Protesta në Prishtinë do të mbahet mend për shumë kohë dhe për disa arsye.
Në radhë të parë është protesta e parë masive e mbajtur, në Prishtinë prej kur kanë marrë qeverisjen e vendit, Albin Kurti e Vjosa Osmani.
Po kështu, protesta do të mbahet mend edhe për shpërfilljen që i bënë tri partitë e opozitës, por jo edhe disa zyrtarë e deputetë, të cilët u panë në protestë, jo vetëm sa për sy e faqe, por me qëllim për të shprehur pakënaqësinë me keqqeverisjen e mashtrimin që po u bën qytetarëve, Qeveria e Kosovës.
PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, duket se nuk kishin besuar se PSD-ja do të mund të organizonte një protestë të tillë, andaj edhe e anashkaluan atë, jo për shkak të pandemisë, të paktën këtë fakt nuk e kanë përmendur paraprakisht, dhe tani nund ta përdorin si arsyetim.
Protesta artikuloi shumë qartë zërin e qytetarëve të pakënaqur me masat që ka paraparë Qeveria për shtrenjtimin e energjisë elektrike, ndërsa organizatori paralajmëroi se do të mbahen edhe protesta të tjera më masive për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë, që të kursejë buxhetin “e vet” në dëm të qindra mijëra familjarëve të vendit, duke rënduar dyfish buxhetin e taksapaguesve, të po këtyre qytetarëve të cilët, për çdo vit mbushin buxhetin e Qeverisë.
Gjatë vitit të fundit, PSD-ja me shumë aktivitete, ka treguar se është parti serioze, e cila është vënë në mbrojtje të interesit të qytetarëve, jo për të vazhduar praktikat e dikurshme të përbashkëta me Vetëvendosjen, por duke u ndarë përfundimisht nga ajo dhe duke ia zbuluar të gjitha kauzat mashtruese.
Sot në Prishtinë u protestua me të drejtë.
Qytetarët, nuk duhet ta lejojnë shtrenjtimin e energjisë elektrike, për shkak se Kosova ka resurse energjetike me bollëk dhe ata nuk janë fajtorë, pse partitë politike dhe sa e sa sa ish qeveri të kaluara, nuk kanë arritur as arrijnë marrëveshje për shfrytëzimin me bashkëpunim e mirëkuptim të atyre resurseve.
Qytetarët gjithmonë kanë të drejtë, sepse ata me tatimet që i paguajnë shtetit mbushin buxhetin e vendit, të cilin e shfrytëzojnë për veten e partitë e tyre, ata që arrijnë pa marrin qeverisjen.
Ngritja e vetëdijes qytetare për pozitën e vet sociale, duhet të jetë arma më e fortë, të cilën duhet ta përdorë ai për ta mbrojtur në radhë të parë interesin e vet në një sistem, që nuk e njeh barazinë sociale, edhe pse thirret në emër të saj.
PSD-ja mund të bëhet lidere e opozitës, nëse vazhdon ta rrisë përkrahjen e qytetarëve, pikërisht në momentet kur atyre u duhen udhëheqës të drejtë, parimorë e të vendosur.
Lëndimi i tre policëve, edhe pse me keqardhje nuk e ka dëmtuar protestën e sotme, e cila ka artikuluar një zë të fuqishëm qytetar, të cilin e ka dëgjuar mirë Qeveria, e cila përnjëherë u mundua ta ironizojë, në mënyrën më të ligë të mundshme.