Albin Kurti, nuk është aq i padijshëm sa për të mos i kuptuar favoret dhe epërsitë e Serbisë, në raport me Kosovën, dhe prapë se prapë rrah gjoks, duke menduar se do ta shtyjë në konflikt Amerikën me Serbinë, edhe pse kjo nuk do të ndodh kurrë, sepse është vetë Amerika, e cila po ia trason rrugën Kurtit për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, por me kompromisin brenda, dhe jo me pavarësinë brenda.
Kryeministri i Kosovës dhe ministri i tij, Xhelal Sveçla, nuk besoj se e kanë përkrahjen e të shumicës së votuesve të Vetëvendosjes, por përderisa është kështu si është, të dy këta mbajnë përgjegjësi të madhe për të ardhmen e Kosovës, nëse gjendja eskalon edhe më tej. Kurti e Sveçla sa herë kanë ndërhyrë në Veri, kanë sharruar dhe nuk kanë arritur të nxirren vetë, por gjithnjë me ndihmën e KFOR-it dhe Policisë së EULEX-it dhe prapë se prapë nuk po mbushen mend.
Aktualisht situata në veriun e vendit nuk mund të kthehet më në gjendjen, që ishte para tre katër muajve. Serbët e atjeshëm nuk i njohin më, as i përfillin institucionet e Kosovës, tani nuk janë as pjesë e tyre, sepse kanë dhënë dorëheqje nga të gjitha vendet ku kanë punuar. Kjo nuk është vetëm nga ” të arriturat” mendjelehta të Albin Kurtit, por janë planet e Serbisë, është karremi i Serbisë, të cilin e ka kafshuar Qeveria e Kosovës dhe tashmë situata është krejtësisht në favorin e Vuçiqit, i cili po e kushtëzon krijimin e Asociacionit dhe po tregon hapur se serbët e tij, kurrë më nuk do të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës, por do të organizohen dhe do të veprojnë në kuadër të Asociacionit me kompetenca ekzekutive, i tillë çfarë është nënshkruar, pa i marrë në konsideratë mospajtimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
I gjendur në pozitë pa rrugëdalje, Albin Kurti është detyruar të bëjë një varg lëshimesh, por gjithnjë duke i modifikuar, gjithnjë duke manovruar, me qëllim që të duken si veprime të tij autentike, ndërsa kur i has sharra në gozhdë, ankohet te ish-qeveritë, pse nuk i kanë zgjidhur punët, por ia kanë lënë që ai t’i zgjidh, kur t’i vijë radha të bëhet kryeministër. Është ky një konstatim i mjerë dhe naiv, i cili tregon gjendjen e tij pa rrugëdalje, ashtu sikur është edhe ankimi i fundit drejtuar opinionit kur thotë se: Targat janë zgjidhur, zgjedhjet janë shtyrë, çka kërkon tjetër Vuçiqi?
Kurti e pranon se Vuçiqi po i realizon kërkesat e tij, madje do t’i realizojë të gjitha, një nga një, pavarësisht ankimeve të Kurtit “se boll kemi bërë lëshime”. Por kjo puna e lëshimeve është si kalimi i miut nëpër mjekrën e plakut, pasi tashmë lëshimet janë bërë rrugë e vetme, pavarësisht si quhen ato, koncesione, tërheqje, zmbrapsje, tërheqje taktike, por jo me emrin e vërtetë, kompromise, fjalë eufemistike që nuk e thotë dot Kurti, përderisa ka sa e sa homonime, pasi gjuha shqipe është shumë e pasur me këtë “vokabular” fjalësh e togfjalësh.
Të gjitha lëshimet, që janë bërë dhe që do të bëhen janë kompromise, në të cilat Serbia fiton 8 me dy, sepse në radhë të parë e ka forcën prapa, e ka përkrahjen pa rezervë të Lajçakut e Borellit, e ka përkrahjen e aleancës historike e faktike të Francës, deri diku edhe të Gjermanisë dhe përkrahjen historike të Rusisë, e cila e ka formuar Serbinë shtetet të vetin, shtet xhandar në Ballkan, por edhe me ndihmën e pakursyer të shumë shteteve të Evropës.
Kurti, është aq i dijshëm sa për t’i kuptuar këto favore dhe epërsi të Serbisë dhe prapë se prapë rrah gjoks, duke menduar se do ta shtyjë në konflikt Amerikën me Serbinë, edhe pse kjo nuk do të ndodh kurrë, sepse është vetë Amerika, ajo e cila po ia trason rrugën Kurtit për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, por me kompromisin brenda, dhe jo me pavarësinë brenda.
Tash për tash Kurti konstaton se “çështja e targave është zgjidhur, ndërsa edhe zgjedhjet në veri janë shtyrë, ndaj Serbia nuk ka më asnjë justifikim për sulmet dhe trazirat”. Krejt kjo nënkupton se deri tani Serbia paska pasur arsye për sulme dhe trazira, por tani nuk paska, pasi Kurti është tërhequr nga veprimet në veri, sepse zonja Vjosa Osmani, pa apo me pëlqimin e kryeministrit dhe ministrit të tij, i shtyu zgjedhjet në veri deri më 23 prill, 2023, dhe dihet mirëfilli se as në atë datë, as kurrë më nuk do të mbahen zgjedhje të organizuara nga Kosova në Veri, por vetëm nga Asociacioni, Republika e ardhme serbe e Kosovës. Ky është tash për tash rezultati që ka korrë Qeveria e Kosovës, në Veri, duke bërë eksperimente me qëllim që të tregojë se Vetëvendosja po i mbanë premtimet për kthimin e ligjit në veri, por ja që nuk po shkon, nuk po mund të bëjë më shumë, edhe pse kishte premtuar se në veri kurrë nuk do të ketë Asociacion një etnik.
Kur të marrë vendim për Asiciacionin, Kurti sërish do ta zbrazë mllefin te ish qeveritë, të cilat i kanë lënsë shumë punë pa u krye dhe kanë pritur që ato t i kryejë ndryshme Albin Kurti, po ja që nuk po mund të ndryshojë asgjë përveç ankimeve dhe retorikës boshe, tashmë të katandisur e të rënë për tokë siur bie dushku i vjeshtës.