Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duhet ta marrë në mbrojtje, të akuzuarin e Gjykatës Speciale, Dritan Goxhaj, për të dhënë edhe një shembull konkret se ka respekt për luftën e UÇK-së dhe për ta vulosur edhe njëherë, atë që e ka deklaruar në OKB e në Këshillin e Evropës. Këtë rast e ka shumë më të lehtë ta arsyetojë para diplomacisë ndërkombëtare me të cilën bashkëpunon, sepse Dritani nuk akuzohet për të ashtuquajturat krime lufte, por thjesht sepse e mbron kauzën e UÇK-së, ashtu sikur e ka mbrojtur edhe e mbron edhe kryeministri Edi Rama, thuhet mes tjerash në një letër të një grupi veteranësh, dërguar në adresë të Radios-Kosova e Lirë.
Teksti i plotë: “Kryeministër shumë i nderuar, Edi Rama, tregoni respekt e nderim edhe për Dritan Goxhajn, ashtu sikur keni treguar dhe po tregoni, burrërisht, veçmas për Hashim Thaçin por edhe për bashkëluftëtarët e tij.
Mos ia dorëzoni Hagës, Dritanin, z. kryeministër, sepse e keni qytetar, për më tepër, njërin nga çlirimtarët e Kosovës, edhe pse ai mund të jetë kundërshtar i juaj politik, por mbi të gjitha ka qenë njëri nga radhët e çlirimtarëve të Kosovës e të trevave…
Ju, mbase do të thoni se ky rast i takon drejtësisë dhe jo Qeverisë, por nuk është kështu. Qeveria ka obligim të interesohet për çdo qytetar të saj, në rastin konkret për një qytetar që mbron një kauzë të drejtë, pjesë e së cilës kanë qenë bashkë me babanë dhe me shumë oficerë e luftëtarë të lirisë nga Shqipëria dhe nga të gjitha trojet tona etnike.
Ne, një grup i veteranëve nga Drenica, presim nga ju, jo sepse iu kemi përkrahur dhe do t iu përkrahim, por sepse mendojmë se e keni edhe obligim qytetar e atdhetar.
Dritanin duhet ta marrë në mbrojtje edhe Qeveria në Prishtinë, nëse ai ekstradohet në ndonjë burg të Kosovës, para se të dërgohet në Hagë, thuhet mes tjerash në letrën e një grupi të veteranëve nga Drenica.