Se deri në ç’masë janë pacifikuar shqiptarët jo vetëm në Kosovë, po kudo të trojet e tyre etnike, flet edhe rasti i fundit i arrestimit të dy policëve të Kosovës nga policia e Serbisë, brenda territorit të vendit tonë. Lajmet bëjnë të ditur se policët ishin të armatosur, kishin pushkë automatike, revolverë dhe municion të mjaftueshëm sa për të mos u dorëzuar, qysh në thirrjen e parë. Ata u shtangën, dorëzuan armët, lejuan të lidhën me duar prapa, u detyruan të shtrihen për tokë para çizmeve të tre policëve të Serbisë dhe nuk bënë as gëk, as mëk. Ata janë mësuar t’ i zbatojnë urdhrat e policisë multietnike të cilës do polici. Kolegët e këtyre dy policëve kanë ndihmuar policinë e EULEX-it për t’ i arrestuar luftëtarët e lirisë, kudo në Kosovë dhe do ta ndihmojnë EULEX-i kurdo të ketë nevojë për ta.
Por, historia e qyqarisë, e nëpërkëmbjes, përbuzjes dhe mjerimit nuk mbaron me kaq. Dy policët e Kosovës, të cilët u arrestuan, vepruan me maturi, ashtu sikur i ka “edukuar” policia ndërkombëtare dhe ashtu sikur janë stërvitur, për të vepruar në raste të tilla. Vetëm ndaj bashkëkombësve të tyre, ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje fryjnë muskujt këta policë dhe demonstrojnë forcë, virulencë, prepotencë, trimëri e guxim. Po dallon gjithçka kur këta ballafaqohen me policët e Serbisë. Jo, sepse ata nuk janë trima, por sepse i kanë dresuar, që në asnjë mënyrë të mos provokojnë, as mos të lejojnë të provokohen, sepse ia prishin imazhin paqësor Kosovës, sepse e rëndojnë dialogun me Serbinë, sepse tekefundit Republika e Kosovës është bërë “Kosovo” dhe prapa ia kanë ngjitur bishtin e fusnotës, që nënkupton sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën.
E tillë është situata edhe në Maqedoni. Për më keq, atje policët sllavo-bullgarë vrasin të rinj shqiptarë, i rrahin nxënësit dhe të miturit nëpër vende publike dhe nëpër autobusë publikë, kërkojë “gasnakomora” për shqiptarët, i shajnë dhe i përbuzin ata, ndërkohë që qeveritarët kuislingë, të gjitha këto i kualifikojnë si raste spontane, të cilat u ndodhin edhe sllavobullgarëve, tekefundit, sipas filozofisë së tyre, skajshmërisht durimtare, ata konkludojnë se shqiptarët rrahën edhe mes veti, madje edhe vriten si pa të keq, dhe kjo nuk mund të kualifikohet ndryshe, vetëm si një ekses ditor. Kështu iu ka ndodhur dhe iu ndodh skllevërve kudo në botë, sidomos atyre, që marrin pushtet, dhe për ta ruajtur atë pushtet janë të gjendje të bëjnë gjithçka, kundër të gjithëve pa dallim, por jo kundër atyre, që i kanë veshur me pushtet.
Reagimi tejet i “ashpër” i përfaqësuesve të institucioneve, lidhur me arrestimin e dy policëve, na trimëron, dhe na kujton kohën kur, në vitet ‘90 trimëroheshim me deklarata verbale, në kohën durimtare të Ibrahim Rugovës. Edhe asokohe reagimet verbale në disa raste kanë qenë aq të ashpra, sa para se të botoheshin, redaktorët e “Bujkut” merrnin në telefon të parët e partisë, për të vërtetuar se ishte qëndrimi i Rugovës apo i do të frustruarve të tij, në reagimet aq të ashpra dhe aq të fuqishme, që realisht dukeshin groteske. Tani reagimet janë më të fuqishme, ashtu sikur edhe ankimet drejtuar BE-së dhe Amerikës. Por edhe kësaj radhe pati reagime të ashpra, të matura, tejet të moderuara madje edhe qesharake e groteske. Përderisa kryekuvendari, Jakup Krasniqi reagoi ashpër, madje paksa edhe qehre-ngrysur, po ashtu ashpër ka reaguar edhe kryetarja e Kosovës, Atifete Jahjaga, të paktën përmes deklaratave publike. Reagimi i Edit, ishte në nivelin e reagimeve të dresuara të mentorit të saj politik, Kuper. Përderisa kryetarja tha se akti i arrestimit të policëve është agresion kundër shtetit të Kosovës, Edi e zbuti qëndrimin dhe tha se rasti i arrestimit të policëve ishte vetëm një përpjekje e Serbisë për agresion, sepse agresioni nuk bëhet me arrestimin dhe as me vrasjen e policëve, por bëhet kur ushtria serbe thyen kufirin dhe hyn në Kosovë, dhe kjo falë Zotit apo pjesëtarëve të përgjumur të KFOR-it, ende nuk ka ndodhur.
Reagimi i ministrit të Brendshëm, Bajram Rexhepi, ishte qesharak dhe grotesk në të njëjtën kohë, sepse ai mendon se arrestimi i policëve të Kosovës po iu nevojitka, Ivica Daciqit për ta rritur elektoratin dhe për ta marrë besimin e shumicë së serbëve në zgjedhje. Ministri Rexhepi, shkoi aq larg duke akuzuar Serbinë për çarmatimin dhe arrestimin e policëve të tij nga Policia e Serbisë, dhe aktin e tillë e cilësoi si akt “qyqar”, ndërsa dorëzimin e përnjëhershëm të policëve e cilësoi si akt të pjekurisë së tyre, për të mos shkaktuar konflikte të panevojshme.
Në mesin e deklaratave me plot ankime kundër Serbisë, vërehet edhe në një komunikatë autentike pacifiste të LDK-së, e cila fton bashkësinë ndërkombëtare, Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha vendet e botës demokratike, që t’i bëjnë trysni Beogradit zyrtar për ndaljen e provokimeve të tilla të rënda ndaj Kosovës dhe kërkon që krejt bota ta bind Serbinë që t’i lirojë dy policët e armatosur shqiptarë të cilët iu dorëzuan pa kusht policëve të xhandarmërisë serbe, ditë më parë në Merdar.(!)
Çuditërisht kreu politik dhe institucional i Kosovës nuk ka reaguar fare me rastin e lirimit nga policia e EULEX-it të kriminelëve të MUP-it, të cilët një muaj më parë, kishin marrë guxim dhe i kishte paraburgosur Policia e Kosovës, ndërsa Prokuroria kishte filluar ndjekjen penale. Ministri Rexhepi i pyetur për këtë rast nga një gazetar tha se “ne nuk i përzihemi EULEX-it”, ne i kemi punët tona, por kur EULEX-i kërkon ndihmën e policisë së Kosovës, për të arrestuar çlirimtarë në saje të dosjeve të Serbisë, atëherë ministri tregohet shumë dorëlirë.
Gjuhën e reagimeve verbale, të ashpra, të fuqishme, tërë pompozitet nuk e kupton Serbia, por as miqtë tanë, të cilët tashmë janë mësuar me ankimet tona, sikur me “bukën e përditshme që na e falë i Madhi Zot”.
Reagime të tilla në të kaluarën tonë të “lavdishme” pacifiste kemi bërë me mijëra herë, por vetëm kur Legjendari Adem Jashari dhe trimat e tij filluan “të reagojnë”, në gjuhën e vetme që e kishte kuptuar dhe e kupton Serbia, atëherë ndërroi gjithçka dhe gjërat u futen në binarët historikë. Qeveritarët tanë po mundohen të na bindin gjithnjë në të kundërtën. Ata po na thonë se fusnota është e vdekur, se është një fjollë bore, edhe pse deputetët e Parlamentit të Evropës kundërshtuan dhe nuk e votuan amendamentin për vendosjen e fusnotës. Qeveria deklaron se veprimet e Serbisë me rastin e arrestimit të shqiptarëve janë veprime “qyqare”, ndërsa dorëzimi pa kusht i dy policëve tanë të armatosur deri në dhembë, qenka “vepër heroike” e durimit dhe emancipimit të ri politik, mbështetur në filozofinë e Brukselit.