RKL: Shënimi i 100-vjetorit të lindjes së Enver Hoxhës në Prishtinë sfidoi mendjet e robëruara dhe të harlisura të titizmit

Mbajtja e Akademisë përkujtimore në shënim të 100-vjetorit të lindjes së prijësit komunist shqiptar, Enver Hoxha zgjoi më pak reagime sesa mund të kenë pritur organizatorët, të cilëve iu përket merita kryesore për këtë ngjarje, e cila aktualisht me manifestime të ndryshme po shënohet edhe në Tiranë, Gjirokastër dhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Për mendjet e lira dhe sovrane përkujtimi i një përvjetori të tillë është krejtësisht normal, meqë Enver Hoxha, dashur pa dashur, është një personalitet i pamohueshëm i historisë së Shqipërisë, por edhe i kombit shqiptar në përgjithësi.
Mirëpo, kjo ngjarje ka sfiduar disa nga mendjet e robëruara të titizmit të ringjallur në Kosovë dhe të kolaboracionistëve, të cilët edhe luftën e UÇK-së kanë bërë përpjekje ta identifikojnë me ideologjinë revolucionare të Enver Hoxhës.
Megjithatë, nga dhjetëra mijëra gazetarë sa ka Kosova dhe nga qindra mediume, vetëm tre, katër “gazetarë” kanë reaguar me paraqitje tashmë të njohura dhe vetëm një gazetë nostalgjike e titizmit, e emërtuar Ekspress, simotër e Ekspresit të Beogradit, ka komentuar këtë ngjarje, duke nxjerrë nga naftalina zhargonin e dikurshëm të UDB-së dhe të titizmit kundër, sikur thuhet “diktatorit më të madh të botës”, Enver Hoxha.

Nuk e vlen barra qiranë të merresh shumë me opinionet e këtij lloji të gazetarëve, tashmë të njohur për opinionet dhe qëndrimet e tyre përçarëve, fyese e denigruese jo vetëm kundër Enver Hoxhës, por edhe kundër UÇK-së dhe krahut të luftës çlirimtare në përgjithësi. Por është e natyrshme të sqarohet se kush janë këta dhe çfarë prejardhje ideologjike mbështesin.
Është i njohur opinioni ynë me aktivitetet kolaboracioniste të Baton Haxhiut, në esencë aktivitete antishqiptare, sidomos në fund të viteve ’90, kur ky Batoni po bënte përpjekje të aranzhonte një takim të kreut të regjimit të Milosheviqit, me klasën titiste të Mahmut Bakallit dhe të një segmenti të LDK-së.
Për këtë aktivitet të tij, kolaboracionist, ka shkruar gjerë e gjatë edhe Veton Surroi, i cili edhe e ka ngritur, e ka financuar dhe për një kohë të gjatë e ka mbajtur edhe nën kontroll këtë Batonin e papërmbajtur.
Këtë akt të tij, jo vetëm një herë e ka apostrofuar edhe një ish ministër serb i ish-Qeverisë së Kosovës.
Për këtë akt, disi në mënyrë të turbullt, ka shkruar edhe vetë Batoni, i cili po ashtu kishte kërkuar nga lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje” që ta paralajmëronte protestën në organet e UDB-së, më 1 tetor të vitit 1997, meqë sipas tij, Serbia ishte shtet dhe kishte ligjet e veta, të cilat duhej të respektoheshin edhe nga shqiptarët. Sesi iu kishte përgjigjur Albin Kurti me këtë rast, këtij Batonit, këtë e di opinioni e më së miri e di vetë Batoni. Batoni dikur kishte ndërsyer bashkëmendimtarë të tij të bashkëpunonin me Hagën kundër luftëtarëve të lirisë, ndërkohë që publikoi emrin e një bashkëpunëtori, në përpjekje për ta larë vetën, por as kjo nuk mbeti pa u hetuar nga Tribunali i Hagës.

