Historianë dhe studiues gjysmakë, me prejardhje balliste e profashiste, në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë nga fashizmi italo-gjerman, hedhin hapin e parë të, sikur thonë ata, çeljes së dialogut dhe rishikimit të një periudhe të rëndësishme të popullit shqiptar. Edhe pse të dhënat zyrtare të dëshmorëve të rënë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare janë 28 mijë, me emër e mbiemër, emra të skalitur në pllaka dëshmorësh në komplekse memoriale, kudo në Shqipëri, botim i ri i këtyre farë akademcave ka nxjerrë një listë të deformuar e të falsifikuar, duke masakruar e minimizuar numrin e dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, në 7200 dëshmorë të ranë në luftë kundër pushtuesve , dhe mbi 2000 viktima nga ajo, që këta akademca e quajnë, ‘luftë civile’, një shpikje antihistorike, pa asnjë bazë shkencore.
Studimi për kohën e luftës në Shqipëri, thuhet se vjen me kontributin e ‘çmuar’ të studiuesve dhe profesorëve të njohur: Nevila Nika, Hasan Bello; Marenglen Kasmi; Çelo Hoxha; Florian Çullhaj e çullanë të tjerë. Përveçse një përpjekje për të rishikuar dhe rivlerësuar të dhënat historike të Shqipërisë, ky botim i ASSH-së, institucioni i krijuar në gjirin e Universitetit Europian të Tiranës, është edhe një ftesë për studiuesit, historianët dhe studentët e angazhuar, të mos i ndalin përpjekjet për të vendosur nën dritën e fakteve dhe të vërtetave të kaluarën tonë.
Tani që kanë kaluar 80 vjet nga çlirimi i Shqipërisë duhet të sjellim në kujtesë se prej 7 prillit të vitit 1939 e deri më 29 nëntor të vitit 1944, Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste, dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të votit1943, u pushtua nga forcat gjermane. Në fund të nëntorit të vitit 1944, pas çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej të çlirohej qyteti i Shkodrës, e cila u çlirua më 29 nëntor 1944.
Më 29 nëntor të vitit 1944 Shqipëria, pa ndihmën e askujt por me forcat e veta luftarake u çlirua nga pushtimi fashist. Pa Shkodrën e çliruar nuk mund të kishte Shqipëri të çliruar. Shkodra nuk ishte vetëm një territor, ajo kishte qenë dhe ishte shpirti i Shqipërisë, kryeqendra historike e Veriut te saj, kryeqyteti i lashtësisë së saj ilire. Shkodra ishte qendra e fundit në Shqipëri ku qenë grumbulluar rreth 3000-4000 gjermanë dhe 2500 bashkëpunëtorë të tyre. Informacionet e kohës japin të dhëna për bashkëpunëtorë të tjerë. Shkodra u çlirua më 29 nëntor të vitit 1944, datë kjo e cila shënon ditën e çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi gjerman. Shqipëria është vendi i parë në Ballkan që u çliruan me forcat e veta, ndërsa të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit u çliruan me ndihmën e Armatës së Kuqe.
Me cilat fakte, dokumente, të dhëna shkencore, mund të mohohet ky realitet
Kujt i shërben përpjekja mbi baza partiake, ideologjike, për ta deformuar, apo për ta falsifikuar këtë realitet.
Kush dhe çka përfitohet me përpjekje të tilla çoroditëse të deformimit të historisë sonë kombëtare.
Asnjë përgjigje e faktuar mbi baza shkencore, nuk mund ta rrëzojë realitetin në rrethanat dhe zhvillimet luftarake, ideologjike e diplomatike të kohës së viteve 1939-1944.
Po kështu përpjekja për ta rrëzuar tezën se ‘fitimtari e shkruan historinë’, nuk është shpikje jona por realitet, të cilin e njeh dhe e pranon tërë bota.
Duke komentuar këtë pjesë të historisë, gazetari dhe analisti i njohur, Ben Andoni konsideron se kolaboracionistët kanë kompleks 29 nëntorin. Ai shkruan se përpjekja e turpshme për të mbuluar kolaboracionizmin, që çuditërisht tek ne konsiderohet si vlerë për disa; urrejtja “në masë” për anti-fashizmin duke e lidhur me komunizmin; zbehja e vlerave të fitores mbi fashizmin na zbret shumë e shumë shkallë poshtë vlerave, që mbajnë sot frymën e vendeve, që i vunë dërrmën fashizmit, thotë gazetari dhe analisti i njohur, Ben Andoni. Shqipëria e vogël u gjend në krahun e tre superfuqive, që e mundën fashizmin. Duan apo nuk duan disa. Në rast të kundërt, jo pak gjasa kufiri i sotëm mund të ishte shumë më lart se ai ekzistuesi. Paçka se sot e kësaj kohe fqinjët tanë të Jugut nuk e respektojnë këtë verdikt dhe na shpalosin “Ligjin e Luftës”. “Për fat të keq, të Majtët e sotëm, që drejtohen nga Edi Rama kanë kompleks me Luftën, e para për pozicionin që ata morën në 1944, dhe e dyta se kjo vlerë u bën hije dhe sot. Ndërsa Aleatët tanë më të mëdhenj, apo disa nga vendet perëndimore (me kontribute minore) mundohen të ngrenë edhe ato pak elementë të sforcuar antifashizmi, ne i fshehim. Ne i sfumojmë. Ndaj të bënte aq çudi, që Bashkia që bëri një aktivitet aq të mirë për 28 Nëntorin 2024 dhe që nuk lë rast pa shfrytëzuar për festime, ishte aq e vakët për 17 Nëntorin e Çlirimit të Tiranës dhe 80-vjetorin e Çlirimit të Atdheut.