leoni

Radio Kosova e Lirë

RKL: Sovraniteti i pretenduar në veri, nga Qeveria-Kurti, mashtrim fiktiv-virtual, për përfitim elektoral

Qeveria-Kurti po përpiqet që të gjitha dështimet gati 4 vjeçare, mos realizimin  as dhjetë për qind të premtimeve elektorale, shpërfilljen e në disa raste edhe konfrontimin me aleatët më besnikë të Kosovës, t’ i lë nën hije duke i mëshuar fortë telit se e paska kthyer sovranitetin në veri, të cilin nuk e paskan bërë qeveritë paraprake.

Albin Kurti e di mjaft mirë se kush e ka sovranitetin dhe kontrollin e sigurisë në veri. E  di se për veriun madje edhe për tërë Kosovën, de iure ende është e vlefshme Rezoluta 1244 e KS të OKB-së,  mandatin e së cilit përditë na e  përkujtojnë autoritetet më të larta të KFOR-it dhe përgjithësisht autoritetet ndërkombëtare.

Për ta  kthyer sovranitetin e pretenduar, fiktiv dhe të papranuar nga 99 për qind e serbëve që jetojnë atje dhe përbëjnë shumicën në katër komunat e veriut, Policia e Kosovës ka pasur mbrojtjen   nga forcat paqeruajtëse të kësaj force të NATO-s, të cilat në shumë raste janë kacafytur vetë  me protestuesit dhe bandat serbe duke marrë plagë e jo në pak raste duke humbur edhe jetët e tyre.

Mos akordimi i veprimeve në veri ka bërë që Qeveria e Kosovës të bie ndesh me faktorin ndërkombëtar veçmas me Amerikën dhe BE-në   që ka rezultuar edhe me vendosjen e sanksioneve, për herë të parë në historinë e vendit.

Se deri ku ka sharruar Albin Kurti në konfrontim me autoritete ndërkombëtare  po sjellim disa shembuj, të cilët ilustrojnë më së miri, situatën gjithnjë e më të rënduar dhe rrezikun permanent për të ardhmen e vendit.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, profesori Dejvid Kanin  kishte  theksuar se Kosova po udhëhiqet nga një kryeministër, me të cilin askush nuk dëshiron të bashkëpunojë. Kanin vlerëson se përplasja e Albin Kurtit me perëndimin po e favorizon Serbinë, e cila ka përfituar në diplomaci dhe është shndërruar në një aktor kyç në rajon. Ai  ka komentuar aksionin e fundit të Policisë së Kosovës për mbylljen e objekteve të pa licencuara, i cili është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian si veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar. Ambasada amerikane në Prishtinë e cilëson këtë aksion si rrezik për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Insistimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe përgjithësisht i Qeverisë së tij për ‘ngulitjen’ e sovranitetit të policisë dhe administratës së Kosovës, në veri, parimisht nuk mund të injorohet as të kundërshtohet, po realisht krejt kjo ka prapa farsën në vazhdim të mashtrimit për zgjedhjet e përgjithshme, sepse, Kurti më mirë se askush tjetër e di se manovrimet e tilla, nuk e ngulitin dot pushtetin e Kosovës në Veri, pasi që Asociacioni i Komunave me shumicë serbe,  krejt këto veprime i kthen në pikën zero, madje merr edhe shumëçka në komunat serbe brenda vendit e jo vetëm në veri.

Mirëpo këto veprime kanë ndikim të keq në tërë vendin meqë, asnjërën nga këto nuk i pranon BE-ja, Amerika, Gjermania, Franca, Italia  dhe asnjë shtet tjetër, për me tepër, ata do të vazhdojnë ta përkrahin insistimin e Serbisë, për autonominë e serbëve në Kosovë.  Serbia vazhdon të paraqitet si viktime, me qëllim që ta përforcojë mbështetjen  ndërkombëtare jo vetë të Rusisë por edhe të BE-së e të Amerikës.

Në reagimet e fundit pasi Policia e Kosovës ka mbyllur nëntë objekte të Postës së Serbisë, në veri të Kosovës gjatë një aksioni  në vazhdim, autoritetet ndërkombëtare jo vetëm që nuk janë pajtuar me veprime tilla, por kanë shprehur kundërshtime të fuqishme.

Ambasada amerikane  në Prishtinë, kishte  shprehur zhgënjim të thellë lidhur me vendimin e njëanshëm të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e degëve të Postës Serbe në katër komunat e veriut. Ky veprim është cilësuar si përshkallëzues dhe i pakoordinuar, duke kërkuar që të rikthehet procesi i dialogut i ndërmjetësuar nga BE-ja. Aksionet pakoordinuara të Kosovës vënë në rrezik qytetarët  dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë tensionin në rajon dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm rajonal.

Autoritetet e KFOR-it në vendin tonë, kanë deklaruar dhe kanë rikonfirmuar  se çdo vendim mbi hapjen e Urës së Ibrit, duhet të ndjekë dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë. KFOR-i ka nënvizuar se ka një prani të përhershme në urë dhe vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth për të siguruar stabilitetin dhe sigurinë. Misioni do të ndërhyjë në rast se ndodhin zhvillime, që mund të rrezikojnë mjedisin e sigurisë. Ndërkohë, institucionet e Kosovës, pa i marrë parasysh vërejtjet e ndërkombëtarëve  kanë kryer inspektime dhe testime fizike mbi qëndrueshmërinë e Urës së Ibrit.

Ky është realiteti që aktualisht po mbretëron në vend, ndërsa kryeministri  sillet me komoditet dhe nuk i bën syri vërr, jo sepse është trim, dhe as mund të shitet trimëri e tillë me forcat dhe faktorë ndërkombëtarë,  pasi është shumë i sigurt se derisa të ketë forca të NATO-s në Kosovë, ato do ta ruajnë status-quonë, do ta ruajë paqen e sigurinë, deri atje ku mund të ruhet, jo për kapriciozitetet dhe për prepotencën arrogante, delirante  të Albin kryeministrit, por për tërë popullatën, pa dallime etnike. Kurti vazhdon të jetë këndes në qerre…Atij për asgjë nuk i bëhet vonë, përveç zgjedhjeve për të cilat me mendjelehtësi beson se do t’ i fitojë.

Sa mund të qëndrojë ‘sovraniteti’ i Kosovës  në veri pa Amerikën, BE-në dhe NATO-n

 

Se sa mund të qëndrojë ‘sovraniteti’ i Kosovës  në veri, pa Amerikën, BE-në dhe NATO-n, këtë më së miri i di Qeveria dhe Kurti në krye të saj, por kjo nuk bie ndesh me politikën mashtruese të tij, për qëllime përfitimesh politike, tani më parapërgatitje për ato elektorale. Ai me retorikën e tij difuzive, përditë propagandon për të arriturat, pavarësisht sa janë reale dhe të qëndrueshme ato.

Pas shpërthimit terrorist në kanalet e Ibër Lepencit, më 29 nëntor,  u pa sheshit sa është i qëndrueshëm dhe i pranishëm sovraniteti i Kosovës në veri. Sulmi terrorist, pavarësisht kush  mund të qëndrojë  pas këtij akti subversiv,  kishte një mesazh vrastar, për t’ i treguar Kosovës, por edhe faktorit ndërkombëtar,  se çka është në gjendje të bëjë Serbia, qoftë edhe vetëm me shpërthimin e Liqenit të Ujmanit. Ministri, mendjelehtë, Xhelal Sveçla, muaj më parë,  bënte pushime verore dhe u bënte thirrje qytetarëve të shfrytëzonin këtë vend për rekreacion e pushime, duke u thirrur në shtrirjen e sovranitetit në çdo metër katror në veri.

Ambasadori amerikan  në Kosovë, Jeffry Hovenier, kishte dënuar fuqishëm sulmin në infrastrukturën kritike të Kosovës më 29 nëntor, duke  bërë thirrje për një hetim gjithëpërfshirës për zbardhjen e rastit. Amerika  mbështet plotësisht Qeverinë e Kosovës për të identifikuar dhe mbajtur përgjegjës ata që kryen këtë akt kriminal, ka shkruar ambasadori, duke nënvizuar mbështetjen e vazhdueshme për stabilitetin dhe sigurinë e vendit.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte reaguar pas shpërthimit në kanalet e Ibër Lepencit, duke e quajtur këtë ngjarje një tregues të politikave të gabuara dhe mungesës së qasjes proaktive të Qeverisë së Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Haradinaj theksoi se kjo situatë po rrezikon infrastrukturën strategjike të vendit dhe kritikoi ashpër zyrtarët qeveritarë për “naivitet dhe mos njohuri mbi problemin”. Ai bëri thirrje që institucionet e sigurisë të punojnë ngushtë me KFOR-in dhe prezencën amerikane për të parandaluar ngjarje të ngjashme dhe për të mbrojtur resurset jetike të Kosovës. Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje Qeverisë të veprojë me seriozitet dhe vendosmëri në trajtimin e situatës në veri të vendit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok, të cilin me të drejtë e ka cilësuar  akt terrorist,  theksoi se shpërthimi kishte për qëllim dëmtimin e infrastrukturës kritike të Kosovës, duke ndërprerë furnizimin me rrymë dhe ujë për disa pjesë të vendit. “Këto sulme janë kriminale, terroriste dhe besojmë se vijnë nga fqinji ynë agresor. Ky akt ka dëmtuar rëndë kanalin e Ibër-Lepencit, që furnizon disa pjesë të Kosovës. Furnizimi është ndërprerë, dhe ky sulm është një tentativë për të dëmtuar infrastrukturën më të rëndësishme që kemi,” tha Kurti. Ai paralajmëroi se riparimi do të jetë një proces i vështirë dhe se, nëse nuk arrihet të riparohet, disa pjesë të Kosovës mund të mbesin pa furnizim me rrymë dhe ujë. Albin Kurti  me këtë rast nuk u krekos për shtrirjen e sovranitetit në veri, por më vonë zbuloi se sulmi nuk ishte drejtuar kundër qeverisë, por kundër popullatës, duke i sjellë dëme të mëdha.

 

Përditësuar

20 12. 2024

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Fatmir Graiqevci

Fatmir Grejqevci: Tri mësime nga luftërat e kohërave të lashta që po gjejnë zbatim gjatë kohës sonë!

Tri mësime nga luftërat e kohërave të lashta që po gjejnë zbatim gjatë kohës sonë! …