Qëndrimi i tij dhe i të tillëve kundër Enver Hoxhës vetëm sa e shton respektin e njerëzve për Enverin. Po ta lavdëronin Enverin, Batoni, Migjeni, Shkëlzeni dhe soji i tillë, me siguri se shumë kush do të irritohej.
Një zëdhënës kujdestar i luftës kundër gjuhës letrare, kundër ish të persekutuarve të regjimit të Titos dhe të Milosheviqit, i njohur për lidhjet e tij të hershme mbase edhe aktuale me pobratet e Beogradit, Migjen Kelmendi, por ashtu nuk ndal turrin e tij pa cipë duke bërë krahasime groteske, anormale, pse jo edhe qesharake. Makineria e Titos, Rankoviqit dhe Milosheviqit ka vrarë qindra mijëra myslimanë në Bosnje, dhjetëra mijëra kroatë, qindra, mijëra shqiptarë, ndërsa regjimi i Enver Hoxhës nuk ka vrarë as edhe një shqiptar të Kosovës, as edhe një serb apo malazez të vendit tonë. Krahasimet e tilla nuk i besojnë as maskarenjtë e llojit të tij. Sa për vrasjet dhe likuidimet e kundërshtarëve politikë, që kanë ndodhur në kohën e regjimit të Enver Hoxhës në Shqipëri, kjo është pjesë e historisë, që nuk lidhet drejtpërdrejt me Kosovën, dhe për këto vrasje e likuidime ka kush ankohet. Nuk kanë mbetur këta njerëz në një pozitë aq të mjerë, sa Migjen Kelmendi e Baton Haxhiu t’ iu tregojnë se kush iu paska vrarë baballarët apo vëllezërit e tyre. Këta kanë bërë çmos dhe kanë ndërsyer sa kanë mundur, por nuk besoj të ketë arritur asgjë në këtë drejtim me shkrimet tyre gjithnjë skandaloze dhe sensacionale.

Çka fshihet pas turrit të këtyre dy mjeranëve dhe disa mjeranëve të tjerë të gazetarisë së sotme?

Njerëzit njëdimensionalë e shohin botën vetëm nën prizmin e paragjykimeve të tyre. Të tillët, mendojnë se janë të thirrur për ta ndrequr familjen, rrethin e tyre apo edhe shoqërinë, vetëm sipas bindjeve dhe shijeve të tyre. Të tillët, dikur kafshonin, meqë ishin pjesë e regjimit antishqiptar, që kafshonte, burgoste, vriste dhe masakronte shqiptarët atdhe dhe liridashës. Sot këta mund ta derdhin rrëke mllefin e tyre, por nuk mund të kafshojnë, meqë me luftën tonë çlirimtare dhe fitimtare, me përkrahjen e botës demokratike dhe të NATO-s, Kosova njëherë e përgjithmonë është liruar nga kafshimet, vrasjet, e masakrimet e policisë dhe ushtrisë serbe dhe të një segmenti të bastardëve.
Andaj edhe janë mjeranë këta pionierët e Titos, Rankoviqit e Milosheviqit. Këta i japin vetes të drejtë të shprehen me shumë simpati për Josip Broz Titon, sikur ka bërë redaktori i këtij “Ekspresit”, Shkëlzeni i Mehmet Maliqit, ( kryeudbashit dhe shqiptarë-vrasësit shumë të njohur për shqiptarët liridashës të Kosovës), në 25-vjetorin e vdekjes së Titos. Por këta nuk kanë guxim, për ta shënuar në sallën e Kuqe të pallatit të Rinisë dhe Sporteve ditëlindjen për Marshall Titon, jo sepse frikësohen, jo sepse nuk do t’ iu lejohej salla, por sepse e dinë mirëfilli se salla do të mbetej bosh.
Andaj, duke parë sallën e mbushur përplot me pjesëmarrës në shënimin e 100-vjetorit të lindjes së Enver Hoxhës, këta dhe soji i këtyre, ndihen të bezdisur, të sëkëlldisur, të hallakatur deri në marrëzi e çmenduri. Dhe mllefin e tyre të mjerë e shfryjnë, ku tjetër, pos në gazetat e tyre, natyrisht për lexuesit dhe bashkëmendimtarët e tyre. Një pjesë të mllefit e shfryjnë nëpër forume të ndragëta, apo duke dërguar kërcënime anonime. Askush më nuk druan nga kafshimi i tyre, meqë koha e sundimit sllav dhe e bashkëpunëtorëve të tyre në Kosovë ka perënduar njëherë e përgjithmonë.

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …