RKL

RKL: Shpallja e Heronjve nga mesi i Dëshmorëve, paradoks apo diçka më keq?

Prej çlirimit të Kosovës nga robëria serbe, në qershor të vitit 1999 e sidomos pas Shpalljes së Pavarësisë,  më 17 shkurt e deri tani, të gjithë kryetarët e deritanishëm me rastin e festave kombëtare kanë shpallur heronj nga radhët e dëshmorëve, duke bërë kështu një dallim të pafalshëm në mesin e tyre, që ndikon shumë keq edhe në familjet e dëshmorëve. Duke përcjellë me vëmendje këtë aktivitet të kryetarëve,  vërehet   mirëfilli se listat hartohen mbi baza partiake, selektive dhe nuk i përmbahen një kriteri unik në shpalljen e heronjve.

Në ditët e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kryetari i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekoruar 108 personalitete me urdhrin “Hero i Kosovës” ka bërë të ditur Zyra e kryetarit. Duke u bazuar në kompetencat e tij kushtetuese, marrë për bazë kontributin, meritat e veçanta dhe veprat e trimërisë dhe sakrificës në luftën e UÇK-së, kryetari Thaçi ka dekoruar 108 dëshmorë të UÇK-së dhe personalitete të tjera me urdhrin “Hero i Kosovës”. Ky vendim i presidentit Thaçi është marrë duke u mbështetur edhe në propozimet e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Nga ky lajm i publikuar më 7 mars nga Presidenca del se me “Urdhrin Heroi i Kosovës”  janë dekoruar 108 dëshmorë duke  marrë për bazë kontributin, meritat e veçanta dhe veprat e trimërisë dhe sakrificës në luftën e UÇK-së.  Ky përkufizim nuk përjashton asnjë dëshmorë nga 2.200 sa janë shpallur deri tani. Nuk njoh dëshmor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të mos ketë treguar vepra  të trimërisë dhe të sakrificës. Të gjithë ata, pa asnjë dallim, pavarësisht rrethanave si kanë rënë, kanë qenë trima, sepse vetëm trimat i kapin armët për luftë dhe që të gjithë kanë sakrifikuar jetën për çlirimin e Kosovës. Të bësh ndarje selektive  në mesin e tyre, në radhë të parë nuk është e moralshme, por   është edhe  në kundërshtim me vlerat e luftës së UÇK-së.

Ka pasur arsye, që me këtë urdhër, nga mesi i 2. 200 dëshmorëve të UÇK-së  të dekorohet vetëm një numër i caktuar prej 50 deri në 100, nga radhët e  atyre që kanë veprimtari të gjatë jetësore në luftë për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e kombit, por paraprakisht në marrëveshje me familjet e dëshmorëve, invalidëve e veteranëve  të luftës.

Me sa dihet deri tani janë shpallur disa qindra heronj, dhe pritet të shpallen edhe të tjerë, në bazë të kompetencave të kryetarëve, të cilët këtë e bëjnë në radhë të parë për veten e tyre dhe për familjarët e caktuar, për ta mbajtur apo për ta rritur elektoratin.

Se deri ku shkon kjo tendencë ogurzezë e dekoratave u pa kohë më parë, në një rast tjetër kur kryetari i Shqipërisë, Bujar Nishani, dekoroi 700 shqiptarë,  të cilët kishin ndodhur në Sheshin,  kur 26-vjet më parë u rrënua Shtatorja gjigante e Enver Hoxhës në Tiranë. U dekoruan edhe kalimtarët e rastit që morën pjesë në rrënimin e burrë-shtetit që i kishin shërbyer me besnikëri fanatike gjatë tërë jetës. Besoj se në mesin e atyre që treguan aq egërsi brutale ishin pikërisht shërbëtorët më besnikë të Partisë dhe Shtetit dhe ata tani futen nën ombrellën dekorative partiake, klanore e fisnore  të kryetarit Nishani, i cili nuk ka pak merita për Partinë e Punës së Shqipërisë, për xhaxhin e tij të dashur Enver Hoxha dhe për shtetin e Diktaturës së Proletariatit. Faktet flasin pavarësisht sa patriot  e demokrat paraqitet kryetari, Nishani.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …