leoni

RKL: Salustro dhe qentë e tij

Lajmi se një qen i kryeprokurorit të EULEX-it, Maurizio Salustro ka sulmuar një vajzë tetë-vjeçare në parkun, “Tauk-Bahqe’ të Prishtinës u hesht nga EULEX-i, po ashtu edhe nga Policia e Kosovës, e cila i nënshtrohet EULEX-it sa herë që ky mision kërkon diçka të tillë. Po ashtu nuk u komentua fakti se ai, edhe pse prokuror me përvojë dhe ndjekës i krimit, kishte ikur nga vendi, ku qeni i tij kishte sulmuar një fëmijë, për të cilin thuhet se është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, por nuk janë bërë të ditur rrethana e fakte të tjera. 


 


Nuk është ky rasti i parë që një qen i Salustros sulmon fëmijët. Edhe më parë është bërë e ditur në medie se  Salustro që shoqërohet me disa qen, jo rrallë herë ka rrezikuar banorët e lagjes ku ai banon. Ngjarja që ka shqetësuar banorët ka ndodhur afër qendër stacionit të Policisë, kur qeni me të cilin ishte prokurori Salustro sulmonte qytetarët, ka raportuar KTV-ja. Tek stacioni i Policisë ishte krijuar një tollovi e madhe ku pos policëve të Kosovës aty kishin shkuar edhe ata të EULEX-it. Burime të KTV-së thonë se policët kanë qenë shumë të zemëruar me sjelljet e prokurorit Salustro, për të cilin thonë se edhe i ka fyer. Dëshmitarët thonë se qeni i prokurorit nuk kishte maskë dhe as nuk ishte i lidhur, derisa Salustro ofendonte qytetarët. Dëshmitarët që kanë folur për KTV-në, thonë se për këtë ngjarje janë marrë në pyetje nga Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it, por kërkuan që të mos bëhet publik identiteti i tyre. Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës, pa dhënë shumë detaje. Kjo nuk është e para herë kur qentë e Maurizio Salustros, zyrtarit me imunitet në Kosovë, sulmojnë banorët e lagjes. Rreth dy muaj më parë, njëri nga fqinjët e tij, kishte paraqitur në polici një rast të sulmit nga qentë e prokurorit. Kohë më parë edhe një vajzë ishte sulmuar nga qentë e tij.. Banorët e lagjes së Muhaxherëve e kritikojnë për sjellje jo të mirë fqinjin e tyre i cili për rreth 1 viti jeton në këtë lagje. Lidhur me incidentin e fundit EULEX-i nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, sikur ndodh rëndom në raste të tilla, kur pretendohet të fshihet fajësia e zyrtarëve të këtij misioni.


 


Personi i pa karakter, Maurizio Salustro është i njohur qysh prej fillimit të zbarkimit të zyrtarëve të UNMIK-ut në Kosovë, për një herë pas luftës sonë çlirimtare dhe fitimtare. Ai fillimisht erdhi këtu në cilësinë e prokurorit të UNMIK-ut, për të  vazhduar punën ekskluzivisht në ndjekje të ish-luftëtarëve dhe eprorëve të UÇK-së, duke i akuzuar ata për krime lufte. Në saje të punës dhe angazhimit të tij  të përkushtuar për ta diskredituar luftën e UÇK-së, ai u pranua edhe në radhët e misionit të BE-së, EULEX. Salustro konsiderohet si “gjahtari” më i suksesshëm në arrestimin dhe dënimin e luftëtarëve të lirisë së Kosovës. Jo rastësisht ai vjen nga vendi i inkuizicionit, i ndjekjes së shtrigave, i territ mesjetar dhe nga pjella e gjerarkëve fashistë. Zanatin për të ndjekur e për të persekutuar të pafajshmit  dhe për të lënë të lirë kriminelët duket se a ka edhe në gjak, në ADN-në e tij të trashëguar nga mesjeta e largët.


 


Salusto është italian. Ka lindur dikur rreth vitit 1955. Burimet në gjuhën italiane nuk sjellin diçka konkrete për punën dhe angazhimin e tij profesional. Nuk duket se ka bërë emër në ndjekje të kryesve të krimeve, në Itali. Nuk dihet se a ka krijuar dhe a ka familje, por dihet se mban rreth vetes një lukuni qensh, me të cilët merret. Shpeshherë e kanë fotografuar duke u marrë me qentë e tij, ndërsa skandali i fundit në Parkun e Prishtinës nxori në dritë papërgjegjësinë e tij si zyrtar dhe pandershmërinë e tij si njeri. Si mundet një zyrtar i përgjegjësisë dhe besueshmërisë  së lartë juridike i misionit  të BE-së, në Kosovë  të ikë nga vendi ku qeni i tij ka sulmuar një fëmijë tetëvjeçar? Ai iku pa i ofruar ndihmë fëmijës së stresuar nga kafshimi i qenit, pa i kërkuar falje prindit, apo familjarit dhe pa u interesuar për pasojat e fëmijës nga kafshimet,  që i ka shkaktuar qeni i tij.


Thjesht, Salustro iku sikur hajn, sikur bandit i cili largohet nga vendi i krimit, mbase duke paragjykuar ndonjë hakmarrje, meqë frika lidhur me padrejtësitë e tij  nuk e lë edhe aq rehat, kur e di  se sa shqiptarë të pafajshëm i ka shpallë fajtorë dhe i ka dënuar në gjykimet e montuara politike.


 


Salustro është një njeri i lig, një person i papërgjegjshëm, një njeri me të kaluar të dyshimtë, një mik i madh i Serbisë dhe i Prokurorisë së këtij shteti, i cili të gjithë luftëtarët e lirisë së Kosovës dhe pjesëtarët e NATO-s i quan terroristë.


 


Ai në Kosovë cilësohet si antishqiptar i përbetuar. Ka shantazhuar dhe i shantazhon dëshmitarët, me të cilët bashkëpunon. Ai i josh me favore të ndryshme dëshmitarët e mbrojtur, ju premton ndërrim të identitetit dhe largim përgjithmonë nga Kosova. Ai po ashtu i kërcënon dëshmitarët me arrestim nëse ndërrojnë deklaratat dhe nëse zbulojnë se kanë dhënë deklarata nën kërcënim. Shumë nga dëshmitarët, te të cilët ai është mbështetur në formulimin e akuzave, ndërkohë kanë ndërruar dëshmitë, duke bërë të ditur se kanë qenë të shantazhuar madje edhe të kërcënuar.  Një prokuror i tillë me të drejtë konsiderohet si njeri i lig, ndërsa rasti i largimit nga vendi,  ku qeni i tij ka kafshuar një fëmijë  zbulon më së miri karakterin e tij jo njerëzor, mungesën e përgjegjësisë dhe mjerimin e një krijese  që merret me lukuninë e qenve, me të cilët e kalon kohën jashtë gjykatave.


Prokurori i EULEX-it ka tubuar rreth  vetes edhe disa dëshmitarë bashkëpunues si Nazim Bllaca e ndonjë tjetër, emrat e të cilëve mbahen sekret, por janë të njohur për opinionin liridashës. Ai, atyre u ka premtuar “parajsën”, në botën tjetër, diku në ndonjë kontinent të largët, nëse ata dëshmojnë rrejshëm kundër ndonjë ushtari apo eprori të UÇK-së. Dihet edhe për disa të tillë, që kanë rënë në kthetrat e Salustros, me qëllim  për t’ i ikur drejtësisë për krimet që kanë kryer vetë,  për motive të ulëta  dhe profane dhe që nuk kanë të bëjnë me luftën e UÇK-së.


 


Sidoqoftë, prokurori i cili gjahun e tij e ka orientuar vetëm kundër shqiptarëve, ka edhe ndonjë motiv shtesë për punën e tij të palodhshme, mbi të gjitha ka mbështetjen e fortë të Serbisë, mbështetje morale dhe financiare. Pas miratimit të  Rezolutës së Kuvendit të Kosovës për EULEX-in, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin ka deklaruar se asnjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë nuk vlen, nëse në to nuk ka rol ekzekutiv misioni i BE-së, EULEX. Sipas tij, ky mision nuk është instaluar  në Kosovë me dëshirë të shqiptarëve  por me vendim të Këshillit të Sigurimit të OKB –së dhe  të Republikës së Serbisë dhe nga atje mund të largohet vetëm nëse pajtohet Serbia dhe OKB-ja. Dua t’ua tërheqë vërejtjen përfaqësuesve të institucioneve në Prishtinë, por edhe bashkësisë ndërkombëtare se jemi shumë seriozë në qëndrimin tonë se asnjë marrëveshje nuk vlen nëse nuk ka rol ekzekutiv të EULEX-it. Lëkunda dhe shkuarja e EULEX_it për ne do të thoshte se marrëveshjet janë zero dhe  se ato nuk mund të zbatohen ka  thënë Aleksandar Vulin. Ai ka shtuar se Serbia nuk e njeh Kosovën dhe për këtë arsye EULEX-i duhet të ekzistojë.   Rezolutën e Kuvendit të Kosovës, e cila parasheh largimin EULEX –it, këshilltari kryetarit serb,  Marko Gjuriq e ka quajtur rezolutë absurde. Vulin, tashmë e ka bërë të qartë se EULEX-i ka kryer dhe po i kryen punët e Qeverisë së Serbisë në Kosovë, por këtë fakt e lakojnë ndryshe qeveritarët tanë të dëgjueshëm dhe  kurdoherë të bindur ndaj BE-së.


