Sjelljet e pamoralshme e të panjerëzishme të Ilir Metës, përfaqësuesi i opozitës dhe i partisë së gruas së tij në Shqipëri, (aktualisht kryetar ) pa dyshim se mes tjerash, na sjellin në kujtesë poezinë satirike stigmatizuese të Nolit të Madh, “Merr e zgjidh”.
Hall i madh me skraparllinj
Ka rrezik të hash dhe dru
Dy ministra le të rrinë
Se na duhen dhe pa tru.
Natyrisht se Noli i madh nuk kishte mendim të tillë për të gjithë skrapallinjët, por ja që fenomeni i një ministri pa tru, tani i kryetarit të dhunshëm, gjithnjë pa tru, në kuptimin ko vetëm figurativ të fjalës, kthehet si një realitet faktik.
Po kur një skraparlli krenohet me origjinën e tij uloke, kur faqe krejt botës lëshon gjuhën nën nivelin e bariut të Skraparit, atëherë konstatimi i Fan Nolit merr një peshë dhe një konsideratë të veçantë.
Ku ke parë burrë shteti në botën e qytetëruar që i thotë “bir qeni” kryeministrit të vendit, kryeministrit që zgjedhur me votën e popullit, sikur është Edi Rama. Fjala e tillë para medieve, sulmi i hallakatur, frika nga burgu për shkak të aferave të tij korruptive, djallëzore e të pamoralshme, tregon se cili është niveli moral i këtij njeriu “pa tru”, i cili po numëron ditët e fundit të “mbretërimit” të cilit mjerisht dhe për fatin e tij të keq ia kishte mundësuar pikërisht Edi Rama. Dhe le t i bëhet mirë Edit, por kjo nuk është çështja.
Fatkeqësia më e madhe e tij do të kishte qenë sikur ai të kishte shkalluar njësoj si ky skraparlliu pa tru, apo tropojani, gojështhurur, Sali Berisha, i cili në sallën e Kuvendit të Shqipërisë u shante gratë, nënat e kunatat, deputetëve socialistë. Andaj nuk mund të mos i rikthejmë dhe të mos i lexojnë konstatimet satirike dhe stigmatizuese të Fan Nolit.
A të duhen sharlatanë
Që lëpihen në çdo sahanë
Që të përçajnë vatanë,
Ke sa të duash tropojanë…
Kjo është strofa më diskutabile e Nolit, e cila tingëllon sikur ta kishte shkruar në vitin 1992 dhe sikur ta ketë rishkruar sot në vitin 2020. Se ku e ka sjellë dhe si e ka rrokullisur, batërdisur e çakërdisur Shqipërinë, Klani i Tropojës, me krye-tropojanin e Shqipërisë, Sali Berisha, përveç 180 të vrarëve në aferën Azem Hajdari, këtë e kanë ndier dhe po e ndiejnë mbi kurriz të gjithë shqiptarët sot e 30 vite. Po nëse u besojmë profetëve e gjenive, pse të mos besojmë se Noli ishte i tillë, kur nuk kemi vetëm këtë strofë të tij, ta quajmë profetike, në suaza letrare, jo biblike. Poezia satirike nuk nënkupton të gjithë tropojanët, por vetëm ata që kanë bërë emër të keq.
Fenomenologjia letrare, fiksioni artistik nuk është vetëm prodhim i fantazisë krijuese, sidomos kur ka për bazë një realitet të caktuar, qoftë ai shoqëror, filozofik, etik, politik etj.
Nëse me punë dhe vepër ke treguar se je qytetar besnik i një vendi, se ke pjesën tënde të kontributit për komb e atdhe, nuk mund të jesh indiferent kur të marrët, njerëzit pa tru, sharlatanët që lëpihen në çdo sahan të serbit, grekut e të tjerëve, të cilët për të mbajtur pushtetin përçajnë kombin dhe shkatërrojnë atdheun, sikur ka ndodhur dhe po ndodh, mjerisht në të gjitha vendet dhe krahinat e shkapërderdhura të Shqipërisë.
Indiferenca në këto raste, në radhë të parë do të thotë shpërfillje e vlerave morale, njerëzore, pastaj kombëtare e familjare.
Nuk duhet shumë për ta kuptuar të vërtetën edhe për ata që e përkrahin Ilir Metën. Duhet vetëm ta dëgjojnë kur shan, kur hakërritet, kur mundohet të gërrith me gishta, kur nuk e bën zap vetëm nga frika për të nesërmen, kur e di ferrin në të cilin do të digjet me krejt familjen e sivetet.
Sikleti i djallëzuar i Ilir Metës, Salih Berishës, Lulzim Bashës, Monika Kryemadhit e shumë të tjerëve, nuk ka të bëjë me kombin, atdheun por me pushtetin, të cilin duan ta uzurpojnë dhe ta zhvasin për veten dhe të vetët. Ata e kanë provuar se çfarë të mira përrallore sjellë pushteti, andaj janë në gjendja ta japin kokën por jo fronin.
Po a dallon Edi Rama nga kjo katërshja e djallëzuar dhe e përdalë?
As Edi Rama nuk është imun ndaj këtij realiteti, sepse të ecësh rrugëve të politikave përbaltura të Shqipërisë dhe të mos zhytesh, është e pamundur, edhe sikur të jesh më i drejti. Rama është ndryshe dhe këtë e ka treguar me vepër, por i ka munguar dhe i mungon guximi për ta vënë në vend ligjin dhe të drejtën. Edhe kjo arsyetohet deri diku. Rama e di fare mirë se mund t’ ia vë prangat në duar, Sali Berishës, edhe pse ai tani nuk ka asnjë imunitet zyrtar, por nuk ka guxim, sepse përsëritet viti 1997. Sepse ata që lëpihen në çdo sahan, janë të gatshëm të ruajnë sahanat e kazanët, kur ata iu rrezikohen.
Edi Rama nuk është kryeministri që guxon të vë në jetë ligjin, ndoshta edhe nga frika e natyrshme për vetveten e familjen e tij, sepse jo rastësisht, Ilir Meta i përkujton Vojo Kushin partizan që ka bërë harikiri, edhe pse Vojua e kishte bërë për një ideal të kombit e atdheut, e jo për t’u treguar se sa trim kishte qenë.
Andaj, Edi Rama, nuk mund të vazhdojë më këtë rrugë. Do të ishte shumë e mençur që ai në mesin e socialistëve, apo atyre pa parti, të kandidojë një personalitet të pakorruptuar, dhe ka mjaft të tillë që të mund ta kandidonte për postin e kryeministrit nga radhët e Partisë Socialiste. Në këtë mënyrë, ai do të fitonte dyfish, fitoren e sigurt në zgjedhjet e Prillit 2021 dhe do ta evitonte katrahurën e mundshme, në vend, meqë humbësit kësaj radhe nuk do ta pranojnë rezultatin e zgjedhjeve, pasi me çdo kusht duan pushtetin, qoftë edhe me armë në dorë, por jo për ta ruajtur e përparuar Shqipërinë jo për të mirën e shqiptarëve, por për favoret, pasurisë që do t iu sjellë uzurpimi i pushtetit. Jo rastësisht një Dash Shehu nga opozita ka paralajmëruar se nëse edhe kësaj radhe i humbin zgjedhjet kryeparët e saj duhet ta vrasin vetveten.
Edi Ramës, nëse vërtetë e do Shqipërinë dhe të ardhmen e saj, më shumë se partinë të cilën e përfaqëson, më shumë se egon e tij për të qeverisur edhe për të tretën herë, i duhet ta bëjë një tolerancë të veçantë politike, nëse e ka parë dhe është bindur se ai vetë tani e tutje nuk mund ta ndërrojë gjendjen, për shkak se i mungon guximi për të vepruar në mbrojtje të ligjit, rendit e të vendit. Po të tërhiqej, po të vepronte me maturi e dije politike e cila nuk i mungon, Edi Rama, do të radhitej në mesin e kryeministrave më të suksesshëm të Shqipërisë së këtyre 30 viteve, kaos dhe anarki.
Në të kundërtën edhe ai me të vetën do të ziheshin në të njëjtin kazan ku zihet e lëshon tym të zi e të dëmshëm për kombin e atdheun, politika mujshare në Shqipëri.