RKL

RKL: Si i poshtëron EULEX-i dhe politika poltrone e Kosovës komandantët e luftës së UÇK-së?

Me qëllim të diskreditimit të vlerave të luftës së UÇK-së, krerët e EULEX-it dhe krerët e institucioneve tona të varura  nga Brukseli, tani edhe nga Beogradi, po bëjnë përpjekje që t’i demontojnë vlerat e luftës sonë çlirimtare dhe fitimtare, përmes gjykimeve të improvizuara politike, me qëllim që të krijohen kushte për bashkëjetesë të shqiptarëve me Serbinë dhe me Beogradin zyrtar.  Në këtë rrugë të re drejt integrimeve, drejt Beogradit dhe së bashku me Serbinë drejt BE-së, krerët aktualë të institucioneve të Kosovës janë kthyer në përmbarues vasalë të politikave antishqiptare, të cilat për fatkeqësinë tonë, po na kthejnë në Kushtetutën e vitit 1974, për vlerat e së cilës është shkruar gjatë tërë vitit nëpër gazeta e jugo-portale. Duke lavdëruar Kushtetutën e vitit 1974, krerët e institucioneve dhe mendësia tejet e shprehur pro-jugosllave e eunukëve shqiptarë, për hir të ruajtjes së paqes dhe frikës nga invadimi serb, është në gjendje të pranojë çdo status, me qëllim për të ruajtur pozitat dhe regjimin e tyre vasal, i cili krejtësisht është ndarë nga populli dhe nga aspiratat integruese kombëtare.

Virulenca politike serbe e Beogradit kundër shqiptarëve, sidomos në tri vitet e fundit pas nënshkrimit të Marrëveshjes së 19 prillit të vitit 2013 në Bruksel, jo vetëm që nuk ka ndalur por është në ofensivë të plotë për të rrëmbyer sa më shumë që mundet, e vetëdijshme se tre krerët kryesorë të vendit janë të shantazhuar dhe detyrohen të lëshojnë pe në çdo kërkesë të Serbisë, të cilat i miraton Brukseli, deshi apo nuk deshi pala e Kosovës. Këtë e ka pranuar hapur edhe dialoguesja e zellshme, Edita Tahiri, i cili çdo humbje në Bruksel e ka paraqitur si fitore historike të palës “kosovare”, të cilën ajo e përfaqëson pa asnjë bazë deleguese, pa qenë e votuar nga asnjë votues i Kosovës.

Me qëllim për ta diskredituar luftën EULEX-i, dënon komandantët e UÇK-së në mungesë të shprehur të fakteve. Dhe për të qenë ironia edhe më hipokrite e perverse, thuhet se nuk po dënohet lufta e UÇK-së por vetëm komandantët e saj.

  1. Shpallen fajtorët dhe dënuan 14 vjet burg, komandantin e SHP të UÇK-së, Sylejman Selimi sepse mes tjerash, i ka dhënë dy shuplaka fytyrës një putajene shqiptare që rrinte në prehër të policisë serbe. U bënë përpjekje ta dënojnë edhe  për dhunim.
  2. Dënuan me burg Komandantin e Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku, sepse supozohet se ka vrarë një person, të cilit nuk i dihet emri, përkatësia, mosha, familja dhe asnjë e dhënë e besueshme, duke u bazuar vetëm në një deklaratë të një dëshmitari të mbrojtur.
  3. Arrestohet dhe mbahet në burg, Azem Syla komandant i SHP të UÇK-së deri në shkurt të vitit 1999, i akuzuar për krim të organizuar, meqë akuzat për krime lufte qofshin edhe vetëm në shpifje duket se mungojnë. Qëllim është të diskreditohet figura e tij dhe të paraqitet para opinioni të zhvatës dhe i korruptuar.
  4. U bënë dy herë përpjekje të dënohet Komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, sepse ka vrarë serbë gjatë luftës, por  edhe pse dy herë u shpall i pafajshëm, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa i aktualizon “krimet e tij” duke u mbështetur në dosjen e regjimit kriminal të Serbisë. Po ashtu,  në ato dosje mbështetet edhe kryearti aktual i Pejës nga LDK-së, Muhaxhiri, pavarësisht se Gjykata e Hagës nuk ka gjetur asnjë të dhënë, dëshmi apo argument se Ramush Haradinaj ka kryer krime lufte kundër civilëve.
  5. Tri herë u bënë përpjekje për ta shpallur fajtor dhe për ta dënuar për krime lufte Komandantin e UÇK-së, Fatmir Limaj. U bënë përpjekje për ta dënuar edhe për korrupsion. Ai, ende vazhdon të ndiqet, prej më shumë se 10 vitesh nga EULEX-i dhe prokurorët e Titos, Milosheviqit e tani të Isa Mustafës.
  6. U shpall fajtor dhe dënua për krime lufte, Komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, për shkak se thuhet se kishte rrahur fizikisht disa mercenarë shqipfolës të Milosheviqit, gjatë kohës së luftës së UÇK-së.
  7. Serbia i ndjek përmes Interpolit të gjithë komandantët dhe eprorët e UÇK-së, madje edhe luftëtarët e lirisë, të gjithë pa dallim. Ajo përmes Zvicrës po përpiqet ta arrestojë Albert Spahiun, të cilit gjatë luftës ia ka vrarë pesë anëtarë të familjes. Tani ajo ka nxitur oreksin kanibal për ta shfarosur krejt familjen e tij.

Përderisa Serbia përmes EULEX-it dhe Policisë së Isa Mustafës e Shpend Maxhunit i arrin qëllimet e veta thellësisht raciste, fashiste e antishqiptare, organet relevante të vendit lirojnë komandantin serb kriminelin e luftës, Bojoviq, i cili ka dhënë urdhër për likuidimin më pas masakrimin e qindra shqiptarëve. Dënojnë me burg dhe largojnë nga punë 10 policë shqiptarë, sepse kanë rrahur një truproje të Vuçiqit, derisa po orgjizonte me fyerje e sharje drejtuar shqiptarëve.

Përderisa Sami Lushtaku dënohet 14 vjet burg për vrasjen e një personi inekzistent, krimineli Oliver Ivanoviq dënohet 9 vjet burg për vrasjen e masakrimin e 20 shqiptarëve dhe dëbimin nga veriu të 12.000 të tjerëve.

Për masakrimin e 48 pjesëtarëve të familjes së gjerë Berisha, në Therandë më mars të vitit 1999, janë dënuar vetëm dy serbë, ndërsa është liruar i pafajshëm urdhërdhënësi i masakrës. Për qindra masakra ku kanë pësuar mijëra shqiptarë, ende nuk është dënuar asnjë ekzekutor serb, asnjë urdhërdhënës, asnjë masakrues fashist.

Qeveria e Kosovës ka amnistuar të gjithë serbët që kanë kryer krime kundër shqiptarëve në Kosovë, për hir të Brukselit dhe me qëllim të pajtimit të shqiptarëve me serbët.

Ja cila është drejtësia e EULEX-it!, Ja cila është Policia dhe Qeveria poltrone e Kosovës dhe organet e saj të “Drejtësisë” gjithnjë vasale, bashkëpunëtore të Beogradit tani edhe të Brukselit.

Të na rrojnë komandantët në burg! Të na rrojnë edhe këta të tjerët derisa t’ i fusin në burg, sepse asnjëri prej tyre nuk mësoi asgjë nga historia, as  nga lufta, madje asgjë nga komandanti i tyre dhe i gjithë shqiptareve, Legjendari, Adem Jashari. Nuk mësuan të paktën atë mësimin e parë që Skënderbeu i kishte mësuar ushtarëve të tij, duke marrë shembullin e shtatë thuprave, të cilat të lidhura e të bëra bashkë me një vend, nuk i thyente asnjë dorë e fortë, ndërsa një na një i thyente edhe një fëmijë.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …