Masakra e Recakut

RKL: Saga e Reçakut-20 vjet dhembje por edhe dinjitet e krenari

Sot mbushen 20 vjet qyshkur forcat e  barbarisë serbe kryen një krim të rëndë kundër njerëzimit, një krim monstruoz, të pa paparë e të padëgjuar deri në atë kohë. Kanë kaluar 20 vjet dhe plaga e Reçakut, plaga e madhe e Kosovës dhe e Shqipërisë nuk është mbyllur, sepse edhe sot e kësaj dite masakruesit barbaroidë shëtisin lirshëm nëpër Serbi, por dhe kudo në botë, ndërsa e ashtuquajtura “drejtësi ndërkombëtare” ka filluar një proces  gjyqësor  kundër luftëtarëve të lirisë, kundër bashkëluftëtarëve, tani dëshmorë, që ranë në mbrojtje të Reçakut dhe të rreth 300 vendeve të tjera, në Kosovë ku serbët kanë kryer krime ndër më të shëmtuarat, ndër më të çmeriturat.

 

Sot Reçaku, Kosova, Shqipëria përkujtojnë bijtë e vet, por në zemër kanë edhe një brengë të hapur, sepse as pas atyre krimeve të pashembullta, as pas 20 viteve,  një pjesë e faktorit ndërkombëtar nuk është bindur në luftën tonë të drejtë kundër shëmtisë e barbarisë, kundër mizorisë fashistoide, e cila ende nuk shafitur në Serbi, përkundrazi ajo po kërcënon, ndërsa bota përparimtare e demokratike po vonohet të japë përgjigje ashtu sikur është vonuar kurdoherë.

 

Sot në Reçak, nderojnë, bëjnë homazhe, vendosin kurora lulesh, parakalojnë çlirimtarët, luftëtarët e lirisë, fitimtarët dhe tërë një popull liridashës. Ata, kurrë nuk e kanë harruar as do ta harrojnë Reçakun, fshatin, i cili  u desh të përgjaket mizorisht për të hyrë në historinë e botës si një shembull  ku mbi supet e njerëzve të pafajshëm ishte derdhur mllefi  i sodomisë dhe i barbarisë.

I vogël ishte Reçaku për të mbajtur mbi supe tërë atë peshë fashiste serbe, por megjithatë nuk u dha, nuk e humbi besimin për drejtësi e liri dhe qëndroi vertikalisht ashtu sikur kanë qëndruar shqiptarët gjatë shekujve.

 

Sot në Reçak, ashtu sikur për vjet, ndodhet  edhe banori i nderit të Reçakut dhe i të gjithë shqiptarëve, z. Viliam Voker, njeriu i cili  pa marrë para sysh pasojat për veten dhe misionin  e tij  ngriti zërin e ndërgjegjes dhe pasi kishte parë krimin nga afër tha me plot gojën, “në Reçak është kryer një krim kundër njerëzimit”. Ishte ky zëri që grisi gjumin e rëndë të diplomacisë evropiane e botërore dhe më në fund ajo filloi të veprojë.

 

Reçaku sot, në këtë ditë dimri zbardhet si zog feniksi, me plot dinjitet e krenari, me kujtim e mos-harrim për  më të dashurit, me besë-betimin e ruajtjes me çdo kusht dhe me çdo çmim të lirisë e pavarësisë, pa çka se kriminelët nuk janë dënuar, nuk e kanë marrë dënimin dhe nuk janë penduar për krimet, nuk kanë kërkuar falje dhe nuk do të kërkojnë kurrë, sepse ëndrra dhe aspirata e tyre për gjak, për krim, për dhunë, është pjesë e ADN-së së tyre të gjakosur, që ka masakruar jo vetëm në Kosovë po kudo, në Ballkan, në Kroaci, në Bosnje në Hercegovinë… Ëndrra e tyre është bota e tyre e pështirosur, është Sodoma e Serbia të dyja bashkë, me ss-të satanike, të lidhura përjetësisht në barbari, dhunë e mizori.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …