Mungesa e reagimit publik të disa partive politike dhe disa shoqatave me peshë publike, lidhur me arrestimin e krerëve të OVL-UÇK-së dëmton kredibilitetin e tyre, pasi ata fshihen me dashakeqësi pas faktit se nuk i mbrojnë të arrestuarit nga Gjykata, sepse Hashim Thaçi e PDK-ja me LDK-në paskan votuar në Kuvend për këtë gjykatë.
Sa i përket Vetëvendosjes, dihet se ajo ka marrë dhe do të marrë kurdoherë qëndrim kundër kur janë në pyetje, emrat: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Agim Çeku, Azem Syla, Jakup Krasniqi, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Nasim Haradinaj, Hysni Gucati, dhe po thuajse të gjithë të akuzuarit nga Gjykata Speciale, me ndonjë përjashtim.
Nuk reaguan institucionet e vendit, edhe pse sulmi mbi vlerat e luftës së UÇK-së është sulm mbi Pavarësinë e Kosovës. Natyrisht se askush nuk ka pritur të reagojë Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, sepse ajo është Akademi e Lidhjes Demokratike të Kosovës, por mungesa e reagimit qoftë edhe formal të disa institucioneve të vendit i shkon për shtati vetëm Serbisë. Këtë më së miri e tha edhe analisti i njohur amerikan Daniel Server, i cili saktësoi se Gjykata Speciale është në favor të serbëve, meqë Serbia po përpiqet t’i mbajë përgjegjës komandantët për krimet, që janë kryer gjatë luftës në Kosovë.
Mungesa e reagimit sot, do të ketë pasoja përgjithmonë, sepse pavarësisht kush shpallet fajtor dhe kush sa e si do të dënohet, nuk mund ta anashkalojë faktin se kjo Gjykatë është në esencë antishqiptare dhe kryekreje në shërbim të Serbisë, me përpjekje që të damkoset lufta e drejtë e një populli për liri, luftë të cilën e përkrahu Aleanca më e madhe ushtarake e botës, sikur është NATO-ja. Kjo Gjykatë u shpik pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe pas Verdiktit pozitiv për pavarësinë e vendit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Përpjekja e heshtur e disa mendjeve tinëzare e hipokrite se Kosovës nuk iu ka dashur lufta, se ajo edhe ashtu e kishte shpallur pavarësinë, se liria edhe ashtu do të vinte, se ishte populli ai që i mbrojti pragjet e veta, se UÇK-ja bëri luftë vëllavrasëse pasi likuidoi disa bashkëpunëtorë të Serbisë, se ajo nuk e përfilli FARK-un, i cili luftën e ka bërë ndenjur në Kazermat e Shqipërisë, duke pritur kur do të japë urdhër, Ibrahim Rugova, është fjala për ata oficerë-karriere, që gjatë tërë luftës qëndruan në qendrat stërvitore, në Shqipëri dhe pas luftës, pasi ishin siguruar se forcat serbe nuk do të ktheheshin më në Kosovë, zbarkuan në Prishtinë, të rruar, të krehur, të larë të parfumosur dhe u vendosen nëpër institucione në të gjitha vendet ku deshën vetë. Komandantët e FARK-ut që iu bashkuan luftës me kohë, pavarësisht qëndrimit të tyre të sotëm politik, ata kanë kryer me mëritë obligimin e tyre atdhetar dhe nuk mund të vihet shenja e barazimi midis tyre, në këtë segment të luftës.
Të gjithë ata politikanë që pretendojnë të fitojmë mbi kurriz të luftës së UÇK-së dhe gjakut të derdhur për liri, do të jenë të pranueshëm për Bashkimin Evropian dhe ato vende që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, pse jo edhe për Serbinë ‘liberale”, njëjtë sikur politikanët e kohës së bashkim vëllazërimit të cilët dënuan demonstratat e marsit dhe prillit të vitit 1981 dhe morën grada e poste deri në Presidencën e Federatës së Jugosllavisë, por ato poste dhe favore iu ngelën në fyt. Sot pavarësisht përpjekjes që bën ndonjë jugo-medium për ringjalljen e asaj epoke, koha e tyre ka perënduar me turp e me faqe të zezë. Mospërkrahja apo indiferenca që sot po tregojnë politikanë, institucione e shoqata, madje edhe personalitete me ndikim, sot kur ka filluar lufta e hapur në nivel botëror mediatik kundër UÇK-së, në krye të së cilës ishin këta që janë të akuzuar, atyre do t iu kthehet një ditë, po pasojat do të jenë shumë më të mëdha sesa mendojnë sot.