RKL: Secilës ditë i mjafton pikëllimi i vet, por zemërimi dhe urrejtja pa vend e lëndojnë atë

U bënë 32 vjet nga vrasja në pritë e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës. Rojet e errësirës i vranë mizorisht, më 17 janar të vitit 1982 në Untergrupenbach afër qytetit Heilbronn, Landi i Shtuttgart-it në Gjermani.

Gjatë tërë kësaj kohe, opinioni liridashës shqiptar dhe ai i Kosovës në veçanti, nuk ka arritur të mësojë të vërtetën për aktorët e krimit, edhe pse dihet organizatori dhe urdhërdhënësi.

Jusuf Gërvalla, edhe pse  i plagosur për vdekje kishte jetuar aq sa për ta drejtuar gishtin te vrasësit, te organizatorët e krimit, por nuk kishte apostrofuar persona të veçantë, mbase edhe nuk i ka ditur, mbase nuk iu kanë kujtuar në çastet kur po përpëlitej në agoninë e vdekjes, në sallën e Spitalit, ku rastësisht, apo me sugjerim paraprak  paska ndodhur kujdestar në emergjencë, një mjek me origjinë nga Serbia.

Fjalët e Jusufit kishin sqaruar se kush qëndronte prapa krimit dhe për këtë nuk janë shfaqur dyshimet asnjëherë, por zbulimi i dorasit apo dorasëve ka mbetur një enigmë, e cila nuk është zbërthyer dhe duket se janë të pakta gjasat për ta zbuluar, meqë në këtë vrasje duket se kanë qenë të implikuar figura, asokohe mbase edhe të panjohur, të cilët me kalimin e moteve mund të jenë shndërruar në engjëj, në magnatë e miliarderë. Këto paragjykime nuk mund të jenë asgjë më shumë se një pretendim më tepër në mesin e qindra supozimeve lidhur me vrasësit  e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës.

 

Prej 17 janarit të vitit 1982 e deri tani, nga grupe dhe klane të caktuara politike  janë bërë shumë përpjekje për t’i vrarë edhe për së vdekuri, për t’i ndarë, ashtu edhe sikur kanë arritur t’i ndajnë pas vdekjes  dhe për t’i mbuluar me  hipotekën e dyshimit, ashtu sikur edhe kanë arritur, deri diku.

Ata, që kanë përcjellë me vëmendje zhvillimin e rrjedhave politike prej vitit 1981 e deri tani, ata që janë marrë me “zbulimin” e vrasësve të këtyre tre heronjve të Kosovës,  dhe shumë të tjerë që kanë paragjykuar dhe kanë manipuluar sipas interesave të grupeve e klaneve të tyre, në mungesë të versionit të vërtetë, janë shërbyer dhe ende shërbehen me paragjykime, me gjysmë të vërteta, me hamendësime dhe krejt kjo vetëm sa e ka bërë edhe më të pamundshëm zgjidhjen e enigmës, ndërkohë që projektuesit dhe zbatuesit e krimit kanë përfituar shumë më tepër sesa kanë menduar, madje ka të tillë që përfitojnë edhe sot, sepse përçarja që kanë  krijuar ata  mes shqiptarëve me kryerjen e krimit, në Shtutgart ende nuk është shafitur dhe duket se edhe për shumë kohë do të mbetet një plagë kaceroze,  në dëm të unitetit kombëtar të shqiptarëve.

Përveç ndonjë të marri, të çmenduri apo të lajthituri psikik, nuk ka shqiptar të ndershëm e liridashës që dyshon në atdhetarinë e dëshmuar të këtyre tre martirëve, tre dëshmorëve dhe tre heronjve të kombit.

Por ekziston  edhe një staf tjetër veprimtarësh të Lëvizjes dhe politikanësh, të cilët për interesa politike, ende janë në gjendje të drejtojnë gishtin andej e këndej, me qëllim për të përfituar mbi kapitalin e tyre kombëtar dhe me qëllim për ta mbajtur peng, jo vetëm familjen e të afërmit, por edhe tërë liridashësit e vendit.

Nuk ka si të mos jetë e mjerueshme gjendja, kur bija e Jusuf Gërvallës, Donika,  hedh dyshimin mbi të gjithë, duke mos i kursyer as shokët e idealit të babait. Kjo tregon gjendjen e saj të rënduar shpirtërore, pikëllimin e thellë, meqë tërë jeta i ka shkuar duke menduar se kush ia ka vrarë babanë, xhaxhanë dhe një shokun e tyre. Pavarësisht frustrimit, pavarësisht animeve politike, pavarësisht krejt asaj që ka ndodhur dhe nuk mund të ndryshohet, paragjykimi i fajësisë, në mungesë të fakteve nuk ka sjellë, as do të  sjellë diçka të mirë, për më shumë, vazhdon të çojë ujë në mullirin e Beogradit, i cili ka bluar dhe po bluan koka shqiptarësh, madje edhe pasi i ka vrarë fizikisht.

 

Një punë krejt të pandershme në këtë drejtim, në drejtim të helmimit të opinionit me gënjeshtra e kryejnë me sukses disa medie të njohura për skandale, që mbijetojnë financiarisht  duke përhapur gënjeshtra, sensacione, duke shtrembëruar të vërtetën, duke e gjymtuar atë për qëllime që dihen dhe duke qenë zëdhënës  konstantë të politikave të caktuara antikombëtare, qysh prej mbarimit të luftës. Ata që i njohin dhe i kanë përcjellë me realizëm zhvillimet e pas luftës në Kosovë, e dinë mirëfilli se tri katër  mediume të Kosovës si: Bota Sot, Koha Ditore, Ekspress Jeta (BIRN-i) në Kosovë  me fushata sistematike kanë arritur ta vënë në pikëpyetje karakterin kombëtar të luftës së UÇK-së, kanë pretenduar dhe pretendojnë të barazojnë viktimën me xhelatin, sipas shijes së UNMIK-ut dhe EULEX-it, pse jo edhe sipas shijes  të kumbarëve e miqve të tyre nga Serbia. Kanë arritur që me përsëritjen e përditshme të gënjeshtrave ta manipulojnë një pjesë të opinionit, që nuk mendon me kokën e vetë dhe të tillë mjerisht ka pasur dhe ka  mjaft në Kosovë.

 

Nuk duhet të harrohet asnjëherë fakti se nga mesi i këtyre mediumeve vrasja e ndonjë serbi pas luftës, qoftë edhe ndonjë  rast i izoluar, që mund të ketë pasur motiv hakmarrjen  është kualifikuar si akt fashist i UÇK-së, pa asnjë dëshmi relevante për vrasësin e supozuar,   sikur ka qenë rasti i publikimi të një komenti të  Veton Surroit, dy tre muaj pas luftës. Duke i qëndruar besnikë konceptit kundër vlerave të luftës së UÇK-së, “garda bastarde” e matrapazëve antikombëtarë ka shkuar deri te mohimi edhe i sakrificës çlirimtare të legjendarit Adem Jashari dhe tërë dëshmorëve të kombit.

Duke qenë kujdestarë të përhershëm të fushatave kundër luftës së UÇK-së, kundër personaliteteve më meritore të kombit, kundër të të gjithë të përndjekurve të regjimit titist, ata  me qëllim kanë plasuar  dhe vazhdojnë ta plasojnë “të vërtetën” e Beogradit zyrtar, në emër të profesionalizmit të medieve dhe pavarësisë mediatike. Të biesh pre e këtyre mujsharëve, të këtyre medieve  është njëlloj sikur të derdhësh margaritarët para turinjve të derrave.

17. 1. 2014

Kontrolloni gjithashtu

Hasan Prishtina

Ahmet Qeriqi: Përpjekjet për ta mjegulluar dhe deformuar origjinën e Hasan Prishtinës, janë të papërgjegjshme dhe antihistorike

Më 13 gusht të vitit 1933, në Çimisqi të Vogaxhikut, përpara një bakallhaneje, në Selanik …