RKL: Shkaqet për të cilat EULEX-i po e mban në arrest shtëpiak, Nazim Bllacën

 


Rasti “Bllaca” tashmë është i njohur, jo vetëm për opinionin tonë por edhe për atë ndërkombëtar. Nazim Bllaca Është një “peshk” që me vetëdëshirë ka kafshuar karremin e EULEX-it, nëse gjatë gjykimit nuk vërtetohet ndryshe dhe nëse do të gjykohet fare. Ai, publikisht ka pranuar se në bashkëveprim, ka marrë pjesë në vrasje, rrëmbime e keqtrajtime të personave të caktuar, në periudhën pas luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe pse ka pranuar veprat penale, dhe ka treguar gatishmëri të përgjigjet para drejtësisë, kreu politik dhe policor i EULEX-it nuk e arrestoi Nazim Bllacën, por qysh prej fillimit të dhjetorit të vitit të kaluar, po e mban në arrest, në shtëpinë e tij, në fshatin Ribar i Madh, ku ai jeton me familjen e tij të ngushtë dhe të gjerë.


Ky veprim i EULEX-it, nuk paraqet ndonjë presedan, sikur mund të mendohet realisht, meqë prania e misionit të BE-së, për sundimin e ligjit, rastet e krimeve i trajton me një dimension më të gjerë, duke i ilustruar dhe duke i ngjyrosur politikisht, në dëm të Kosovës dhe të institucioneve të saj.


Me mbajtjen nën arrest shtëpiak të Nazim Bllacës, EULEX-i paragjykon se në burgjet e Kosovës, Bllaca nuk është i sigurt, meqë ato kontrollohen nga shqiptarët, të cilëve EULEX-i nuk iu beson, edhe atëherë kur shumë prej tyre me vepra  janë treguar tejet besnikë, dhe besnikërinë e tyre në dëm të Kosovë e kanë dëshmuar sa e sa herë deri tani.


ELUEX-i ka marrë masa të forta të sigurisë për ta ruajtur, Nazim Bllacën si dëshmitarin kryesor, për të inskenuar gjykime të montuara politike kundër personave të caktuar, të cilët Bllaca i akuzon. Ai, me siguri se do të përdoret  si dëshmitar kyç në disa procese gjyqësore, dhe pasi EULEX-i ta ketë shtrydhur deri në fund, do t’ia ndërrojë identitetin dhe do ta dërgojë diku në ndonjë shtet në Evropës, ku ai me familjen e tij do të jetojnë pa frikë nga ndonjë hakmarrje. Kështu ka ndodhur me disa dëshmitarë të Prokurorisë së Tribunalit të Hagës, të njohur edhe për opinionin, të cilët pasi kanë dëshmuar kundër gjashtë të arrestuarve nga Kosova, përgjegjësit relevantë të Hagës i kanë larguar nga vendi dhe ata tashmë jetojnë me identitet të ndërruar në ndonjë shtet të Evropës, apo diku gjetkë.


Kjo analogji nuk do thotë se EULEX-i nuk mund  të veprojë edhe ndryshe. Mundet që Nazim Bllacën, pasi ta shpallin fajtor dhe ta dënojnë, ta lënë në Kosovë, duke mos e ruajtur më në shtëpinë e tij, por duke e mbajtur brenda në  ndonjë burg të vendit, me qëllim që të thellohet përçarja dhe hakmarrja e mundshme mes shqiptarëve. Këtë veprim EULEX-i do ta vë në jetë për ta arsyetuar dhe për ta vazhduar praninë  e vet në Kosovë, edhe për shumë vjet të tjera, dhe me qëllim që misioni ta arsyetojë veprimtarinë e vet “inteligjente” “të kulturuar”por në esencë të drejtuar kundër luftës së UÇK-së dhe kundër të gjithë shqiptarëve liridashës.


Arresti shtëpiak i caktuar nga EULEX-i për Nazim Bllacën, mund të jetë bërë edhe për qëllime të tjera.  Gjatë kësaj kohe, hetuesit e EULEX-it, kanë përcjellë dhe do të përcjellin lëvizjet e njerëzve dhe të interesuarve, të cilët kanë trokitur dhe trokasin në shtëpinë e njeriut, për të cilin mendohet se di shumë dhe mund të zbulojë edhe diçka më shumë për ndonjë rast specifik, meqë ai ka deklaruar se ka qenë pjesëtar i SHIK-ut dhe ka vepruar në urdhra të caktuara. Hetuesit e EULEX-it po monitorojnë dhe po i studiojnë rrethanat, për të kuptuar se a ka më shumë përkrahës Bllaca, apo kundërshtarët e tij.


Përndryshe, përse polica e EULEX-it angazhon disa dhjetëra policë brenda dite, për ta ruajtur një njeri, që ka akuzuar vetveten dhe i cili mund të ruhet, krejtësisht i siguruar me një qeli burgu, vetëm me një përforcim roje, nga dy apo tre policë të EULEX-it?


Ky fakt na bën, jo vetëm të dyshojmë te “evropianët e moderuar” që kanë ardhur ta vendosin “sundimin e ligjit”, por na bën të mendojmë se këta kanë ardhur pikërisht për ta diskredituar ligjin para syve të opinionit, duke dhenë shembuj si ky, i rastit Bllaca.


EULEX-i po vepron dhe ashtu sikur ka paralajmëruar fushatën e vërtetë kundër pjesëtarëve dhe disa kuadrove të UÇK-së do ta fillojë së shpejti, ndoshta edhe në pranverë.


Mbi të gjitha, ky mision ka qëllim për ta diskredituar përmbajtjen kombëtare të luftës së UÇK-së, e cila paraqitet pengesë për pajtimin e Beogradit zyrtar me Prishtinën. Pasi të diskreditohet lufta çlirimtare, apo pasi të mendohet se ajo është diskredituar, duke hedhur para gjyqit të gjithë ata që nuk e kanë mirëpritur as e mirëpresin sundimin kolonialist UNMIK- EULEX,  lufta jonë çlirimtare dhe të fillojë të trajtohet si luftë terroriste. Dhe, atëherë Serbia do të pranojë të ulet sërish në bisedime me kreun politik dhe institucional të Kosovës, me qëllim për ta gjetur një zgjidhje kompromisi. Këto konstatime dikujt i duken edhe naive, por fakti se pas luftës në Kosovë janë dënuar mijëra ish pjesëtarë të UÇK-së me dënime prej 1 deri në 20 vjet, flet vetvetiu për angazhimin këmbëngulës së UNMIK-EULEX-it në diskreditimin e plotë të luftës sonë çlirimtare, me qëllim për ta joshur dhe për t’u pajtuar me Serbinë dhe për të treguar botërisht se aksioni i NATO-s kundër Serbisë ka qenë i nxituar dhe i gabueshëm, meqë shkaktari kryesor për luftën paska qenë UÇK-ja, e cila paska sulmuar regjimin e Milosheviqit. Edhe ky konstatim dikujt i duket naiv, por në mbështetje të këtij fakti shtrohet pyetja,  përse UNMIK-EULEX-i, nuk dënoi asnjë serb për krime të kryera kundër 18.000 shqiptarëve, 1800 prej të cilëve, pasi u janë marrë organet nga spitalet  e specializuara serbe, janë djegur nëpër furrat e Maçkaticës, të Trepçës e gjithandej nëpër shkritoret e Serbisë, me qëllim për t iu humbur çdo gjurmë.


Dikush do të thotë se nuk është kjo në kompetencë të EULEX-it, sepse ai ka ardhur për të vendosur  rend e ligj mbi shqiptarët e pabindshëm, të cilët për fatin apo fatkeqësinë e tyre janë edhe pjesëtarë të fesë islame, me të cilët disa shtete të krishtera të Evropës janë në luftë qysh prej shekullit XII, kur kanë filluar kryqëzatat, edhe pse atëherë në trojet tona të pushtuara nga Bizanti dhe sllavët, nuk kishte myslimanë.


 


Kreut politik të Kosovës, nuk i shkojnë fare për shtati këto konstatime, ashtu sikur nuk iu ka shkuar për shtati as garniturave të hershme politike të Kosovës, të cilët në vitin 1981 mundoheshin të na bindnin se fati i Kosovës ishte zgjidhur përgjithmonë në Jugosllavinë e popujve të vëllazëruar e të barabartë dhe protestat kundër Jugosllavisë, saktësonin ata,  ishin një çmenduri.


 


Natyrisht se kohët kanë ndërruar për të mirë, falë gjakut të derdhur për liri dhe përkrahjes që i kanë dhënë luftës sonë të drejtë disa forca përparimtare e demokratike të botës,  por të jesh aq sylesh dhe të mos e kuptosh se qe dhjetë vjet resht rolin e Beogradit në Kosovë e ka luajtur dhe po e luan UNMIK-EULEX-i, kjo është e pafalshme. E pafalshme, sepse EULEX-i ka nënshkruar protokolle shtetërore me Beogradin në dëm të Kosovës, dhe po vepron në realizimin e përmbajtjeve të atyre protokolleve, për të cilët Qeveria e Kosovës në parim nuk është pajtuar, por realisht është bërë pjesë e këtyre protokolleve, duke ndihmuar EULEX-in ta kryejë punën, pa asnjë pengesë.


Rasti “Bllaca” flet shumë për ata që e kuptojnë drejt dhe realisht politikën hipokrite, politikën djallëzore, politikën masone të EULEX-it kundër aspiratave historike të shqiptarëve për të jetuar të lirë, në trojet e tyre, për të jetuar në paqe e qetësi, të barabartë dhe në një shtet të vetëm, ashtu sikur jetojnë dhe i gëzojnë këto të drejta të gjithë popujt e tjerë të Evropës, përveç shqiptarëve.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …