RKL: Si e fyen dhe e përçmon luftën e UÇK-së, Rexhep Shahu, ish gazetar i Radio-Kukësit

RKL: Si e fyen dhe e përçmon luftën e UÇK-së, Rexhep Shahu, ish gazetar i Radio-Kukësit

Ish gazetari i Radio-Kukësit, Rexhep Shahu, radio e cila gjatë luftës  së UÇK-së nuk dëgjohej fare në Kosovë, për shkak se nuk e mbulonte terrenin me valë, në një shkrim të tij autorial, titulluar: “Radio Kukësi dhe 21 vjetori i lirisë së Kosovës”, botuar në Medial.MK, më 20 qershor 2020, fyen, përçmon, ironizon dhe shpërfill rolin e Ushtrisë Shqiptare, sidomos atë  të Divizionit të Kukësit, që i ka dhënë luftës së UÇK-së dhe çlirimit të Kosovës, ndërsa për vetën e vetë  deklaron se gjatë luftës ka shpërndarë gënjeshtra për sukseset e asaj lufte, madje më shumë sesa “paska shpërndarë”, zëdhënësi, Jakup Krasniqi.

Ky farë “kapterri” i Salih Berishës, më vonë edhe ministër e zyrtar i lartë, në kohën kur krenohet se ka qenë gazetar i Radio-Kukësit  nuk ka dëgjuar kurrë se në Kosovë gjatë kohës së luftës ka transmetuar  program Radi0-Kosova e Lirë dhe ka shpërndarë  lajme,  Agjencia Kosovapress, pikërisht në zonat e luftës, ashtu sikur nuk di sa ushtarë të UÇK-së kanë rënë në mbrojtje të këtyre dy institucioneve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Natyrisht nuk me di, se në katër muajt e fundit të luftës, të gjitha agjencisë botërore të lajmeve janë mbështetur vetëm në burimet tona, që e mbulonim terrenin, meqë në Kosovë nuk kishte më asnjë gazetar të huaj (pas fillimit të bombardimit të NATO-s) ndërkohë që NATO-ja kishte bombarduar edhe Radio-Televizionin e Serbisë, dhe pikat e transmetimit në Kosovë, në Komaran, në Gërmi e gjetkë.

Ja si shkruan Shahu tërë fodullëk e mendjemadhësi, me cinizëm e përbuzje, 21 vjet pas luftës dhe fitores historike të shqiptarëve kundër dhunës e barbarisë gati njëshekullore serbe. Madje për meritat  që ia përshkruan vetes, kërkon të nderohet nga OKB-ja, jo nga Kosova e Shqipëria. Ai, me paranojën e tij të sëmurë,  luftëtarët e lirisë i quan “njerëz” të UÇK-së, oficerët e ushtrisë shqiptare i quan kapterra, pa shkollë e dije, zonat e stërvitjeve të luftëtarëve të UÇK-së, në Shqipëri, i quan “zbore”, zëdhënësin e UÇK-së, gënjeshtar, armët e UÇK-së, pushkë druri…

Unë jam gazetar i vjetër i Radio Kukësit, i asaj radioje të lavdishme që OKB-ja duhet ta nderojë pasi çdo nderim tjeter i rri ngushtë, gazetar i asaj Radioje që drejtori Izet Duraku ka meritën e madhe se e ktheu në shërbim të Kosovës dhe ajo filloi të quhej Radio Kosova ndërsa unë edhe prej kolegëve të mi u quajta që nga 1996 gazetari i Kosovës.

Radio Kukësi ka meritën e jashtëzakonshme se veç të tjerave u tregoi për të parën herë njerzve për UÇK, për luftën që po përgatitej, që po niste, që nisi dhe u rrëfeu për veprime luftarake, për luftëtarë të rënë, të plagosur. Radio Kukësi u tregoi edhe ushtarakëve të Kukësit për UÇK, ua mësoi UÇK-në sepse ajo Radio ishte bërë zëdhënëse jo zyrtare e UÇK-së. Radio Kukësi ua mësoi UÇK-në edhe ushtarakëve të lartë të Kukësit edhe kapterrave që mbartnin çantat bosh pa plane luftarake të e oficerave dhe këtë punë e konsideronin detyrë të lartë e të lavdishme luftarake dhe janë shpërblyer rëndshëm për këtë shërbim luftarak, edhe oficerave e kapterrave të liruar a të çmobilizuar të ushtrisë të cilët për pak dojçmarka gjermane u bënë profesorë, gjeneralë, instruktorë a mësues për ushtarët e pa mësuar me armë të UÇK-së, me pushkë druri, instruktorë lufte pa pasë asnjë gram përvojë luftarake, pa ditë çfarë është lufta, sepse gjithë përvoja luftarake e ushtarakëve të Shqipërisë kanë qenë zboret dhe lojat luftash me pushkë druri. Lojat e vetme luftash me armë zjarri ishin stërvitjet me derdhe plumba a predha topash në shpate malesh. Për triumf, në fund me marrë me garuzhde dekorata e grada presidenciale për merita luftarake të pabëra, për lavdi të pambërritshme sepse lavdia merret e fitohet në luftë e jo në paqe e as në zbore ku luftohej e shkatërrohej imperializmi amerikan e socialimperializmi rus.

 

Nuk ishte e lavdishme lufta jonë. Të paktën nuk meritojmë asnjë dekoratë përveç të rënëve në luftë dhe martirëve. Ushtria e Shqipërisë nuk mori pjesë në luftë, nuk shkrehu asnjë fishek. Nuk iu bashkangjitëm luftes së Kosovës ne të Shqipërisë, na u duk si luftë diku larg nesh, si luftë e huaj. Nuk e bëmë të madhe UÇK edhe pse unë në lajme e bëja e zmadhoja rrenën më shumë se Jakup Krasniqi.

(Vetëm në këtë pasus të shkrimit ky gazetar mendjemadh e tru-zbrazur që  thotë se ka botuar qindra libra, ka lëshuar më shumë se 15 gabime drejtshkrimi).

Ja se çfarë injorimi i bën kësaj lufte ky “gazetar” të pretendon të quhet i Kosovës. Ky soj gazetari, nuk ka dëgjuar apo me qëllim anashkalon faktin se sa oficerë të lartë të UÇK-së, kanë luftuar dhe kanë vepruar në Kosovë, gjatë luftës, nuk ka dëgjuar apo anashkalon me qëllim 32 dëshmorët nga Shqipëria që ranë në vende të ndryshme të Kosovës dhe në luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Rexhepi, mbase në dëlir të kuptimit të mbiemrit të madh, “Shahu”, nuk ka dëgjuar as ka shkruar qoftë një rresht të vetëm për eprorin dhe luftëtarin e lirisë, Indrit Cara nga Kavaja, Astrit Suli nga Berati, Bardhyl Llagami, Halit Coka, Arjan Brahimi e dhjetëra dëshmorët të tjerë të luftës së UÇK-së. Si gazetar që pretendon se e “njeh krejt Kosova”, nuk e pati guximin të futej në front, ashtu sikur bëri gazetari  dhe luftëtari internacionalit francez, Pjerë Arno Pajar, intelektuali dhe gazetari italian, Françesko Xhuzepe Bider, luftëtari algjerian, Murad Muhamed Ali, të tre dëshmorë,  e sa e sa gazetarë të tjerë, që futeshin edhe brenda Kosovës, madje edhe në frontet e luftës. Përçmon dhe ironizon kontributin luftarak të Divizionit të Kukësit dhe komandantit, gjeneralit, Kudusi Lama dhe sa e sa eprorëve të tjerë, të cilët ishin bërë digë e pakalueshme e forcave serbe, që bombardonin edhe brenda Shqipërisë, por Shteti asokohe me urdhër  të Amerikës e të NATO-s nuk lejohej të futej në luftë.

Pavarësisht se sa mund të ketë dhënë kontribut, Radio-Kukësi, gjatë luftës së UÇK-së, asnjë gazetar i asaj Radioje nuk ka bashkëpunuar me Radion-Kosova e Lirë, me sa di as me Agjencinë e Lajmeve Kosovapress, edhe pse ata i kanë pasur telefonat, adresën tonë.

Një segment të atij “kontributi” e ka shpalosur edhe ky, Rexhep Shahu, duke i injoruar të gjithë në Shqipëri, për t’ u dukur një “SHAH” i vërtetë, gjithnjë hundëpërpjetë.

Të tillë gazetarë i dekoron RTK-ja, e cila i fali donacione të majme kësaj Radioje 15 vjet pas luftës, duke ia njohur “kontributin madhor”, edhe pse shkurt e shqip, Radio-Kukësi gjatë luftës nuk është dëgjuar në Kosovë, për shkaqe teknike. Drejtuesit e RTK-së, të Kohës Ditore që ishte nën mbrojtje te regjimit të Millosheviqit, gjatë luftës, mohojnë madje edhe ekzistimin e Radios-Kosova e Lirë dhe të Agjencisë Kosovapress, duke i trajtuar si “mediume ilegale”, ashtu sikur na kishte kërcënuar asokohe ministri i Informimit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, ndërsa regjimi kriminal i Millosheviqit  na kishte bombarduar selinë më 27 mars të vitit 1999, tri ditë pas fillimit të bombardimit të makinerisë kriminale serbe,  nga Aleanca më e madhe ushtarake e botës, sikur ishte dhe është NATO-ja.

Këtij “shahut” dhe shahëve të tillë më së miri  u shkon ajo fjala e artë e popullit: “Mos e pyet se të kallëzon vetë”.

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …