur thuhet të një “strukture betoni”, në marrëveshje me Qeverinë e Kosovës. Në këtë pjesë ku po ndërtohet kjo strukturë betoni, i pranishëm është edhe kryetari i veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq. Ai një ditë më parë kishte paralajmëruar se sot  do të fillojë ndërtimi i një strukture betoni mbështetëse dhe të fortë, në lartësi prej 70 centimetrash dhe gjerësi prej 120 centimetrash, strukturë kjo e cila garanton  sigurinë për qytetarët e Komunës së Mitrovicës së veriut.

Kompromisi mes Qeverisë së Kosovës dhe kryetarit serb të komunës së Veriut të Mitrovicës, për rrënimin e murit dhe ngritjen e një muri tjetër, është një lojë e keqe politike me qëllim për të “fituar” dy palët, por realisht fiton vetëm pala serbe, në Veri e cila tashmë është faktorizuar si entitet dhe  nuk po heq dorë nga realizimi i synimeve për ta ndarë edhe “de jure” pjesën veriore të vendit tonë. Vetë arsyetimi që i bën kësaj ngrehine, kryetari serb, Rakiq, i cili thotë se “struktura metalike  po ngihet  për sigurinë e qytetarëve  Mitrovicës së veriut”, jep për të kuptuar qëllimin e vërtetë të kësaj ngrehine,  e cila nuk është një lojë politike sa për t u qitur hi serbëve, por është një mur-ndarës që shënon pikën kufitare fizike mes Kosovës dhe veriut të saj, pjesë e territorit të Kosovës e mbetur nën  Serbi qysh nga 16 qershori i vitit 1999, kur trupat franceze të KFOR-it vendosën  kufirin mbi Lumin Ibër, në mes të qytetit më të pasur industrial  të vendit, qytetit me resurset më të mëdha natyrore   që ka jo vetëm Kosova por edhe rajoni

 Është për të ardhur keq, kur të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës shprehen të fituar dhe njëzëri mbrojnë qëndrimin, të cilin në radhë të parë nuk e besojnë vetë. Këtë nuk e beson askush nga qytetarët e Kosovës. Që serbët janë më të mençur dhe krejt këtë po ua “lyejnë me kos” qeveritarëve tanë, kjo nuk ka si mohohet, por mjerisht nuk mund të mohohet as fakti se pas tërë kësaj maskarade qëndron  vetë Brukseli zyrtar, i cili ka marrë përsipër ndarjen e qetë dhe pa tensione të veriut të Kosovës, fillimisht duke themeluar të ashtuquajturin Asociacion të Komunave Serbe dhe pastaj përmes një referendumi, ashtu sikur ka ndodhur me Republikën serbe të Bosnjës, të shpallet edhe Republika serbe e Kosovës.

Kjo do të ndodh gradualisht dhe këtë nuk e pengon dot Qeveria e Kosovës, sepse me angazhime të tjera nuk rri dot  në pushtet. Më këtë rast po shihet edhe më qartë se qëllimi i parë dhe i fundit është përfitimi, që ata kanë për vete dhe jo Kosova të cilën e kanë katandisur në një humnerë të re.

Ndarja e veriut po bëhet me dialog mes Kosovës dhe Serbisë me arbitrimin e BE-së, e cila deri tani, në të gjitha radhët e bisedimeve i ka mbajtur anën delegacionit të Serbisë. Këtë e ka pranuar disa herë edhe vetë kryesuesja për dialog teknik, ministrja, Edita Tahiri, e cila ka deklaruar jo vetëm njëherë  se ne në bisedime  nuk mund të dalim kundër Brukselit.

Ndarja e tillë graduale e veriut bëhet me qëllim për të mos u hapur çështja e shkëmbimit të territoreve, meqë në këtë mënyrë Serbia, sidomos me themelimin e AKS, fiton veriun dhe nuk lejon shkëmbimin e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës me tri komunat veriore.

Retorika politike e zyrtarëve tanë të tanishëm na përkujton kohën e të ashtuquajturave ndryshime kushtetuese të kohës së Rrahman Morinës, por edhe Isa Mustafës,  kur thuhej e propagandohej në të gjitha konferencat aksionare të LSPP-së se me ndryshimet kushtetuese Kosova nuk humbiste asgjë, vetëm sa përforconte pozitën e saj në Serbi, duke u bërë pjesë e saj përbërëse.  Se ku e kishin katandisur “ndryshimet kushtetuese” Kosovës ishte parë  botërisht më 29 mars të vitit 1989.

Veriun nuk mbrohet me fjalë, propagandë, as me rrahje gjoksesh. Veriu mbrohet me respektim të Kushtetutës, nëse kjo kushtetuta ahtisariane e Kosovës  ka fuqi reale juridike për ta shtrirë qeverisjen në tërë territorin e vendit. Tash për tash, qasja e qeverisë së Kosovës në Veri është vetëm formale, për të mos thënë virtuale. Deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës dhe ministrat e Isa Mustafës nuk e njohin atë për kryeministër. Këtë e kanë thënë hapur dhe për këtë kanë marrë bekimin e kryeministri të tyre në Beograd, Aleksandër Vuçiq.   Në Kuvend dhe në Qeveria janë sa për t i marrë pagat e majme nga buxheti i shtetit të cilin nuk e njohin.

Kryetari Hashim Thaçi, kryeministri, Isa  Mustafa, kryekuvendari, Kadri Veseli, në pozitat e tyre qeveritare e shtetërore nuk mund të vizitojnë veriun, nuk mund të mbajnë fjalime politike atje, nuk mund të marrin pjesë në ndonjë tubim përkujtimor, nuk mund t’i vizitojnë shqiptarët, që kanë jetuar dhe jetojnë në trojet etnike në veri, por mund të rrëshqasim me ski në Brezovicë, mund të shkojnë në ndonjë përurim ilegalisht me ndihmën e forcave paqeruajtëse, sikur ndodhi disa javë më parë në  përurimin e një ure të ndërtuar në veri  nga KFOR-i, ku Isa Mustafa me përcjellësit e tij kishte vajtur jo në rrugën legale, sepse e kishin barrikaduar serbët, por kishte arritur në destinacion përmes një rruge anësore.

Mitrovica e veriut, Dobëlldeu, Çakorri, Kulla, Medvegja, Bujanoci, Presheva e troje të tjera të Shqipërisë, na përkujtojnë Plavën, Gucinë, Ulqinin, Çamërinë dhe sa e sa troje të katër vilajeteve të Shqipërisë, të  lara me gjak, të cilat kurrë nuk i kemi harruar, të cilave u kemi kënduar dhe iu këndojmë këngët më të përkushtuara, por të cilat kanë mbetur nën sundimin serb, malazez, grek e bullgar, atëherë dhe sot, me bekimin e Evropës, qoftë në Londër, Paris, apo në Bruksel, krejt një, të paktën kështu ka ndodhur prej vitit 1912 dhe kështu po ndodh edhe sot në vitin 2o17.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …