Pandemia aktualisht është aleati më i fortë i Albin Kurtit për të qëndruar në Qeveri qoftë i rrëzuar apo i shkarkuar. Albin Kurti ia bën me dije kryetarit, Hashim Thaçi, se nuk mund të ketë kryeministër tjetër në Kosovë, qoftë i ngarkuar apo i shkarkuar, pa u mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme, meqë e di fare mirë se zgjedhjet në këtë periudhë të pandemisë janë shumë larg dhe deri atëherë ai do të jetë kryeministër aktual, pavarësisht se i shkarkuar, pavarësisht se ka besimin vetëm 25 përqindëshit të “popullatës votuese” që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, nga 45 për qind qytetarëve të Kosovës që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit. Mjafton që ka fituar një deputet më tepër se LDK-ja dhe tani do ta shkarravisë e do ta qeverisë Kosovën me të drejtën e një numri tepër, një e drejtë që e garanton ligji aktual zgjedhor…
Nuk ka të ndalur gjuha kërcënuese, arbitrare e ultimative e Albin Kurtit, i cili nuk po e përballon dot zemërimin e shkarkimit nga posti i kryeministrit. Ai aktualisht po e bën kryeministrin, por nuk po arrin ta kuptojë përse e kanë votuar vetëm 30 deputetë, plus dy a tre të blerë nga LDK-ja, përse nuk e kanë votuar krejt deputetët e LDK-së, pse jo edhe ata të PDK-së, AAK-së e Nismës, kur ai de facto është kryeministër i të gjithëve, por de jure i shkarkuar e i rrëzuar me votat e 82 deputetëve.
Albini si duket kurrë nuk do ta kuptojë pse nuk e duan dhe nuk e mbështetin të gjithë shqiptarët, përderisa ai mendon për vetën se është më i afti, më trimi, më i zgjuari, më i dituri, më i sprovuari, më i miri nga të gjithë kryeministrat e deritanishëm. Realisht kështu mendon Albin Kurti për Albin Kurtin dhe kështu mendon xhemati i tij politik, dua të them më fanatikët, që mendojnë krejtësisht si shefi, të cilët nuk kanë ditur kurrë të mendojnë me kokat e tyre, por vetëm me ato të shefave.
Disa vjet më parë kur nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti pat bërë një krahasim të Albinit me Neronin kisha reaguar ashpër, sepse një reagim i tillë m’ u kishte dukur tepër banal dhe krejtësisht i pa vend. Edhe sot nuk mund ta krahasohet Albini me Neronin, meqë ku mund të krahasohet Roma e Madhe dhe e lashtë me Kosovën xhuxhe, të cilës i rrinë mbi kurriz albinët, ramushët, hashimet.
Prirja e Albinit për të ndërtuar unin fondamental, fanatik, ekskluziv, me një gjuhë përjashtuese, arrogante, ultimative, me sentenca e paradigma retorike shprehur me shumë mendjemadhësi e prepotencë, jep për të kuptuar se ky njeri ka probleme serioze në raport me të gjithë ata që mund të mendojnë ndryshe, me ata që nuk e votojnë Vetëvendosjen, ose ata afër që marrin guxim ta kundërshtojnë, qoftë me një fjalë të vetme.
Kjo deri tani është parë sa e sa herë dhe besoj se së shpejti do të eskalojë me përçarje të reja, sepse veprimet ekskluzive, fanatike, egoiste, mujshare, injoruese për të gjithë ata që nuk mendojnë si ai, çojnë në rrugë çore nga e cila nuk ka kthim prapa. Të gjitha këto mund të çojnë në një shkizmë të re nga me pasoja të paparashikueshme.
Albini ia bën me dije kryetarit, Hashim Thaçi, se nuk mund të ketë kryeministër tjetër në Kosovë qoftë i ngarkuar apo i shkarkuar, pa u mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme, meqë e di fare mirë se zgjedhjet në këtë periudhë të pandemisë janë shumë larg dhe deri atëherë ai do të jetë kryeministër aktual, pavarësisht se i shkarkuar pavarësisht se ka besimin vetëm 25 përqindëshit që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e 6 tetorit, nga 45 për qind qytetarëve të Kosovës, që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit.
Përmes matematikës politike, ai vazhdon të jetë kryeministër i plotë i brendshëm i krejt Kosovës, edhe pse i rrëzuar dhe i shkarkuar me vota të deputetëve, jo nga Hashim Thaçi as nga Isa Mustafa. Ai mbështetet në interpretimin që i bën vet të kushtetutës, të cilën e shkeli me të dyja këmbët dhe nuk kërkoi as falje.
Po ta kishte shkelur dikush tjetër, kur Kurti i kishte partizanët jashtë Kuvendit, atëherë do të viheshin në veprim vezët, gazi lotsjellës, tërheqjet zvarrë të pushtetarëve, kacafytjet e aktivistëve me policinë, fyerjet e poshtërimet kundër shkelësve të kushtetutës dhe paralajmërimet ugurzeza.
Meqë e ka shkelur njëherë Kushtetutën, tani mund ta shkel sërish dhe do ta shkel deri në pafundësi, sepse Kushtetuta jonë është si “cungu i kovaçit”, kushdo që e mpreh sëpatën, e provon atë në cung. Të gjithë betohen në të si në Bibël e në Kur’an, por të gjithë e shkelin dhe askush deri sot nuk dha përgjegjësi, as jep, për asnjë shkelje. Kjo ia jep forcën Albinit, që nga një kryeministër i shkarkuar të bëhet kryeministër despot dhe t’ i shkarkojë të gjithë ata që e kanë shkarkuar.
Ai nuk e prish fare terezinë të mendojë se cili është pozicioni i të shkarkuarit, i të rrëzuarit, por meqë LDK-ja ia dha rastin të bëhet kryeministër, pavarësisht të gjithave, ai do të hakmerret me aq sa mundet, për të treguar se sa i drejtë e i pakurrputuar është. Por ja që i plasi tullumbaceja, i dolën sheshit “pajtashët”, të korruptuarit e ngopshëm i zëvendësoi me të korruptuar të pangopshëm, nëpër borde agjencish, sepse Albini po e ditka se ata nuk e vjedhin Shtetin, me faktin se qenkan nga Vetëvendosja.
Tani Kurti ka paralajmëruar do t i shkarkojë edhe ambasadorët dhe do t i emërojë të vetët, të vetëvendosjes. Do të marrë tagrin e të korruptuarve, do të bëjë para të majme për të blerë votat, ashtu sikur bëjnë të gjithë shkelësit e Kushtetutës, derisa të largohet pandemia dhe të sigurohet se do t’ i fitojë zgjedhjet qind për qind, ose të paktën 70 për qind të votuesve…
Deri atëherë, pandemia është aleati i tij më i fortë, qoftë i natyrshëm apo i panatyrshëm.
Por është e panatyrshme, e pafalshme, antinjerëzore e antikombëtare, kjo luftë politike për ta uzurpuar pushtetin, apo të për ta mbajtur me çdo kusht, në një kohë kur mbarë njerëzimi ndodhet para një armiku të tmerrshëm, para një epidemie me pasoja fatale. Ne ende nuk kemi hyrë në pandeminë e vërtetë. Ndoshta Zoti, meqë nuk po na kuresn nga politikanët satrapë, mujsharë e despotë , do të na kursejë deri dikur nga zezona që quhet koronavirus.