 


 


RKL: BE-ja pretendon që Kosova përgjithmonë të jetë nën mbikëqyrjen e Brukselit zyrtar


 


 


Në një intervistë për mediet e vendit, shefi i Bashkimit Evropian në vendin tonë,  Samuel Zbogar, është cituar të ketë deklaruar se në çfarëdo mënyre, qoftë nëpërmjet EULEX-it, ose më vonë nëpërmjet mekanizmave të tjerë, Kosova do të jetë nën mbikëqyrjen e BE-së dhe ajo duhet të jetë e gatshme ta bindë BE-në se  mund t’i barten asaj kompetencat e EULEX-it në këtë kohë. Kjo është përgjigja që i ka dhënë Qeverisë së Kosovës, z. Zbogar, pasi zëvendës-kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka deklaruar se “ Ministria e Drejtësisë parasheh se qysh prej janarit të vitit të ardhshëm gjyqtarët dhe prokurorët vendorë do të merren me hetimin dhe dënimin e krimeve të luftës. Kompetencat që aktualisht i ka EULEX-i, pritet të kalojnë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në Departamentin për Krime Serioze që do të themelohet pasi të bëhen ndryshime ligjore. Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka treguar se idenë për të themeluar Divizionin për Krime Serioze pranë Gjykatës Themelore të Prishtinës e ka pasur prej se është emëruar në postin e ministrit. Në kuadër të këtij Divizioni, Kuçi thotë se duhet të jetë pjesa që merret me krimet e luftës. Ne duhet ta kemi një Departament për Krimet Serioze që do të ketë pesë kompetenca kryesore që vijnë nga Prokuroria Speciale që do të vendoset në Gjykatën Themelore të Prishtinës”, ka thënë Kuçi për mediet.


Pavarësisht nga pretendimet e paraqitura të ministrit Kuçi, Zbogar i ka bërë të ditur autoriteteve të larta të vendit se Qeveria duhet ta  bindë Bashkimin Evropian se Kosova është e gatshme të bëjë diçka të tillë, ndërkohë që ka precizuar se në çfarëdo mënyre, qoftë nëpërmjet EULEX-it, ose më vonë nëpërmjet mekanizmave të tjerë, Kosova do të jetë nën mbikëqyrjen e BE-së.


 


E ndodhur përballë opinionit publik dhe BE-së, Qeveria e Kosovës ka reaguar në lidhje me disa deklarata, për ekzistimin e një liste të kriminelëve serbë, të cilët thuhet se planifikohet të arrestohen nga organet e drejtësisë së Kosovës. “Deklaratat e fundit të Qeverisë për medie ( 1.8. 2013) lidhur me ekzistimin e kësaj liste sekrete që përmban emrat e serbëve thuhet se janë thjesht spekulative, të pabaza dhe janë pjesë e një propagande të orkestruar, që ka për qëllim pengimin e proceseve paqësore dhe demokratike. Spekulimet e tilla janë kundër frymës së normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe e pengojnë implementimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve të arritur në prill të këtij viti. Si të tilla, këto dezinformata të shpërndara në media nuk janë në funksion të së mirës së qytetarëve të Kosovës e as atyre të Serbisë”, thuhet mes tjerash në deklaratën e Qeverisë.


Këto deklarata kontradiktore të Qeverisë kuptohet mirëfilli se  janë në vazhdën e presionit të BE-së për “normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë” dhe duket se Qeveria e Kosovës këtë çështje e ka me prioritet mbi të gjitha prioritetet.


 


Deklaratat konfuze  dhe kontradiktore të Qeverisë tashmë janë bërë aq të rëndomta sa nuk lënë përshtypje për minimumin e seriozitetit, sepse në një deklaratë publike të Qeverisë thuhet se “Kompetencat që aktualisht i ka EULEX-i, pritet të kalojnë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ndërsa në deklaratën vijuese mohohet kategorikisht se ekziston lista për arrestimin dhe dënimin e kriminelëve serbë, të cilët kanë vrarë dhe kanë masakruar dhjetëra mijëra shqiptarë. Nëse përjashtohet mundësia që gjykatat e Kosovës të arrestojnë kriminelë serbë, atëherë kjo gjykatë do të ndjekë luftëtarët e lirisë së Kosovës, të cilët në frontet e luftës së UÇK-së kanë vrarë policë dhe ushtarë të Milosheviqit e të Daçiqit. Nëse kjo Gjykatë themelohet për të zëvendësuar gjykatën aktuale të Serbisë për  krimet e luftës, apo gjykatën aktuale të EULEX-it, atëherë shtrohet pyetja cilët do të jenë ata gjykatës e prokurorë që do ta zëvendësojnë, Sallustron, Vekariqin apo iqët e tjerë të Serbisë?


 


Duke u mbështetur në deklaron e fundit të shefit të BE-së Zbogar, fare lehtë hetohet se a ardhmja e Kosovës në BE do të bëhet vetëm përmes Beogradit dhe në pajtim të plotë me Serbinë. Jo rastësisht kryepari i Brukselit në Kosovë ka precizuar se Kosova përgjithmonë do të mbetet nën mbikëqyrjen e BE-së, edhe pse nuk ka shpjeguar si duhet se çka do të bëhet me Kosovën në rast të shpërbërjes së Unionit Evropian, i cili sipas deklaratave të shumë politikanëve të njohur dhe me reputacion, së shpejti do të katandiset sikur katandiset çdo perandori e madhe, të cilën e shkatërron pesha e vet.


Lidhur me fatin e EULEX-it ka reaguar edhe pro serbi i njohur i UNMIK-ut antishqiptari Galluqi, i cili thotë se Amerika do të tërhiqet nga Kosova, duke ua lënë të gjitha çështjet në duar gjermanëve. Ai ka përkujtuar se Amerika ka zvogëluar praninë e saj ushtarake duke mbajtur vetëm 700 pjesëtarë të saj. “Edhe pse luajnë rol të rëndësishëm në detyrimin e shqiptarëve, Amerika megjithatë dëshiron të tërhiqet nga Kosova”, ka thënë Galluqi në një shkrim të botuar në faqen ‘Transkonflikt’. Ai ka theksuar më tej se EULEX-i duhet të zëvendësohet me një mision të Kombeve të Bashkuara, meqë e vetmja mundësi që serbët e veriut të pranojnë marrëveshjen, e cila i përfshin ata në kuadër të Kosovës, është që zbatimi të jetë neutral karshi statusit. Galluqi ka sqaruar se ky neutralitet nënkupton që doganierët, policët dhe zyrtarët e tjerë të Prishtinës të mos jenë në veri. Në vijim të shkrimit, ai kërkon kthimin e UNMIK-ut, i cili do të kishte policinë dhe doganierët e tij.


Zbogar dhe Galluqi pajtohen që Kosova të mbetet përgjithmonë koloni qoftë e BE-së, qoftë e OKB-së, derisa Serbia, përmes bisedimeve dhe bashkëpunimit të një klase politikanësh shqiptarë  fleksibilë dhe plastofilë, të arrijë të gjitha qëllimet e veta, për ta neutralizuar pavarësinë dhe për ta mbajtur peng shtetin e Kosovës.


 


Prej kohës së  fillimit të bisedimeve politike në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, Brukseli zyrtar ka treguar përkushtim të fuqishëm në përkrahjen  e të gjitha kërkesave të Serbisë, ndërsa delegacioni i Kosovë iu ka nënshtruar realizimit të të gjitha kërkesave, duke u mbështetur në një retorikë bombastike mbi sovranitetin e Kosovës në veri, që realisht as ka ekzistuar ndonjëherë, as  ekziston dhe duke i paraqitur bisedimet, si negociata në mes të dy shteteve, edhe pse Serbia për çdo ditë rikonfirmon se as në procesin e bisedimeve, as kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.


Tani kur kanë kaluar 14 vjet nga çlirimi i Kosovës dhe pesë vjet e më shumë nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka mbetur peng i politikave të gabuara, të cilat po e degradojnë pavarësinë, ndërsa në dy vitet e fundit ka stagnuar skajshëm edhe procesi i njohjes nga shtetet e botës, meqë rifillimi i bisedimeve vetvetiu ka krijuar favore për politikën ekspansioniste serbe ndaj Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …